AKTUALITET

Kolaudimet/ Ja automjetet që nuk përfitojnë nga shtyrja e afatit

10:20 - 13.07.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga qendra më e madhe ku kryhen kontrollet në  kryeqytet, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë,  Belinda Balluku, dhe drejtori i Transportit Rrugor, Bledi Gonxhe, e bënë të qartë se  automjetet e amortizuara nuk mund të qarkullojnë, pavarësisht se ligjërisht iu takon  të përfitojnë nga shtyrja e afatit të kolaudimit edhe me një vit ekstra.

“Kolaudimi është përgjegjësi personale. Ky afat që ne e shtymë nuk është për ata që i kanë mjetet copë-copë. Ata duhet të kuptojnë që janë përgjegjës për mjetin e tyre. Edhe në rast se kanë përfituar nga ky afat, duhet të mbajnë përgjegjësi për mjetin kur dalin në  rrugë”, deklaron kreu i DPSHTRR, Gonxhe, duke shtuar se ata që duan të vijnë vullnetarisht mund të rezervojnë online për t’u futur në radhën e kolaudimit bashkë  me mjetet e tjera që janë tanimë në lupë, si mjetet e transportit apo ato të shërbimeve  publike e private.

PENALIZIMET

Ata që nuk paraqiten, duke vënë në rrezik jo vetëm jetën e tyre, por edhe të mjeteve të tjera, DPSHTRR i ka filmuar në rrugë duke i futur në një “black list” për t’i penalizuar në momentin e parë që drejtohen për kontroll teknik. Ndërsa ata me probleme të theksuara, xhama a stopa të thyer e të tjera si këto, ndalohen menjëherë nga Policia dhe ftohen për kolaudim brenda një afati. “Ne kemi një listë të zezë të qytetarëve që nuk e respektojnë rëndësinë e kontrollit  teknik të mjetit të tyre.

Këta po ndalohen, po kthehen në kolaudim dhe në rast se brenda një muaji nuk riparojnë  defektet që kanë, ndalohet të qarkullojnë përfundimisht”, nënvizoi drejtori i Transportit Rrugor. Ndërsa ministrja  Balluku siguroi se me investimet që po kryhen për sistemet e kontrollit të automjeteve po minimizohen dhe rastet e abuzimeve dhe mitmarrjes. “Numri i automjeteve të ngelura, 24%, tregon se ne po afrojmë kushtet, po mundohemi që ky shërbim të jetë me çmime sa më të ulëta, me kohë sa më të gjatë, por qytetarët duhet të jenë konform të gjitha kërkesave për  të marrë certifikimin e kolaudimit”.

KUSH E KA RADHËN

Nga shërbimi i nisur në  31 maj, tanimë jo përmes koncesionarit, por si shërbim  publik, janë kolauduar diçka më shumë se 30 mijë automjete, çereku i të cilave nuk  e kaluan klasën. Sakaq, në  sitë vijojnë të jenë ende mjetet për certifikim emergjent, kontrolli i të cilave është domosdoshmëri, pasi ofrojnë shërbime publike e si të tilla janë konsumuar më tepër. “Momentalisht në kontroll teknik janë kategori të caktuara automjetesh që lidhen me afate të ulëta të certifikatave të kontrollit teknik, siç janë taksi, mjetet e udhëtarëve. Këtu hyjnë dhe rimorkiot, zjarrfikëset, mjete speciale pune, ndërtimi, teknologjike, autoshkolla e të tjera.

Bëhet fjalë për mjete konsumi dhe amortizimi më të madh, prandaj bëhen të parat”. Kolaudimi i tyre po bëhet gradualisht bazuar në muajin që u ka skaduar afati, nga janari, shkurti e me radhë. Në muajin e parë të rinisjes së shërbimit janë testuar 30145 mjete, nga të cilat  66.8% janë vetura, 21% kamionë dhe 7% autobusë. Sipas DRSHTRR-së, nga këto  kontrolle 7331 mjeteve iu është refuzuar kolaudimi, me urdhrin për t’u ritestuar për dëmtime si goma të tejkonsumuara, xhama të dëmtuar, defekte e mangësi në sistem, ndërkohë që një nga problemet më të shpeshta mbetet sistemimi

SI VEPROHET PËR UDHËTIMET JASHTË VENDIT

Përgjatë verës nuk janë të paktë ata që zgjedhin destinacionet në rajon e më gjerë për të pushuar. Por, leja  që kanë nuk njihet jashtë territorit shqiptar. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor kujton se çdo qytetar që dëshiron të qarkullojë me mjetin e tij jashtë shtetit, duhet të pajiset me leje drejtimi dhe leje qarkullimi ndërkombëtare.

Për këtë, duhet të paraqiteni pranë drejtorisë rajonale të afërt me lejen e  drejtimit dhe qarkullimit, dokumentin e identifikimit si dhe një fotografi për secilën nga lejet që nevojiten. Tarifa për të dyja shërbimet është e njëjtë, përkatësisht nga 500 lekë, dhe është e vlefshme jo vetëm për këtë periudhë, por për tre vjet. Kujtojmë që për udhëtime në drejtim të Kosovës, Maqedonisë, Malit të zi, Italisë dhe Greqisë nuk nevojitet leje drejtimi, por vetëm ajo për qarkullimin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.