KULTURË

Kafkaeskja e “mutacioneve” të Francis Kirpsit

16:25 - 22.10.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edvin Cami  – Mutacionet. Shtatë histori dhe një poezi është titulli i një përmbledhjeje mbresëlënëse letrare të shkruar nga Francis Kirps, e vlerësuar me Çmimin Europian për Letërsinë, si dhe me çmimin Savais. Së fundi, ajo është botuar për lexuesin shqiptar nga DITURIA, në kuadër të projektit “Udhëtim në kohë dhe vende të ndryshme me mjeshtër të letërsisë europiane”, me mbështetjen e programit Europa Krijuese të BE. Autori nga Luksemburgu, i diplomuar në psikologji, i paraqitet lexuesit me një numër tekstesh të ndërtuara mbi bazën e lidhjeve ndërtekstore me disa vepra të autorëve të njohur të letërsisë botërore. Duke përzgjedhur tregime a novela të autorëve si: F. Kafka, P. Mérimée, V. Woolf apo H. von Kleist etj., Francis Kirpsi ndërton një perspektivë të re në kontekstin e veprave që ai i përdor si model.




Kështu, cilido që ka lexuar për Gregor Samsën e shndërruar në një brumbull të pështirë te Metamorfoza e Franc Kafkës, ndihet në një terren të ngjashëm kur, në njërin prej “mutacioneve” të Kirpsit lexon për Leon Sumsën, një mizë të shndërruar një mëngjes në atë “vertebror të përbindshëm” që është pikërisht qenia njerëzore. I gjendur përballë një realiteti të ri, Leon Sumsa kujton fillimisht me përmallim kohët e kaluara si insekt në shoqërinë e shokëve të llojit të vet. Mirëpo tani e tutje, ai përballet me sfidat e integrimit në një shoqëri tjetër, çka nënkupton edhe vendosjen e një marrëdhënieje të re me atë çka i përket së shkuarës së vet.

Në mënyrë të ngjashme, bazuar te Venera e ishullit të Prosper Mériméesë, Francis Kirpsi ndërton modelin e një “distopie antike”, në të cilën Tulia, e bija e një farkëtari nga një qytezë periferike e Perandorisë Romake, përpiqet të çlirohet nga provinca e vogël, të emancipohet e të ndërtojë një karrierë të sajën, duke u ofruar me vullnet të lirë për t’u shitur si skllave në një “ndërmarrje” të madhe të lashtësisë. Gjatë integrimit në shoqërinë e re dhe ngjitjes së shkallëve të karrierës, krahas aftësimit profesional në punë e shërbime, përvoja i mëson edhe se si t’ia dalë në krye për t’i mënjanuar nga rruga konkurrentët që mund t’i vënë në rrezik ecjen përpara.

Ndërsa Njolla në mur e Virginia Woolfit, sërish në funksion të ndryshimit të perspektivës, është shndërruar në një kërmill, që zgjohet papritmas prej dehjes që i kanë shkaktuar avujt e birrës së një çarku në kopsht. Duke vështruar gjurmën e jargës së vet, kërmilli në mur përpiqet të kujtojë se si ka ndodhur që është zvarritur nga kopshti drejt dhomës, në murin e së cilës është ndalur. Po ashtu, ai vështron dhomën rreth e rrotull, mundohet të kuptojë përmasat e sendeve që ndodhen në mjedisin e ri, por në veçanti i trembet qenies njerëzore që qëndron e ulur në një kolltuk. Ajo qenie e tremb më së shumti dhe ai nis të mendojë për të përgatitur reagimet e tij në marrëdhënie me të. A duhet të vihet në lëvizje e të nisë udhën e kthimit drejt kopshtit, apo duhet të qëndrojë i palëvizshëm e të luajë rolin e “të vdekurit” për të mos i rënë në sy të panjohurit?

Ndërsa Luani i lëshuar i Kurt Tucholskyt është kthyer në një ari polar, që ka shfrytëzuar një rast pakujdesie të rojës së kopshtit zoologjik të Berlinit dhe ka dalë për të shëtitur e soditur qytetin. Lëshimi i tij kthehet në lajm për portalet dhe emisionet e lajmeve. Diku shihet me frikë, diku prania e tij pëlqehet, tjetërkund shprehen se ai duhet të kthehet në vendin e prejardhjes së tij, në Polin e Veriut, ndërsa ai vetë nuk është i vetëdijshëm për mënyrën se si shihet nga të tjerët, por shëtit me kureshtje nëpër lagjet e një qyteti, që e njeh si vendlindjen e vet.

Në perspektivën e ndryshuar të të gjitha këtyre teksteve apo “mutacioneve” të veprave letrare të marra si model, Francis Kirps na shtyn, përmes metaforave e formave të tjera të kuptimeve të figurshme, që të meditojmë rreth realitetit të sotëm të qytetarëve në marrëdhënie me botën që i rrethon. Problemet që lindin në shoqëritë tona gjithmonë e më të hapura, në të cilat individët kushtëzohen nga lëvizjet emigruese dhe jeta brenda komunitetesh të veçuara, pasoja e dyzimit të identitetit, dyshimet për vetveten nën ndikimet ideologjike, shtjellohen të gjitha përmes mesazhit të tërthortë të “Mutacioneve”. Autori përdor funksionin apelativ të letërsisë për ta shtyrë lexuesin që t’i vështrojë të gjitha këto dukuri aktuale në situata të kohëve e të rrethanave të tjera, të mendojë për to, ta kuptojë më mirë realitetin e tyre dhe në këtë mënyrë, të reagojë siç duhet kur t’i hasë ato në jetën e përditshme.

Megjithëse, siç u sqarua, tekstet e Mutacioneve janë të mbështetura në lidhje ndërtekstore me modele tekstesh të autorëve të njohur, duhet theksuar se për të kuptuar përpunimet letrare të Francis Kirpsit, nuk është kusht njohja e “teksteve origjinale”. Secili prej “mutacioneve” funksionon më së miri më vete dhe e përcjell pa mangësi mesazhin e synuar prej autorit. Gjithsesi, nuk ka dyshim se leximi i këtyre teksteve nxit te lexuesi dëshirën dhe motivin për të shkuar më tej dhe për t’i zbuluar e lexuar edhe modelet origjinale, çka do të përbënte një pasurim të mëtejshëm të botës së brendshme të secilit prej nesh.

Së fundi, vlen të theksohet se tekstet e Mutacioneve, që ushqejnë interesin për letërsinë në tërësi dhe nxisin të menduarit kritik për botën dhe shoqërinë në veçanti, mund të përdoren më së miri në projekte mësimore në orët e edukimit letrar në shkolla. Diskutimi i përmbajtjes së tyre në një orë letërsie, do t’u mundësonte mësuesve që t’i shtynin nxënësit të diskutonin rreth pasqyrimit letrar të shumë dukurive shoqërore, si dhe do t’u nxiste atyre interesin për të shfletuar edhe modelet origjinale, mbi të cilat janë ngritur Mutacionet e Francis Kirpsit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.