KULTURË

Nis Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e njeriut, dy izraelitë me një qasje filozofike mbi pandeminë

13:11 - 20.09.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Udi Nir e Sagi Bornstein kanë mbërritur në Tiranë të dielën në drekë. Një udhëtim i lodhshëm nga Izraeli, thonë dy regjisorët, ndërsa ulen në kinemanë e hapur të Marubit, ku këtë të hënë nis edicioni i 16-të i Festivalit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut.
Të rinjtë izraelitë vijnë me filmin “Viral” që përbëhet nga video të ngarkuara në mediat sociale në vitin 2020. Filmi i tyre tregon historinë e një brezi të ri, që arrin moshën e të rriturit gjatë një pandemie globale. Shtatë përdoruesit e YouTube-it në fillim të të 20-ve kanë të gjithë plane të mëdha për vitin 2020, por, ndërsa viti kalon ditë pas dite, bota rreth tyre fillon të ndryshojë në mënyrë dramatike: dalin lajmet për një virus të ri, protestat e Black Lives Matter (Jetët e zezakëve Vlejnë) dalin në rrugë, SHBA zgjedh një president të ri, dhe një krizë ekonomike është duke u afruar në horizont. Ndërsa përdoruesit e YouTube-it përpiqen të gjejnë rrugën e tyre në këtë të ardhme gjithnjë e më të paparashikueshme, ata i drejtohen mediave sociale për të komunikuar dhe shprehur veten, ndërsa dokumentojnë gjithçka nga marrëdhëniet në distancë, tek papunësia dhe vështirësitë financiare, deri tek zgjimet e befasishme politike.
Regjisorët
E gjithë kjo është përtej shtatë të rinjve që përdorin YouTube dhe mënyrën se si e përballuan karantinën e coronavirus. “Ata sapo kishin mbaruar shkollën dhe mund të jetonin të lirë, erdhi karantina dhe gjithçka ndryshoi, u bënë si një brez i humbur. Trajtohen shumë tema dhe pandemia është thjesht koha kur ndodhi. Është një film ku regjisori nuk ndërhyn, por merr prej jetëve reale e përjetimeve reale për të treguar se çfarë ndodh në gjithë botën në të njëjtën kohë”, thonë ata. Të rinjtë dokumentojnë jetët e tyre, mbylljen, humbjen e mundësive, humbjen e punëve si edhe shtrirjen e pushteteve në çdo shtet në emër të jetës. “Një prej personazheve e kaloi karantinën 3 mujore në një anije, sepse punonte në të dhe pothuaj u çmend për shkak se ishte në një dhomë të vogël në anije. Ne gjetëm 7 përdorues YouTube dhe kërkuam leje që të merrnim videot e tyre. Është autentike dhe janë zëra të rinj që tregojnë përvojat e tyre”, vërejnë Nir dhe Bornstein.
“E kemi vënë mungesën e lirisë. Korona na tregoi se problemet ishin aty dhe thjesht prej koronës gjërat që ishin aty morën zjarr. Dy prej personazheve kanë marrë pjesë në protestat ‘jeta e të zinjve vlen’. Problemi ishte aty, thjesht shpërtheu aty. Mund të shohim në film kundërshtinë që patën popujt për karantinën, siç patën edhe për vaksinën”,-thonë regjisorët e “Virale”. Për ta, në shumë forma pandemia u politizua. Pati një mungesë debati mes shkencëtarëve, qeverisë dhe publikut. A u mbrojtën njerëzit nga vendimet politike të marra pas këshillave, pra kur në mbrojtën dhe kur abuzuan me situatën. “Ne mund ta shohim gjithë këtë në dokumentar. Ishte një lloj zgjimi politik ajo që ndodhi me koronën. Ata që më herët hidhnin ushqime dhe make up në YouTube, në atë kohë flisnin për vendime politike, vendime qeveritare, i kundërshtonin ato”,-pohojnë regjisorët.
A ka lidhje ky film me Shqipërinë? Për ta filmi është më shumë global se ç’mund të mendohej. Situata që kaluam të gjithë dhe që po e kalojmë ende, është pika që i bashkon shqiptarët me izraelitët. “Të rinjtë e brezit Z e tregojnë konfuzionin që kanë për shkatërrimin e planeve situatën nën pandemi. Nuk ka rëndësi nëse je në Shqipëri a Izrael problemi është kudo njësoj. Po përballojmë të njëjtat çështje dhe të njëjtat probleme”.
Kjo është vizita e tyre e parë në Shqipëri. Pas shfaqjes së filmit në festival, regjisorët do të vizitojnë Veriun, ku kanë zgjedhur Thethin dhe Komanin.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.