Kryesore

“Artvive” në Tiranë,  projekti që ridimensionon veprat e artit

14:26 - 04.10.21 Gazeta Shqiptare

Fatmira Nikolli – Kur Egon Schiele u njoh me Editin, ajo jetonte përballë studios së tij me të motrën dhe të atin në Hietzinger Hauptstrasse në Vjenë.  Vetë ai, ishte ende në një raport të ndërlikuar me Wally Neuzil, modelen e tij. Hyrja e Editit në jetën e tij i dha fund raportit kontrovers të Egonit me Wally-n, ndonëse ai kërkoi ta ruante atë raport, me femrën që shërbente si imazh i veprave të veta. Ai do të martohej me Editin dhe si një  ‘protege’ i Gustav Klimt në Vienën e shekullit të ri, piktorit riosh dhe penelave të tij, do t’i hapeshin rrugët. Veprat e Schiele, shfaqin shumë autoportrete dhe autoportrete nudo, seksualitet dhe një stil dallues, që tejkalon imitimet fillestare ndaj mjeshtrit Klimt. Në morinë e shumë veprave, që përbëjnë trashëgiminë e tij, është edhe portreti i së shoqes, Editit, që nuk arriti të bëhej nënë, sepse ndërsa ishte shtatzënë, gripi spanjoll i mori jetën asaj, dhe tri ditë më pas, edhe atij.



Portreti i Editit ruhet sot në muzeun “Belvedere” në Vienë bashkë  me historinë e krijimit të veprës që u ripikturua pas kërkesës së porositësit.

ARTVIVE NË TIRANË  

Sergiu Ardelean, themelues i “Artivive” , ka ardhur në Tiranë në një seminar me studentë, pedagogë e artistë për të prezantuar platformën që risheh me “sy të rinj” artin.

“Ne po ndihmojmë artistët e krijuesit,  dhe piktorët për të krijuar jo vetëm mënyrën tradicionale të të pikturuarit, por duke e kombinuar atë me qasjen digjitale duke bërë që digjitalizimi të riformulojë se si ata shfaqen në galeri e në muze. Këtu në Shqipëri ne e promovuam këtë lloj arti. Patëm një seminar me studentët  dhe artistët e profesorët treguam se si funksionon ky projekt. Ideja është që në fund të bëjmë një ekspozitë në galerinë ‘70’, për të treguar veprat e artit që janë krijuar përmes kësaj metode”, tha Ardelean  për “Gazeta Shqiptare”.

Projekti i “Artivive” për të riparë veprat e artit në një mënyrë të re, përmes teknologjisë, është shtrirë në disa shtete. “Artivive” bashkëpunon me muze, institute e universitete në San Francisko, Japoni dhe Kinë. “Në Austri kemi punuar me muzeun ‘Belvedere’ apo ‘Albertina’. Kemi punuar me muze në Shangai,  Kore, Boston, Bruklin.  Të gjitha këto projekte me universitete, muze, institute e galeri po na japin një ide të re se si të krijojmë  këtë formë të re arti sepse ne po e shohim si formën e artit të shekullit XXI. Janë të gjitha copa të vogla puzzle- të një gjëje më të madhe”, thotë Ardelean.

GRUAJA E EGON SCHIELE

Nëse flasim për muzetë në përgjithësi, thotë Ardelean, përvoja që shumica e vizitorëve kanë, është e njëjta për të paktën 50 vitet e fundit, gjë që është shumë mirë, dhe duhet të vazhdojë sepse muzetë kanë vepra të mëdha arti dhe ja tregojnë ato publikut edhe duke u kujdesur për to. Por, shoqëria ka ecur shumë në dekadat e fundit. “Dhe ke ndonjëherë ndjesinë se muzeumet janë po ashtu siç kanë qenë, me të njëjtin mentalitet. Ajo që ne po bëjmë me teknologjinë është që po i hapim  drejt përvojave të reja. Për t’u dhënë një shembull,  muzeumi ‘Belvedere’, ka një pikturë me mjaft vlerë me një histori të veçantë. Vepra pasi i u pikturua, u ripikturua. Versioni që kemi në muze nuk është  versioni i parë. Autori e ka ripikturuar veprën, sepse piktorit, Egon Schiele, i thanë se gruaja është veshur në mënyrë të papërshtatshme”, thotë ai. Ajo që Schiele bëri për të mbajtur pikturën, vëren Ardelean, është se shkoi në shtëpi dhe e ripikturoi atë dhe ajo që ne kemi sot në muze është versioni që deshi drejtori i muzeut asokohe. Me teknologjinë mund të shohësh edhe versionin e parë. Mund të shohësh gjithë historinë dhe diferencat nga dy versionet. Ajo që ne duam të arrijmë është, t’i japim mundësinë vizitorëve të kenë ndërveprim me veprat  e artit në mënyrë që të kemi një dialog dhe një qasje më të lehtë ndaj historisë dhe artistit.

ART PËRTEJ ELITASH

Arti mund të jetë për këdo. “Është ende ndjesia se sot arti është për elitat. Dhe që mund ta kuptojnë ata që dinë tashmë jetën e autorit dhe historinë e veprës. Artivive, po përpiqet të ndryshojë diçka. Ai që nuk di asgjë për Schiele-n dhe të shoqen, do të mund të kuptojë veprën dhe atë që fshihet pas saj”, thotë Ardelean.

“Artivive” ku Sergiu është themelues, mundëson shtimin e një shtrese digjitale qe i jep artit vizual një dimension treD , mund t’i shtojë muzikë apo një narrativë në momentin që ti e shikon të ekspozuar. Për të mundësuar këtë duhet shkarkuar aplikacioni “Artivive” dhe në çastin që sytë tuaj shohin veprën me kamera, aktivizohet dimensioni i ri që artisti  i ka shtuar veprës. Muzetë si “Albertina” e kanë përdorur Artivive për “të sjellë në jetë” veprat e koleksionit të artisteve tradicionale, duke i bërë ato tërheqëse për audiencat e reja. Bashkëpunimi i ‘Gallery70’ me ‘Artivive’ synon nga njëra anë t’i pajisë artistët me aftësi të reja teknologjike në dobi të artit të tyre dhe nga ana tjetër, t’u japë atyre shansin të përfshihen në platforma ndërkombëtare arti.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.