Kosova

Shkarkimi i Valdete Dakës, PDK: I kemi nënshkrimet për ta dërguar presidenten në Gjykatën Kushtetuese

17:47 - 17.06.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Partia më e madhe opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës, thotë se ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për të dërguar në Kushtetuese vendimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryesueses së Komisioni Qendror të Zgjedhjeve.




Për të ngritur një çështje në Gjykatën Kushtetuese duhet nënshkrimi i 30 deputetëve. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, të enjten më 17 qershor, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, tha se vendimi presidentes është antikushtetues dhe i urdhëruar nga kryeministri, Albin Kurti.

“Për të mbrojtur rendin kushtetues, institucionet demokratike e profesionale, si dhe të parandalojmë secilin akt të tillë në të ardhmen, Partia Demokratike e sheh të domosdoshëm dhe të pashmangshëm opinionin e Gjykatës Kushtetuese, për çka i kemi mbledhur edhe nënshkrimet”, ka shkruar Hoxhaj.

Më 14 qershor presidentja Osmani ka shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe në këtë pozitë ka emëruar Kreshnik Radoniqin, i cili është gjyqtar në Departamentin special të Gjykatës së Apelit.

Në vendimin e saj për shkarkimin e Dakës, presidentja Osmani ka thënë se “kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së”. Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se vendimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shkarkimin e saj nga kjo pozitë është në kundërshtim me kushtetutën dhe i pa mbështetur në ligj.

Ajo ka thënë se do të ndjekë rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtën e saj. Një ditë pas shkarkimit të Dakës, presidentja Osmani shpalli 17 tetorin si datë kur do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë.
Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë kundërshtuar vendimin duke thënë se ai rrezikon edhe pavarësinë e mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale.

Kundër këtij vendimi kanë dalë edhe disa organizata joqeveritare në Kosovë. Ariana Qosaj-Mustafa, kryetare e bordit të Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës dhe ligjëruese në një nga kolegjet private në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se shkarkimi i Dakës ishte anti-kushtetues dhe ndikon edhe në themelet demokratike, në të cilat synon të ndërtohet Kosova.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.