OPINION

Sali Berisha, a duhet të largohet?

14:11 - 03.09.21 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Në këtë verë të pazakontë për nga temperaturat e larta që   provuam, një tjetër përjashtësim i madh duket të ketë goditur potikën shqiptare. Pas “goditjes” zgjedhore që ende dhe sot nuk është aspak e lehtë për t’u përballur, një tjetër “zgjidhje” akoma dhe më e vështirë për t’u manaxhuar, pikërisht pse është më tepër morale se ligjore, më tepër parimore se institucionale, i është vënë përpara  si një “cështje e nxehtë” për t’u zgjidhur, jo vetëm trupit përfaqësues të opozitës shqiptare, por gjithë popullit opozitar. Është shumë e rëndësishme ta bëjmë  një ndarje të tillë, pasi ajo është thelbi i demokracisë dhe i shoqërisë të së ardhmes që duam të ndërtojmë. Shpallja “non grata” e liderit historik të PD, zotit Sali Berisha nga DASH, ka vërshuar në një lumë të tërë diskutimesh, nga të dyja kahet e politikës, e kjo është dicka e natyrshme, madje do të qe një paradox po qe se do të ndodhte ndryshe. Vetëm se një cështje e tillë hap një sërë skenarësh. Sali Berisha nuk është një njeri i zakonshëm, përkundrazi, është i jashtëzakonshëm në masën e tij njerëzore, është lideri shpirtëror dhe absolutisht më i dashuri i demokrateve për dekada, ndaj do të zërë pa dyshim një vend të caktuar në historinë e Shqipërisë post-komuniste. Edhe vendimi që është marrë ndaj tij mund të mos jetë në transparencën e duhur dhe të denjë për të gjithë ne shqiptarët, kryesisht jo vetëm për akuzat ndaj personit në fjalë, por sidomos për mos-simetrinë e trajtimit të dy kaheve të poltikës dhe burimeve të korrupsionit që ato mbajnë në trupin e tyre, dhe një pabarazi e tillë, nuk mund t’u përligjet shqiptarëve kaq lehtësisht. Si autror i librit  “ Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane”   natyrisht  që kam një njohje   të mjaftueshme mbi historinë e këtij vendi të madh të demokracisë, bashkë me ndihmën dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë e po jep për Shqipërinë. Këtë miqësi e kontribut besoj e njeh shumë kush që   e ka promovuar qartësisht  në vitet e tij të politikës edhe Sali Berisha. Mund të them i bindur se kam paqartësi edhe unë për këtë vendim, vetëm se nuk mund të mos e konsideroj në gjithë peshën e vet se ai, jo vetëm është tashmë një fakt i patjetërsueshëm, por është i theksuar në mënyrë shumë këmbëngulëse nga ana e ambasadores amerikane Yuri Kim.Një këmbëngulje e tillë e kapërcen habinë dhe mjegullën e fillimit. Fakti i kryer kërkon një përgjigjie të denjë për peshën që ka marrë ndërkohë e gjithë kjo cështje. Asaj mund t’i përgjigjesh në disa mënyra: mund të përpiqesh ti vendosësh mjekim plagës që ajo ka hapur, mund të mundohesh ta shërosh trupin e opozitës, që tërthorazi dhe drejtpërdrejt është bërë pjesmarrëse e saj, e në fund, edhe mund të synosh për lart, për t’u ngjitur mbi opinionin e shumë njerëzve e për të përmbudshur shëndoshjen e opozitës dhe gjithë shoqërisë shqiptare.




Në rastin e parë, shërimi i plagës varet shumë nga lloji i mjekimit, pasi një mjekim i gabuar mund të sjellë përkeqësimin e saj. Në nderin moral dhe intelektual, zoti Berisha e ka të gjithë tagrin dhe inkurajimin e duhur ta cojë cështjen deri në fund, madje do ishte mirë jashtë trupit institucional të opozitës. Kështu ligjëron ai kod i brendshëm i etikës së përgjegjësisë së  vendosjes së interesave të partisë dhe vendit mbi interesat vetjake. Sepse bëhet fjalë pikërisht për etikë, jo për zgjedhje të unifikimit të luftës së përbashkët në parlament  bashkë me grupin parlamentar. Një akuzë padyshim nuk prezumon fajësi, por derisa ajo të provohet apo jo, detyron këdo të heqë dorë nga cdo funksion që ka dhe të përballet me rrugën e  drejtësisë që ka zgjedhur edhe vetë. Me të drejtë, shumë  njerëz mund të thonë se ai është lider shpirtëror i demokratëve dhe ka një mision. Asgjë më ideale dhe parimore nuk mund të ketë se sa ky mision tashti të zhvillohet jashtë parlamentit, me të gjitha mjetet demokratike dhe kanalet e komunikimit të shoqërisë digjitale dhe shoqërisë civile. E ardhmja do të dijë ta tregojë shumë shpejt, nëse gjithçka ishte e sajuar siç po dyshohet  , një flluskë mediatike apo një këmbëngulje parimore, e vijueshme e miqve tanë të mëdhenj amerikan për të ndryshuar kursin e tranzicionit shqiptar. Deri atëherë nuk duhet synuar  vetëm shëndoshja e opozitës, por dhe rimëkëmbja e saj. C’dua të them? Nëse topi dhe përgjegjësia i lihet liderit të opozitës z.Basha,  si kërkon shumëkush ,duke përshirë edhe ambasadoren amerikane, çfarëdo vendimi që ai të marrë e ndan opinionin në dysh, e fragmentarizon dhe nuk e shëron trupin e opozitës, përkundrazi, e vendos atë midis dy zjarreve. Pas përballjes me disfatën elektorale, opozita nuk e ka luksin të sforcohet në një lëngesë tjetër. Si një intelektual dhe qytetar i këtij vëndi   për Sali Berishën  megjithë vlerësimin që kam  , kam menduar me rezerva për prezencën  dhe sidomos  protagonizmin e tij  në politikë.Ai me profilin   ,inteligjencën dhe energjinë  e jashtëzakonshme që ka me siguri që do kishte bërë punë    të  mira ,madje shumë  të mira që do mbeteshin përtej shëmbullit dhe tranzicionit. Kisha menduar nga viti në vit që ai të ngrihej në nivelin etikë dhe kontributin e tij moral në politikën shqiptare ta jepte jashtë strukturave të PD-ës, ose  në të kundërt  mund të konkuronte sërish për rikthimin në krye të partisë siç ka ndodhur  me dhjetra e dhjetra raste në historitë politike të demokracive perëndimore ,të cilat unë i kam përshkruajtur me një skedim të përkujdesur 4 vite më parë. Nëse e do historinë e jetës së tij, ashtu sic tregoi një shembull të mirë në politikë me dorëheqjen e vet 8 vite më parë, Berisha duhet të ngjitet në dinjitetin e kësaj historie dhe ta lërë rrjedhën e ngjarjeve jashtë vetes, duke dalë nga parlamenti dhe duke filluar mision dhe betejën e vet ligjore me të gjitha forcat e mundshme. Kështu, kryhet një rimëkëmbje e plotë e PD-ës,  dhe ajo mbas kësaj  ka të drejtë ta valëvisë si flamur etike, parimesh e demokracie shembullin e lartë të liderit të vet. Po kështu, edhe ambasadores amerikane s’i lihet asnjë pengesë më në luftën e shpallur me aq vendosmëri drejt korrupsionit dhe krimit të organizuar.  . Këto janë problemet madhore të Shqipërisë  , dhe ky problem   aktualisht  për ne është  një fokus historik i cili duhet t’iu hap rrugën për tu   ndriçuar shumë problemeve  që kanë lënë në  hije një bllokim real të opozitës. Atëherë me të drejtë dhe me shumë vendosmëri do të kërkohet hapur dhe me forcë edhe barazia e munguar  apo simetria e trajtimit në të gjitha kahet e politikës, për t’i dhënë fund njëherë e mirë tranzicionit tonë të kaqstërzgjatur. Cmimi që po u vihet përpara shqiptarëve dhe Shqipërisë për një akt të tillë, është barabar me cmimin që do ta fisnikërojë dhe dinjitojë akoma dhe më shumë vendin e Berishës në histori. Ndërgjegjia dhe dashuria e tij për PD dhe Shqipërinë le të jenë këshilltarja dhe udhërrëfyesja e tij  më e mirë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.