Opinion-Komente

E drejta e Kosovës dhe zbutja e tensionit Kosovë-Serbi

10:49 - 28.09.21 Fatos Çoçoli

Është mëse e vërtetë që qeveria e Kosovës ka të drejtë kur thotë se më 15 shtator përfundoi afati i fundit pesëvjeçar(i vendosur në vitin 2016) për zbatimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar në vitin 2011 në Bruksel. Sikurse edhe Kryeministri i Shqipërisë veproi korrekt kur deklaroi dje në Prishtinë se e drejta në vendosjen e masës së reciprocitetit(ti bën diçka, edhe unë ta kthej me të njëjtën monedhë) qëndron me qeverinë kosovare. Por jo gjithnjë e drejta në mosmarrëveshjet mes dy shteteve përkon me të drejtën ndërkombëtare. Në vitin 2018, qeveria e Kosovës, e drejtuar në atë kohë nga ish- kryeministri Ramush Haradinaj, vendosi taksë doganore, fillimisht 10 përqind dhe më pas 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para taksës, gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milionë euro apo rreth 450 milionë euro në një vit. Taksa ndikoi që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet në atë kohë. Për këtë arsye, kundër taksës u deklaruan Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Sipas dëshmisë së kryeministrit të Shqipërisë, Presidenti i Frances Emanuel Makron, i tha në takimin e Berlinit më 29 prill 2019 ish-kryeministrit Haradinaj:”Hiqe taksën dhe unë të premtoj liberalizimin e vizave të qytetarëve të tu me Bashkimin Evropian. Nëse nuk e mbaj premtimin, vëre prapë taksën”. Sipas kryeministrit të Shqipërisë, ky ishte një shans i papërsëritshëm për Kosovën, por që Haradinaj e refuzoi. Tani Kosova ka një shans tjetër po të papërsëritshëm. Në këtë përshkallëzim tensioni të krijuar nga zbatimi i së drejtës së saj për të imituar Serbinë në masën e reciprocitetit(ti u vendos targa letre të përkohshme për 60 ditë automjeteve të qytetarëve të mij dhe i bën të paguajnë 5 euro. Unë do të bëj të njëjtën gjë me automjetet e qytetarëve të tu), qeveria kosovare mund të propozojë një shtyrje prej të themi gjashtë muajsh të zbatimit të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar në vitin 2011 në Bruksel. Si dhe të largojë trupat e saj policore nga dy pikat e kufirit në Jarinjë dhe Bërnjak në Mitrovicën Veriore. Menjëherë situata do të çtensionohet dhe Kosova do të rifitojë me të tepërt ato pozicione të humbura nga qëndrimi absurd, duke mos njohur Marrëveshjet e Uashingtonit Kosovë-Serbi të 4 shtatorit 2020. A ua tha dje në Prishtinë këtë mundësi kryeministri i Shqipërisë drejtuesve të qeverisë kosovare, përtej deklaratës në publik për mbështetje ndaj të drejtës kontraktuale të Kosovës në përfundimin e Marrëveshjes së Brukselit për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë më 15 shtator 2021? Ditët që pasojnë do ta tregojnë nëse këtë këshillë ua ka dhënë dhe nëse drejtuesit kosovarë e kanë marrë parasysh, po t’ua ketë dhënë. Një gjë dimë nga historia. Në Berlin më 29 prill dy vjet më parë, Rama i tha Haradinaj “hiqe taksën dhe merr liberalizimin e vizave, si një shans që nuk të vjen më”. A thua i ka thënë Kurtit ”propozo fitim kohe dhe shtyrje me 6 muaj të Marrëveshjes së Brukselit, dhe do fitosh terren mbi palën serbe në bisedimet e normalizimit”? Këtë do ta tregojë sjellja e qeverisë së Kosovës. Ajo ka prapa një histori të vështirë veprimesh reciprociteti(të nisur që ne korrik 2011 nga ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila, pasi Serbia për tre vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, kishte bllokuar mallrat nga Kosova, për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës. Të vijuar me dy masa të tjera në vitin 2016 dhe të pasuar me taksën 100 përqind mbi eksportet serbe). Ka nevojë të braktisë këtë kostum të vjetër konfliktual dhe të veshë atë të bisedimit të barabartë mbi bazën e sinqeritetit dhe vullnetit për fqinjësi të mirë. Kësaj rradhe jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Shtyrja qoftë me 6 muaj e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit do të ishte një vepër e tillë. Do të fliste shumë. Por a do të ketë kurajon dhe kryesorja, largpamësinë qeveria e Kosovës ta ndërmarrë këtë veprim dhe të zbusë realisht tensionin e krijuar?



 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.