OPINION

Ku i kemi drejtuar majat e këpucëve?

22:48 - 10.05.21 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në emigracion? Në gjuajtjen e një vendi pune në shtet ku të vegjetojmë të qetë? Në gjuajtjen e një vendi pune në shtet ku të bëhemi të pasur? Në mesjetë, Hollanda, shteti në Evropën e Bashkuar që na sheh si vendi me më pak merita për të hyrë në Bashkimin Evropian, nuk ishte ky shtet që është sot. Hollandezët ishin të varfër. Shumë më të varfër se ne në atë kohë. Hollanda ishte toka ku malarja bënte kërdinë, Hollanda renditej ndër vendet më të varfëra të kohës. Të përmbytur, hollandezët e shihnin shtrembër, e “urrenin” njërit-tjetrin, sepse u dukej se tjetri, me të padrejtë u hante bukën qe u takonte atyre. Duke parë se nuk po shkonin gjëkundi, vendosën që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Sipas tyre, u dilte më mirë që jo vetëm ta urrenin “rëndshëm”, por edhe të bashkëpunonin, sesa vetëm ta “urrenin” njëri-tjetrin. Duke bashkëpunuar, Hollanda rriti eksportet e saj dhe u bë superfuqi detare. Ndërsa sot, rezultati është ai që shohim të gjithë. Një Hollandë që i ka marrë tokën detit. Që aktualisht është eksportuesi bujqësor numër dy në botë. Dhe shteti i 14-të në botë me të ardhurat më të larta për banor. 36 mijë e pesëqind euro për frymë në vit. Sipas këtij treguesi, Hollanda renditet i dyti vend më i pasur në Evropë, pas Norvegjisë(https://aboutthenetherlands.com/why-is-the-netherlands-so-rich/ ). Po ne, në shekullin e 21-të, ku jemi? Me 4 mijë e pesëqind euro për banor, jemi vendi i dytë më i varfër i Evropës, pas Moldavisë. Na e kalon edhe Kosova, edhe pse për fare pak. Jemi vendi ku tetë në dhjetë të rinj mendojnë vetëm të largohen. Ku popullsia po plaket dhe qytetet e fshatrat po boshatisen me një ritëm rritjeje të frikshëm. Këto janë problemet dhe njëkohësisht sfidat tona. Jo standardet e diskutueshme në zgjedhje. Rezultati i zgjedhjeve është problem i madh për humbësin dhe përgjegjësi e rëndë për fituesin. E ardhmja jonë nuk është e varur tek ri-vlerësimi i votave të pavlefshme, as tek “provat” e trukimit të zgjedhjeve, të cilat, edhe po të gjenden bindëse, janë larg me vite dritë nga deformimi i rezultatit përfundimtar. Nëse ka diçka që duhet të na shqetësojë tek përgatitja e zgjedhjeve të 25 prillit, është depërtimi i një force politike në të dhëna private të qytetarëve që ligji ua mohon me forcë partive politike që t’i zotërojnë. Ky është super skandali i këtyre zgjedhjeve dhe jo deformimi i vullnetit të zgjedhësve, i cili, edhe pse kemi patur zgjedhje me standarde shumë më të ulta e të dobta se këto të 25 prillit 2021, asnjëherë nuk ka ndodhur! Prandaj dhe problemin humbësi, Partia Demokratike duhet ta gjejë tek mospërputhja e garës së saj me frymën për ndryshim që e kishin qytetarët. Kjo parti ka nevojë si njeriu për oksigjenin që të bëjë një analizë të thellë pse drejtuesit e saj, programi i saj dhe njerëzit që drejtuesit caktuan në listat e 12 qarqeve për të garuar, nuk thithën shpresën për ndryshim që ishte tek njerëzit. Pse kjo shpresë ngeli jetime dhe i ngeci e lodhur ndër duar Konsumatorit të madh tetëvjeçar të pushtetit? Partia fituese duhet të shohë të mos flirtojë aq rëndshëm me kompanitë vendase mbizotëruese në treg, si në rastin e dy tenderave të fituara nga kompania fantazme DH Albania në tetor 2018, si dhe t’i lërë rehat qytetarët gjatë patronazhimit të sjelljes së tyre në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe në ato të përgjithshme të vitit 2025. Është koha që fituesi dhe humbësi të mund të gjejnë gjuhën e përbashkët, për t’i shërbyer së bashku qytetarëve të një vendi që po plaket dhe boshatiset. Që të sjellin shpresë për një rini të pashpresë në vendin e vet! Po a do të jenë në gjendje ta bëjnë? Një fitues me dehjen e mundshme nga nektari 12 vjeçar i pushtetit pakufi dhe një humbës me problemin madhor të mbajtjes së direkut të anijes së vet politike në detin plot dallgë dhe idhnim të agjërimit 12 vjeçar pa pushtet? Këto ngjajnë sfida hamletiane, por problemet e vërteta të vendit janë mbajtja e të rinjve në Shqipëri, industria përpunuese për eksport dhe hapja masive e vendeve të reja të punës. Probleme për të cilat Fituesi dhe Humbësi, kanë përgjegjësinë madhore përpara historisë(se përpara nesh deri tani kanë treguar se nuk para e kanë), të na bëjnë si qytetarë që, duke e parë shtrembër njeri-tjetrin, të provojmë të punojmë fort së bashku. Dhe të fiksojmë, pas tridhjetë viteve të çuar kot, më së fundi, majat e këpucëve në drejtimin e duhur…




 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.