AKTUALITET

Shoqëruesja tregon orët e fundit të 4 rusëve në Shqipëri: Nuk shfaqën probleme, ishin të kënaqur

11:30 - 21.10.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Zbardhet dëshmia e personit që shoqëronte 4 turistët rusë që humbën jetën në Qerret të Kavajës. Një 30-vjeçare ukrainase, që ishte operatorja e tyre turistike, ka rrëfyer para hetuesve të gjithë itenerarin e përshkruar nga Maqedonia në Shqipëri dhe ushqimet që ata kanë konsumuar. Mungesa e një shkaku për vdekjen ka shtuar edhe më shumë dyshimet për vrasje




Maria, 30-vjeçarja ukrainase që shërbeu si guidë në Shqipëri për 4 turistët rusë që u gjetën të vdekur në Qerret të Kavajës fundjavën e kaluar, u trondit kur mësoi nga Policia Shqiptare për ngjarjen tragjike.

Ajo ka treguar me detaje para hetuesve për orët e fundit, të kaluara bashkë edhe me disa turistë të tjerë, të premten e 15 tetorit 2021.

Maria, që punon si guidë turistike prej disa vitesh në Shqipëri, thotë se Sergei e Natalia Burenkov, vajza e tyre Ekaterina dhe dhëndri Nikita Belousov ishin shumë të kënaqur me udhëtimin dhe nuk kanë treguar asnjë shenjë shqetësimi shëndetësor apo të ndonjë natyre tjetër.

Në orën 7 të mëngjesit, familja e Sergeit, së bashku me 4 turistë të tjerë, po nga Rusia, të drejtuar nga janë nisur nga Qerreti në drejtim të Ohrit, në Maqedoni. Fillimisht kanë ndaluar në një auto-grill, në dalje të Librazhdit, ku secili ka konsumuar ushqimet që kishin marrë me vete.

Më tej kanë kaluar kufirin, dhe rreth orës 13 të mesditës së të premtes janë ulur në një restorant në qendër të Ohrit.

Sipas deklarimeve të Marias, të gjithë pjesëtarët e grupit, përfshirë edhe 4 turistët e ndjerë, kanë porositur thuajse të njëjtat ushqime- piskavica, pak peshk dhe disa prej tyre kanë marrë edhe nga një gotë raki.

Në vijim, ukrainasja 30-vjeçare ka deklaruar me siguri se, përsa kohë kanë qenë në shoqërinë e saj, nuk i kanë dhënë asnjë shenjë që të ishin persona që kishin varësi nga alkooli apo lëndë të tjera.

Thuajse të njëjtat deklarime kanë dhënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore edhe 4 shtetasit e tjerë rusë, të cilët udhëtuan së bashku me familjen Burenkov, e cila u gjet e vdekur mbrëmjen e së premtes në pishinën e mbyllur të hotelit në Qerret.

Dëshmitë e turistëve rusë kanë hedhur më shumë mjegull mbi hetimin e nisur nga Prokuroria e Kavajës.

Dyshimet e para të hetuesve ishin që familja ruse mund të kishte vdekur për shkak të ndonjë helmimi të mundshëm nga ushqimi ose prej përdorimit të mundshëm të lëndëve narkotike.

Por, këto pista duket se rrëzohen nga bashkudhëtarët e tyre dhe guida turistike, e cila i ka shoqëruar gjatë të gjithë ditës së premte.

Edhe autopsia e kryer menjëherë pas ngjarjes, nuk ka arritur të identifikojë gjurmë helmimi nga ushqimi apo përdorim të lëndëve narkotike.

Tashmë, hetuesit po presin ekspertizat lidhur me klorin e ujit të pishinës, si edhe mundësinë e helmimit nga ndonjë gaz i mundshëm, pavarësisht se në vendngjarje nuk u gjetën shenja të kësaj natyre.

Prokuroria nuk përjashton as pistën e vrasjes, aq më tepër që për momentin, hetimi është regjistruar për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese në dëm të më shumë se një personi”, parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal.

Por, pista e vrasjes e ndërlikon akoma më shumë ngjarjen. Prej ditësh, në media po hidhet hipoteza se 4 turistët mund të jenë vrarë me ndonjë lloj helmi, për të cilin Mjekësia Ligjore në Shqipëri nuk është në gjendje ta përcaktojë.

Gjithsesi, për momentin kjo pistë mbetet vetëm hipotezë, ndërkohë që po pritet përfundimi i të gjithë ekspertizave./syri


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.