Kryesore

Përplasje për kohën e kufizuar, Shehu e Vasili:Boll përdorët pandeminë! Balla: Po veprojmë si Evropa

10:36 - 14.10.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Reduktimi i kohës së diskutimit nga deputetët në Kuvend është bërë temë debati në nisje të seancës së sotme plenare.




Opozita ka dalë kundër vendimit të mazhorancës për të reduktuar kohën me 10 minuta për çdo deputet, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit. Deputeti demokrat, Tritan Shehu, iu drejtua kryetares së Kuvendit, duke i thënë se nuk është në atë post si zëdhënësja e mazhorancës, por duhet të vendosë rregulla.

Edhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, ka kërkuar që deputetët të flasin me kohë të plotë, duke e quajtur paturpësi këtë vendim. Në kundërpërgjigje, kreu i grupit të socialistëve, Taulant Balla, u shpreh se vendimi për reduktimin e kohës së diskutimeve është marrë me konsensus në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Pjesë nga diskutimet:
Shehu: Ju sapo bëtë një shkelje të rëndë. Ju nuk jemi zëdhënësja e mazhorancës. Nuk e kuptoni mirë rolin tuaj, që kur keni hipur në atë vend, nga roli që keni pasur në mazhorancë. Ju takon juve të vendosni rregullat. Ky nuk është Kuvendi i kryeministrit, as i ministrave, por i deputetëve sovranë. Të shkelësh këtë gjë, do të thotë të shkelësh parlamentarizmin shqiptar. Edhe kolegët e majtë nuk duhet të pranojnë t’iu shkelet me këmbë e drejta dhe fjala. Ju duhet të kërkoni që deputetët të jenë sa më aktivë. Çfarë ka deputeti tjetër, përveç fjalës? Edhe këtë ja prisni? Z. Kryeministër, keni shpallur gjendje të jashtëzakonshme sot në Shqipëri? Nuk e keni shpallur, dhe kërkoni t’i shpallni gjendjen e jashtëzakonshme Parlamentit. Të ulet koha e fjalës së deputetëve, këtë po kërkoni dhe po bëni ju z.kryeministër.
Duhet ta ndërprisni seancën sot, të vendoset rregulli, në të kundërt do të merren masa të tjera nga deputetët. Nuk do të jetë normale, nuk do të jetë e bukur.

Balla: E para, mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve, edhe pse janë të mbyllura, procesverbali i tyre është publik, dhe do të bëhet publik edhe diskutimi që kemi pasur në disa mbledhje. Nga të dy krahët e kësaj salle është rënë dakord që deri në vaksinimin e plotë të deputetëve të Kuvendit, rregull i miratuar me konsensus nga Konferenca e Kryetarëve, të vazhdojmë kështu. Me konsensus kemi dakordësuar që t’i kthehemi plotësisht punës në komisione, dhe po me konsensus është rënë dakord dje që të shkurtohet një orë. Parlamenti Europian për 708 eurodeputetë ka vendosur të diskutojë në seancë 4 orë. Jemi në gjendje të një pandemie botërore. Nuk ka një parlament në Evropë, që nuk i zhvillon seancat me kohë të reduktuar. Edhe kjo seancë do të zhvillohet kështu.

Vasili: Ju them që censurën e të folurit harrojeni. Unë dua kohën për procedurë, do marr dhe do flas për atë që e cuaj të rëndësishme. Jam shumë i keqardhur për një sjellje, që mendoj se e bëni se nuk dini, pasi thelbi i letrës që ju kam dërguar, ka qenë se koha nuk negociohet. Boll e përdorët pandeminë, e keni përdorur në mënyrën më të shëmtuar, është turp. Ne kemi qëndruar këtu për 18 orë, kur ishte programi i qeverisë, por atëherë nuk ishte problem pandemia, ndërsa sot qenka. Këto paturpësira mbajini për vete.

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.