Intervista

Intervista/ Lumturi Mërkuri: Ekspozimi ndaj plumbit dhe rrezikshmëria për shëndetin

12:30 - 25.10.21 Gazeta Shqiptare

Voltiza Duro – Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka identifikuar plumbin si një nga 10 kimikatet me ndikim kryesor në shëndetin publik. Në kuadër të mbrojtjes së shëndetit nga ky metal toksik, mbahet Java e Nëntë Ndërkombëtare e Parandalimit të Helmimit nga Plumbi në datat 24-30 tetor 2021 me sloganin: “Të punojmë së bashku për një botë pa bojëra plumbi”. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, dr. Lumturi Mërkuri, mjeke dhe specialiste e Shëndetit Publik tregon në mënyrë të detajuar mënyrat se si ne ekspozohemi çdo ditë ndaj plumbit dhe dëmet shëndetësore që na shkakton në organizëm.
Pse organizohet Java Ndërkombëtare e Parandalimit të Helmimit nga Plumbi?
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka identifikuar plumbin si një nga 10 kimikatet me ndikim kryesor në shëndetin publik. Por edhe pse njihen efektet e dëmshme të plumbit, e shumë vende kanë ndërmarrë masa, ekspozimi ndaj plumbit, veçanërisht në fëmijëri, mbetet shqetësim kryesor për shëndetin publik në të gjithë botën. Helmimi nga plumbi dëmton shëndetin, ul inteligjencën dhe shkakton një barrë të madhe ekonomike mbi familjet dhe shoqërinë. Është vlerësuar se në vitin 2019, ekspozimi ndaj plumbit llogariste 900,000 vdekje në të gjithë botën, për shkak të efekteve në shëndet. Nga një analizë ekonomike e kryer në Shtetet e Bashkuara u gjet se shpenzimet e helmimit nga plumbi në fëmijëri janë 43 miliardë US$. Prodhimi dhe shitja e bojës me përmbajtje plumbi lejohet akoma në mbi 55% vende të botës, duke qenë një burim i vazhdueshëm i ekspozimit nga plumbi. Ekspozimi me plumb i bojërave është plotësisht i parandalueshëm. Bojërat mund të prodhohen pa shtimin e përbërësve të plumbit.
Çfarë është helmimi nga plumbi?
Plumbi është një metal natyral toksik që ka pikë shkrirjeje të ulët, merr formë dhe derdhet kollaj dhe mund të kombinohet me metale të tjera për të formuar aliazhe. Për këto arsye, plumbi është përdorur nga njerëzit për mijëvjeçarë dhe sot është i përhapur në produkte të ndryshme. Përdorimi i tij kaq gjerësisht ka rezultuar në ndotje të madhe mjedisore, ekspozim të njerëzve dhe probleme të rëndësishme të shëndetit publik në shumë pjesë të botës. Mbasi hyn në trup, plumbi shpërndahet në organe të tilla si truri, veshkat, mëlçia dhe kockat, ku grumbullohet me kalimin e kohës. Helmimi me plumb vjen nga grumbullimi i plumbit në trup gjatë një periudhe të gjatë kohore. Gjithsesi, edhe një dozë e vetme e konsiderueshme mund të vrasë. Sipas raportit të Qendrës Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, në 2006, një fëmijë parashkollor vdiq ngaqë gëlltiti një copë bizhuterie metalike me përmbajtje të lartë plumbi.
Cilat janë burimet dhe rrugët e ekspozimit?
Plumbi ka gjetur përdorim të gjerë, në shumë produkte të përditshme, pavarësisht aftësisë së tij helmuese. Njerëzit mund të ekspozohen ndaj plumbit përmes burimeve të ndryshme profesionale dhe mjedisore të shumëfishta. Ekspozimi ndaj plumbit ndodh nëpërmjet ajrit (nga smogu), aparatit gastrointestinal (ushqimi, uji), lëkurës (bojërat, pluhuri). Ekspozimi ndaj plumbit vjen kryesisht nga: përdorimi i benzinës me plumb për automjetet-plumbi nuk shpërbëhet dhe nuk digjet, prandaj gazi që lëshojnë automjetet me përmbajtje plumbi, thithet gjatë frymëmarrjes. Prodhimi i baterive me acid plumbi për automjetet motorike dhe riciklimi apo djegia e tyre. Një burim i madh plumbi për banorët janë bateritë që mbajnë në oborret e shtëpive, të cilat i çmontojnë për skrap. Përdorimi i bojërave dhe pigmenteve me bazë plumbi që përdoren për të lyer shtëpitë. Shumë bojërave u shtohet plumbi si pigment për të shtuar rezistencën ndaj korrozionit, të thahet shpejt, të jetojë më gjatë, të duket si bojë e sapolyer në pamje etj.. Boja e banesave me bazë plumbi vjetrohet dhe degradon me kalimin e kohës duke prodhuar pluhur me përmbajtje plumbi. Kjo ndodh edhe gjatë rinovimit të shtëpive. Gjithashtu ekspozimi ndaj plumbit vjen edhe nga uji i pijshëm i marrë përmes tubave prej plumbi apo të salduara me plumb. Aktivitetet e minierave, shkrirja, riciklimi i metaleve. Djegia e mbetjeve që përmbajnë plumb dhe mbeturina të rrezikshme – ata që banojnë pranë landfilleve e vendeve të ndotura kanë më shumë risk (tymi nga djegiet e mbeturinave mund të ndoti ajrin dhe ta transportojë plumbin në distanca të largëta). Riparimi i pajisjeve elektrike që përdorin saldim me plumb. Djegia e mbetjeve elektronike pasi sot në gjithë botën gjerenohet një sasi e madhe mbetjesh elektronike, shumica e të cilave riciklohen, por një pjesë e tyre digjen. Gjithashtu, mund të kemi ekspozim ndaj plumbit nga prodhimi e përdorimi i enëve prej balte/qeramike të veshura me lustër plumbi (plumbi u jep artikujve të argjilës një pamje të lëmuar si xham). Objektet e vjetra të plasaritura të qeramikës, ruajtja e ushqimeve acide dhe gatimi në qeramikë e rrisin sasinë e plumbit që lëshohet nga glazura. Uji i pijshëm që mbahet në poçe argjile që të rrijë i freskët dhe pijet e nxehta që shërbehen në filxhanë të lustruar janë gjithashtu burim ekspozimi.
A evidentohet prezenca e plumbit në produktet kozmetike?
Aftësia e plumbit për të ruajtur ngjyrat e ka bërë që ai të gjejë vend në produkte kozmetike si bojërat e flokëve apo disa marka të kuqi buzësh. Ekspozimi ndonëse në doza të vogla është shumë i dëmshëm, nëse marrim parasysh aplikimin e gjerë të produkteve kozmetike. Prandaj, konsumatorët duhet të kujdesen kur blejnë këto artikuj.
Po te lodrat e fëmijëve?
Lodrat janë një burim potencial i ekspozimit të fëmijëve ndaj plumbit për dy arsye: (a) lodra mund të jetë e lyer me bojë plumbi dhe (b) vetë lodra është bërë me plumb. Prezenca e plumbit në zinxhirin ushqimor përmes dheut të ndotur. Më shumë se 80% e marrjes ditore të plumbit vjen nga toka, uji, ajri dhe ushqimi i ndotur me plumb. Njerëzit mund të jenë në risk të ekspozimit ndaj burimeve të shumëfishta ndaj plumbit.
Cilat janë efektet/pasojat shëndetësore të ekspozimit ndaj plumbit?
Plumbi akumulohet në trup dhe ndikon në të gjitha organet. Ekspozimi i plumbit mund të shkaktojë dëme shëndetësore në të gjitha grup-moshat, por është veçanërisht i dëmshëm për fëmijët e vegjël. Tek të rriturit plumbi shkakton dëme afatgjatë, përfshirë rritjen e rrezikut për presionit të lartë të gjakut dhe dëmtim të veshkave. Ekspozimi i grave shtatzëna ndaj niveleve të larta të plumbit mund të shkaktojë abort, lindjen e fëmijës të vdekur, lindje të parakohshme dhe fëmijë me peshë të ulët në lindje. Fëmijët e vegjël janë veçanërisht të prekshëm nga efektet toksike të plumbit sepse thithin 4-5 herë më shumë plumb sesa të rriturit dhe mund të pësojnë ndikime të thella e të përhershme negative shëndetësore, veçanërisht në zhvillimin e trurit dhe sistemit nervor. Për më tepër, kurioziteti dhe sjellja fëminore (futja e gjërave në gojë apo pica sindrom) mund të rezultojë në gëlltitjen e objekteve që përmbajnë plumb.
Po efektet shëndetësore tek fëmijët?
Ekspozimi ndaj dozave të larta të plumbit shkakton helmim akut simptomatik, me dhimbje barku, anemi e dëmtim i sistemit nervor qendror shoqëruar me koma, konvulsione dhe vdekje. Fëmijët që mbijetojnë nga helmimi i rëndë me plumb mund të ngelen me paaftësi intelektuale dhe çrregullime të sjelljes. Në nivele më të ulëta të ekspozimit, plumbi dëmton sisteme të shumta të trupit përfshirë ulje të funksionit të trurit dhe reduktim të aftësive, që zgjatin gjatë gjithë jetës. Në veçanti, plumbi mund të ndikojë në zhvillimin e trurit të fëmijëve, duke rezultuar në zvogëlimin e koeficientit të inteligjencës, ndryshime në sjellje si zvogëlimi i vëmendjes, rritja e sjelljes antisociale dhe ulja e produktivitetit në shkollë. Gjithashtu shkakton anemi, dëmtim të veshkave, dëmtim të sistemit imun dhe toksicitet ndaj organeve riprodhuese. Efektet neurologjike dhe të sjelljes nga ekspozimi ndaj plumbit janë të pakthyeshme. Sa më i lartë ekspozimi ndaj plumbit, aq më i lartë niveli i plumbit në gjak e aq më të theksuara pasojat.
Si mund të kuptojmë që jemi helmuar nga plumbi?
Helmimi me plumb ndodh gradualisht dhe pa shenja dhe është e vështirë që shenjat të lidhen me ekspozimin ndaj plumbit. Ankesat gastrointestinale apo neurologjike të zakonshme mund të jenë të paqarta dhe jo jospecifike. Mund të dyshohet diagnoza e helmimit me plumb në se njihen burime të mundshme të ekspozimit ndaj plumbit. Burime të tilla ekspozimi përfshijnë cipat e bojës në banesa të vjetra, afërsia me djegien e hapur të mbetjeve ose me riciklimin e baterive të makinave. Kombinimi i simptomave gastrointestinale apo neurologjike, me një histori të njohur ose potenciale të ekspozimit ndaj burimeve të plumbit sugjeron diagnozën. Nuk ka një nivel kufi, poshtë të cilit plumbi nuk shkakton asnjë dëmtim në zhvillimin e trurit njerëzor.
Si mund të mbrohemi prej ekspozimit nga plumbi?
Helmimi nga plumbi është krejtësisht i parandalueshëm përmes një kombinimi të një kontrolli të fortë, veprimit të vendosur të institucioneve, rritjes së dijeve të profesionistëve të shëndetit publik dhe ndërgjegjësimit komunitetit. Një nga mënyrat për t’u mbrojtur nga ekspozimi i plumbit është informimi rreth burimeve të ekspozimit të plumbit dhe shmangia e blerjes së produkteve që mund të përmbajnë plumb. Për shembull, kur konsumatori ble bojë duhet të kontrollojë etiketën për të parë nëse përmendet plumbi. Nëse dikush është duke planifikuar të rinovojë shtëpinë ose mobiliet e lyera me bojë dhe mendon se boja origjinale mund të përmbajë plumb, duhet të këshillohen me ekspertë për metodat më të sigurta për heqjen e bojës.
Duhet bërë kujdes gjithashtu kur blihen produkte kozmetike. Kur blihet një bateri e re makine, ajo e vjetra duhet çuar te distributori ose tek një firmë e licencuar për riciklim dhe nuk duhet hedhur në mjedise të hapura apo të digjen. Meqenëse bojërat me plumb janë një burim i vazhdueshëm i ekspozimit në shumë vende, heqja graduale e tregtimit të bojërave me plumb është një nga veprimet prioritare për qeveritë. Heqja e benzinës me plumb në shumë vende të botës, bashkë me masat e tjera të kontrollit të plumbit, ka rezultuar në një rënie të konsiderueshme të përqendrimeve të plumbit në gjak në popullatë. Nga korriku 2021, karburanti me plumb për makina nuk shitet më në asnjë vend në botë. Megjithatë, duhet bërë më shumë për heqjen graduale të plumbit në bojëra: deri më tani, vetëm 41% e vendeve kanë vendosur kontrolle ligjërisht të detyrueshme për plumbin në bojëra.
Si është situata lidhur me ekspozimin ndaj plumbit në Shqipëri?
Shqipëria ka miratuar qysh në vitin 2003, një VKM nr. 824 dt.11.12.2003 “Për klasifikimin, etiketimin e ruajtjen e substancave dhe preparateve të rrezikshme”. Sipas këtij vendimi, bojërat me peshë të metalit/plumbit kundrejt peshës së përgjithshme më të lartë se 0.155 duhet të kenë të shkruar në etiketë “Përmban plumb, të mbahet larg fëmijëve”. Në rastet e ambalazheve që përmbajnë më pak se 125 ml preparat, udhëzimi duhet të jetë “Kujdes! Përmban plumb”. Gjithashtu, është përgatitur një rregullore “Për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punonjësve nga risqet e lidhura me agjentët kimikë në punë”, përfshirë plumbin. Po ashtu, ekspozimet në vendin e punës nga plumbi trajtohen te sëmundjet profesionale.



Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.