KULTURË

“Studio e hapur” në mjedis të mbyllur

15:00 - 03.09.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Suzana Varvarica Kuka – “Studio e hapur” është një mjedis krijues që po funksionon në Pogradec dhe zanafilla e idesë së organizimit të saj është e piktorit të njohur të qytetit, Vangjo Vasili. Ai e ideoi me qëllimin e vetëm, frekuentim nga artistë që krijojnë, bisedojnë dhe ekspozojnë pikturë, të cilët respektojnë marrëdhënien midis vetisë së interpretimit vetjak me cilësinë artistike.
Shek. 21 ka ardhë me një seri ndryshimesh thelbësore në të gjitha anësitë e funksionimit të jetës njerëzore. Këto ndryshime kanë ndikuar maksimalisht në mënyrat e krijimit artistik në pikturë dhe arte të tjera. Ky është një fenomen që njihet në historinë e artit e që lidhet me kalimet nga një drejtim artistik tek tjetri, ku kohët religjioze, ideologjike dhe politike, atmosfera e zhvillimeve ekonomike e teknologjike, artisti dhe koncepti i interpretimit ishin dhe janë faktorë dominantë, pa të cilët nuk do të kishim dhe nuk do të kemi gjuhë e imazhe të reja.
Deri këtu është ajo çka e dimë. Por si mundet ta riorganizojmë mendimin rreth krijimit në një vend kaq periferik nga qendra si ky i yni, gjë për të cilën ngrihen pikpyetje të njëjta edhe me vende të tjera më të mëdha, por kaq periferik sa yni? Njohja dhe vëzhgimi, rregjistrimi i informacionit të ngjarjes, mbështetja me mendime profesionale, shprehja konkrete dhe direkte ndaj ekspozimit të krijimtarisë në publik, në katalogë dhe në revista serioze mbi artin është riorganizimi më efikas në një vend si i yni.
Tashmë në këtë qark krijimesh të larmishme a kemi të drejtë të vlerësojmë vetëm një lloj grupimi artistësh si përfaqësues të një lloj drejtimi artistik apo duhet të marrim në konsideratë shummëllojshmërinë e tyre, ku natyrisht arritjet e traditës ende ekzistojnë, analizohen dhe praktikohen nga artistët e sotëm?
A kemi të drejtë të lëvdojmë vetëm një grup artistësh bashkëkohorë, të cilët referojnë një art me një gjuhë përmbajtësore provokative ndaj të ditëve tona dhe të realizuar me vokacione specifike, por të lindur nga përbërja e disa elementeve të kulturave të ndryshme e të mëparshme figurative?
A kemi të drejtë të kritikojmë një grup tjetër artistësh bashkëkohës, të cilët vazhdojnë të mbështeten fortësisht nga gjuha burimore e traditive të trashëguara dhe të emocionohen për shprehjet e imazheve që krijojnë?




A gabojmë me ata që lëvdohen, të cilët grupohen si artistë bashkëkohorë dhe mbështeten financiarisht nga buxhete shtetërore dhe nga fondacione aktive? Apo gabojme me ata që nuk përfillen dhe nuk mbështeten nga buxhete të sipërpërmendura, por mbijetojnë si rezultat i asaj që dëshmon piktori amerikan Richard Estes: “Unë gëzoj kur pikturoj, sepse është gjithshçka që unë di të bëj…Unë mendoj se koncepti më popullor për një artist është kur ka pasion, entuziazëm dhe emocion të madh.”
Gjithësesi jemi në një kohë që përcaktimet e ekzistencës së vlerës së sotme në histori nuk janë deçizive, pasi tashmë e dimë se kritikët e artit me mendimet e tyre kanë dështuar gjithmonë në mbivlerësimet apo shpërfilljet e tyre, pasi puna e historianëve na kujton se janë ata, historianët, që i kanë vënë fre entuziazmit të kritikës, duke mbajtur shënim çdo përpjekje të artistëve të bashkëkohësisë, të cilat transmetohen në një bashkëkohësi të së ardhmes. Shembuj të tillë janë piktiorët peizazhistë të disa shekujve me radhë. Më të studjuarit janë ata të shek. 19 dhe mesit të atij 20 si: Vincent van Gogh, Paul Cézanne, Paul Gauguin, Henri Matisse, André Derain etj, të cilët u anashkaluan deri në shpërfillje nga kritikët dhe artistët zyrtarë, klasikët dhe akademikët e kohës së tyre. Ndërsa në shek. 21, jeta dhe veprat e tyre janë kthyer në mite. Dhjetra artistë shqiptarë të bashkëkohësisë sonë janë ende të dashurar pafundësisht me krijimtarinë e tyre, madje jo vetëm iu referohen arritjeve të tyre por edhe interpretojnë mbi bazën e vokacionit të tyre figurativ.
Në këtë tekst dua të theksoj jetën krijuese të disa artistëve shqiptarë të arteve pamore, të cilët krijojnë në format tradicionale dhe janë ngushtësisht të lidhur me pikturën e peizazhit dhe me objektin që e socializon imazhin piktorik, ku dhe figura e njeriut është pjesë përbërëse e frymëmarrjes së tij. Ky fenomen është present në të gjitha vendet e botës. Krijimtaria e tyre mbështetet nga studjues e kritikë. Një shembull krahasues është piktorja polake Agnieszka Kozin, e cila trajton peizazhin figurativ, minimalist e qartësisht të lexueshëm. Grzegorz Bednarski, profesor në Akademinë e Arteve të Bukura në Krakov mendon se e veçanta e Kozien është se nuk i jep shikuesit një zgjedhje, Shikuesi duhet të dijë gjuhën që i shërben artistit, falë së cilës mund të bëhet e mundur një soditje e plotë e figurës. E mora si shembull këtë thënie për të shkuar me mendimet e mia drejt grupit pjesëmarrës në eventin “Studio e hapur”, pikturat e të cilëve janë rrëfim elegant i pamjeve, që syri ynë sheh në të përditshmen e natyrës sonë, por i duhet të përqëndrojë vëzhgimin e tij mbi imazhet për të dalluar gjuhën e veçantë interpretative të secilit prej tyre, pasi në tërësi peizazhet e prezantuara shkojnë kah modelimi i abstraguar i realitetit të ngjyrës në perceptimin realist të këndeve të imazhit të pikturuar. Pavarësisht subjekteve të zgjedhura nga secili artist i këtij grupi duhet theksuar se problem i tyre është: si ata i kanë zhgjidhur problemet e formës artistike, e cila i ka shpënë drejt vlerës. Jo pa arsye kam zgjedhur që me mendimet e mia të udhëtojë nëpër pikturat e tyre edhe Paul Cezanne (1839-1906). Piktura e postimpresionistit francez solli një koncept të ri dhe ndryshime rrënjësore në artin e shek. 20-të. Ai solli një botë të re të kuptueshme, mohoi deri diku impresionizmin e shpërqëndruar, organizoi përmes studimit formën, duke hedhur mbi rafshe njolla të vogla ngjyrash me penelata të shkurtra. U quajt nga pasardhësit e tij “Babai i të gjithë artistëve të shek. 20-të””.
Koncepti i abstragimit
Thëniet e Paul Cezanne janë shumë të rëndësishme. Krijimtarinë e artistëve shqiptarë të peizazhit, shpesh herë duket se e gjej të zhytur në hapësirat e atyre thënieve. Kam ndjesinë se forma e krijmtarisë së Vangjo Vasilit gjendet në ujrat e kësaj thënie kuptimplote: “Unë jam më shumë mik i artit sesa prodhues i pikturës”. Në pikturën e Vangjo Vasilit gjejmë disa dhjetra elemente që përbëjnë një gjuhë specifike të shprehjes figurative, ku problemi i formës zgjidhet përmes interpretimit të shtresave të holla ngjyrës. Elementi i parë është trajtimi i peizazhit të fshatit, qytetit dhe liqenit, të cilët përbëjnë subjektet. Klima e pikturuar në imazhet e tij është një nga një elementet e rëndësishëm, prej së cilës shikuesi zbulon atmosferën abstraguar të ngjyrave të objekteve. Ato janë të pastra, të përzgjedhura, të përpunuara, të ndjera, të veçanta, të kulluara dhe shumë larg ngjyrave parësore. Klima në secilin peizazh formohet edhe nga aftësia e piktorit në krijimin e efekteve të dritës, të cilat nuk bërtasin as janë në kontraste, por gjenden aty të nëndheshme. Në këtë mënyrë prezanton dëshminë e vet ndaj besnikërisë mbi vlerën abstrakte, që është elementi thelbësor i konceptit të tij. Elemente të tjerë janë thjeshtësimi i trajtave, vizatimi linear i tejdukshëm, ngjyrat elegante, të ndjeshme, të qeta, por që zhurmojnë në thelbin e tyre, aty ku shikuesi nuk hyn dot edhe sikur ta njohë gjuhën e artistit. Format, të cilat përbëjnë stabilitetin kompozicional, janë në marrëdhënie dashurie me ngjyrat, pasi shtresat e tyre të buta shpërndahen mbi to dhe i shfaqin herë minimaliste dhe herë realiste. Elementi i horizontit në peizazh është shumë aktiv dhe preket menjëherë nga syri i shikuesit. Artisti e nënvizon i kushtëzuar, me vetëdije ose jo, nga trajtesa biografike e këndvështrimit të tij përzgjedhës në natyrë. Ndjenja e përfshirjes së hapësirave të natyrës, herë përmes vendosjes së ngjyrave të kundërta, të cilat krijojnë thellësinë dhe herë të ngjyrave tonale brenda llojit, që krijojnë pafundësinë, janë elemente të pamjes së botës artistike shumë personale të Vangjo Vasilit, e cila është kthyer në një diagram poetike.

Koncepti i realizmit
Buron Kaceli në pikturat e tij zhvillon disa elemente të tjerë, të cilët problemin e formës e zgjidhin përmes interpretimit të gjallë realist, i cili lind nga pikëvështrimeve të zgjedhura mbi peizazhin. “Vizatimi i pastër është një abstraksion. Vizatimi dhe ngjyra nuk janë të dallueshme, gjithçka në natyrë është e ngjyrosur.” Kjo thënie e Paul Cezanne duket se na bën të shohim më imtësisht pikturën e Buron Kacelit. Vizatimi i përqëndruar tek perceptimi i krijimit të një figure të plotë është një prej elementeve të rëndësishëm të artistit. Struktura kompozicionale e objekteve mbi sipërfaqen e peizazhit është elementi që realizon pamjen e subjektit duke dëshmuar besnikërinë e tij ndaj kërkimit të paraqitjes së formës reale gjatë pasqyrimit krijues. Përmes saj artisti i jep zgjedhje shikuesit, që do të thotë i jep mënyrën sesi ta perceptojë me thjeshtësi krijimin. Fokusi i afruar i objektit të pikturuar pranë shikuesit është element që buron përsëri nga problematika të formës të lidhura me vizatimin, me të cilën artisti është i lidhur pazhgjidhshmërisht edhe pse nënvetëdija e tij duket se nuk e shfaq. Ky fokus pranë shikuesit e afron artistin me pikturën kompozim, por objekti në fokus është një tërheqje inteligjente, për të shprehur atmosferën e gjerë të pikturës peizazh, cilësi e një gjuhe të peizhazhit në kapërxyell të shek. 21. Bota e ngjyrave shfaqet në dy pamje të saj. Një botë ngjyrash në kontraste të lehta, ku dominon e kaltërta e pastër në përzjerje me të bardhën dhe bota e ngjyrave me kontraste të forta, por jo ekzaltuese, që shpërthejnë mbi telajo gjatë interpretimit të një modeli, i cili ndikon fuqishëm me ngjyrat e mjedisit, si në rastin e pikturimit të kostumeve popullore shqiptare. Një element tjetër dallues është se nga pikturimi i temave të ndryshme, ai përdor forma që dallojnë nga njëra-tjetra, gjë e cila sugjeron të shikuesi perceptime po të tilla. Poetika në pikturën e tij është shprehje e mendimit përmes lëvizjes së ngjyrave mbi objektet dhe pikëvështrimit vetjak mbi atmosferën piktorike.
Koncepti i harmonisë
Piktorja Emjona Stasi Nako është piktore e qetësisë, edhe pse ngjyrat në tabllotë e saj, shpesh herë kanë një vrull të brenshëm. Ajo e ka lidhur krijimtarinë drejtëpërdrejtë me natyrën dhe ekzaktësisht imazhet nuk janë imitim i natyrës. Këtë çështje të formës ajo e ka zgjidhur duke e pikturuar imazhin përmes përceptimit të vet real mbi pamjet dhe objektet. Në këtë arsye krijimtarinë e saj e gjej në dashuri me thënien e Paul Cezanne, i cili mendonte se: “Arti është një harmoni paralele me natyrën”. Subjektet e peizazhit, e natyrave të qeta e pamjeve të rrugëve të qytetit të Durrësit janë pamje të zakonshme, por elementi kryesor që ato shfaqin është forma e veçantë artistike, prej së cilës përcaktohet individualiteti dhe befasia. Në ditët e sotme pikturat e Emjonës dallohen nga disa cilësi, të cilat kanë formuar një stil të vetin figurativ. Artistja e sjell imazhin nga realiteti, përmes përpjekjevet të interpretimit shprehës tek peizazhet dhe mbresëlënës tek natyrat e qeta. Ekzekutimi me vaj, pastel dhe akuarel janë jo vetëm teknika, por edhe elemente të rëndësishme të krijimtarisë së piktores. Cilësi kryesore është edhe mënyra e të pikturuarit me goditje penelatash të shkurtëra, të cilat shprehin aftësi të larta interpretimi në përdorimin teknik të vajit, i cili pikturon butësisht impresionin dhe të pasteleve, i cili pikturon ekspresivisht dhe me kontraste të hije-dritës. Goditjet e penelatave dhe shtrirja e butë e elegante e ngjyrës lënë gjurmë tonalitetesh të afërta me ngjyrat e natyrës, si pasojë e intuitës së hollë të njohjes dhe të perceptimit që ka artistja mbi shumëllojshmërinë e tyre. Element befasues i formës, i cili realizon dhe thellësinë, është teknika sesi gjurmët e ngjyrave i shkojnë përshtat e pjesë pas pjese formës dhe volumeve të objekteve të vendosura në peizazhet, rrugicat karakteristike të Durrësit dhe në natyrat e qeta. Gjuha poetike e saj lundron mes harmonisë, ku lëvizin pamjet reale dhe ngjyrat.
Koncepti shprehës
Gjergj Marko është një piktor që niset të pikturojë gjallësisht nga pamjet që shihen në natyrë. Edhe pse nuk është shumë kryesore, duhet thënë se ai disa herë zgjedh subjekte të parëndëshishme e disa të tjera të rëndësishme. Paul Cezanne mendonte asaj kohe se: “Piktura nga natyra nuk është kopjim i objektit; është të kuptosh ndjenjat e dikujt.” Kjo shprehje e tij na ndihmon të zbulojmë disa nga elementet e formës në pikturën e peizazhit të Gjergj Markos. Elementi kryesor, i cili buron sa nga përmbajtja dhe nga forma, është se peizazhet e tij janë një dritare e hapur për syrin e shikuesit, ku ai mund të shquaj qartësisht temën, ngjyrat, thellësinë, perspektivën, horizontin, këndvështrimet mbi dhe nën pikën normale të syrit. Elementi i dytë i rëndësishëm i formës janë ngjyrat e ngjashme me ngjyrat e natyrës në përshtatje me reflekset e dritës, si dhe aftësia e procesit të vizatimit për të pasqyruar ngjashmërinë e subjektit. Nuk mund të mbetemi vetëm në arsyetimin se një pikturë në peizazh është një dritare e hapur për shikuesin, pasi do të ishte një qendrim empirik dhe me një vlerë të cunguar. Përpjekjet e piktorit, për të zbërthyer më gjërësisht interesat e tij ndaj pikturës lidhen me mënyrën e të shprehurit teknik të përmbajtjes figurative të pikturave të tij. Shprehja teknike mbështetet tek ekspresivizmi i brendshëm i piktorit, gjatë meditimit dhe, njëkohësisht aktit të pikturimit të çdo pjese që përbën një pemë, një lum, një kodrinë, një hapësirë qyteti etj. Ai me penelin që vizaton dhe ngjyros kërkon të krijojë imazhin, te i cili duket e trupëzuar ndjesia impresive e procesit të formave qëndisjes, herë me njolla të plota dhe tonale dhe herë me fije.

Koncepti i emocionit
Bota e pikturës së Agron Polovinës nuk është vetëm e pikturës së peizazhit, por peizazhi është i pranishëm në ndjesinë kompozicionale të piktorit. Nëse njohim historinë e zhvillimit të peizazhit në disa kohëra, mbetem të referoj se pikturat e Polovinës janë besnike të strukturës së peizazheve figurative, që lindin nga frymëzimi që shkakton ndjesia e tij mbi pamjet e përgjedhura të natyrës. Paul Cezanne, i cili nuk rresht se më ndihmuari për të gjetur një përshtatshmëri me krijimtarinë e secilit artist mendonte se: “Një vepër arti e cila nuk fillon me emocione nuk është art. Një art i cili nuk bazohet në ndjenja nuk është aspak art.” Një përmbajtje të tillë emocionale mund ta gjesh vetëm në ato piktura, prej të cilave shikuesi emocionohet. Kur flasim për pikturën e peizazhit në ditët e sotme, kur mendojmë sesa shumë krijimtari ka në këtë gjini, natyrisht mbetemi aty ku shikuesi drithërohet. Analiza studimore është më e ftohtë, më selektuese dhe në rastin e Polovinës, gjithmonë sipas mendimit tim, si dhe për çdo artist më lart, kam idenë se elementi i tij i parë i formës, e cila ka zgjidhur problemin e madh të cilësisë artistike është të ndërtuarit qartësisht dhe me emocion të imazhit, që do të thotë se mbingarkesa emocionale nuk shkon drejt mohimit të rregullit, por drejt një organizimi domethënës. Dy aspekte të tjera dalluese janë ekspresiviteti i lëvizjes së ngjyrës dhe emocioni drithërues i penelatave të shpejta dhe të hedhura në drejtime të ndryshme. Nëse nuk jemi marrë me subjektin që na tregon dritarja kjo nuk do të thotë se nuk e dallojmë emocionin që shkakton horizonti i drejtë dhe i lakuar gjysëmhark, po kështu dhe ngjyrat në ngjashmëri të afërt me subjektet, objektet, kohën dhe orët përkatëse të procesit të pikturimit të Agron Polovinës.
Së fundmi, piktura e peizazhit ka një histori, ku përmblidhet studimi i mënyrës në të cilën njerëzimi ka ndryshuar pamjen fizike të mjedisit të tashëm dhe të shkuarës. Pesë artistët e analizuar janë ende besnik të parimeve të artistëve postimpresionist të një shekulli më parë, të cilët nuk kanë primare subjektin dhe as atë dritaren e hapur, edhe pse është një parim i detyruar i pikturës së peizazhit. Në krye të herës ata kanë vendosur të arrijnë vlera artistike përmes përpjekjeve për të rregulluar dhe stabilizuar ndjesitë e tyre mbi formën. Ata kërkojnë rreth saj të arrijnë të pamundurën ose imazhin e befasishëm duke respektuar tre gjëra bazë: strukturën e arketipeve të ngjyrave të natyrës; gjallërinë dhe efektet e dritës mbi atmosferën natyrore, pa i humbur asaj rregullin arkitekturor, si dhe të vlerësojnë efektin e ngjyravet si element bazë i thellësisë dhe perspektivës. Dhe Cezanne nuk paska menduar në boshllëk kur shkroi se: “Vazhdoni studimet pa u lodhur”.
1 shtator 2021


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.