AKTUALITET

Ankohen banorët e një pallati në Kinostudio, Alfred Rushaj: Shembjen e duan qeveritarët

14:17 - 22.10.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nënkryetari i PD, Alfred Rushaj, u takua me disa familje në zonën e Kinostudios, ku është deputet, për të përcjellë shqetësimin e tyre për shembjen e dyshimtë të pallatit ku banojnë 2 vjet pas tërmetit. Banorët shpjeguan të shqetësuar se ekspertiza e parë e ka nxjerrë pallatin të sigurt dhe të banueshëm, ndërsa një ekspertizë e mëvonshme, e pabazuar në ligjin shqiptar, e cilësoi në rrezik shembje.




“As nuk kanë ardhur për ta parë. Pallatin 5 katësh, në letra e kanë nxjerrë 3 katësh me tulla silikate, që nuk përputhet me realitetin”- tha një banor, që dispononte të gjithë dokumentacionin. “Pas tërmetit, Drejtori i Institutit të Ndërtimit, i ndjeri Agron Hysenlliu, ka hyrë në 250 familje, i shoqëruar nga unë, dhe në asnjë rast nuk ka thënë se këto pallate duhen prishur, por ka thënë “vij e banoj me gjithë fëmijët e mi pa asnjë lloj meraku”. Përkundër kësaj, sajuan një ekspertizë të rreme, të nxitur nga disa politikanë dhe oligarkë të lidhur me qeverinë”- u shpreh një banor tjetër.

Banorët e pallatit në Kinostudio besojnë se pas shembjes së pallatit qëndrojnë interesa financiarë të lidhur me pushtetin. “Kemi të dhëna se për të rrëmbyer këtë tokë janë të interesuar politikanë në parlamentin shqiptar dhe njerëz të lidhur me pushtetin, që të ndërtojnë biznesin e tyre në kurrizin tonë”- tha një banor. “Duan të bëjnë grabitjen e tokës, pasi ndërpret një pjesë të madhe toke shumë pranë rrethrrotullimit të unazës së re të madhe. Ka interes që kjo tokë të marrë një zhvillim tjetër dhe ne të na lëvizin diku tjetër. Këtu ka interesa private të lidhura ngushtësisht me pjesën e tokës”-tha njëri nga banorët.

Për nënkryetarin e PD, Alfred Rushaj, shembja e pajustifikuar e pallatit në Kinostudio është një nga rastet që tregon sjelljen mafioze të qeverisë.

“Ata nuk e kanë merakun tek siguria, sepse po ta kishin tek siguria, ju nuk do të ishit akoma në shtëpitë tuaja. E kanë patur merakun tek zgjedhjet. Edhe fatkeqësinë e termet duan ta shfrytëzojnë për biznes dhe gjejnë një periudhë kur ju nuk keni mundësi ta shprehni revoltën me votë. Fakti që kanë ardhur për t’ju bërë presion se do të presin ujin dhe dritat, është një veprim mafioz. Kur kanë dashur mafiozët të lirojnë tokë, kështu e kanë bërë.”, tha Rushaj.

Banorët akuzuan për një skemë mashtrimi sipas tyre që po bëhet me fondet e qerasë nga Erion Veliaj dhe Arben Ahmetaj. “Një pjese të mirë u japin bonus qeraje dhe qëndrojnë brenda në shtëpi. Disa kanë dhënë shtëpitë edhe me qira. Përmes këtyre personave na bëhet presion për të dalë që të shembet.”- tha një banor, ndërsa një kryefamiljare tregoi të gjitha dokumentet që faktojnë se banorët janë pronarë edhe të truallit të pallatit dhe nuk do të pranojnë të trajtohen padrejtësisht. Partia Demokratike e ka referuar çështjen në SPAK për shpërdorim detyre, por ende nuk ka asnjë avancim për interesin e banorëve. Më herët prokuroria e Tiranës refuzoi të bënte një ekspertim të pavarur, pas padisë së ngritur nga PD dhe banorët.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.