Media

1 Tetori, 100-vjetori i ditëlindjes të revistës “ Bujqësia Shqiptare”. Kujtojmë arkitektët e shkatërrimit

10:19 - 01.10.21 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ago Nezha




Në vitet e demokracisë Ministria e Bujqësisë është kolovitur sa djathtas majtas, por asnjë herë nuk ka gjetur pozicionin dhe nuk ka përmbushur misionin e saj institucional. Ndryshimet që kanë ndodhur në strukturën e saj kanë qenë aventureske, pa një studim të thelluar profesional, të prirura nga përkatësitë politike dhe ministrave ndërkëmbyes, si ta kenë ministrinë një parcelë, që secili bënte eksperimentin radhës. Por apokalipsi i kësaj ministrie ndodhi kur erdhi në pushtet Partia Demokratike në 2005, që ndërmori reforma të thella duke ndryshuar emërtimet e drejtorive të ministrisë dhe shkrirë institutet kërkimore shkencore.

Në Ministrinë e Bujqësisë u krijuan gjithfarë drejtorish,  juridike e politike, por drejtori bujqësie e blegtorie nuk figuruan më në organogramën e saj. Kjo traditë vazhdon të jetë dhe sot, që në këtë ministri mund të gjesh jurist, “artist” e deri “sportist”, por specialist të mirëfilltë të bujqësisë për të marrë udhëzime fermerët, vështirë se mund të gjesh dot. Institutet kërkimore shkencore të bujqësisë që ishin avangarda e shkencës, të kualifikuar dhe konsoliduar me parametra europian, siç ishin Instituti i Tokave, Blegtorisë, Pemëtarisë, Foragjereve, Misrit dhe Orizit, Pyjeve, etj, u shkrinë dhe u krijuan disa apendikse të Drejtorive Rajonale të Bujqësisë në rrethe që u emërtuan dhe u“celebruan” nga Partia Demokratike “ Qendra të Transferimit të Teknologjisë”. Këto ishin disa organizma parazitare që vegjetojnë edhe sot me një personel të konsiderueshëm që paguhen nga taksapaguesit shqiptar. Do të ishte një e keqe e vogël po të ishin vetëm këto institucione parazitë, por Shqipëria është e mbushur me simotrat e tyre në të gjithë sektorët e ekonomisë. Krahas shkrirjes së instituteve kërkimore shkencore u shkri dhe Drejtoria e Informacionit Agroushqimor, që botonte revistën “ Bujqësia Shqiptare”, buletine kërkimore shkencore të bujqësisë dhe blegtorisë, broshura kërkimore shkencore dhe të përvojës së përparuar, përkthime nga literatura e huaj dhe kishte dhe një grup filmi që realizonte kronika, emisione, filma shkencor për bujqësinë si dhe festa prodhimi,ekspozita, konkurse  dhe panaire kombëtare dhe ndërkombëtare. Ministri Gjana, sipas urdhrit të “ strategut” Berisha, i bëri gjëmën bujqësisë duke shkrirë institutet kërkimore dhe u desh të vinte ministër Ruli si “profesor” që ti vinte plugun dhe rulin përfundimisht duke hequr dhe ndonjë atavizëm të së kaluarës siç ishte revista “Bujqësia Shqiptare” e themeluar në 1 Tetor të vitit 1921.

Kjo situatë nuk ndryshoi më edhe me ardhjen në pushtet të së majtës dhe sot Ministria e Bujqësisë nuk ka asnjë komunikim intensiv me fermerët. Të tre informacionet i ka të paralizuara. Informacioni i shkruar nuk ekziston më në asnjë nivel. Informacioni gojor është kufizuar pasi në Ministri e Bujqësisë duhet të hedhësh grepin dhe vështirë se bie në rrjetë ndonjë specialist bujqësie. Informacioni vizual nuk ekziston se dhe televizionet private që janë komerciale, kanë gazetar bulevardi që japin kronika të zeza pa pushim ( u vra, u përdhunua, u drogua, e që kur i dëgjon, je i tmerruar ) etj, por nuk ka asnjë fjalë për bujqësinë edhe pse sektori i bujqësisë është prioritar në ekonominë e tregut. Ka vetëm një emision  te TVSH-ja“ Hapësirë e Blertë”, që e realizon mjaft mirë gazetari Marash Mirashi, por që nuk ezauron dot nevojat e fermerëve për informacion tekniko-shkencor. Sektori i bujqësisë ka shumë problematika që dalin para qeverisë së re Rama tre, që duhet t’i programojë për të ardhmen e bujqësisë, por ajo që më shtyu  të nis këtë shkrim, është mungesa e komunikimit që ka Ministria e Bujqësisë me fermerët. Kjo ministri, po të kishte pak ndjeshmëri dhe përgjegjësi, do kujtohesh se do festonte 100 vjetorin e ditëlindjes së Revistës Bujqësia Shqiptare, e cila u themelua në 1 Tetor të vitit 1921 dhe është unikale, jo vetëm në Shqipëri por dhe më gjerë në rajon.

Ditëlindja e Revistës “ Bujqësia Shqiptare “

Historia e një vendi, përjetësohet nëpërmjet veprave të shkruara, muzeve, vendeve historike, ose mohohet, duke i përmbysur gjithë vlerat kulturore në rrjedhën e kohës, duke krijuar një shterpësi, e shkretëtirë në kujtesën njerëzore, siç ndodhi në vendin tonë gjatë këtyre 30 vjetëve në të ashtuquajturën demokraci. Shqipëria e fillim shekullit të XX-të, ishte një vend feudal, me një bujqësi të prapambetur dhe me një qytetari të pazhvilluar. Në këto kushte, një grup agronomësh të shkolluar në Perëndim, të inspiruar nga kultura e vendeve ku kishin studiuar, i drejtuan një letër qeverisë së kohës, që të aprovonin botimin e një organi bujqësor, për t’u ardhur në ndihmë agronomëve dhe  agrikulturorëve, për zhvillimin e bujqësisë shqiptare.

Ja si shkruanin ata, 100 vjet më parë, në kërkesën e tyre për të marrë lejen e botimit: “ … Shumë nga ne,  kur kemi kënduar veprën e Naimit, “ Bagëti e Bujqësi,“ kemi thënë bashkë me poetin : “ O malet e Shqipërisë, e ju o lisat e gjatë, fushat e gjëra me lule, që ju kam ndërmend ditë e natë.” Po shohim, shkruajnë ata, se në qytetet tona të vogla, shumë fletore me ngjyra politike dhe letrare, janë tue u botue. Nuk mundemi të themi, në është apo jo nevoja për aq fletore që dalin sot në Shqipëri, se barometri i tyre është kënduesi, por vetëm duam të themi se deri më sot nuk ka dalë asnjë e përkohshme me lëndë praktike për punimin e tokës tonë, për nevojën e atij bujku që e kemi lënë në errësirë, për ndihmën e asaj bujqësie që formon bazën dhe jetën e shtetit tonë bujqësor. Nevoja për një fletore bujqësie, për një udhëheqës në përparimin e mjeshtërisë bujqësore, na shtyu të hedhim hapin e parë në këtë degë. Në shtetet e tjera,  fletoret e bujqësisë kanë marrë përhapje të madhe, si dhe përparimi i atyre shteteve në bujqësi” “…

Kjo nismë siç shpreheshin ata e “ një grusht”  agronomësh, bëri të mundur që në 1 Tetor, të vitit 1921, të shohë dritën e botimit fletorja e parë  Bujqësore, e titulluar “ Bagëti e Bujqësi.“ Në “ gjendjen civile” të kohës, kjo krijesë  u regjistrua me emrin Naimjan “ Bagëti e Bujqësi.“ E citova gjatë letrën e pionierëve të shtypit bujqësor, jo pa qëllim, por për të dëgjuar jehonën e asaj kohe, që vjen e freskët deri në ditët tona dhe po ta ballafaqosh me realitetin e sotëm, shohim, se prekim ngjashmëri dhe dukuri, të shtrira në kohë dhe hapësirë ku sheh se ka shumë botime politike, por asnjë bujqësore.

Datëlindja e Revistës është në 1 Tetor 1921. Vendlindja : Shtypshkronja “Lythografi Vlora“. Pas numrit të parë dhe të dytë që u shtyp në Vlorë, botimi i saj u transferua në një shtypshkronjë në Tiranë, në rrugën e  Dibrës, ku vazhdoi të botohet deri në Dhjetor të vitit 1922. Për një periudhë prej gjashtë vitesh, u ndërpre botimi i saj për mungesë fondesh deri në vitin 1928, ku nisi përsëri me emrin “ Bujqësia,“ e përmuajshme, botim i Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare. Në vitin 1937, u quajt ” Ekonomia kombëtare,“ e përmuajshme, botim i po kësaj Ministrie. Në 1940, u rikthye te emri “ Bujqësia,“ deri në vitin 1942, ku bëhet organ i Ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve. Pas çlirimit të vendit, numri i parë doli në Shkurt të vitit 1945, me emrin “ Bujku i Ri,“ revistë ekonomiko-bujqësore, botim i Ministrisë së Ekonomisë. Ndryshimet e emrit  vazhduan, sipas etapave të zhvillimit të bujqësisë. Në 1947, e mori emrin “ Përpjekja Fshatare,“ botuar nga një redaksi pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve. Në Janar të vitit 1951, me ndryshimin e politikës ekonomike, u emërtua  “Për Bujqësinë Socialiste,“ emër që e mbajti deri në vitin 1971, ku u quajt “ Bujqësia Socialiste,“ organ i Ministrisë së Bujqësisë, por tashmë, botim i “ Shtëpisë së Propagandës Bujqësore.“Në vitin 1992, u emërtua “ Panorama,“ deri në Prill të vitit 1994, ku u quajt “ Bujqësia Shqiptare,” emër që e gëzoi deri në  vitin 2010,  ku ja ndërpreu jetën Ministri  Ruli.  Nga ky pasqyrim i ndërrimit të emrave, vërejmë se ato kanë ndryshuar në vartësi të ndryshimeve të politikave ekonomike, për një stad të caktuar zhvillimi, por asnjëherë, për asnjë arsye,  nuk është ndërprerë botimi i revistës, qoftë edhe gjatë kohës së luftës së dytë Botërore. Ky organ, siç shkruajnë pionierët e parë të bujqësisë, Ago Agaj, Mustafa Vila, Kadri Borshi, Shuk Radoja, etj,  ka luajtur rol transformues në bujqësinë shqiptare dhe në formimin me kulturë bujqësore, të bujkut të atëhershëm dhe brezave të mëvonshëm. Këto personalitete, që mund t’i quajmë” Rilindës të Bujqësisë Shqiptare” dhe të tjerë që vijuan më pas, që mbartin me vete vulën e kohës dhe që kanë bërë epokë, e janë shquar për vetëmohim, të cilët duhet të radhiten në panteonin e gjeorgjikëve të shquar të Shqipërisë. Revista “ “Bujqësia Shqiptare “ ka qenë zëdhënëse dhe njëherazi, këshilltari më i afërt i bujkut, specialistit dhe pse jo edhe shkencëtarëve të bujqësisë, me të rejat e shkencës dhe përvojës së  përparuar të vendit.

Ditëvdekja e  Revistës Bujqësore

Heqja nga qarkullimi e Revistës  “Bujqësia Shqiptare” mban vulën e turpit nga Ministri Ruli në vitin 2010, së bashku me Buletinin e Shkencave Bujqësore. Më 1 Tetor të këtij viti Ministria e Bujqësisë do festonte 100 vjetorin e Revistës “Bujqësia Shqiptare” dhe 59 vjetorin e “Buletinit të Shkencave Bujqësore”, por për fat të keq sot ajo s’ka asnjë botim bujqësor.

Këto shkatërrime, ishin në strategjinë shkatërrimtare e vrastare të mendimit shkencor dhe institucioneve përkatëse të qeverisë Berisha, që u limitua deri te Akademia e Shkencave. Kur mëson motivin qesharak të asaj kohe për ndërprerjen e revistës, dhe gjithë shtypit bujqësor, nuk do t’i besosh vetes. Ajo, është ndërprerë me motivin, se fermeri e siguron informacionin bujqësor nëpërmjet internetit. Ky privilegj, nga deklarimi i Kryeministrit Berisha, se Shqipëria noton në shekullin e internetit, është grotesk. Ç’marrëzi. Të vjen “ keq “ për Francën, Italinë, Gjermaninë, e shumë  vende të tjera të “ prapambetura “ që botojnë me dhjetëra revista bujqësore dhe po “varfërohen” nga shpenzimet, në fushën e botimeve. Shqipëria, si vendi me përparime të “mëdha”që po çudit botën, mesa duket nuk ka  përse e do shtypin bujqësor, se po e kthen bujqësinë prapa në primitivizmin e parmendës. Këto aventura vërtetojnë thënjen e Seneka i riu, se “ Nuk e ka të gjatë ai pushtet që qeveris në dëm të poullit”.

Është për të ardhur keq që formalisht ekziston dhe një shoqatë e gazetarëve të bujqësisë me shumë anëtar por pa gazetar. Shoqata e gazetarëve të Bujqësisë, ka rënë në gjumë letargjik, sepse në çdo përvjetor ashtu edhe në 100 vjetorin e sivjetmë të revistës, duhet të ishte në protestë, para Ministrisë së Bujqësisë, për këtë aventurë të Ministrit Ruli, që u pasua edhe nga ministrat e tjerë të linjës deri më sot. Por ajo, s’bëhet e gjallë, se nuk gjallon vetë. Po kështu, nuk e kuptoj indiferencën dhe heshtjen e shoqatave të tjera të Bujqësisë, siç është dhe ajo e fermerëve, para një veprimi mortor.

Të flirtosh me të keqen, do të thotë që të jesh pjellë e saj. Heshtja para së vërtetës, është si heshtja para arkivoleve, që përcillen në banesën e fundit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.