Kryesore

Zero roaming me Ballkanin në Europë

19:00 - 16.06.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

GENC POLLO – Në samitin e Ballkanit Perëndimor, që u mbajt javën e shkuar në Tiranë një njoftim dallonte nga të tjerët pasi nuk ishte i natyrës së përgjithshme e nuk projektohej në kohën e ardhshme: Komisioneri për Zgjerimin Oliver Várhelyi deklaroi se duke filluar nga 1 korriku tarifat roaming në Ballkanin Perëndimor do të jenë zero. Pra përdoruesit e telefonave celularë nuk do të pagujnë më tarifa shtesë të kripura kur të telefonojnë nga një shtet tjetër i rajonit. Siç tha z. Várhelyi kjo u arrit në kuadrin e Tregut të Përbashkët Rajonal (Common Regional Market) të rajonit (ky i fundit është një produkt kryesor i Procesit të Berlinit të nismuar në v. 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel). Rol të veçantë, krahas Komisionit Europian, kishte luajtur edhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council) me seli në Sarajevë, i cili kishte koordinuar masat ndërmjet autoriteteve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Roaming zero ka impakt të madh tek udhëtarët në rajon pasi celulari i sotëm nuk është telefoni i djeshëm por zyrë personale multifunksionale që punon vazhdimisht.




Në vitin 2010, asokohe ministër përgjegjës për telekomunikacionin, ndiqja me interes debatet në Parlamentin Europian për të realizuar roaming zero në të tërë Bashkimin Europian. Një grup eurodeputetësh, njëri syresh mik i imi, e kishte marrë me pasion këtë nismë. Ata synonin të dëshmonin se BE nuk ishte një konstrukt burokratik i largët e i ftohtë për popullsinë; eliminimi i tarifës roaming për telefonët celularë ishte rast ideal që qytetarët nga Bullgaria në Irlandë t’a ndjenin në kuletë dobinë e Unionit. Akordi midis Parlamentit, Komisionit e Këshillit (shtetet anëtare) u arrit, tarifa roaming u reduktua vit pas viti dhe në qershor 2017 u bë zero. Nismën e eurodeputetëve e gjeta frymëzuese dhe mendova se një masë e tillë mund të merrej edhe me fqinjët e Ballkanit Perëndimor; në një hap të dytë mund të realizohej midis rajonit tonë e Bashkimit Europian. Specialistët më përgatitën një memo fillestare me hapat ligjore e pasojat ekonomike. Në vijim i shkruajta Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për të organizuar një konsultë për këtë çështje mes gjashtë ministrave homologëve ballkanas. I vemti që m’u përgjigj, edhe në rrugë dypalëshe, duke u shprehur dakord në parim, ishte kolegu kosovar Besim Beqaj, një ofiqar kompetent e aktiv. Nga Beogradi, Shkupi, Podgorica e Sarajeva pata vetëm heshtje. Kam vrarë mëndjen për të shpjeguar mospërgjigjen dhe nuk besoj se mungesa e ambicies ishte një arsye; madje edhe lobimi kundra që mund të ndërmerrnin kompanitë celulare (ato humbisnin një fetë nga fitimi) nuk më dukej deçiziv. Më shumë ishte mosdëshira për të pranuar një propozim të Tiranës nga palë me paragjykime të vjetra e me hundë përpjetë.

Proçesi i Berlinit që e mundësoi marrëveshjen fillestare për roamingun në vitin 2015 ishte një nismë që vinte nga të “Mëdhenjtë” jashtë Ballkanit. Dhe si e tillë pranohet kollaj në një rajon që ka qenë sunduar apo kontrolluar nga perandori e fuqi të mëdha jo vendase. E ku, edhe pas largimit të perandorive, tipikisht askush nuk bëhet vetë profet në fshatin e tij; maksimumi mund të pranohet me gjysëm zëri si i tillë vetëm nëse emërohet nga dikush i madh e i largët.

Francezët e gjermanët kapërcyen një sfidë të vështirë pas Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse emancipimi nga perandoria nuk ishte pengesë historike për ta, sentimenti popullor negativ ndaj njeri tjetrit ishte barrierë e lartë për të themeluar një paqe të qendrueshme. Liderët e tyre si De Gaulle e Adenauer asokohe gjetën vizionin, kurajon e forcën të kapërcenin këtë pengesë e të farkëtonin marrëveshje që u bënë bërthama e paqes e miqësisë reciproke por edhe baza e Bashkimit Europian. Ballkani së fundmi nuk e ka patur një fat të tillë: kur Rama e Vućič gjashtë vjet më parë prezantoheshin në Europë si rimishërim lokal i De Gaulle e Adenauer ata në mendje nuk kishin dhe aq paqen e bashkëpunimin afatgjatë; më shumë synonin që Europa e bota të mendonte se nuk ishin sherrxhinj e pastaj t’i linte rehat e të mos u përzihej me standarte e vlera në çështje të pushtetit e të pasurisë. Në të vetmin rast kur bashkëpunimi i kësaj dysheje rezultoi domethënës ai u bazua në parime jo europiane dhe e rrezikoi seriozisht integritetin territorial të Kosovës. Po ashtu edhe nisma e Minishengenit, e cila u deklarua si fëmijë i frymëzimit nga “katër liritë europiane”, mund të kishte qenë fare mirë shtrati për heqjen e roamingut. Por Minishengeni jo vetëm pse përfshiu vetëm gjysmën e rajonit por kryesisht nga që shërbeu për propagandë politiko-personale e jo për substancë reale nuk realizoi projekte shoqërisht të dobishme si roaming zero e të ngjashme. E solli destini i historisë që gjëra të tilla të mund të realizohen vetëm brenda një kornize europiane. Për këtë nuk lipset të ketë ego të lënduara apo komplekse e pesimizëm. Për lojtarë konstruktivë në Ballkan, qofshin shtetërorë ose jo, ka hapësirë të mjaftueshme brenda kësaj kornize. Mjafton të kenë vullnet të luajnë. Hapi tjetër do të ishte roaming zero midis Ballkanit Perëndimor e Bashkimit Europian. Me shumë interes për shqiptarët e ballkanasit që me celular në xhep vizitojnë Italinë, Greqinë, Gjermaninë e më gjerë. (fund)

Genc Pollo

Ish ministër e deputet

16 qershor 2021

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.