Kosova

Ministri i Brendshëm i Kosovës: Kryetarët e komunave veriore refuzuan ofertën e KFOR-it

15:32 - 28.09.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha të martën se, kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë refuzuar një plan të prezantuar nga misioni i KFOR-it, që kishte për qëllim shtensionim të situatës. Sveçla, gjatë një një konference për media në Prishtinë, pas një takimi që pati me homologun e tij austriak, Karl Nehammer, tha se misioni i Aleancës Veri-atlantike në Kosovë (KFOR) ka ofruar që të sigurojë pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.




Më 27 shtator, komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor, Franco Federici tha se ka biseduar me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

“Duke qenë se KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe ka ofruar që të sigurojë policinë tonë kufitare me forca shtesë edhe në pikat kufitare, ne kemi thënë se me largimin e barrikadave, prezenca e njësive speciale do të ishte e panevojshme. Por, edhe kjo ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar nga këto elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim këta veçse e kanë dëshmuar që nuk janë të brengosur, siç thoshin më herët, me praninë e forcave speciale, por qëllimet e tyre janë thellësisht politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë”, deklaroi Sveçla.

Ministri Sveçla tha se mirëpret ndihmën e misionit të KFOR-it dhe EULEX-it, por shtoi se Policia e Kosovës është e aftë që të sigurojë zbatimin e ligjit. “Situata atje është e qetë dhe e kontrolluar, me ndihmën e shteteve aleate dhe me ndihmën e misioneve aleate, paqësisht do ta tejkalojmë këtë situatë”, tha Sveçla. Rrugët në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar që prej 20 shtatorit, kur Kosova vendosi masën e reciprocitetit për targat me Serbinë.

Serbët lokalë kanë vendosur kamionë dhe mjete të tjera në rrugë. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, të gjitha automjetet me targa të Serbisë që qarkullojnë në Kosovë, duhet t’i heqin ato dhe të vendosin targa të përkohshme.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.