KULTURË

“E hëna e parë e dhjetorit” e Ledion Krisafit, si frymë depërtuese në ciklet e jetës

12:15 - 21.05.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Letërsia shqipe sapo ka njohur një frymë, një stil dhe një teknikë të panjohur më parë, atë të një autori që nuk vjen nga rastësia. Leximet e mira, një perceptim ndryshe për botën, të bukurën estetike dhe shpirtërore, njohja deri në grimat më të imëta të teknikave narrative, luajtja me gjuhën, krijimi i fjalëve të reja dhe pakohësia e një romani, që padyshim do t’i gëzohet kanonit të letrave shqipe e bëjnë Ledion Krisafin një prej zërave më shpresëdhënës, për të nesërmen e ndritur të sistemit letrar.




Romani “E hëna e parë e dhjetorit”, na njeh me Gjirokastrën e dikurshme, me kujtimet e fëmijërisë së një djaloshi, që përmes përshkrimeve të rrjedhshme hyn brenda personazheve, të cilët bisedojnë për nocione universale si koha, liria, bukuria, feja e sidomos jeta dhe vdekja. Krisafi e shtrin rrëfimin brenda 24 orëve, përmes vrullit të pasurisë gjuhësore. Gjithçka e mirëmenduar në detaje, për të sjellë një roman nga i cili dashamirësit e librit do ta kenë të vështirë të ndahen.

Romani juaj vjen si një vepër që thyen gjithë traditën pararendëse të sistemit letrar. Gjithçka ndodh në Gjirokastër, në qytetin ku rroken kujtimet e fëmijërisë, nisur që nga mëngjeset me aromën e qumështit dhe bukën e thekur. Ajo që ngacmon kureshtjen është përzgjedhja e dimrit, si stinë që na bashkëshoqëron përgjatë gjithë romanit. Pse dimri e jo një stinë tjetër?

Kjo është diçka që ka ardhur vetvetiu. Gjirokastra në mendjen time ka qenë gjithmonë në dimër, gjithmonë me shi dhe dëborë, gjithmonë e lidhur me kënaqësinë e të zgjuarit në minder, në oda dhe të vështruarit përtej dritares së dëborës në avlli ose shiut, që ka qullur degët e hardhisë ose me kënaqësinë e të provuarit të ngrohtësisë së katoqit poshtë, të bukës së thekur e lyer me gjalpë pasi ke përshkuar ftohtësinë dimërore të odasë, korridorit dhe shkallëve që lidhin katin sipër me katoqin poshtë. Ndërkohë që Gjirokastra në verë është jashtëzakonisht e nxehtë dhe nuk të jep asnjë kënaqësi të tillë. Gjithçka që dëshiron të bësh është si t’i shpëtosh zhuzhisë verore duke gjetur një copëz freskie e kjo është një ndjesi që aspak nuk të ngel në mendje.

Tek “E hëna e parë e dhjetorit” nuk mund të flasim mirëfilli për një ngjarje, por për një gjendje që zgjat vetëm 24 orë. Në këtë hark kohor, cilat janë ndryshimet më të evidentueshme të personazheve dhe në tërësi të subjektit?

Personazhet i përshtaten situatës në të cilën ndodhen, i përshtaten mëngjesit, i përshtaten takimit me priftin, i përshtaten momentit të pirjes së kafeve pas vdekjes së dikujt etj. Pavarësisht gjithë diskutimeve që ata bëjnë mbi vdekjen, jetën, kohën, dashurinë, etj., në fund për ta e gjithë kjo është një lojë, i gjithë serioziteti i këtyre temave në një moment të caktuar zhduket, gjendja e tyre shpirtërore si të thuash vete e vjen brenda romanit duke kaluar nga serioziteti në lojë dhe nga loja në seriozitet.

3612293_10521 3612293_20210521
<
>

Retrospektiva ju kthen në fëmijëri. Na njihni edhe me disa prej fiseve me zë në Gjirokastër. Përveç bisedave të gjata që i keni bërë pjesë të romanit, ka një qasje tjetër për të njohur gjirokastritët që u kanë ngelur në mend nga ajo kohë?

Familjet e njohura gjirokastrite janë në libër, sepse kjo është Gjirokastra, nuk mund t’i shpëtosh dot atyre. Nuk mund të japësh Gjirokastrën pa ato familjet e njohura, janë shpirti i saj. Bisedat e gjata në libër për vdekjen, jetën, dashurinë, kohën, etj., nuk lidhen drejtpërdrejtë me Gjirokastrën, mund të ishin bërë kudo. Gjirokastra dhe njerëzit e saj në këtë rast është shërbejnë si sfond, si shtrat mbi të cilin zhvillohen ngjarjet. Qasja ime nuk është dhe aq e drejtpërdrejtë për të njohur Gjirokastrën dhe gjirokastritët sa ajo e shkrimtarëve të tjerë. Qyteti dhe njerëzit shërbejnë për të ndërtuar ngjarjen, idenë, por nuk janë ngjarja në këtë rast.

Kemi të bëjmë me një rrëfimtar të gjithëdijshëm. Hera-herës duket sikur ai hyn brenda personazheve. Ka një pikë në roman që do ta quanit kulmore?

Romani ka njëtrajtshmëri nga fillimi në fund. Kjo është bërë qëllimisht, duke qenë se dhe gjithçka ndodh brenda një dite, brenda 24 orëve. Në kuptimin klasik të fjalës nuk ka një pikë kulmore të romanit.

Zakonisht në narrativ në vetën e parë, rrëfimtari nuk mund të dijë atë çka mendojnë personazhet e tjera të romanit. Në këtë rast qëllimisht është bërë që rrëfimtari tregon mendimet e tij, por dhe të të tjerëve, domethënë ka një shkrirje të mendimeve të personazheve tek njëri-tjetri, është një përpjekje për të thyer traditën klasike të të ndarit të njërit personazh nga tjetri në rrëfim.

Nocione si jeta, koha, lumturia, bukuria, feja, e sidomos vdekja trajtohen në roman, madje ju thoni “Njeriu i afrohet fesë sa më shumë i afrohet vdekjes”. Si qëndrojnë personazhet tuaj përballë jetës dhe vdekjes?

Kjo është tema qendrore e romanit: si përballet njeriu me idenë e vdekjes, jo me vdekjen vetë si ndodhi, por me idenë që një ditë nuk do jetë më. Doja të hulumtoja si përballet një i ri, një i vjetër, një prift, dikush që është i dashuruar, dikush që nuk ka asnjë në jetë, e kështu me radhë.

Në të njëjtën kohë doja të hulumtoja dhe idenë e kohës, veçanërisht kur njeriu gjendet përballë një bukurie të madhe, përballë një ndjenje të fuqishme që mund të jetë nga dashuria për një femër tek gjëra më të vogla si të zgjuarit në mëngjes, qumështi, buka e thekur etj., se si këto ndjesi e zhdukin idenë e kohës dhe kalimit të saj, e zhdukin idenë e vdekjes dhe ardhjes së saj çdo ditë, pikërisht në këto momente njeriu ndihet i pakohshëm dhe i pavdekshëm, sepse mendon se si është e mundur që njëkohësisht të ekzistojë dhe vdekja dhe kalimi i kohës por dhe një bukuri kaq e madhe, kaq e jashtëzakonshme. Pikërisht për këto momente në kohë dhe hapësirë që bëjnë të harrohet si koha ashtu dhe hapësira, unë mendoj se pikërisht për këto njeriu jeton, i japin kuptim jetës.

Ajo që vihet re që në faqen e parë të romanit janë fjalitë e gjata, që krijojnë muzikalitet dhe ritëm përgjatë leximit. Duket se jeni ndikuar nga romanet e Marsel Prustit. Sa e vështirë ka qenë për ju të ruanit njëtrajtshmërinë e rrëfimit në këto fjali të gjata?

Pa diskutim që është një lojë stilistike e mundimshme, veçanërisht kur një roman shkruhet në një kohë të gjatë, si në këtë rast rreth 7 vite. Është e mundimshme ta lësh romanin në gjumë për javë e muaj të tërë dhe pastaj të kthehesh përsëri në atë gjendje mendore sa për të vazhduar ato fjalitë e gjata disafaqëshe. Por mendoj që të shkruarit ashtu si muzika është çështje veshi, nëse mund ta quaj kështu. Nuk është diçka që mësohet, nuk është diçka ta mësojnë apo mund t’ia mësosh të tjerëve dhe sado të punosh me shkrimin, me fjalinë, me gjuhën, në fund të fundit është diçka që o ke brenda vetes, o s’e ke. Është diçka që vjen natyrshëm.

“E hëna e parë e dhjetorit” është një roman me një pasuri të jashtëzakonshme gjuhësore. Fjalë të së folmes së Gjirokastrës, fjalë të krijuara nga ju, si dhe fjalë të vjetra pa vendosur një kufij gjeografik nëpër Shqipëri. Nga lind gjithë ky burim fjalësor dhe dëshira për të luajtur kaq bukur me to?

Unë jam rritur me gjyshërit e mi nga ana e mamasë, në lagjen Varosh në Gjirokastër. Gjithmonë më bënte shumë përshtypje gjuha e tyre, fjalët që përdornin, të cilat jo vetëm dukeshin ekzotike por njëkohësisht ndryshonin ose ishin edhe më të pasura se e folura e përditshme që hasja gjetkë, kështu që shumë prej atyre fjalëve ngelën në mendje dhe u bënë pjesë e fjalorit tim, shumë të tjera i kam mbajtur shënim prej vitesh, shumë të tjera i kam qëmtuar anekënd Shqipërisë dhe shumë të tjera janë krijuar nga unë. Qëllimi ka qenë gjithmonë për të shtuar mundësitë shprehëse të gjuhës shqipe, për të rritur nuancat e kuptimit që mund të jepen përmes gjuhës. Nuk kam pasur asnjë qëllim për të dhënë të folurën e Gjirokastrës apo jugut të Shqipërisë në përgjithësi. Aty ku kam parë që nuk kam gjetur fjalën e duhur, e kam krijuar vetë. Për shembull, më duhej një fjalë për të dhënë ndjesinë e të qenit gjithë natën pa gjumë, kështu që krijova fjalën sypagjumur, e plot raste të tjera.

Ka disa momente në roman ku ju bëni alfabetizmin e ditëve. Ka ndonjë simbolikë të veçantë ky moment?

Po. Qëllimi ka qenë që përmes mveshjes së një shkronje secilës ditë, në një farë mënyre personazhet e librit i japin kuptim, vlerë jetës së kujtdo që mund të vdiste atë ditë për ta dalluar nga çdo ditë tjetër, me idenë se të gjithë të tjerët në lagje do e harronin shpejt atë që kishte vdekur, por personazhet e librit duke i vendosur një shkronjë i jepnin kuptim harrimit që vinte pas vdekjes.

Përmenda pak më parë Prustin, por nuk mund të lëmë pa përmendur Xhojsin dhe ndikimin që shkrimtari ka pasur te ju. Duket se i njihni mirë teknikat e rrëfimit. Ishte e paramenduar që ky roman të vinte kështu, përmes këtyre teknikave narrative, që kërkojnë një lexues të stërvitur apo gjithçka erdhi krejt natyrshëm te ju?

Sigurisht që ka qenë e paramenduar. Dëshiroja të shkruaja një roman që të kishte një lexues shumë të mirë, një lexues të vëmendshëm ndaj gjuhës, ndaj stilit, ndaj temave të romanit. Doja një lexues që nuk lexon për të kaluar kohën, për të mbushur kohën, një lexues që nuk lexon për ta zënë gjumi në darkë. Doja një lexues që të futej në mendime prej temave të romanit, që të përpiqej të zgjeronte fjalorin e vetë me gjuhën e romanit, që të përpiqej ndoshta dhe në përditshmërinë e tij të shkruante ndryshe duke u ndikuar nga stili i romanit. Doja një lexues që të frymëzohej nga romani në shumë drejtime.

Sa për Prustin dhe Xhojsin, janë dy shkrimtarë që i vlerësoj shumë, mendoj se janë dy më të mëdhenjtë e shekullit të XX-të, dhe nga të cilët mendoj se kam mësuar shumë. E kam parë mënyrën time të të shkruarit të lidhur ngushtësisht me gjithë traditën e mëparshme letrare shqipe dhe botërore, ashtu siç Prusti që ju përmendni ka brenda tij gjithë traditën letrare franceze ashtu si Xhojsi tek Uliksi përmbledh gjithë traditën letrare të gjuhës angleze. Pra, askush nuk shkruan në një shkretëtirë mendore dhe tradite.

Gjirokastra parë përmes romanit tuaj, nga ndryshon nga Gjirokastra e shkrimtarëve të tjerë e në veçanti nga ajo e Ismail Kadaresë?

Gjirokastra tek Kadareja unë mendoj që shndërrohet në personazh të romanit, ashtu siç shndërrohet Dublini në personazh të romanit tek Uliksi i Xhojsit. Ky nuk ka qenë qëllimi im. Qëllimi im ishte që Gjirokastra e fëmijërisë sime, Gjirokastra që është në kujtesën dhe mendjen time të shërbejë si shtrat mbi të cilin ngrihet romani im.

Pas romanit “E hëna e parë e dhjetorit”, që është mirëpritur dhe vlerësuar nga kritika, çfarë do t’ju ngacmonte për një libër artistik të dytë?

Më ngacmon ideja e krijimit të një vazhdimësie me romanin e parë, jo për ta vazhduar aty ku mbaron në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por vazhdimi i narrativit me personazhet. Për shembull, më ngacmon ideja e nxjerrjes së personazhit të priftit At Ignatit dhe shkrimit të një novele. Më ngacmon ideja e nxjerrjes së dy personazheve, të birit të Skëndulajve dhe të birit të Hashorvatëve dhe vazhdimit të narrativit me ta, ku shkojnë jetët e tyre, ku shkojnë idetë e tyre. Në fakt, tashmë prej kohësh kam nisur të merrem pikërisht me këto ide.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.