Kryesore

Tirteu ynë At Gjergj Fishta pse e meriton të quhet vërtet poet kombëtar

10:52 - 22.11.21 Ndriçim Kulla

Në sprovën “Tre poetët më të mëdhenj shqiptarë”, Koliqi do të shkruante: Këta tre poetë (De Rada, Naimi dhe Fishta) jo vetëm i rikthehen humusit mijëravjeçar të letërsisë gojore për me ngjyrosë në të motive e skema dhe për t’i transformuar nën dritën e kulturës së tyre të thellë klasike, por që të tre e udhëheqin shpirtin shqiptar kah brigjet e qytetërimit perëndimor, prej të cilit e kishin ç’ankoruar fatkeqësitë historike. Pa e lënduar trashëgiminë e traditave të moçme dhe aureolën mitike dhe legjendare që i mbështjell, ata mundën me derdhë në të, prumjet më të mira të frymës më të shëndoshë të humanizmit evropian”.



E kjo sot është fortësisht e pohueshme. Por në rastin e Fishtës, lidhjen me “humusin popullor” që cilëson Koliqi, mund ta spikasim më shumë se te të tjerët. Me një gjenialitet prepotent, ai arriti ta zotërojë mjeshtërisht frymën dhe formën e rapsodëve popullorë; dijti të zgjedhë burimet më të mira të forcës së tyre kijuese rudimentare dhe të instinktit të vrullshëm epiko-ilirik, duke i çuar në sferat më të larta artistike. Dijti të këndojë dhe këshillojë, të ironizojë e të gërmushet, të thërrasë e të profetizojë me “një larmi të pashtershme trillesh që janë triumfi më i lumtur i dhuntisë ekspresive të racës”. Por Fishta meriton të quhet vërtet poet kombëtar, pse nëpër superstrukturat shpirtërore të shqiptarit, lënë prej shekujve të sundimit të huaj, ai u përpoq të kujdeset për impulset e fshehta e të shëndosha dhe të krijojë vlera shqiptare që t’i shkrijë mandej në sintezë harmonike me frymën perëndimore.

Në këtë sens, duket në mënyrë të spikatur, se pika më e rëndësishme në të cilën Fishta ndahet prerazi me rapsoditë popullore, është përmbajtja e tyre, si historike ashtu dhe ideologjike. Në rapsoditë popullore, epopeja e trajtuar në mënyrë ciklike është ajo që Kordinjano e quan “epopeja e kufirit”, por ajo që mund të nënvizohet në këto cikle është fakti se bëhet fjalë për një botë krejt arkaike e kësisoj, të aftë për t’u transformuar lehtësisht në një botë përrallore. Kështu, e gjithë kjo epikë ngjan si e përmbytur nga mbinatyrorja përrallore, aq sa mund të citojmë një seri të gjatë e të rëndësishme, nga ato më të bukurat dhe më karakteristiket e rapsodive popullore, ku një element i tillë përbën indin bazë të të gjithë këngëve. Madje, është për t’u nënvizuar pohimi se konceptimi i jetës e pothuajse të tëra normat e saj juridike, koncepti i vlerësimit dhe heroizmit, sensi i nderit dhe besnikërisë, janë fortësisht të ndryshme (në sensin e të përmirësuarit dhe qytetëruarit) në këto rapsodi nga ato që ekzistonin realisht në jetën e popullësisë malësore të epokës së Fishtës. P.sh. për luftëtarët e këtyre poemave, çdo mjet – qoftë ky i ndershëm apo jo – është i lejueshëm, mjaft që të jetë efikas në luftën kundër armikut; Diçka kjo që do ta rrëqethte në jetën reale po atë publik që ngazëllehej e mrekullohej teksa dëgjonte këngët që u këndonin rapsodët e tyre.

Ja, pse në epokën fishtjane, të tilla rapsodi nuk kishin kurrfarë qëllimi tjetër, përveçse atij të përkundjes ëmbëlsisht në një botë të tillë, pa asnjë funksion tjetër social, përveç atij të mbajtjes gjallë të shpirtit luftarak. Ndërkohë që krejt tjetër është synimi i Fishtës e krejt tjetër konceptimi i jetës në poemën fishtjane. Përtej shembujve të vet letrarë, ai nuk zotëron vetëm një kulturë e një filozofi si Ivo Andriç; ai ka edhe një qëllim fortësisht social dhe patriotik, që e dallon aq shumë prej tij.

Duke pranuar stilin e rapsodëve që i pëlqen aq shumë popullit të vet, Fishta pranon gjithashtu edhe përralloren si sfond a dekor letrar, por nuk kërkon të pranojë kurrsesi përkundjen si në djep të njerëzve të Atdheut të vet në një jetë ëndërrimtare; Përkundrazi, ai kërkon ta parapërgatisë trimërisht dhe shpirtërisht popullin e tij për një Rilindje, të kuptuar jo vetëm si një luftë apo një luftë për pavarësi, por si një ringjallje të gjithanshme të jetës shpirtërore kombëtare, si një ngritje totale të saj në një shkallë më të lartë qytetërimi, bazuar gjithmonë në parimet e shëndosha etike tradicionale.

Nuk gjejmë te Fishta kurrfarë rrethanash motivuese e përjetuese të luftës kufitare, përpos përdorimit të ndonjë dinakërie normale të strategjive luftarake; në një kohë kur është konstante përherë një thirrje e fortë ndaj virtyteve shoqërore themelore për etikën tradicionale shqiptare, të mishëruar në traditën juridike të kanunit të maleve. E, kjo për faktin se vlera të tilla, padyshim mjaft të çmueshme, mund të strukturojnë një bazë të fortë e për t’u pasur zili në ndërtimin e jetës kombëtare.

Por veçse një bazë, sepse Fishta shkoi edhe më përtej akoma. Ai nuk kishte në zotërim vetëm traditën popullore, por edhe atë kishtare shqiptare, që ka patur vlera origjinale dhe goxha të larta metode në veprën e reformimit të zakoneve tradicionale lokale; Mund të themi se jo pak prej koncepteve morale dhe juridike të jetës publike e të familjes vetë, ose nuk qenë modifikuar kurrë prej kristianizmit, ose që nga epoka e nguljes së shqiptarëve nëpër male për shkak të invazionit turk, e kishin rimarrë përsëri sensin dhe fuqinë e tyre antike; kishtarët e rregullt dhe shekullorë, françeskanët e më pas jezuitët, (në mënyrë të veçantë famulltarët, tek të parët, dhe misionarët e Misionit Shëtitës tek të dytët), nuk i sulmuan kurrë traditat juridike shqiptare, e as më pak nuk u ngutën kurrë t’i modifikonin institucionet e tyre konkrete; mjafton të mendosh se deri në shekullin e XVII, falë arsyeve të forta që kishin, ata vazhdonin ta vononin zbatimin e dekretit të Këshillit të Lartë në lidhje me martesën; ndërkohë që, duke përdorur për levë parimet e shëndosha themelore të së drejtës tradicionale, filluan të zhvillonin dalngadalë prej saj zakone gjithnjë e më kristiane, duke gjetur argumenta e metoda të ndryshme për modifikimin e institucioneve konkrete. Duke konsideruar se ky modifikim i së drejtës – në disa pjesë të caktuar të saj të ndikuara nga ndryshimi i kohës dhe ambjentit – mund të arrihej vetëm nëpërmjet dy rrugësh: asaj të ligjeve lokale të vendosura nëpër asamble, dhe asaj të normave juridike të gjykatave, misionarët punuan  me maturi, po në mënyrë konstante, e me rezultate gjithmonë e më të shumta e të qëndrueshme, sa të arrinin të pranoheshin nga asambletë e fiseve të veçanta modifikimet e institucioneve ekzistuese, që ata i gjykonin si më të nevojshme për një jetë më kristiane e më të qytetëruar. Në këtë mënyrë, u arrit – sigurisht me ngadalësi – të realizohej p.sh. një sistemim juridik i fejesës dhe martesës në përputhje të plotë  me të Drejtën Kanonike, që jo vetëm nuk është në kontrast thelbësor me nevojat e saj të domosdoshme, por s’është në kundërshti as edhe me parimet themelore të së drejtës tradicionale shqiptare; jo vetëm kaq, por një sistemim i tillë është sot kaq shumë i pranuar nga njerëzit, saqë ka arritur të trajtohet prej tyre si diçka e “trashëguar” prej të parëve, kësisoj e pacënueshme, qoftë sipas ndërgjegjjes civile ashtu dhe asaj religjioze.

Po e njëjta gjë ndodhi edhe me fenomenin e gjakmarrjes. Në lidhje me këtë akt që, në kushtet e mungesës së “qeverisjes” nga ana e shtetit, mund të quhej si një “raprezalje edhe për arsye sociale”, famulltarët mbajtën pa dyshim qëndrim kundërshtues, por nuk u mjaftuan aspak me metodën e vërejtjes dhe këshillimit; përkundrazi, luftuan me të gjitha forcat kundra formimit të një “shteti të qeverisur nga hakmarrja”, duke i parandaluar legjitimisht dhe   në mënyrë konstante shtrirjen; Në atë kohë, sipas ligjit tradicional, subjekte të hakmarrjes nuk qenë vetëm autorët e aktit që e kish provokuar këtë hakmarrje, por të gjithë anëtarët e familjes, madje dhe të gjithë fisit; në këtë kënvështrim, janë të shumta paktet dhe armëpushimet lokale  të arritura nga priftërinjtë katolikë, deri në përhapjen e përgjithshme të mendimit se – sipas “ligjit të vërtetë të të parëve” – gjakmarrja duhet të kufizohet vetëm në anëtarët e familjes së gjaksit. Një fitore e vogël në zemër të një problemi  të madh, vërtet, por që nëse krahasohet me energjitë dhe përkushtimet që kërkoi të arrihej, nuk mund të quhet kurrësesi një gjë e vogël.

Në këtë këndvështrim, Tirteu ynë Fishta, është një vazhdues i denjë i kësaj tradite. Pohimi mund t’i ngjajë i çuditshëm atij që ka ndër mend përmbajtjen gati laike të poemës së tij (themi vetëm gati, për ta ruajtur të paprekur atë lloj të caktuar religjioziteti, që është kaq i zakontë të shqiptarët e çfarëdolloj feje, e që poeti-frat e bën të shkëlqejë aty-këtu në momentet më të volitshme); aq më tepër që etërit françeskanë, si në Bosnjë ashtu edhe në Shqipëri, kanë ditur të ruajnë jo më pak se shpirtin kavelaresk dhe luftarak të Shën Françeskut të parë, edhe shpirtin e varfërisë së tij të mëpastajmit; e mes gjithë këtyre, At Fishta duket të ndriçojë me një dritëzim goxha luftarak; Megjithatë, në krahasim me etërit e  tjerët, në një lloj mënyre ai mund të quhet edhe si një “tradhëtar” i traditës; françeskanët e Bosnjës dhe të Shqipërisë patën qenë gjithmonë në “gjirin e furtunës”, si për t’u mbrojtur nga përparimi politik turk, ashtu dhe nga ai depërtim i gjithanshëm islam në atë “ishull” të katolicizmit  që kish arritur të formohej në atdheun e tyre; në një kohë që at Fishta, për hir të dashurisë së tij të zjarrtë për atdheun e vet, nuk “provon kurrfarë brerje ndërgjegjjeje” në pranimin e atij modus vivendi normal e paqësor të religjioneve të ndryshme në Shqipëri, e veçanërisht në Malësitë e Veriut, sigurisht fortesat më të pathyeshme të katolicizmit shqiptar, por njëhërësh edhe të prekura nga depërtimi islam; Nga ana tjetër, nuk është se tradita katolike shqiptare e ka parë ndonjëherë me simpati botën ortodokse sllave; por në zgjedhjen midis muslianëve dhe kristianëve, të paktën deri përgjatë gjithë shekullit të XVIII, nuk mund të kemi dyshim që ajo të qëdronte e mëdyshur. Mirëpo At Fishta, në këtë moment të veçantë historik, në pajtueshmëri me sivëllezërit e vet françeskanë dhe mendimit të gjithë popullësisë katolike, shihte një rrezik shumë më të madh, si për religjionin, po kaq dhe për Atdheun, te sllavizmi avancues e kanosës se sa te islamizmi, tashmë i ndalur e në regres përfundimtar edhe në  vetë Perandorinë turke. I ndërgjegjshëm për prestigjin që gëzonte tashmë Katolicizmi në ambjentet patriotike shqiptare, për shkak të meritave të mëparshme të fituara nga përpjekjet e tij të mëdha në kauzën e pavarësisë së Shqipërisë, autori nuk dyshonte aspak që në një të ardhme jo shumë të largët, jeta kombëtare shqiptare, e ndikuar nga mendimi katolik, do të kish mundur të vihej në një udhë përparimi, të paktën në thelb kristiane, edhe pa e thyer aspak atë modus vivendi tashmë tradicionale midis kristianëve dhe muslimanëve shqiptarë; po përkundrazi, duke përfituar nga vlerat, ndeërshmëria, miqësia dhe eksperienca administrative e muslimanëve. Mund të shpjegohet vetëm kështu fakti se si u   arrit të bëhej e mundur kryerja, jo e një “tradhëtie”  të traditës nga ana e atit poet, por më tepër e një evoluimi të saj mëse të kuptueshëm në kushtet e kohës.

Është pikërisht ky program i frymëzuar nga ide të reja të shkrira aq natyrshëm me ato të vjetrat, e që ngjizet aq mirë në personalitetin e spikatur të Fishtës, ai që mund të na ndihmojë në zbërthimin e poezisë së tij” – nënvizon Valentini. “Ndaj, merita më e madhe i takon jo vetëm intuitës për të pranuar dhe strukturuar këtë mpleksje të tillë vlerash, por edhe aftësisë për t’i dhënë këtij drejtimi të ri të jetës shqiptare një zë të fuqishëm e një program të thellë e të ekuilibruar, të hartuar në gjirin e një poetike që e lartëson jo vetëm si poet të madh, por edhe poet kombëtar, e padyshim njëri nga më të mëdhenjtë në botë, të cilit për t’u emëruar si i tillë, i mungon vetëm fakti i të qenit të përkthyer në gjuhët kryesore”.

Ja, ky qe urimi ogurmbarë i Valentinit për këtë epikë madhështore të gjithë popullit shqiptar. Përkthimit të kësaj kryevepre në gjermanisht, që më 1950 nga Maximilian Lambertz, të vijuar nga përkthimi në italisht i disa këngëve (të zgjedhura) të Lahutës nga Ernest Koliqi apo nga ndonjë autor tjetër italian, veç rishtazi të pasuruar nga   përkthimi i tyre i plotë në anglisht nga Robert Elsie, s’i mbetet gjë tjetër përveç përmbushjes së bindjes më të thellë të autorit: kurrorëzimit të poetit të saj si një ndër epikët më të epërm botërorë.

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.