SHËNDET

Varicet e këmbëve, gratë më të prekurat. Rrezikshmëria që mbartin për jetën

12:53 - 20.09.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë dëshirojmë të kemi këmbë të bukura, sidomos femrat. Por për disa prej tyre kjo është e vështirë, për shkak të kapilarëve të dukshëm dhe të variceve. Sipas ekspertëve, varicet ose grumbullimi i gjakut janë vena të fryra dhe të shtrembëruara, të dukshme nën sipërfaqen e lëkurës. Ato shkaktohen më shpesh nga qëndrimi për një kohë të gjatë në këmbë ose ulur, nga faktorë gjenetik, mbipesha, shtatzënia etj. Varicet shkaktojnë lodhje të këmbës, ënjtje dhe bezdisje. Ato mund të jenë dhe një paralajmërim i rreziqeve afatgjata të shëndetit si: trombozë, mpiksje gjaku, qarkullim i dobët dhe ënjtje të këmbëve. Dukshmëria e theksuar shpesh herë ndikon negativisht në psikologjinë e individit, sidomos te seksi femër, pasi prek drejtpërdrejt pamjen e jashtme në një sipërfaqe të konsiderueshme.
Ato femra që i kanë mund ti eliminojnë për të pasur jo vetëm një shëndet të mirë por edhe për të përmirësuar pamjen e këmbëve të tyre.
Së fundmi personat e prekur nga prania e variceve janë shtuar për arsye të shumta. Në momentin që ato shfaqen është e këshillueshme konsulta me mjekun specialist, në mënyrë që të ndiqet trajtimi i duhur.
Kategoritë e riskut
Shpesh herë pacientët, kryesisht femrat, paraqiten tek mjeku për vena të holla që nuk u shkaktojnë asnjë shqetësim përveç pamjes. Këto mund të jenë kapilarë të kuq-vishnje që shfaqen kryesisht prapa gjurit ose në faqet anësore të kofshëve dhe në përgjithësi janë të grupuar ose për vena pak më të gjera, ngjyrë jeshile-blu, të dallueshme nën lëkurë, pak të përdredhura që nuk shkaktojnë reliev në sipërfaqen e lëkurës. Të parat i quajmë teleangiektazi, ndërsa të dytat vena retikulare. Këto janë forma më e lehtë e sëmundjes dhe jo detyrimisht do të përparojnë në forma më të avancuara. Trajtimi i këtyre formave bëhet me metoda të thjeshta, jo invazive dhe pak të kushtueshme por arritja e një rezultati të kënaqshëm është më e vështirë pasi shqetësimi është estetik dhe pritshmëritë e pacientit janë shumë të larta, por sëmundjet e venave fatkeqësisht mund të përmirësohen, të lehtësohen, por nuk eliminohen dot 100%. Siç e përmenda në fillim, shkaku është dobësia e murit të venave dhe kjo është një gjendje që nuk eliminohet me asnjë trajtim. Format më të avancuara paraqiten me vena të fryra, të gjera e shumë të përdredhura që shkaktojnë relieve mbi lëkurë. Këto zakonisht zhvillohen në kërci, më shpesh në faqen e brendshme të tij, me rrallë në faqen jashtme dhe në kofshë. Shumica e pacientëve që kanë vena të tilla varikoze nuk kanë dhimbje, por ankojnë lodhje apo rëndim e ënjtje të këmbëve pasi rrinë gjatë në këmbë. Sa më të shprehura të jenë vena të tilla varikoze dhe sa më gjatë të mbahen pa trajtuar, aq më i lartë është rreziku për të pësuar komplikime. Trajtimi i kë- tyre variceve bëhet me ndërhyrje më komplekse sesa format e mësipërme. Këtu përfshihen nga skleroterapia me shkumë, trajtimet endovenoze me laser, radiofrekuencë, deri tek operacionet kirurgjikale. Në shumë raste për të arritur rezultatin më të mirë nevojitet kombinimi i disa metodave në etapa të ndryshme. Sëmundja ka të bëjë me fortësinë e mureve të venave, gjendje kjo që nuk mund të evitohet. Për këtë arsye sëmundja ka karakter evolutiv, pra pavarësisht trajtimit me kalimin e kohës mund të shfaqen vena të zgjeruara e të përdredhura në pozicione të reja, apo ndonjëherë edhe në afërsi të vendeve të trajtuara më parë. Nuk ka asnjë metode trajtimi që të zhdukë një herë e përgjithmonë venat e zgjeruara kudo. Synimi i çdo trajtimi është të shmangë burimin e sëmundjes, ose venën përgjegjëse të variceve që janë shfaqur dhe jo të heqë çdo venë të këmbëve. Duke eliminuar venën që është burim i variceve ulet shumë rreziku i komplikimeve dhe përparimit të sëmundjes. Nëse kohë më pas shfaqen vena të zgjeruara diku tjetër bëhet i nevojshëm një trajtim i ri. Është pak a shumë si sëmundja e kariesit të dhëmbëve. Nëse kuron një dhëmb të sëmurë, nuk do të thotë që nuk do prishen të tjerë. Nga ana tjetër, meqë na është prishur një dhëmb nuk do të thotë që duhet t’i heqim të gjithë përpara se të na prishen, apo jo? Trupi ynë dhe këmbët natyrisht, kanë një numër të caktuar venash. Gjatë jetës nuk na zhvillohen vena të reja kështu që duhet bërë çmos që të ruajmë në gjendje funksionale sa më gjatë ato që kemi. Qëllimi i trajtimeve të venave varikoze është eliminimi i venave që funksionojnë keq, në mënyrë që të mbrohet sa më gjatë funksioni i venave ende të shëndetshme.
Rrezikshmëria
Njerëzit janë të prirur t’i ndajnë sëmundjet në të rrezikshme apo të parrezikshme, por situata nuk është asnjëherë bardhë e zi. Si çdo sëmundje, edhe venat varikoze mund të bëhen të rrezikshme për jetën, por në shumicën dërrmuese të rasteve, janë një sëmundje e lehtë. Kur flasim për komplikimet, ne kuptojmë disa gjendje të avancuara të sëmundjes që shkaktojnë dhimbje, ënjtje, vështirësi për të kryer aktivitet ditore apo gjendje që kërkojnë trajtime të zgjatura dhe të mërzitshme që ulin cilësinë e jetës së pacientit. Të tilla janë tromboflebiti superficial, hemorragjia nga varicet, ekzemat e këmbëve, hapja e plagëve kronike në pjesën e poshtme të kërcirit. Në situata të caktuara, për shembull, pas një frakture apo operacioni ortopedik në këmbë, gjatë shtatzënisë dhe lindjes, pas një operacioni kirurgjikal në bark etj., venat varikoze mund të bëhen shkak për tromboza të venave të thella dhe tromboemboli të mushkërive që mund të rrezikojnë edhe jetën.
Trajtimi
Arsyeja kryesore që mjeku rekomandon trajtimin për venat varikoze është pikërisht eliminimi i riskut për komplikacionet e rënda. Pacientët shpesh pyesin a është urgjente trajtimi në këtë moment apo mund ta shtyjë? Kjo pyetje nuk ka përgjigje. Ne nuk mund ta dimë se kur do të ndodhë komplikimi. Venat varikoze duhet të trajtohen pa ndodhur ai. Në përgjithësi, trajtimi nuk është urgjent, por nuk ka asnjë arsye dhe as mënyrë për të parashikuar shtyrjen e tij. Mënyrat e trajtimit janë shumë dhe varen në radhë të parë nga vena e dëmtuar, përmasat dhe pozicioni i saj, shkalla e përhapjes dhe madhësia e variceve, por edhe nga preferencat e pacientit. Ekzistojnë metoda të thjeshta dhe pak të kushtueshme dhe metoda më komplekse, më invazive, por edhe më të kushtueshme. Disa metoda janë më radikale pra premtojnë rezultat që zgjat më shumë në kohë, të tjera janë më konservative dhe kanë nevojë për seanca të përsëritura herë pas here. Disa realizohen në shumë pak kohë dhe nuk detyrojnë shkëputje nga aktiviteti i përditshëm apo nga puna, të tjera janë operacione kirurgjikale që kanë periudhën e tyre të rehabilitimit prej disa javësh. Gjithsesi, asgjë nuk mund të thuhet përpara një vlerësimi të pacientit me Eko Doppler, apo eko me ngjyra siç njihet në popull. Ky është i vetmi ekzaminim që sqaron shkallën e zhvillimit të sëmundjes dhe karakteristika të saj që përcaktojnë mënyrën më të mirë të trajtimit.
Dieta ushqimore
Dieta dhe ushqimi nuk kanë asnjë ndikim direkt në zhvillimin, parandalimin apo kurimin e variceve. I vetmi ndikim lidhet me mbipeshën. Shtimi në peshë është faktor risku për zhvillimin kryesisht të venave të vogla, të leangiektazive, kryesisht në kofshë. Mbipesha rëndon, gjithashtu, zhvillimin dhe vështirëson trajtimin e variceve të vërteta. Në këtë kuptim mbajtja e një diete të shëndetshme ndihmon në ecurinë e sëmundjes.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.