Dossier

Historia e kapitenit të Zogut, besnikut të Abaz Kupit/ “Edhe pse u vra nga italianët më 6 prill të ’42-it, nuk u shpall “Dëshmor i Atdheut” dhe…”

08:35 - 12.08.21 Gazeta Shqiptare

Publikohet historia e panjohur e Mark Trokthi nga Laçi i Kurbinit, pasardhës i një prej familjeve më të njohura të asaj zone për tradita patriotike dhe fetare, ku i pari i tyre, Imzot Pashko Trokthi, arriti shkallët më të larta të hierarkisë kishtare, duke shërbyer për shumë vite si Arqipeshkvi i Shkupit dhe ai figuron i dyti në listën e personaliteteve fetare, të cilët më 29 qershor të vitit 1895, në kishën Katedrale Metropolitane të Shkodrës, firmosën Koncilin e Tretë Shqiptar, nën kryesinë e Imzot Pashko Guerinit.



Karriera e gjatë ushtarake e Mark Trokthit nga viti 1918, kur ai u mobilizua ushtar në Gardën Kombëtare në Tiranë, e deri tek ajo periudhës së Monarkisë së Zogut, ku ai, pasi shërbeu në disa detyra të ndryshme, kryesisht në repartet e Rojës së Kufirit në Shkodër, Kukës, Sarandë, etj., duke arritur të marrë edhe gradën e kapitenit dhe të dekorohej nga Mbreti Zog me “Medaljen e Trimërisë”, në prillin e vitit 1939, u largua nga Shqipëria dhe u vendos si azilant politik në Jugosllavi, pasi kishte kundërshtuar hapur pushtimin italian të vendit. Refuzimi i ofertës së bërë nga ana e kryeministrit Mustafa Kruja, që kapiten Trokthi të kthehej në Shqipëri dhe të shërbente në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare me gradën e kolonelit, gjë e cila u bë shkak që qeveria e asaj kohe të jepte urdhrin për internimin e familjes së tij dhe djegien e shtëpive të familjes Trokthi. Kthimi i Markut në Shqipëri me Abaz Kupin dhe majorin britanik Cripps, në korrikun e vitit 1941 dhe vrasja e tij nga ana e forcave italianë në fshatin Moll-Kuç të Ishmit, ku ai ishte në përbërje të forcave të Abaz Kupit, si dhe peripecitë për shpalljen e tij ‘Dëshmor i Atdheut’, gjatë regjimit komunist, edhe pse ai ishte dëshmori i parë.

Origjina e hershme e familjes Trokthi është nga fshati Mërqinë i zonës së Ishmit që ndodhet në anën perëndimore të Fushë-Krujës, ku edhe sot banon fisi Troksi, nga trungu i së cilës janë shkëputur Trokthi-t, që janë vendosur në Laç të Kurbinit aty rreth vitit 1859. Pas familjes së Llesh Pjetër Vathit, fisi Trokthi njihet si një nga shtëpitë e para e më të vjetra të Kurbinit, krahinë e cila shtrihet ndërmjet dy lumenjve, Mat dhe Drojë. Trokthi-t njihen më tepër si familje që janë marrë me bujqësi dhe blegtori, por edhe si e lidhur ngushtë me fenë, duke filluar nga Pashko Trokthi, që arriti shkallët më të larta të hierarkisë fetare, deri në Argjipeshkvi i Shkupit, i cili së bashku me vëllanë e tij Hilën, përbëjnë dhe brezin e parë të familjes Trokthi.

Sipas disa dokumenteve arkivore që i disponon edhe familja Trokthi në Laç të Kurbinit, veprimtarinë dhe aktivitetin më të madh si patriot e hierark fetar, Imzot Pashku e ka pasur në qytetin e Shkupit, duke e shtrirë atë deri në Prizren e Gjakovë, ku së bashku me mësuesin e atdhetarin e njohur, Mati Logoreci, hapën dhe mbrojtën shkollën e parë shqipe të Prizrenit. Sipas studiuesit nga Shkodra, Gjush Sheldia (“Histori Kishtare”), Imzot Pashko Trokthi figuron i dyti në listën e personaliteteve fetare, të cilët më 29.VI.1895 në kishën Katedrale Metropolitane të Shkodrës, firmosën Konçilin e Tretë shqiptar nën kryesinë e Imzot Pashko Guerinit. Sipas disa dëshmive të tjera, bëhet e ditur se aty rreth vitit 1898, Arqipeshkvi Trokthi, u thirr në Vatikan dhe aty është diskutuar shumë nga Papati i asaj kohe, që t`i jepej titulli Kardinal, por ajo gjë nuk u arrit të bëhej për arsye se ai vdiq i helmuar në rrethana të paqarta dhe më pas u varros në varrezat fetare të Vatikanit (Kisha e Shën Pjetrit), ku edhe sot prehen eshtrat e tija.

Kush ishte Mark Trokthi?
Pas Imzot Pashkos, një nga emrat më të njohur të familjes Trokthi, të Laçit të Kurbinit, është nipi i tij Mark Jak Trokthi, që njihet ndryshe dhe si kapiten Marka Jaku. Marku u lind në fshatin Laç më 2 prill të vitit 1899 dhe mësimet e para ai i mori në fshatin e tij të lindjes, nën kujdestarinë e famullitarit të Kishës së “Shën Mëhillit” Padër Klement Miraj dhe më pas ai u diplomua në shkollën “Normale” të Elbasanit. Pas mbarimit të asaj shkolle, ai u kthye në vendlindjen e tij në Laç, ku qëndroi deri në vitin 1918, kur u mobilizua ushtar në Gardën Kombëtare në Tiranë. Gjatë shërbimit në Gardën Kombëtare, për aftësitë dhe prirjet që tregoi, atij i’u akordua grada e rreshterit.

Pas lirimit nga ushtria, Marku u kthye pranë familjes në vendlindjen e tij, por dhe aty nuk qëndroi shumë, pasi ai u thirr përsëri, që të shërbente në Ushtri, si oficer i karrierës. Në vitin 1921 Marku, kreu kursin e oficerëve në Tiranë, i cili zhvillohej nën kujdestarinë e Ministrisë së Luftës së asaj kohe, nga ku mori dhe gradën e Aspirantit. Pas kësaj, ai kreu edhe disa kurse specializimi të shkurtra për oficer, si në Tiranë, ashtu dhe në Itali. Pas përfundimit të këtyre kurseve, ai u emërua komandant i Kompanisë së Mitralierëve në Regjimentin e Gardës Kombëtare në Tiranë, ku u dallua si ushtarak me përgatitje të lartë, gjë e cila bëri që shumë shpejt t`i jepet dhe grada e togerit. Në këtë njësi të specializuar, Marku, shërbeu deri në vitin 1929, kur Ministria e Luftës, vendosi transferimin e tij në kufijtë veriorë të Shqipërisë.

Komandant i Kufirit në Veri dhe dekorohet nga Mbreti Zog
Duke parë përgatitjen e lartë të Markut si ushtarak, në shtatorin e vitit 1929, Ministria e Luftës e caktoi atë që të shkonte me detyrën e komandantit të postës kufitare në Rapsh, të Hanit të Hotit, në Malësinë e Madhe. Pasi shërbeu për një vit në atë postë kufitare, në vitin 1930 Markun e transferuan përsëri, duke e dërguar në kufirin Jugor të Shqipërisë, në Konispol të Sarandës, ku ai qëndroi deri në vitin 1933. Arsyet e këtij transferimi, ishte kontrabanda e cigareve që kryej në atë zonë kufitare dhe Marku u dërgua aty, si një ushtarak me figurë të pastër morale dhe i pa korruptuar. Pasi shërbeu për disa muaj aty duke e ndaluar kontrabandën, po në atë vit, me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm, gjeneral Xhemal Aranitasit dhe firmën e Mbretit Zog, Toger Marka Jaku u transferua përsëri për në Vermosh, në Qafën e Bordolecit, ku shërbeu po si komandant poste, deri në vitin 1934, ku u transferua përsëri për në Morinë të Kukësit dhe më pas për në Borje të Shishtavecit.

Pas gjithë këtyre transferime, ku ai dërgohej nga ana e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë, për të stabilizuar situatat e paqëndrueshme në kufijtë veriorë të Shqipërisë, në vitin 1937, Marku u transferua përsëri në Vermosh të Malësisë së Madhe. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kryerjen me përgjegjësi të detyrave të ngarkuara në mbrojtje të kufijve shtetërorë, me propozimin e gjeneral Xhemal Aranitasit, Mbreti Zog e dekoroi toger Mark Trokthin, me ‘Urdhrin e Lartë të Trimërisë’ dhe menjëherë pas kësaj, i’u dha dhe grada e kapitenit, duke marrë përgëzime personalisht nga Mbreti Zog, i cili e emëroi si komandant të Kavalerisë, pranë Gardës Mbretërore në Tiranë. Gjatë periudhës që Marku shërbeu si ushtarak i Monarkisë, ai gëzonte një autoritet të madh në të gjithë zonën e Kurbinit, pasi falë gjendjes së kënaqshme ekonomike që kishte, ai bënte herë pas here bamirësi të ndryshme, në shtëpitë e varfra të asaj zone.

Më 7 prill ‘39, bën thirrje për rezistencë

Në pranverën e vitit 1939, duke parë situatën e vështirë që po i afrohej vendit, kapiten Trokthi u transferua përsëri nga Tirana, për në kufirin verior në Bajzë të Kastratit të Malësisë së Madhe, ku e gjeti dhe 7 prilli i ’39-ës, ku Italia fashiste e Benito Musolinit ndërmorri agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë. Në këtë kohë, kapiten Trokthi i’u bëri thirrje të gjithë popullsisë së zonës kufitare të cilën ai e mbulonte ushtarakisht, që të organizoheshin për t’iu bërë rezistencë të armatosur forcave italiane. Në këtë thirrje, Marku gjeti dhe mbështetjen e përkrahjen e oficerit reservist, (kreshnik) Prek Calit, si dhe të oficerit madhor, major Llesh Marashit. Mbas 7 prillit të vitit 1939, duke e ditur se fashistët italianë do të merrnin masa karshi tij për ta burgosur, ai u largua për në Jugosllavi, së bashku me shumë nga ushtarakët e lartë të Mbretërisë Shqiptare dhe personalitetet e tjerë që udhëhoqën kundërshtuan hapur pushtimin e vendit apo organizuan rezistencën ndaj trupave italiane, si: major Abaz Kupi, major Spiro Mojsiu, Padër Lek Luli etj. Në qytetin Valjevo të Jugosllavisë ku u vendosën shumë nga ushtarakët e lartë të Mbretërisë Shqiptare, edhe kapiten Mark Trokthi u trajtua si emigrant politik nga ana e qeverisë mbretërore të asaj kohe.

Por gjatë asaj periudhe të qëndrimit në Jugosllavi, Marku më shumë u strehua në shtëpitë e miqve të xhaxhait tij, Dom Pashko Trokthit, në Prizren dhe Malësinë e Gjakovës. Gjatë viteve 1939 – 1941 që Marku ishte në Jugosllavi, ai pati oferta të ndryshme deri nga kryeministri Mustafa Merlika Kruja, i cili i bëri thirrje disa herë për të ardhur në Shqipëri dhe për të marrë detyra të larta ushtarake në shërbim të asaj qeverie. Asaj thirrje i’u përgjigjën shumë nga ushtarakët e Monarkisë, të cilët u kthyen në atdhe për të marrë detyrat që iu ngarkuan, ndërsa Marku e refuzoi në mënyrë kategorike atë gjë. Për herë të fundit, kryeministri Merlika i dërgoi Markut vjehrrin e tij, Lazër Gjokën nga Miloti, (i cili në 1912-ën, ishte bashkë me Gjin Pjetër Previzin kur ngritën flamurin në Milot), duke i premtuar atij se: po të kthehej në Shqipëri, do t’i jepte gradën e kolonelit dhe poste të larta drejtuese në Ushtrinë Kombëtare.

Pas kësaj oferte Marku, i’u përgjigj kryeministrit Merlika me anë të një letre, ku ndër të tjera i shkruante: “Për kërkesën që më keni dërguar ju falenderoj. Në Shqipëri do të kthehem po të jem gjallë, bashkë me shokët e mi, kur Shqipëria të jetë e gjitha shqiptare dhe pa pushtues e shërbëtorë të tyre. Këtë gjë do ta bëj jo për ofiqet dhe detyrat e larta që më premtoni ju në qeverinë tuaj, por për një Shqipëri të shqiptarëve”. Pas kësaj përgjigje, qeveria e Mustafa Krujës vendosi që t’i digjte shtëpinë Markut në fshatin Laç të Kurbinit dhe t’i internonte të gjithë familjen. Pasi e gjithë familja e madhe Trokthi qëndruan për tre ditë jashtë shtëpisë, djegia e saj nuk u bë e mundur, në saj të ndërhyrjes së Padër Klement Miraj, i cili shkoi vetë personalisht pranë ministrit të Punëve të Brendshme, Kol Bibë Mirakaj, duke i bëri atij të ditur, aktivitetin e madh patriotik të Imzot Pashko Trokthit. Pas kësaj, ministri Miraka pezulloi dhe vendimin e internimit të familjes Trokthi.

Kthimi i Markut në Shqipëri në 1941-in me major Abaz Kupin
Pas afro dy vjetësh qëndrimi në Jugosllavi, si emigrant politik, në korrikun e vitit 1941, kapiten Mark Trokthi u kthye ilegalisht në Shqipëri, duke përshkruar itinerarin: Dibër, Mat, Daul, Vinjoll, Luga-Paq dhe u vendos në Larushk të Fushë-Krujës, i strehuar nga familja Vathi. Kthimi i tij në Shqipëri konfirmohet edhe nga një dokument i Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe, e cila atë gjë ja bën të ditur kryeministrit shqiptar, ku midis të tjerash thuhet: “Ju njoftojmë se major Abaz Kupi, Isuf Selmani dhe kapiten Mark Trokthi, të shoqëruar nga koloneli anglez Cripps, janë kthyer në Shqipëri”. (AQSH f.552/2 D.171. Viti 1941). Pas disa muajsh nga kthimi i tij në Shqipëri, kapiten Trokthi u vendos pranë mikut tij të vjetër major Kupit, i cili asokohe kishte nën komandë afër 800 forca të armatosura, të përqendruara në fshatrat e Krujës dhe Tiranës. Marku u inkuadrua përnjëherë në formacionet ushtarake të Abaz Kupit dhe si rezultat i kësaj, qeveria e Mustafa Merlikës e shpalli atë person në kërkim, për aktivitetin e tij antifashist, gjë e cila e kishte zanafillën që nga 7 prilli i vitit 1939, kur ai kundërshtoi hapur pushtimin duke bërë thirrje për rezistencë të armatosur ndaj trupave pushtuese italiane.

Vrasja e Markut dhe shokëve të tij nga italianët në Ishëm
Në këtë kuadër dhe në bazë të vendimit të qeverisë e cila i’u ngarkua Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 6 prill të vitit 1942, forcat italiane pasi kishin diktuar më parë shtëpitë dhe fshatrat ku strehohej ai, organizuan një operacion, nga ku u bë e mundur rrethimi i tij, në fshatin Moll-Kuç të Ishmit. Pasi u njoftuan se ishin të rrethuar nga vrojtuesi që kishin lënë jashtë shtëpisë, kapiten Mark Trokthi që ishte dhe i pari i atij grupi të vogël në përbërje të forcave të Abaz Kupit, i’u bëri thirrje njerëzve që kishte nën komandë, që të largoheshin menjëherë prej andej, në mënyrë që i zoti i shtëpisë të mos kishte konsekuenca nga autoritetet italiane. Marku doli i pari nga shtëpia ku ishin strehuar dhe në momentin kur ishin duke kaluar në urën e telit (pasarelën) mbi lumin Ishëm, ata u gjendën përnjëherë nën breshërinë e zjarrit të forcave italiane, që kishin bërë rrethimin e plotë.

Trokthi-Abaz-Kupi-1 - Copy Trokthi-Abaz-Kupi-2 - Copy Trokthi-Abaz-Kupi-3 - Copy Trokthi-Abaz-Kupi-7 Trokthi-Abaz-Kupi-8 Trokthi-Abaz-Kupi-2 Trokthi-Abaz-Kupi-9 Trokthi-Abaz-Kupi-10 Trokthi-Abaz-Kupi-11 Trokthi-Abaz-Kupi-12 Trokthi-Abaz-Kupi-13 Trokthi-Abaz-Kupi-15-scaled
<
>

Në këtë përpjekje fare të shkurtër, Marku mbeti i vrarë i pari dhe më pas plumbat kapën dhe dy shokët e tij Xhemal Dervishin, e Hajdar Metën. Më pas, forcat italianët kapën të gjallë dhe katër shokë të tjerë të Markut, të cilët më pas i nxorën para gjyqit ushtarak dhe pasi i dënuan me vdekje, i varën në mes të Krujës. Pas vrasjes së tyre, sipas urdhërit nga Tirana, të tre kufomat i ngarkuan në një qerre dhe i ekspozuan për tre ditë në Kalanë e Krujës. Të katërtin që u kap i gjallë, Xhemal Danin (nga Picrraka e Krujës), italianët e dërguan në Itali, ku e ekzekutuan me varje në litar. Nga disa dëshmi të ndryshme, thuhet se kur major Abaz Kupit i vajti lajmi i vrasjes së kapiten Mark Trokthit dhe dy shokëve të tij, ai u shpreh: “Më mirë të më ishte vrarë njeri nga djemtë e mi, se sa Mark Trokthi”.

Konsekuencat e familjes Trokthi, pas vrasjes së Markut
Sipas dëshmive të nipit të tij, majorit në pension, Preng Trokthi, (ish-ushtarak i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme me shërbim në Gardën e Republikës), edhe pse kapiten Mark Trokthi, u vra nga forcat italiane për aktivitetin e tij antifashist, pas mbarimit të Luftës, në vitet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ai nuk u shpall ‘Dëshmor i atdheut’, sepse konsiderohej bashkpuntor i Abaz Kupit dhe emri i tij nuk përmendej asnjëherë as në shtyp dhe as në aktivitete të ndryshme përkujtimore. Përkundër kësaj, familja e tij në Laç, shikohej me sy tjetër dhe ajo pati konsekuenca herë pas here, deri aty sa pushteti vendor, kërkonte që t’i shpallte ata si kulakë, për shkak dhe pronave e tokave të shumta që zotëronte fisi Trokthi, një pjesë e të cilave ishin blerë nga Marku, gjatë viteve kur ai shërbente në Gardën Mbretërore.

Me gjithë insistimin e vazhdueshëm të Moll Bajramit nga Zheja, njërit prej eksponentëve komunistë më në zë të pushtetit vendor të zonës së Kurbinit (të cilin Marku në vitet e fundit të Monarkisë e kishte mbajtur pranë si adjutant të tij), nuk u bë e mundur shpallja e Mark Trokthit, si ‘Dëshmor i Atdheut’, pasi autoritetet partiake të Krujës, përmendnin thënien e Abaz Kupit, “Më mirë të më ishte vrarë njeri nga djemtë se Mark Trokthi”. Shumë vonë, aty nga fundi i viteve ’60-të, nisur edhe nga fakti se Laçi i Kurbinit dhe e gjithë ajo zonë (ku përfshihej Laçi, Shullazi, Selita, Gjormi, Mamurrasi, Gorreja, Gurëzi, Fush-Kuqja etj.), nuk kishin asnjë ‘Dëshmor të Atdheut’ dhe asnjë lapidar ku organet partiake e shtetërore të bënin homazhe dhe të vendosnin kurora me lule me rastin e 5 Majit, u bë e mundur që Mark Trokthit, një nga të parët që kishte luftuar dhe ishte vrarë nga italianët t’i jepej titulli “Dëshmor i Atdheut”. Po në atë kohë, me emrin e tij u pagëzua shkolla 8-vjeçare e qytetit të Laçit dhe disa vjet më vonë u ngrit dhe një lapidar me emrin e tij. Në këtë kuadër, biografia e fisit Trokthi u rregullua disi dhe rrugën e kapiten Mark Trokthit si ushtarak, e ndoqën edhe dy nipat e tij, Preng Trokthi, (pas viteve ’90-të ishte me gradën e majorit) dhe Leonard Trokthi, që shërbeu në radhët e reparteve të Ministrisë së Mbrojtjes, duke arritur deri gradën e nënkolonelit. /Memorie.al/

 

 

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.