OPINION

Shkenca e Shoqërisë

10:48 - 28.09.21 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me rrëzimin e Murit të Berlinit, “koracata” e dikurshme komuniste, sidomos ajo e Europës Lindore, u transformua befas në një anije fantazmë, ndjellëse makthesh e tragjedish, e dezertuar nga ekuipazhi dhe pasagjerët, ndërkohë që ishte pikërisht ajo barka e madhe reformiste ajo që u paraqit si i vetmi mjet shpëtimi, pas të cilit nisin të kapen me thonj e të ngjiten në bord të gjithë post-komunistët e viteve të para. Ky ishte dhe skenari mbizotërues i së majtës shqiptare në vitet e para të demokracisë. Për fat të keq, në historinë e saj, më të shpejtët a më të shkathëtit, që arritën të hipnin në bord (shumica post-komuniste), qenë ata që pushtuan të gjitha postet kryesore, ndërsa ata pak autentikët, të ndershmit dhe besnikët e markës sociale, që duhet të kish gjithmonë reformizmi, u lanë të strehoheshin nëpër disa varka të vogla e vetmitare, për të përballuar detin plot furtunë të transformimeve të mëdha, mes aq shumë rreziqesh e dyshimesh të qenësishme. Pse   , a nuk ndodhi qartësisht  kështu, rreth tre dekada më parë, me partinë më të madhe shqiptare të asaj kohe, Partinë komuniste, që në një kongres formal, sa hap e mbyll sytë, ndryshoi emrin duke u quajtur Partia Socialiste, e duke vendosur të kish ndryshuar dhe përmbajtjen, kur në të vërtetë nuk kishim të bënim aspak me një ndryshim domethënës. Faktet dhe tradita e pas tre  dekadave po tregojnë se e gjitha kjo ishte një nominalizëm (thjesht ndryshim emri) dhe jo një ndryshim i fortë identiteti që të bazohet në atë që në gjuhën popullore quhet “ndryshim lëkure”. Refuzimi për t’u quajtur komunistë, në emër të reformizmit e tani dhe progresizmit, shënoi fillimin e atij shtrembërimi të madh e të pakorrigjueshëm, deri më sot, që arrin t’i barazojë këto forca e kuptime, kur ato ende s’kanë kryer as edhe një lëvizje vlerash, idesh, metodash e praktikash, që të mbështesin me platforma politike dhe shoqërore këtë ndryshim në thelb dhe domethënie.




Këtu e ka rrënjën edhe ajo mangësi e theksuar teorike, në kuptimin shkencor-politik, dhe praktike, në kuptimin metodiko-social, që manifeston, përtej vullnetit të mirë, cikli reformues që ka nisur qeveria e sotme disa vite më parë. Në të vërtetë, cikle të tilla reformues, duke përjashtuar intensitetin radikal që paraqet ky i sotmi, mjedisi shqiptar ka njohur edhe më parë, duke e identifikuar atë me lëvizjen e madhe reformuese që ndërmori e djathta, përgjatë periudhës 1992-1996. Ishte diçka e natyrshme, një ndryshim regjimi i thellë dhe i domosdoshëm, që e kish prapa vetes atë lëvizje të nevojshme intelektuale që duhet të mbështesë çdo cikël reformash. Po kështu, ndodhi edhe shumë vite më pas, kur një lëvizje intelektuale e tipit liberal, e cila për fat të mirë vazhdon të kontribuojë me ide e platforma ende edhe sot, i hapi rrugë zbatimit në praktikë të disa reformave të rëndësishme të së djathtës, gjatë mandatit të saj të parë qeverisës. Në shekullin në të cilin rrojmë, për të formësuar dhe për të rregulluar një jetë shoqërore kombëtare, nuk mjafton vetëm inteligjenca, as edhe vetëm karakteri i përkthyer në vullnet. Duhet edhe shkenca, shkenca e shoqërisë, filozofia sociologjia dhe psikologjia shoqërore. Një qeveritar që nuk ndjen nevojën që të studiojë në një mënyrë shkencore, abstrakte dhe teorike, strukturën e shoqërisë së brendshme në të cilën rron dhe fatin e së cilës ka në dorë, i ngjan atij mjeku të mjerë që s’e ka studiuar kurrë organizmin e brendshëm të trupit të njeriut, i ngjan, pra, mjekut qesharak dhe shumë herë të rrezikshëm, që s’ka haber fare nga anatomia.

Kjo është një e vërtetë e madhe që cikli reformator i së majtës e ka patur pothuajse krejtësisht të munguar dhe kjo shprehet kur  ka futur në burg disa vite më parë pa hezitim   qytetarë,të cilët   ngaqë s’kanë as bukë të hanë s’kanë paguar dhe energjinë elektrike etj., fakte të rëndomta të ngjashme si këto që po vazhdojnë edhe sot. Edhe pse e djathta, përkundrazi, pati një jetë intelektuale dikur, që ia përpunoi dhe formuloi reformat, një jetë që duhet ta kishte patjetër edhe sot por që realisht nuk e ka sepse u ktheu krahën intelektualeve , dhe  që kjo mungesë është ajo që ia dobësoi fuqitë dhe efikasitetin në mandatin e dytë qeverisës , por sidomos që e la dy mandate në opozit   dhe që tashti ka nisur të tretin   , ishte pikërisht  mos bazimi te parimi që shteti është vullneti i shoqërisë. Për këtë arsye,  ai që do t’i shërbejë shtetit, t’i japë baza të forta, t’i jap shpirt dhe ideal, d.m.th. ai qeveritar që kërkon të bëjë reforma për t’i dhënë shtetit të vet një formë të re, duhet pikësëpari të studiojë tiparet dalluese dhe formuese të shoqërisë mbi bazën e të cilit formohet ky shtet . Prandaj konsiderimi sociologjik i shoqërisë, duhej të respektohet nga politika si fuqia më e nevojshme për çdo aktivitet reformonjës, si ndihmësja e parë dhe më e madhe e reformatorëve. Ishte kjo mangësi e theksuar ajo që bëri që vrulli i mirë dhe i dobishëm i të djathtëve në ciklin e tyre reformator të mandatit të parë gjallëroi, u mbajt mirë dhe në ekuilibër të admirueshëm, por u dobësua dhe filloi të rrëzohej në mandatin e dytë, për shkak të shkëputjes së lidhjes së klasës drejtuese me problemet reale të popullit.Dhe pikërisht për këto arsye ne sot po shikojmë një  opozit të rrënuar dhe të çorientuar që nuk di më nga tia mbajë Është po kjo mungesë e theksuar, ajo që po e dërrmon fare ciklin reformues të nisur nga e majta e sotme, për t’i shpënë në port të realizuara të gjitha reformat që ka nisur.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.