KULTURË

“Yllka Mujo dhe Arben Kumbaro, në një etje për pak frymë”

18:17 - 18.10.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Kritika për premierën e teatrit “Metropol”, në një Samuel Becket që i flet fundit

Nga Josif Papagjoni – E dija çfarë ishte drama “Oh, ato ditë të bukura!” të Samuel Becket nga një tekst i Kudret Velçës, botuar diku nga fillimvitet ‘70, por vetëm pas 1990-ës munda ta lexoja në italisht. Mbaj mend se nuk më la ndonjë mbresë a shije kushedi çfarë. Nuk u trondita. Isha mësuar me format e rrepta klasike të tragjedisë a komedisë, selitur nga antikët grekë me dimensionet e jashtëzakonshme humane e sociale të tragjedive të tyre, pastaj nga madhështia dhe ngjarjet tmerruese të tragjedive të Shekspirit, nga traumat psikike të personazheve të Ibsenit e co. Isha mësuar me drama ku ndodhnin gjëra të mëdha, ndërsa aty “nuk ndodhte kurrgjë”. Por kur e kam parë nga një trupë suedeze, ndjeva se teksti dhe trishtimi më kishte hyrë gjer në palcë. U trondita përnjëmend, jo të hiqesha si i tillë. Ishte një version i mbushur me zymtim mortor pas veskut të komikes, me heshtje domethënëse dhe një përçudje gati neveritëse të plakës Vini dhe plakut Vili, nisur qysh nga grimi e gjer te intonacionet foljore si prej lëtyrash njerëzore. Këtu, në hapësirën shqiptare, e kam parë disa herë, në versione të ndryshme dhe konkurrente. Arben Kumbaro qysh në kryeherë, në fillimet e viteve ‘90, kur pengesat ranë ishte i pari që e solli Becket-in në skenën shqiptare me “Në pritje të Godosë”, në skenën e Akademisë së Arteve, me Qirjaqin, Radojën, Kanxherin dhe Pashën, çka na ngopi me befasi dhe kënaqësi. Sigurisht loja e një Qirjaqi dhe një Kanxheri qenë spikama të forta becketiane që mbetën në trurin tim. Kuptova aty Becket-in dramatik e tragjik, sepse tjetër shije më pat dhënë teksti dhe tjetër shfaqja, regjia, aktrimi, skenografia etj. Teatri ka magjinë që e superon tekstin, lëshon aty dritë dhe ti mund të kuptosh palimpsestet e tij. Më duket se po e njëjta gjë më ndodhi edhe kësaj mbrëmjeje me “Oh ato ditë të bukura!” në teatrin “Metropol” dhe Yllka Mujon si Vini. Një ditë e bukur dhe për vetë Yllkën, e cila kishte ditëlindjen dhe një qiri erdhi nga salla në skenë. E kam dëgjuar disa herë Arben Kumbaron teksa në disa televizione dhe unë jam i një mendje me të. Mund të shtjelloja pafundësisht se ç’është Becket dhe dramaturgjia e tij. Qindra e mijëra kumtime mund t’i gjesh lehtësisht për të. Por neve si spektatorë na intereson “pamja shqiptare” e Becket-it dhe e kësaj vepre. Dhe them se atë e bënë të tillë dy premisa: kthjelltësia e idesë regjisoriale të Kumbaros dhe begatia aktoriale e Mujos. Padyshim që është një nga rolet më të bukur të Yllka Mujos, por unë nuk do të parapëlqeja vlerësime absolutiste si “më i bukuri i karrierës së saj” etj. Ndoshta është më i qashtri, më i vetëmjaftueshmi. Mbase edhe më i drejtpeshuari mes anës emocionale dhe anës racionale, apo siç e quante Niçe mes linjës dionisiane dhe linjës apoloniane. Është një rol, që kur karriera vjen në portat e mbylljes, të shijon më shumë. Ndihet që aktorja di ta zotërojë tekstin, veten dhe spektatorët. Përvoja i ka dhënë një kyç, një “Sezam”! E vetme duhet të mbante mbi shpinë gurin metaforik sizifian të mundimit aktorial, të vuajtjes, të ndezullisë shpirtërore dhe të rënies befas në pezëm. Të humbte veten dhe të bëhej Vini. Të ikte prej Yllkës duke mbetur po Yllka. E gjitha kjo në një dikotomi emocionale dhe psikologjike vepruese, ecejakur nga dramatikja te komikja, nga e zakonshmja tek e jashtëzakonshmja, nga banalja te poetikja. Janë kundërshti që vijnë nga përplasja e ligjërimit letrar të paradigmës së dramës së absurdit me formën e empatisë që krijohet te ne falë alegorisë, simbolikës, asociacionit dhe nënshtresave kuptimore që vetë teksti na nxit. Përveç zbërthimit dhe kuptimit të tekstit të Becket-it, aktorja kishte dhe dy vështirësi të mëdha. Ishte e “ngurtëzuar” në një masë shkëmbore, fillimisht deri në mes, ku mund të na demonstronte ca gjësende personale dhe të na rrëfente historitë e saj me të shoqin, Vilin. Më pas ky ngurtësim e mbulim shkonte deri te koka dhe aktorja nuk kishte në dispozicion elemente bazikë të plastikës së saj, trupin, duart, ecjen, koreografinë e lëvizjeve, as kostumin, por vetëm fytyrën, sytë, mimikën, fjalën e “vetmuar” si në një meshë. Ca më tepër, ajo është sy më sy dhe fare afër nesh si spektatorë, ia ndjejmë frymën, ia shohim syrin; dhe krijon një impakt me natyrë intime me ne. Por ne nuk e ndjemë mungesën e këtyre elementeve, sepse Yllka di të luaj, di t’i shfrytëzojë mjetet e tjerë plotësues të aktrimit, sidomos punën me fjalën, intonacionin, nëntekstet, kurbën temporitimike të ligjërimit, ngjyrat e ndryshme të tij, rrafshet përplotësuese të emocionit këtu apo aty, kontrastet, nënshtresat semantike të fjalës, fjalisë, frazës, fuqinë komunikuese dhe hipnotike të syrit etj. Teksti i Becket-it, në vetvete, priret drejt formës komike, teksa gjendjen dramatike e fsheh, e nënkupton. Por unë te loja e Yllka Mujos, edhe pse aty kishte plot qasje kësisoj, pra komike, me imitimet zanore të dy vetjeve që ajo i sheh dy herë në mosha të ndryshme, me përshkrime gjësendesh, çikërrimash a rituale banale të përditshmërisë, megjithatë pata fund e krye një tingull të brendshëm dramatik, një pezëm. Rinte varur në hapësirën skenike. Zbriste herë pas here në zërin e pakuar të Yllkës si një mërzi, frikë e trishtim i brendshëm. Ky alternim intonacionesh zanore, nëntekstesh dhe konotacionesh në lojën e fjalëve dhe të vetë ligjërimit aktorial në përgjithësi i dha një kuptim të gjerë lojës dhe domethënieve që ajo përcolli te ne. “Oh, ato ditë të trishta!” nga Yllka erdhi edhe si “Oh, ato ditë të hirta!” i ikte syprinës. Dhe pastaj varionte në të tjera ngarkesa emocionale, të tjera kuptimësi, që përqasen ndryshe, në të kundërtën, pra me lumturinë e ardhur prej kujtesave të “ditëve të bukura”, “ditëve me diell e dashuri”, apo të tjera motërzime kësodore. Po a është ky leximi më i thelluar i Becket? Askush nuk mund ta pretendojë “hipotekën” e kësaj të vërtete, sepse vështrimet regjisoriale nisen nga premisa të ndryshme, në kohë e mjedise të ndryshme, duke ruajtur secili të drejtën e interpretimit, vetjakësisë, stilit dhe shijes së vet. Pra, të vërtetën vetjake. Edhe Arben Kumbaro u rrek të na jepte të vërtetën e tij të personalizuar. Dhe sipas meje, e vërteta e tij ishte klithma për një grimë jetë më tepër, për një fashë diell, për pak ngrohtësi njerëzore në ditët e mbrame, për një gulsh komunikimi në pamundësi e zvetënim marrëdhëniesh. Klithma për jetën duke blatuar shpresën, duke apeluar kujtesat e bukura prej saj, qofshin dhe iluzive, mjaft që jeta të vibrojë, mjaft që zemra të mos mpaket dhe “dielli” të mos shuhet. Edhe nëse zvarritesh, o njeri, ti jeto! Jeta është një dialog, paçka se Vini thuajse monologon dhe i shoqi, Vili (luan Sokol Angjeli), nuk i përgjigjet dot, në shastisjen që e ka zënë, duke u zvarritur si krimb tokës së shkretë. Zvarritu, veç jeto! Jo më kot regjisori e kishte konotuar situatën në kushtet e pandemisë dhe mërzisë së madhe që pushtoi krejt shoqërinë, ngujimet në “bunkerët” shtëpiakë, zbehja e komunikimeve të drejtpërdrejta mes njerëzish, vdekjet dhe frikërat, krijimi i ishujve të vetmuar, që solli rëndesa të tmerrshme psikike. Kjo ishte diçka që lipset përshëndetur, sepse ideja regjisoriale në teatrin bashkëkohës e merr shpesh tekstin si pretekst për të konfirmuar shqetësimet e saj si substrat i shqetësimeve të shoqërisë, i qytetarëve ku regjisori jeton. Jeta e njeriut është një shkretëtirë e djegur, përvëluese, andaj dhe Becket jo më kot e fut Vinin në një tog të madh rëre, gjithnjë duke u pakuar e duke u kredhur brenda saj, gjersa i mbetet sipër vetëm koka. Jeta është e tëra e rëndomtë, monologu i Vinit është pjesë e rëndomtësisë që diku-diku “poetizohet”, për të na dhënë edhe më tepër vogëlsinë e saj, ritualin mbytës kur nga kujtesat e mpira të pleqërisë sjell në mendje ndofta një puthje, dy gjinj dikur të hovshëm, një rrugëtim të shkretë, praninë e partnerit të shastisur nga pleqëria, thërmoklat e një ëndrre pa horizont, një zgafellë njerëzore ku të merret fryma. Shkurt, një “hiç” kinse të bukur. Regjisori Kumbaro dhe aktorja Mujo, duke u rrekur ta sjellin këtë qasje thelbësore të monodramës, i kishin mëshuar më shumë etjes për pak frymë, jetë, ëndërr, lumturi, falë një kujtese që ecejakej në pjesët jo vetëm të rëndomta, por edhe poetike. Një memorie që përpëlitet në ankthin e përditësisë, e të pandryshueshmes, e ritualit gëlltitës të jetës, e asgjësë trallisëse dhe e boshit. Një Vini që i trembet plakjes dhe një Vili të pagojë e si brumbull, të dy në ankthin e vdekjes së pritshme, e pakimit ditë pas ditë, e shastisjes me tërësej. Një mirazh që vetëshkatërrohet dhe nga lirik bëhet komik. Zgjidhja skenografike e shfaqjes ishte simbolike. Tri elemente konvergonin në hedhje-pritjen e ideve të veprës dhe konceptit regjisorial. E para qe ai tog rrënojash a gurësh ku kishte ngecur Vini, çka na çonte edhe te tragjedia e tërmetit që ndodhi ndër ne, jetët e marra nga fatkeqësia. Nuk kishim më rërën si të versioni i Becket, në një shkretëtirë diku, në një kund-askund, që mund të ishte edhe shkretimi i mendjes sonë, i jetës sonë, një botë e shkretë, një vetmi thuajse totale, e frikshme, gëlltitëse. Këto rrënoja rriten e rriten, gjersa aktorja mbulohet gjer në krye. E dyta është mjedisi i një shpelle me stalakmitet dhe stalaktidet, me akullimin dhe me ngurtëzimin, siç edhe Vini kridhet pak nga pak në brendësinë e shkëmbit, pra të këtij ngurtëzimi dhe këtij akullimi. Është shpella njerëzore, shpella e shpirtit të vetmuar. Shpella e vdekjes dhe e asgjësimit. Është ngujimi. Vetmimi. E treta është sfondi i zi rrethues i skenës, që ngjan me një arkëmort. Vdekja në totalitetin e saj. Si ankth. Si pritshmëri. Si një hiç i madh, i rrumbullt, i belbët. Nuk ka më ngjyra, por heshtje të përjetshme. Transhedentale. Realiteti eskatologjik, që vetëm vdekja na e jep, por asnjëherë nuk na e shpjegon. Prandaj dhe na tmerron. Dhe ne duam t’i ikim asaj, siç do edhe Vini e Yllkës t’i iki peshës së tokës dhe të fluturojë lart, në qiell, në një vallëzim sa onirik, aq dhe lirik, poetik, ëndërror. Jeta është e bukur, jetoje atë! Ky mesazh në një interpretim të ngrohtë nga aktorja, kësaj here edhe me një koreografi lëvizjesh të hirshme të duarve, kokës. Dhe atij çasti mund t’i barabiteshe titullit të veprës me pasthirrmën: “Oh, sikur të fluturoja!”. Dy-tri çaste të bukura e përplotësuese solli edhe përzgjedhja muzikore e Endri Sinës. Nga forma e rëndomtë që fjala qëllimisht merrte prej dramaturgut, kalohej përmes kontrapunktit në çaste të dhimbshme, të trishta apo të zymta. Dhe si për t’i dhënë aromën shqiptare, ishin me shumë vend motivet e këngëve të Agim Prodanit në vitet ‘50-‘60, si një histori lumturie shqiptare… …Oh ato ditë të bukura!…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.