Kryesore

Historia e të moshuarit që sorollatet prej një muaji nga QSUT te Poliklinika për një vulë

17:20 - 08.10.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ka një muaj që pret t’i vijë data e vizitës te mjeku specialist në QSUT për të marrë me rimbursim ilaçin e zemrës për hollimin e gjakut. Por, pikërisht në ditën e vizitës, i thonë të rikthehet edhe një herë në poliklinikë, pasi kanë harruar t’i vënë dokumentit referues një vulë e mandej të bëjë edhe një herë rrugën për në QSUT, me shpresë se Qendra Konsultave do të jetë e hapur dhe do mund të mbarojë punë e të marrë ilaçin jetik.




Përballë faktit të kryer i sëmuri kronik me zemër me mbi 70 vite mbi kurriz detyrohet të marrë edhe një herë rrugën në këmbë, madje të nxitojë, pasi në poliklinikë, siç thotë dhe vetë, e pret një tjetër radhë, të cilën duhet ta mbajë për herë të dytë.

Ndërkohë, në Qendrën e Konsultave në QSUT askush nuk jep sqarim se përse një i sëmuri kronik i moshuar, me sëmundje të rëndë kardiake, duhet të sorollatet më kot për një vulë, kur ka referim nga mjeku i familjes dhe vizita e tij është e përcaktuar me kod të personalizuar në sistemin dixhital.

Miltiadhi thotë se nuk është hera e parë që sorollatet në dyert e shtetit për të marrë ilaçin me rimbursim, shqetësim që thotë se e kanë edhe qytetarë të tjerë, që për një problem që buron nga vetë sistemi i referimit duhet të rikthehen në qytetin nga vijnë dhe të humbasin planifikimin që shtyhet automatikisht me javë e deri në një muaj.

Por, problemi që ngre i moshuari është një nga shumë problematikat që vuajnë të sëmurët që referohen çdo ditë për vizitë në Qendrën e Konsultave në QSUT.

lg.php.gif

Shumica detyrohet të vijnë në Tiranë vetëm për një firmë nga mjeku terciar që mundëson marrjen me rimbursim të medikamenteve, ndërsa shumë të tjerë duhet të kalojnë detyrimisht nga Qendra e Konsultave një herë çdo 3 apo 6 muaj, si dhe të bëjnë skaner intravenoz dy herë brenda një viti për të mos humbur pagesën e invaliditetit.

Centralizimi i këtyre shërbimeve vetëm në Tiranë shkakton çdo ditë dyndje para Qendrës së Konsultave, ku distancimi social dhe masat e tjera anti-Covid shkelen nga vetë institucioni qendror spitalor.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.