OPINION

Rritje e ‘pafund’ e pagës minimale

12:00 - 23.09.21 Igli Tola
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Milton Friedman, nobelisti i ekonomisë në librin e tij “Kapitalizmi dhe Liria” thotë se një nga gabimet e mëdha që bëhet sot është që politikat dhe programet  gjykohen nga qëllimet e jo nga rezultatet.




Kjo gjë fatkeqësisht po ndodh me rritjen që i bëhet kohë mbas kohe, pagës minimale. Megjithëse paga minimale përcaktohet me qëllim eliminimin (reduktimin) e fenomenit të varfërisë së popullsisë dhe arritjen e barazisë në pagesë; kjo nuk duhet të shitet apriori si sukses në rritjen e mirëqënies dhe ekonomisë. Madje, përkundrazi vendimarrja për ta rritur ‘afrofe’ atë mund të shoqërohet me pasoja (efekte) anësore ‘malinje’ për strukturën dhe stabilitetin makroekonomik. Shembulli më konkret për këtë vjen nga libri “Pse dështojnë kombet” i Daron Acemoglu dhe James A. Robinson, ku analizohet detajisht sesi gjatë periudhës së apart’heidit në Afrikën e Jugut, paga minimale është përdorur qëllimisht nga të bardhët si mjet për të përjashtuar afro-amerikanët nga tregu i punës. Kurse në ShBA, eugjenikët progresistë apelonin për paga më të mëdha minimale për ti përjashtuar emigrantët, të dobëtit, ‘të zinjtë’ dhe të padëshiruarit e tjerë nga tregu i punës.

Që paga minimale mos të keq-përdoret dhe as të afektojë negativisht ekuilibrin socio-ekonomik, duke nxitur papunësinë dhe përjashtuar grupe të caktuara të marxhinalizuara nga tregu i punës; duhet të niset të rritet paga minimale kur e kërkojnë ekspertët dhe jo politikanët.

Paga minimale, sikurse edhe paga nominale dhe reale, varet nga niveli i zhvillimit të forcave prodhuese dhe aktorëve ekonomik të vendit. Përcaktimi i nivelit të pagave bëhet në bazë të disa parametrave, apo më mirë të themi disa kritereve, siç janë: niveli arsimor, eksperienca, natyra e punës, përgjegjësia e detyrës etj. E kjo ndodh edhe me rastin e vendosjes së pagës minimale për të cilën ekzistojnë kritere eksplicite.

Aq më tepër si një element tepër delikat, pasi prek disa faktorë në të njëjtën kohë dhe mund të ndikojë në prishjen e ekuilibrave të veçantë, sidomos në sistemin privat; ndërhyrjet në ndryshimin e saj duhet të jenë të mirëstudiuara dhe shpesh duke u mjaftuar vetëm në indeksimin e nivelit të inflacionit. Ndaj, që paga minimale ‘të vendoset në shina’ specialistët e dikastereve përgjegjëse duhet të marrin shembujt më të mirë që servir bota. Në Mbretërinë e Bashkuar përshembull ekziston një udhëzues specifik prej 52 faqesh, i titulluar “Paga Minimale Kombëtare dhe Paga Jetësore Kombëtare”, ku shpjegohet llogaritja, komplikimet e modelit etj. Atë që pohon literatura është se janë një sërë faktorësh (të listuar në vijim) që duhet të merren parasysh në rastin e përcaktimit të pagës minimale:

  1. a) nevojat e punonjësve dhe e familjeve të tyre;
  2. b) kërkesa për minimumin jetik,
  3. c) përshtatja e pagës përballë Indeksit të Çmimit të Konsumatorit (CPI),
  4. d) kostoja e jetesës dhe ndryshimet e saj,
  5. e) pagat e krahasueshme dhe të ardhurat.

Në BE, vlerat e propozuara të pagës minimale bëhen sipas indeksit të Kaitz-it, që është 50% e mesatares kombëtare. Indeksi i Kaitz-it është një variabël i ri i pagës minimale që mat pagën minimale të parashikuar me ligj si përqindje e pagës mesatare, shkallën e saj nominale të pagës minimale nga paga mesatare. Ky indeks (tregues) propozon paga të ndryshme për grupe të caktuara, ku disa sektorë që kanë kontribut dhe rentabilitet më të lartë do të paguheshin më tepër. Kurse, mjaft studime nga ana tjetër këshillojnë që të përdoret si model, ai që merr referencë mbi medianën e pagave, duke synuar të mos kalojë 60% të saj.

Cilido nga këto modele, udhëzues, apo praktika të tjera të vendosura nga ILO (Organizata Ndërkombëtare e Punës) mund të gjej zbatim praktik në Shqipëri për tu aplikuar nga vendimarrja për të inicuar apo jo rritjen e mëtejshme të pagës minimale.

Kuptohet që rritja e pagës minimale është instrumenti më i thjeshtë në duart e lidershipit për të rritur disi të ardhurat e familjeve kryesisht atyre në vijën e  kufirit jetik, por rritja e shpeshtë dhe paarsyeshme që i bëhet këtij elementi, do ta kthej shpejtë në një instrument joefektiv që prodhon më shumë kosto dhe efekte negative për individët dhe ekonominë, sesa përmirësim të jetës së tyre. Sytë duhen hedhur drejtë reformave strukturore në tregun e punës dhe jo vetëm. Treg i cili nuk është i mirëstrukturuar, pasi shumica e të punësuarve janë në bujqësi apo në shërbimet e tregut të fasonerisë, të cilët kanë paga përgjithsisht shumë të ulëta. Ekonomia shqiptare vuan ende ndjeshëm nga informaliteti dhe kjo reflektohet dhe në skemën e pagesave. Niveli i specializimit të krahut të punës është problem kardinal, që ndikon drejtëpërsëdrejti në nivelin e ulët të produktivitetit që ofrojnë, vlerën e shtuar në treg; që më pas përkthehet në paga minimaliste.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.