DOSSIER

Nuredin Bej Vlora Flamur i nacionalizmit shqiptar

15:25 - 28.11.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me rastin e 28 nëntorit 2021 – Burra e patriot si Nuredin bej Vlora (1889– 1964) dhe të gjithë ata që mbrojtjën çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris 1919 – 1920, duhen nderuar e kujtuar me nderim, në festën kombtare, çdo 28 nëntor.




Është detyrim dhe nder që t`i kujtojmë e nderojmë ata atdhetarë e politikanë, ndërmjet të cilëve shkëlqen figura e Nuredin bej Vlorës, që përfaqësonin mendimin politik shqiptar në atë Konferencë dhe që me shpirtin atdhetar, dhe përpjekjet e tyre, dhe mbi të gjitha me pasurinë e tyre shpëtuan Shqipërinë dhe që ende nuk kujtohen e nderohen sa duhet.            Prof. dr. Lavdosh Ahmetaj

Nga Enver MEMISHAJ – Patriot i shquar, veprimtar i shquar i çështjes sonë kombëtare, luftëtar i vendosur për mbrojtjen e

Pavarësisë Kombëtare dhe lirinë e vendit të tij deri në vitin 1944, kur dhe u detyrua të lërë atdheun e tij për të cilin kishte punuar e sakrifikuar gjithë jetën e veçanërisht kishte harxhuar pasurinë e tij të madhe.

Një ndër themeluesit e Organizatës nacionaliste Balli Kombëtar në vitin 1939, dhe anëtar i Komitetit Qëndror të kësaj organizate.

 “Kurdoherë gati që të vdes për popullin, për shpëtimin e Shqipërisë, se pa Shqipërinë, s`rrojmë dot”, shprehej ai. Në gjithë veprimtarinë atdhetare, Nuredin bej Vlorës, i është gjendur pranë gjatë gjithë jetës, bashkëshortja e tij, amerikania e bukur Karolinë Borden, që vinte nga një familje fisnike e pasur nga Fallriver të SHBA-ve. Nuk la trashgimtarë, por thoshte se pasurinë e tij të shumtë do t`ia linte Vlorës.

*        *       *

Nuredin bej Vlora është personalitetet i shquar i familjes së njohur Vlora dhe ka lindur po këtu më 25 shkurt 1889. Ishte diplomuar në Paris, me kulturë të gjerë, njohës i shume gjuhëve te huaja, intelektual me vizion perëndimor. U dallua si veprimtar i shquar për çështjen e atdheut, por edhe kur qe puna për të marrë pushkën për interesat e atdheut, ai u ndodh në vijën e parë dhe në udhëheqie për të mbrojtur Pavarësinë Kombëtare. Në maj të vitit 1914, ai u ndodh në Kurvelesh në ballë të luftimeve kundër bandave gjakatare greke. “Z. Ibrahim Abdullahu, Kryekatundar i Vlorës, edhe z. Nuredin Vlora, Muharrem Kokoshi, Mustafa Bimo Kanina, në ballë të vetdashësve u sulën në luftë për të nderuar dhe naltësuar atdheun e tyre”. 1)

Kur bandat antishqiptare të Haxhi Qamilit, mbytën Shqipërinë në gjak dhe shkelën flamurin kombëtar, burra si Nuredin Beu rrëmbyen pushkët për t`i dalë zot Atdheut. Më 12 qershor 1914, rreth 245 luftëtarë vlonjatë nën komandën e Nuredin bej Vlorës dhe Seit Qemalit, u ndodhën në ballin e luftës në kodrat e Fierit e të Lushnjës gjer në fshatin Karbunarë ku e ndaluan furinë e barbarëve. Në këto luftime të ashpra ra trimërisht Tafil Oshtima, u plagosën 29 vlonjatë e midis tyre edhe kryeshkronjësi i gazetës “Populli”, zoti Seit Qemali, që u plagos në të dy duart. Në këtë luftë mori pjesë edhe një pinjoll tjetër i familjes Vlora, Safa Vlora në atë kohë 14 vjeç. Në përpjekje për të çliruar Beratin nga rebelët antikombëtar, Nuredin bej Vlora ka luftuar së bashku me major Ahmet Lepenicën dhe Bexhet Asllanin.  2)

Në Amerikë dhe në Konferencën e Paqes në Paris.

Pas krizës së brendshme të Fedaratës “Vatra”, me inisiativën e Sevasti Dakos – Qirjazi, më 22 janar 1917, në Uorçerster të SHBA, u themelua Partia Kombëtare dhe Politike, me devizën: “Qëndron për qëllimin e

shenjtë: Shpëtimin e Shqipërisë”. Partia botoi gazetën “Albania”, në shqip, ku herë pas here botoheshin edhe artikuj anglisht. Programi i Partisë u botua në datën 28.2.1918 Kuvendi i parë i saj u mbajt 12-15 maj 1918 dhe Kryetari Nderi i Partisë u miratua Nuredin bej Vlora, kryetar ekzekutiv ishte Sevasti Dako (Qiriazi), bashkëshortja e Kristo Dakos, sekretar Dhimitër Bala nga Vunoi i Vlorës.

Kjo parti ka luajtur një rol të rëndësishëm në Konferencën e Paqes në Paris, ku falë përpjekjeve të patriotëve shqiptarë mundën ta shpëtojnë nga copëtimi këtë Shqipëri që gëzojmë ne sot. Në këto përpjekje ka meritën e madhe edhe Nuredin bej Vlora. Është kjo arsyeja që në shumë raste, ashtu si edhe në shkurt të vitit 1918, gazeta “Albania”, botonte në faqen e parë artikullin: “Tri fytyra të shkëlqyera, për shpëtimin e Shqipërisë: Ismail Qemali, Sevasti Dako (Qiriazi), i shkëlqyeri atdhetar Nuredin bej Vlora dhe fotografitë e tyre. 3)

Pra Nuredin bej Vlora vihej në një radhe me Ismail Qemalin, dhe cilësohej: “i shkëlqyeri atdhetar” Po kështu më datën 23.5.1918, kjo gazetë në faqen e parë botonte fotografinë e Nuredin bej Vlorës, hipur në një kalë të bardhë.

“Kuvendi i Partisë më 12 mars 1919, votoi me zëra të përgjithshme dhe emëroj delegat të Partisë Kombëtare dhe Politike, në Konferencën e Paqes, shkëlqesinë e tij Nuredin bej Vlora… dhe i lutet ta pranojë… Shkelqesia e tij ka influencë në qarqet politike të Uashingtonit … Nuk mund të kemi tjetër shqiptar në Amerikë dhe në Shqipëri të pajisur me kualitete të bukura dhe të larta, siç është kryetari i nderit të Partisë sonë Nuredin bej Vlora… E themi pa frikë se ky luan i Shqipërisë i cili në kohën e rrezikut, nuk është kursyer për jetën e tij, dhe tani kur pritet të gjykohet fati jonë nuk do të kursehet aspak”, shkruan gazeta “Albania.

Untsasasaitled-1 Unsasasasatitled-2 assasasa1 Untitled-2
<
>

Ismail Qemali kishte planifikuar një vizitë në Amerikë, më datën 16 qershor të vitit 1918, i ftuar nga Partia. Kjo ditë u shpall dita e Ismail Qemalit, dhe u mblodhën ndihma financiare që ai do t`i përdorte si shpenzime gjatë kohës që do të qëndronte në Paris, si delegat i Partisë Politike. Me këtë rast, Nuredin bej Vlora bën një deklaratë me anë të së cilës lartëson figurën e Ismail Qemalit dhe kërkon ndihma. 4)

Përkushtimi ndaj çështjes kombëtare ishte qëllim i jetës i Nuredin Bej Vlorës dhe ai nuk u ndal në asnjë moment për të luftuar e punuar për këtë qëllim. Nuredin Beu e lartësoi emrin e tij përmes kësaj veprimtarie, që siç shprehej ai, duhej edhe të derdhej gjak për të mirën dhe shpëtimin e Shqipërisë. Sjellja e tij fisnike, si një ushtar në rradhë për çështjen e lirisë dhe Pavarësisë Kombëtare, u bë e njohur për të gjithë veprimtarët e tjerë duke i dhënë besim të veçantë çdo akti të tij publik.

Më 3 tetor 1918, ai iu bën thirrje shqiptarëve të Amerikës për të formuar një regjiment ushtarak për të luftuar në Shqipëri, në krye të të cilit do të ishte ai vetë.

Nuredin Beu u përpoq të argumentonte nevojën e pranimit të idesë së tij për ngritjen e regjimentit ushtarak të përbërë nga shqiptarë patriot. Regjimentin ai e shikon të domosdoshëm sidomos në kushtet e atëherëshme nëpër të cilat po kalonte politika botërore. Siç e dimë, sot e gjithë bota është në luftë, çdo shtet përpiqet që me gjak të fitojë të drejtat e shkelura, shkruan ai.5)

Trimërinë Nuredin beu e kishte treguar herët, që në vitin 1914, kur luftoi kundër bandave greke, kur udhëhoqi trimat e Vlorës në luftë me rebelët antishqiptar të Haxhi Qamilit. Tani zëri i atdheut e thërriste

përsëri dhe ai s`mund të rrinte duarkryq. “Kurdoherë gati që të vdes për popullin, për shpëtimin e Shqipërisë, se pa Shqipërinë, s`rrojmë dot”, shprehej ai. 6)

Shtypi i emigracionit shqiptar shkruan se pa derdhur gjak, zëri politik i shqiptarëve në kohën e paqes nuk do te dëgjohej dhe as do të ketë të drejta të plota të kombit shqiptar.

Çështja e numrit nuk kishte shumë rëndësi, por mbi të gjitha, kjo iniciativë arriti të tërhiqte vëmendjen politike europiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 7)

Haxhi Murati, Çami, një nga patriotët më në zë të viteve 1918-1920, e vlerëson veprimtarinë e Nuredin bej Vlorës në mbështetje të zgjidhjes së çështjes shqiptare. Në një artikull, ai e paraqet Nuredinin si delegat të zgjedhur prej Partisë Kombëtare e Politike, në SHBA, i pëlqyer prej të gjithë oratorëve dhe përkrahësve të saj dhe që ai punon sipas fuqisë që ka dhe mënyrës që ai e pandeh për të mirë. 8)

Nuredin bej Vlora, është një nga përfaqësuesit kryesor që mbrojti çështjen shqiptare në Konferenca e Paqes, që i filloi punimet më 18 janar 1919. Kjo Konferencë është nyje gordiane në politikën globale, e cila përcaktoi në se pas sajë do të kishte Shqipëri, apo ajo, do të ndahej ndërmjet fqinjëve grabitqare ashtu siç ishte vendosur më 26 prill 1915, nga Anglia, Franca, Italia dhe Rusia.

Në këtë pikëpamje, është detyrim dhe nder që t`i kujtojmë e nderojmë ata atdhetarë e politikanë, ndërmjet të cilëve shkëlqen figura e Nuredin bej Vlorës, që përfaqësonin mendimin politik shqiptar në atë Konferencë dhe që me shpirtin atdhetar, dhe përpjekjet e tyre, dhe mbi të gjitha me pasurinë e tyre shpëtuan Shqipërinë dhe që ende nuk kujtohen e nderohen sa duhet. 9)

Sapo u hap Konferenca e Paqes, Nuredin Beu, më 26 janar 1919, i drejton  Presidentit të SHBA Udrou Uillson një thirrje, ku i shkruan: “Zoti President! Jepmëni leje t`ju drejtoj këtë thirrje për atdheun tim

të vobekt, Shqipërinë, e cila ka nevojën e ndihmesës së SHBA. Vuajtjet tona kanë qënë shumë të këqia dhe të panumurta, më shumë se gjysma e vendit tonë u prish. Kjo u shoqërua me mijëra shqiptarë të vrarë, popullsi të përgjysmuar. Sot në Shqipëri nuk ka më shumë se një milion ndenjës…”10)

Kjo thirrje flet për përkushtimin ndaj çështjes shqiptare, për idetë e tij në mbrojtje të interesave të popullit shqiptar dhe e bën atë një fytyrë të ndritur të historisë sonë. Në thirrjen që i bën Uillsonit, i mëshon faktit se për më shumë se dymijë vjet, stërgjyshërit e shqiptarëve kanë luftuar në shekuj për lirinë e tyre, por në Konferencën e Londrës të vitit 1913, provincat më të mira e pjellore, si në Veri dhe në Jug, iu dhanë Serbisë dhe Greqisë. Njëkohësisht gjer tani indipendenca e Shqipërisë është e njohur prej të gjithëve… Shqiptarët e Shqipërisë dhe mijëra të tjerë shqiptarë që jetojnë në Amerikë, kërkojnë nga ju si President, të na mbroni në Konferencën e Paqes.

Diplomacia e tij, në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e Uillsonit nuk është në fakt thjesht taktikë, por bindje e tij dhe e gjithë grupit që ai përfaqësonte: ai nxjerr me elegancë në pah se ne shqiptarët kemi shpresë, sepse tek ju do të gjejmë mbrojtësin më të madh të kombeve të vegjël, veçanërisht të Shqipërisë, e cila nuk ka ndonjë përkrahës tjetër në Paris. Në delegacionin e Partisë Politike shquante Parashqevi Qiriazi një grua e bukur, e kulturuar, folëse e shumë gjuhëve të huaja, e diplomauar në universitete me emër, e cila e zbuste shumë klimën e ashpër kundër kombit të shqipeve. Në shtypin e kohës është shkruar se ajo u mirëprit sapo vuri këmbë në Paris. Në mjediset e Ministrisë së Jashtme Franceze, diplomatja shqiptare u takua me anëtarët e komisionit të ngarkuar me çështjen shqiptare.

Duke përfaqësuar Partinë Politike, që e udhëhiqte Kristo Dako, ajo u dorëzoi atyre materiale dhe harta, që kishte përgatitur kjo parti, ku parashtroheshin kërkesat për çështjen shqiptare, kufijtë e Shqipërisë, si

dhe Memorandume, sipas këndvështrimit të asaj partie. Ndërkohë kishte mbërritur në Paris dhe delegacioni i Qeverisë Shqiptare, që përbëhej prej Kryeministrit Turhan Pashë Përmeti, Imzot Luigj Bumçi, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mehdi Frashëri, Myfit Bej Libohova, Mustafa Kruja, Mehmet Konica dhe Dr. Mihal Turtulli. Është i njohur fakti se pjesa më e madhe e delegacionit të Qeverisë Shqiptare mbështesnin orientimin italian; ndërkohë që përfaqësuesit e kolonive shqiptare të Turqisë si Halil Pashë Gjirokastriti, Fuat bej Zëmblaku, Benedikt Blinishti; ata të Rumanisë si Pandeli Evangjeli dhe Dhimitër Berati; të Partisë Politike të përfaqësuar nga Parashqevi Qiriazi e Nuredin bej Vlora e shikonin si rrezik protektoratin Italian. Ndërmjet delegacioneve shqiptare, siç dihet, pati mosmarrëveshje të shumta edhe kundër interesave kombëtare, por Nuredin Beu qëndroi dhe luftoi me atdhetarizëm, me inteligjenc, dhe me përkushtim për çështjen kombëtare. Kështu Mihal Grameno më 12 prill 1919, i raportonte Partisë: “Rasih Dinua, Pandeli Stalea, Mid`hat bej Frashëri, protestuan nga Lozana veprimet imperialiste të Italisë në Shqipëri. Nuredin Beu është këtu dhe punon bashkë me shokët besnikë të programit kombëtar”. 11)

Ndërsa vetë Nuredin Beu më 10 prill 1919, i shkruante Partisë: “Kemi shpresa të mëdha për çështjen tonë. Për mbrojtjen e të drejtave unë do të mbetëm në Paris”. 12)

Gjatë kësaj kohe delegacioni duhet të përballonte edhe shpenzime të shumta të fjetjes, ushqimit, transportit, higjenës, shpenzime me miqtë etj. Ka shumë dokumenta që flasin për varfërinë dhe vështirësitë e delegacinit në Paris, po citojmë vetëm një letër të Parashqevisë që shkruan: “Nga të hollat jam shumë liksht. I bëra telefon Nuredin Beut dhe më thotë të mos bëhem merak aspak, nesër në mëngjes vjen të më shoh, është gati të më huaj sa të dua”. 13)

Personalitetet si Nuredin bej Vlora, veç atdhetarisë, trimërisë dhe  inteligjencës, falën për Shqipërinë edhe pasurinë e tyre dhe këta atdhetarë të shquar duhen vlerësuar e nderuar përjetësisht se pa paratë dhe pasurinë e tyre nuk mund të bëhej Shqipëria.

Le të shprehemi thjesht, në se nuk paguante Nuredin bej Vlora, me se do të udhëtonte Parashqevi Qiriazi, ku do të flinte, ku do të hante, shkurt ajo dhe gjithë të tjerët nuk kishin mundësi të mbronin të drejtat e Shqipërisë pa paratë dhe pasurinë e Nuredin bej Vlorës, të Fuat bej Dibrës (1886 – 1944) dhe burrave të tjerë të shquar si këta, prandaj e përsërisim këta burra sikur vetëm për këtë gjest duhen vlerësuar e nderuar përjetësisht.  Në veprimtarinë e Nuredin bej Vlorës, për çështjen tonë kombëtare, është gjendur gjatë gjithë jetës bashkëshortja e tij, amerikania e bukur Karolinë Borden, që vinte nga një familje fisnike dhe e pasur nga Fallriver të SHBA-ve. Kjo fisnike ka kontribuar për shkollën e vajzave në Korçë, pastaj është interesuar shumë për çështjen e Shqipërisë dhe ka bërë ç’është e mundur për t`i shtuar miqtë e Shqipërisë në SHBA.

*      *      *

Katër vjet pas Konferencës së Paqes në Paris, më 1924, Faik Konica do të shprehej në gazetën “Dielli”, se shqiptarët pasi të kuptojnë kontributin e Uillsonit në Konferencën e Paqes në Paris, do ti ndërtojnë një monument në Shqipërinë e tyre. Kjo ëndërr e Faik Konicës dhe e shumë atdhetarëve të tjerë, e sidomos e atyre të Amerikës u realzua në vitin 2012, kur Udrou Uillsonit iu ngrit nga qeveria shqiptare e prof. dr. Sali Berishës një shtatore madhështore në mes të Tiranës.

 Kryetar i Bashkisë së Vlorës

Në dhjetor të vitit 1924, qeveria e Fan Nolit, e mundur nga forcat biellogardiste e sërbe të Ahmet Zogut, u tërhoq në Vlorë, duke thënë se do të luftonte deri në fund; por kur Mufid bej Libohova me pasusit e tij

në krye të një fuqie vullnetare shqiptare hyri nga kufiri jugor me Greqinë, ata u arratisën në Itali. Në Gjirokastër Myfit Beu u prit nga popullata e qytetit. Shumë vise të Shqipërisë jugore dërguan përfaqësitë e tyre për të uruar kthimin e Ahmet Zogut në fuqi, ajo e Vlorës kryesohej nga Nuredin bej Vlora, dhe përbëhej nga: Ali Beqiri ,  Kristo Karbunara, Arshi Halili,  Nako Qirko, Alem Tragjasi, Selim Oshtima, Ibrahim Abdullahu, Sadik Shaska, Dalip Peshkëpia, Osmën Haxhiu, Elmas Xhaferi, Zaçe Xhelo.14)

Në janar të vitit 1925, sapo Ahmet Zogu mori fuqinë në dorë, pushoi të gjith nëpunësit që ishin anëtarë të shoqërisë “Bashkimi”, të Avni Rustemit dhe për të qeverisur Vlorën, emëroi besnikët e tij: Nuredin bej Vlorës ia shpërbleu besnikërinë duke e emëruar kryetar të bashkisë. Kapiten Bilal Nivicën e emëroi rrethkomandant të xhandarmërisë dhe zëvëndës prefekt. Në tetor të atij viti, prefekt u emërua Qazim Bodinaku dhe rrethkomandant Dulejman Çela nga Burreli. Kryenëpunës i botores u emërua Ali Mboria, i pushuar nga puna nga qeveria e Fan Nolit. Drejtor të spitalit u emërua doktor Fariu, asamblist. Mbi të gjithë qëndronte në roje vigjilente krimineli pa principe prej Dibre, major Taf Kaziu me mercenarët e tij, i cili me pretekstin e çarmatimit ushtroi mbi popull dhunë dhe terror. 15)

Më 22 janar 1925, parlamenti e shpalli Shqipërinë Republikë. Në Vlorë, po këtë ditë “ora 10 në të katër çipat e qytetit u shpall me tellall proklamacioni i Republikës së Shqipërisë. Populli i entuziazmuar mbylli tregun tue zbukurue me flamur gjithë qytetin për tre ditë… Populli i madh e i vogël u mblodh para Bashkisë, kleri musliman dhe ortodoks u prezantuan në Bashki.

Të udhëhequr prej komisarit të Bashkisë Nuredin bej Vlorës, zv/ prefektit Bilal Nivica bandës së Bashkisë tue patur pranë ushtarët me major Taf Kaziun në krye hynë në xhami ku bënë lutjet fetare në gjuhën amtare…  dhe prej aty shkuan në kishën ortodokse ku i priti Hirësia e Tij Peshkopi Kisi…

Populli shkoi pastaj në prefekturë ku mbajti fjalë Jani Minga i ngarkuar nga ana e prefektit. Ai i shfaqi popullit rëndësinë e ditës…”, shkruan shtypi i kohës. 16)

Ahmet Zogu, u mundua të bënte një politikë pajtimi me shqiptarët,  kryesisht me vlonjatët, kundërshtarët e tij, prandaj me njerëzit e tij përgatiti komisione përfaqësuese të popullit për ta uruar për emërimin si President i Republikës, prandaj “pardje i paraqiti urimet Kryetarit të  Republikës, komisioni i Vlorës nën kryesinë e Nuredin Beut, të birit të Ferit pashë Vlorës, i përbërë prej: Ali Beqiri, Dalip Peshkëpia, Selim Hoshtima, Arshi Halili, Elmas Xhaferi, Sadik Shaska, Alem Tragjasi, Kristo Karbunara, Osmën Haxhiu, Ibrahim Abdulla, Nako Qirko, Zaçe Xhelo Ata i dhuruan një kuti prej metali të vlefshëm që përmbante 6 koka, një gërshërë e një penë të florinjtë të stolisur me brilante. Djalit që i shpuri ju dha bakshish 10 lira stërlina”. 17)

“Shkëlqesia e Tij Kryetari i Republikës pranoi në audiencë përfaqësuesit  e prefekturës së Vlorës… Në emër të kësaj prefekture Nuredin bej Vlora i paraqiti Shkëlqesisë së Tij, urimet dhe bindjet e popullit besnik të prefekturës së Vlorës dhe iu lut të pranojë si kujtim një kuti me metal të vlefshëm …

Shkëlqesia e Tij, Kryetari pasi falënderoi komisionin për urimet dhe për dhuratën e paraqitur, u përmendi me respekt rëndësinë e posaçme që ka Vlora që është djepi i lirisë e indipedencës dhe i siguroi se gjithë dëshirat e Vlorës që janë për të mirën e atij qarku do të përpiqet t`i realizojë menjëherë dhe i porositi që t`i komunikojnë popullit vlonjat të falat vëllazërore të tij”. 18)

Qytetarët vlonjatë patën besim te Nuredin Beu dhe vlerësuan punën e tij. “ Me inisiativën e z. Nuredin Beut qyteti po zbukurohet dita me ditë. Është kismet për Vlorën që të ketë në krye të Bashkisë z. Nuredin

Beun. Akoma djalë, me kulturë të naltë dhe të plotë me ide moderne dhe energji të jashtëzakonëshme. Nuredin Beu i premton shumë përparime qytetit tonë i cili e rrethon me një simpati të pakufizuar dhe të sinqert pa përjashtim feje dhe parti politike”. 19)

Ahmet Zogu e rimori pushtetin e humbur me luftë më 24 dhjetor 1924, dhe emëroi në administratë besnikët e tij, dhe për ta ligjëruar administratën, në dhjetor të vitit 1925, ai bëri zgjedhje parlamentare dhe lokale.

Në Vlorë zgjedhjet u zhvilluan nga data 11 deri më 13 dhjetor 1925, ndërmjet kritikave dhe pakënaqësive të shumta: “… Zgjedhjet përfunduan tepër ilegalisht dhe se ka pas intriga tepër të mëdha në çdo vend dhe në çdo pikëpamje aq sa me i mohue krykëput të gjitha të drejtat që i takojnë popullit të varfër, i cili pret drejtësi dhe sinqeritet… Nga data 11 deri më 13 dhjetor 1925, votuan në kuti gjithësej 1.031 vota, por në kqyrjen e votave… dolën 1036…”, shkruan shtypi lokal i Vlorës. 20)

Në vazhdën e ankesave, më 13 dhjetor 1925, paraqitën ankesë përpara prefektit, për rezultatin e zgjedhjeve: Nustret Llupa, S. Paskali dhe I. Gunëbardhi. Më 8 janar 1926, Nuredin bej Vlorës iu dorëzua dekreti i emërimit si kryetar Bashkie me gjithë kritikat që ka pasur për punën e tij. Këshilli Bashkiak sipas votave të fituara kishte këtë përbërje: Dhimitër Kolea,  Dalip Peshkëpia, Samuel Matathia, Aristidh Ruci, Hamza Isai Esheref Dano 21)

Më pas Nuredin bej Vlorës do t`i bëhen shumë kritika për punën e tij si mungesa e ujit, sidomos në lagjen Skelë, mungesa e pastërtisë së qytetit, mosfunksionimi i çentralit elektrik etj. Pavarësisht nga kritikat në ato kushte të vështira, Nuredin Beu u mundua t`i shërbente Vlorës. Gjatë ushtrimit të detyrës, ashtu si edhe Qazim Kokoshi, vazhdoi të nxirrte kartmonedhën e bashkisë, por tashmë me firmën e tij “Nuredin Vlora” 22)

Si një atdhetar e personalitet me kulturë e vizion perëndimor, Nuredin Vlora, problemin e parë që shqyrtoi, ishte arsimi dhe kultura. Vizioni tij për zhvillimin e arsimit dhe dashuria e tij për Vlorën del qartë në një realcion që ai i ka drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Prefekturës së Vlorës, në korrik të vitit 1925, ku ndërmjet të tjerava shkruan: “… Si në krahina dhe në qytet shkollat në vitin 1925 kishin arritur në një gradë shumë të poshtme… “

Më poshtë Nuredin bej Vlora, shprehte hidhërimin e madh të popullit  vlonjat për gjendjen e vajtushme të arsimit, i cili “në vend që të forcohej e të përhapej më tepër, po shkonte sa më poshtë e më poshtë”

Në këtë relacion, Nuredin Beu kërkon rihapjen e shkollës së mesme në Vlorë e cila që nga janari 1925, me mbritjen në Vlorë te forcave të kriminelit Taf Kaziu e përdorën konviktin e kësaj shkolle si fjetinë,

shkolla u shkatërrua dhe ishte mbyllur. Nuredin bej Vlora në relacion shprehte habinë për ngurimin që tregohej për hapjen e kësaj shkolle “kaq të nevojëshme, e gatshme, që mund të funksionojë me pak shpenzime dhe sidomos për këtë pjesë të Shqipërisë që sa nevojë të madhe ka për arsim, aq pas ka mbetur”

Relacioni përfundonte me fjalët: “që në fillim të vjeshtës së parë shkolla të ishte gati për të funksionuar”.

Mbi bazën e këtij relacioni të Bashkisë, Prefekti i kërkon Ministrisë së Arsimit: “formimin e liceut këtu në Vlorë i cili do të jetë tepër i nevojshëm për avenierin e brezit të ri shqiptar”

Në saje të interesimit dhe përpjekjeve të Nuredin bej Vlorës, shumë patriotëve, mësuesve vlonjat dhe veçanërisht të Vakëfit të Vlorës, më 21 dhjetor 1925, ra zilja e parë në Shkollën Tregëtare. Kjo ishte një arritje e madhe pasi kjo shkollë do të luante një rol të rëndësishëm në kulturën e vendit.

Këtë vit shkolla pranoi 50 nxënës: 25 nga Vlora dhe krahina, 10 nga Himara, 10 nga Kurveleshi, 5 nga Malësia e Tepelenës. Vihet re se me sa mënçuri jështë bërë plani i pranimit të nxënësve në shkollë, pra nga të gjitha krahinat. Drejtori i parë i kësaj shkolle ishte patrioti Leonidha Naçi. 23)

Gjatë mandatit të tij si kryebashkiak në Vlorën e prapambetur, në varfëri dhe vështirësi të shumta Nuredin Beu u mundua ta ndryshonte për t`i dhënë pamjen e një qyteti europian. Një nga veprat për të cilën ai pati

interes dhe arriti ta realizojë është vazhdimi i projektit të Qazim Kokoshit për ngritjen e Lulishtes në Sheshin e Flamurit, që kishte qënë pronë e familjes së Ismail Qemalit. 24)

Me rastin e 13 vjetorit të Pavarësisë, në vitin e parë si kryetar bashkie, ai finalizoi transformimin e qendrës së qytetit, me një mjedis të gjelbëruar mjaft modern, duke qënë edhe një nga donatorët kryesor të blerjes së truallit, por edhe i kontributit financiar, krahas vlonjatëve të tjerë.

Projekti ishte përgatitur nga specialistë italianë. Ishte një investim i madh për kohën, i pa papërballueshme nga pushteti vendor, por, si edhe në raste të tjera të ngjashme, elita e qytetit u tregua e gatshme për të mbështetur financiarisht këtë nismë.

Lulishtja e Flamurit ishte konceptuar në të gjithë sipërfaqen që zinin sarajet e Xhemil bej Vlorës së bashku me kopshtin, prej 40 mijë metra katrorë. Në vitin 1972 kur në Vlorë u ndërtua Monumenti madhështor i Pavarësisë, sipërfaqia e lulishtes u zvogëlua shumë. Për të simbolizuar vitin e ndërtimit, 1925, në të u mbollën 25 fidanë pishash, të cilat u sollën nga Italia, ashtu sikundër edhe lulet dhe materiale të tjera të nevojshme për ndërtim.

Lulishtja u promovua më 28 nëntor 1925, me rastin e 13 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Përfundimi i Lulishtes së Flamurit i dha një pamje krejt të veçantë dhe bashkëkohore sheshit që mbante të njëjtin emër. Ky mjedis i gjelbëruar, do të plotësohej në vazhdimësi edhe me elementë të tjerë, që lidheshin me datën 28 Nëntor të vitit 1912. Në vitin 1932 u ngrit Varri Monumental i Ismail Qemalit dhe në vitin 1937 u ngrit Shtiza e Flamurit.

Gjatë këtyre viteve që po ngrihej e ndërtohej shteti shqiptar në vështirsi të panumurta, një nga problemet e mëdha ishin sëmundjet e sidomos malarja, ndaj kryetarët e Bashkisë u angazhuan të bënin diçka edhe në

këtë drejtim. Nuredin Beu, ishte i ndieshëm ndaj vuajtjes njerzore, prandaj gjatë vitit 1926, për luftën kundër malarjes nxiti të vinte dhe punonte me përkushtin një humaniste e madhe kontesha Korarvon. Por do të duhej shumë punë dhe kohë për të zhdukur malarjen.

Bashkia u mundua gjithashtu të ndihmonte edhe vëllezërit kosovoar, të përzënë nga vatrat e tyre prej kriminelëve serb; ata nëpërmjet limanit të Vlorës shkonin në Turqi. Gjatë kësaj kohe u punua për pastrimin e qytetit, për organizimin e shfaqjeve të filmave në Shesh të Flamurit etj.

Në vitin 1925, në Vlorë, prefekt ishte Qazim bej Bodinaku dhe sekretar prefekture Tahir Dizdari nga Shkodra. Një person tjetër me ndikim gjatë kësaj kohe ka qënë edhe Kalorësi Dhionis Karbunara, kryeshkronjësi i Konsullatës italiane në Vlorë.

Në gusht të vitit 1925 në Nartë u bënë zgjedhjet lokale. Për të ruajtur dhe siguruar qetësinë prefekti krijoi një komision me këtë përbërje: Pavllo Sopiqoti, zv/prokuror; Hysni Shaqiri sekretar i prefekturës; Pandeli

Bezhani, Samuel Matathia, këshilltar të Bashkisë; Stefan Kedhi sekretar I Bashkisë; Toli Stavre, komisar i policisë së Bashkisë. 25)

Komisioni e kreu mirë detyrën e ngarkuar dhe zgjedhjet u kryen me rregull dhe në qetësi të plotë dhe u pranuan nga të gjitha palët. Në fillim Nuredin bej Vlora kishte përhapur fjalë se nuk do të merrte

rrogë nga Bashkia, por nga fundi i vitit 1925, u pa se ai merrte një rrogë të majme prej 30 napolona ari në muaj. Në vitin 1925, të ardhurat vjetore të Bashkisë u deklaruan 15.000 napolona në vit, ose 300.000, franga ari.

*      *       *

Nuredin bej Vlora e ushtroi detyrën e kryetarit të bashkisë deri më 19 shkurt 1927, kur u shkarkua nga detyra për arsye që nuk i njohim, por mendojmë siç treguan ngjarjet e më vonëshme se kanë qënë thjeshtë

mosmarrëveshjet me Ahmet Zogun. Mendimin tonë e përforcon edhe shtypi i kohës që shkruan: “Krytari i bashkisë së Vlorës, z. Nuredin bej Vlora, në bazë të artikullit 163 të ligjit administrativ të bashkive, u pushua dhe vendin e tij e zuri z. Zyhdi Karagjozi. Ndonse arsyeja e pushimit të tij është mbështetur në artikullin në fjalë, por neve jemi të bindur se nuk është ashtu, pse dimë fare mirë që z. Vlora është njeriu aktiv dhe energjik, pastaj është njeri me dije dhe kulturë të  gjerë. Duam të themi se z. Nuredin bej Vlora edhe në u pushua, por prapë duhet të jetë krenar se me përpjekjet e tij mundi që Vlorës t`i ndryshojë formën e vjetër dhe s`kish dyshim se do ta bënte për pakë kohë një qytet modern”. 26)

 Gjithnjë i shqetësuar për fatin e shqipërisë

Nuredin bej Vlora dhe Qemal bej Vrioni ishin nga drejtuesit me peshë të Kryengritjes së Fierit të vitit 1935, si lëvizje antiqeveritare e opozitës. Organizata e Fshehtë e krijuar në Tiranë ashtu si edhe udhëheqësit e Lëvizjes së fshehtë të Vlorës të vitit 1932, kërkonin rrëzimin e Monarkisë dhe vendosjen e republikës me president Nuredin bej Vlorën. Nuredin bej Vlora kishte marrë pjesë në levizjen kombetare dhe dallohej si njeri me karakter të fort, sjellje të përzemerta dhe veprime politike te matura. Për keto karakteristika dhe meqënse rridhte nga familja e Ismail Qemalit mendohej nga Organizata e Fshehtë si kandidatur kryesore për President të vendit. Ai kishte shpirt demokratik dhe ishte kundër diktaturës dhe politikës që ushtronte Mbreti Ahmet Zogu, që pothuajse e kishte shitur vendin tek Italia.

Qeveria e Ahmet Zogut e zbuloi dhe e shtypi Kryengritjen e Fierit. U dënuan me vdekje: Nuredin bej Vlora, Ali Shefqet Shkupi, Uan Filipi, Mustafa Gjinishi, Hasan Reçi, Bektash Cakrani, etj.

Në gjyq Qemal Vrioni dhe Nuredin Vlora u mbrojten nga avokat Sezai Qemali, i biri i Seit Qemalit nga Vlora. Dënimet dhe veçanërisht dënimet me vdekje tronditën botën shqiptare dhe opinionin botëror dhe pati reagime të shumta. Bashkëshortja e Nuredin bej Vlorës ngriti peshë gjithë kanceleritë europiane dhe kështu Ahmet Zogu u detyrua t`i falte të dënuarit me vdekje. 27)

Në Luftën e Dytë Botërore

Pushtimi i vendit nga Italia fashiste më 7 prill 1939, bëri që edhe një herë Nuredin bej Vlora, ky patriot të dalë në udhëheqie të popullit të tij për të luftuar për lirinë e vendit, ashtu siç kishte vepruar gjatë gjithë jetës së tij. Ishte aktiv deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ishte një nga themeluesit e Organizatës së Ballit Kombëtar dhe anëtar i Komitetit Qëndror të kësaj organizate, deri në janar të vitit 1944, kur në Kongresin e parë nuk u zgjodh më.

E ç`farë nuk është thënë, për patriotin e madh Nuredin bej Vlora, për  veprimtarinë e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga ana e papagallëve të Partisë Komuniste! Kur Ismail Qemalin, e pytën nëse ai kishte bashkëpunuar me Beqir Grebenenë, kundër shtetit shqiptar, ai u përgjegj:

-E si mendoni ju, unë punova tërë jetën dhe e bëra shtetin, si mundet që ta prish tani?

Kështu ishte edhe puna e nipit të tij, Nuredinit: Ai kishte punuar e sakrifikuar tërë jetën për këtë Shqipëri e si mundet tani ta prishte atë që kishte ndërtuar një jetë të tërë ?

Propoganda komuniste e ka akuzuar Ballin Kombëtar se bashkëpunimi i drejtpërdrejt me pushtuesit u kurorëzua me një “Protokoll Nderi’, që u nënshkrua, më 15 mars 1943, nga Ali Këlcyra dhe Nuredin Vlora, në emër të Komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar dhe nga Renco Dalmaco, në emër të komandës eprore të trupave pushtuese italiane. 28)

Pas vitit 1990, këtë propagandë mashtruese e kanë hedhur poshtë me përbuzje shumë autorë, me botime dhe artikuj e tyre. Po i referohemi vetëm prof. dr. Muharrem Dezhgiut, në Institutin e Historisë, i cili thotë:

“Deri tani një dokument i tillë nuk është gjetur në arkiva dhe pretendimet e historiografisë komuniste mbeten të pavërtetuara. Autorët që i referohen letërsisë propogandistike të periudhës së luftës e jo dokumentave autentike, bëjnë propogandë dhe i largohen të vërtetës historike… Në maj të vitit 1950, kur njeri nga këta personazhe historikë Renco Dalmaco, mësoi për një gjë të tillë, nga libri i Vladimir Dedijerit “Gjaku i tradhëtuar”, me indinjatë e hodhi poshtë, duke pohuar, “se nuk ka pasur kurrë një marrëveshje të shkruar dhe të protokolluar konkretisht”. Më tej ai shton se “ajo që është parashtruar në trajtimin e Dedijerit është absolutisht e destinuar të rrëzohet”… Rezulton se bisedimet janë bërë me qëllim për të evituar operacionin fashist në zonën e Mallkastrës, por zhvillimi i situatës u bë aq shpejt, sa nuk qe e mundur të evitohej një konfrontim i të dy palëve… Historia duhet të shkruhet mbi bazën e dokumentave dhe jo të sajimeve propogandistike, për qëllime të caktuara politike”. 29)

Nga moria e pa fundme e dokumentave të armikut, fashizmit italian, po përmëndim disa prej tyre që flasin dhe tregojnë se sa pa baza janë akuzat e komunistëve:

Më 6 qershor 1943, Kastamajor i Parmës i shkruan organeve eprore, në Tiranë: “Vihet re një eksod i të rinjëve nga Vlora që iu bashkohen çetave të Mallakastrës që drejtohen ng  Ali bej Këlcyra, Nuredin bej Vlora dhe Bektash Cakrani. Pas takimit të Frontit Nacionalist në Trevëllazër, duhet të mbanin ligjëratë në Gjirokastër duke shfaqur nevojën e bashkimit shqiptar kundër armikut të përbashkët. Komisioni i Frontit Nacionalist (Balli Kombëtar E.M.), i drejtohet Mallakstrës, por nuk pritet nga komunistët sepse fajsojnë krerët se i janë shitur Italisë”. 30)

* Sevaster-Mesaplik: “U mbajt mbledhja e datës 12 qershor, ku morën pjesë 200 persona si dhe krerët e Lëvizjes Nacionaliste Ali bej Këlcyra, Nuredin bej Vlora e Isuf Luzaj dhe kreu i çetës nacionaliste Av. Skënder Muço. 31)

* Nr. 5781, dt 7 gusht 1943: “Nuredin bej Vlora, përpara se të arrinte në  Mukaj ka mbajtur në Trevllazër konferencë me përmbajtje antiitaliane dhe ka kryer aktivitet propogandistik duke sensibilizuar popullin që të rebeloheshin në masë si dhe të ngrinin çeta të forta nacionaliste”. 32)

* Ministria Punëve të Brendshme Nr.6/192 datë 3.7.1943 Njoftim nga Prefektura e Vlorës drejtuar Kryesisë së Këshillit të Ministrave: “Thuhet se në Mallakastër janë grumbullue gati 800 ilegalë komunistë e ballistë, të ardhur nga vise të ndryshme. Për të evituar çdo sulm eventual duhen marrë masa serioze. Shpresa e çdo kompromisi për hesapin tonë është çduk, dhe qeveria qëndrore shqiptare duhet të ndërhyjë efektivisht në zgjidhjen e çështjes për të evituar gjakderdhjen katastrofale që po përgatitet me vrullin e saj të tmerrshëm. Ministri Kol Bib Mirakaj” 33)

* Nr 5781, dt 17 gusht 1943: “Av. Abaz Omari nga Fieri, i denoncuar në Gjykatë Speciale të Shtetit, do të kalojë në çetën e Nuredin bej Vlorës gjatë fillimit të muajit korrik në zonën e Mifolit me 50 persona që e kanë ndjekur kreun, që bën pjesë në qeverinë ilegale shqiptare, që tani e ka qëndrën në Mukaj”. 34)

* Nga rubrika e lajmeve të datës 23 qershor 1944: “Unioni nacionalist i shënuar në buletinin e datës 19 nuk erdhi në Sevaster, por përkundrazi në fshatin e Mesaplikut. Është mbajtur shënimi ditën e 12 dhe kanë marrë pjesë 200 persona dhe krerët e Lëvizjes Nacionaliste Ali Bej Këlcyra, Nuredin Bej Vlora, Isuf Luzaj dhe kreu i çetës nacionaliste Skënder Muço. 35)

* Me hyrjen e gjermanëve në Shqipëri Nuredin bej Vlorës iu propozua kanidatura e kryeminstrit, gjë që ai e refuzoi dhe nuk pati asnjë lidhje me gjermanët. Ky fakt del në disa telegrame që i deleguari special gjerman për Juglindjen e Ballkanit Nojbaheri dhe më pas Konsulli i Përgjithshëm i Gjermanisë në Tiranë, Shajger e Shlipi, i dërgojnë Ministrisë së tyre të Jashtme në lidhje me njerëzit e mundshëm të cilët do të merrnin përsipër barrën e drejtimit të qeverisë shqiptare nën pushtimin gjerman. Kështu në telegramin e datës 25 tetor 1943 thuhet: “Ju lus që Ministria e Punëve të Jashtëme vazhdimisht të informohet rreth individëve shqiptarë, të cilët në kohën e rendit të ri, po marrin detyra të rëndësishëme publike. Dërgoni shënimet biografike të Mehdi bej Frashërit, Fuat bej Dibrës dhe të fytyrave eminiente të rendit të ri shqiptar,  me qëllim që këta personalitete të popullarizohen këtu përmes shtypit. Ju lutemi që ta informoni Berlinin që a është ende në fuqi kandidatura e Nuredin bej Vlorës, për Kryetar të Qeverisë dhe e antarëve të zgjedhur për qeveri”. Nojbajeri.

Faktin që gjermanët e kërkuan Nuredin Beun ta bënin kryeministër e konfirmon edhe Julian Amery . 36)

Në një listë të hartuar nga autoritetet gjermane të pushtimit me 72 personalitete të kohës, ndër të cilët Mehdi Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Pater Anton Harapi, Ago Agaj, Kristo Floqi, Mihal Zallari, Shefqet Vërlaci, Ibrahim Biçaku etj., të cilët besoheshin nga gjermanët dhe merrnin pjesë në ceremoni e kremtime festash kombëtare, nuk figuron emri i Nuredin bej Vlorës dhe as i Mid`hat Frashërit, çka do të thotë se këta nuk kishin lidhje dhe marrëdhënie me pushtuesin gjerman e që hedh poshtë akuzat e komunistëve për bashkëpunimin e Nuredinit me gjermanët. 37)

Nga këto fakte del fare e qartë se akuza që komunistët i bëjnë Nuredin bej Vlorë për bashkëpunim me pushtuesit italian dhe gjerman, nuk ka bazë dhe nuk është e vërtetë. Theksojmë se në se Nuredin bej Vlora do të shikonte interesin e tij, ai e kishte udhën të hapur për të marrë pozitë dhe në fund edhe për të jetuar në lumturi jashtë vendit, por ky burrë nuk pa asnjëherë interesat e veta por mbi gjithëçka vuri interesin e atdheut te tij.

* Në shtator të vitit 1944, kur trupat gjermane po përgatiteshin të largoheshin nga Shqipëria dhe para ardhjes së komunistëve, fisi i madh i Vlorajve: Xheladin pasha, Eqerem beu, Safa beu, dhe Nuredin beu u

larguan nga Vlora për në Tiranë, por as aty nuk mund të qëndronin dot dhe u nisën për në Gjermani, duke qënë të detyruar të lënë në shtëpi gratë dhe fëmijët sepse ishte dimër dhe fëmija më i vogël i Eqeremit ishte vetëm disa muajsh. Pre e komunistëve mbeti jo vetëm gjithë ajo pasuri, por ç`ishte më e dhimbshme në duart e pushtetarëve vrasës dhe analfabetë mbetën koleksionet e artit, bibliotekat e çmueshme, shumica e dokumentave me vlerë të pallogaritshme, që komunistët nuk mund t`i kuptonin dhe vlerësonin. Shumë nga këto dokumenta u dogjën sepse ishin të bejlerëve dhe agallarëve dhe nuk i duheshin popullit!!!

Fillimisht Nuredin Beu u vendos në Vjenë dhe u ndihmua nga emigrantë të tjerë të kalonte vështirësitë e shumta . Me dekret nr. 2205, datë 5.1.1956, të Kuvendit Popullor, në numurin rendor 139, është shënuar emri i Nuredin bej Vlorës i shpallur armik populli dhe që i ndalohej hyrja në Shqipëri. Emëri i Nuredin bej Vlorës vazhdoi të përflitej pa baza edhe mbas çlirimit gjatë gjyqeve qesharake që zhvilluan komunistët kundër të ashtuquajturve armiq të popullit. Në vitin 1947, në gjyqin e deputetëve, që dolën si opozitë kundër Enver Hoxhës, Sulo Klosi akuzohej se që në vitin 1941 kishte pasur lidhje me eksponentë të Ballit Kombëtar, si Mid‘hat Frashërin, Hasan Dostin, Abaz Ermenjin, Nuredin bej Vlorën etj., me të cilët e kishte lidhur shoku i tij i ngushtë, inxhinier Andrea Xega.

* Nuredin Beu u shua në Hajdenberg të Gjermanisë në tetor të vitit 1964, larg atdheut të tij për të cilin kishte shkrirë gjithë jetën e tij heroike dhe pasurinë e tij të madhe. Shtypi antikomunist jashtë vendit vlerësonte lart veprën e tij atdhetare pas vdekjes: “Ai ishte simboli i pastër i burrërisë dhe patriotizmes shqiptare” dhe përmendet një thënie e tij: “Unë Kosovën e kam në zemër dhe do të përpiqem për çlirimin e saj, si për Vlorën time” Nuk la pasardhës dhe deklaronte se pasurinë e tij do t`ia falte Vlorës. 38)

Është një padrejtësi e madhe, që vepra atdhetare e Nuredin bej Vlores ende nuk është vlerësuar.

 VLERËSIME DHE GJYKIME PËR NUREDIN BEJ VLORËN

Shkëlqesia e tij Nuredin bej Vlora dhe e nderuara, zonja e tij. Me gëzim të madh, po botojmë sot fotografitë e shkëlqesisë së tij Nuredin bej Vlorës dhe zonjës së tij të nderuar. Bashkatdhetarin tonë, të shkëlqyerin Nuredin bej Vlora, është e tepërt t’ua rekomandojmë lexuesve tanë, sepse emri i tij dihet prej të gjithëve, si brenda në Shqipëri, ashtu dhe përjashta midis kolonive shqiptare.

Ai vjen nga një nga më të shquarat familje të vendit tonë, biri i të ndierit Ferit Pasha, që ka qenë Vezir i Madh në kohë të Sulltan Hamitit. Shtëpia e tij, ka lidhje fisi me Khedivin e Misirit, Abaz Hilmi Pashën, me Myfit Libohovën dhe me shumë familje të tjera të shquara të Shqipërisë. Nuredin Vlora, mësimet i ka marrë në shkollat më të shquara të Europës dhe midis të tjerëve, ka patur si bashkënxënës, princin trashëgimtar të Rumanisë, Karolin II.

Shkëlqesia e tij është një patriot i rrallë. Urtësia, fjala e ëmbël dhe sjelljet fisnike janë stolitë e paçmuara të karakterit të tij të kulluar. Më 1914, në kohën e turbullimeve, Nuredin Vlora mori pjesë në luftën

kundër kryengritësve, në fushën e Myzeqesë, ku tregoi një trimëri të shquar. Në një sulm që bëri kundër rebelëve, iu vra kali, dhe pushka iu thye, por megjithë këtë, guximin nuk e humbi, por si një trashëgimtar

besnik i stërgjyshërve të tij, me revole në dorë luftoi për të mbushur detyrën kundër atdheut.

Pas kësaj, shkoi në Europë dhe me shumë atdhetarë të tjerë të shquar u vendos në Zvicër, duke mos pushuar së vepruari, për t’i shërbyer Shqipërisë. Në kohën e Konferencës së Parisit, Nuredin Vlora, bashkë me doktor Turtullin dhe me Pandeli Calen, dërguan një memorandum, i cili bëri një përshtypje të pëlqyer në Këshillin e Aleatëve. Më 20 tetor, Nuredin Vlora udhëtoi në vendin e lirë dhe mikpritës të

George Vashingtonit dhe mbas dy javësh, u martua me një zonjë nga më të shquarat familje të Nju-Jorkut, me të bijën e bankierit Eduard Kelly. Kjo zonjë e nderuar që kurse bashkoi jetën e saj me atë të bashkatdhetarit tonë, ka treguar një interes të veçantë në çështjen shqiptare dhe me shërbimet e sajë, i dha mjaft dobi kombit tonë dhe tregoi plot zell dhe atdhetari.” 39)

 Nuredin beu ishte patriot i madh dhe shumë kryelartë.

“Ihsan Toptani u kthye … i shoqëruar nga Nuredin bej Vlora, miku i Kontit Karlo Fraso, mikpritësi ynë në Brindsi… bashkë me gruan e tij simpatike, e cila fliste frëngjisht… Ai kishte qënë për një kohë të gjatë, njeri nga përkrahësit më të flaktë të Partisë Rebublikane. Ishte patriot i madh dhe shumë kryelartë… Këshillat e tij peshonin rëndë mbi udhëheqësit politik të Tiranës, veçanërisht mbi krerët republikanë të Ballit Kombëtar… Nuredini ishte i hijshëm, fisnik dhe në të vërtetë mondan… Anglishten e fliste pa gabime dhe, duke e njohur mirë karakterin britanik na solli uiski…

Një mbledhje e tillë midis çifligarësh shqiptarë dhe oficerësh britanikë, një partizani do t`i dukej si një provë e gjallë, e intrigave të reaksionit ndërkombëtar…

Ai na tha se gjermanët, porsa i kishin propozuar të merrte kryesinë e qeverisë, ose të hynte në Këshillin e Regjencës. Instikti tij natyror, e kishte shtytur të refuzonte këtë funksion pa një të ardhme, por ai do ta pranonte, siç tha, nëse në këtë mënyrë do të ndihmonte kauzën aleate… Ai na tha se ballistët … do të ishin të gëzuar të bashkëpunonin me partizanët kundër gjermanëve, nëse Enver Hoxha do të hiqte dorë nga orvajtja e tij për të imponuar me forcë revolucionin shoqëror në Shqipëri… Në rast të kundërt, ata duhej të luftonin me të gjitha forcat për jetën dhe pronat e tyer që diskutoheshin të humbisnin…” 40)

 Ishte personi ma me prestigj në botën e jashtme.

“Pinjoll i nji familje ma bujare e ma me nam në Shqipni, ishte i njoftun, jo vetëm për karakterin dhe trimninë e tij, por edhe si xhentëlmen. Kishte njohje të gjana me personalitete dhe shtëpi të ndigjueme të Europës dhe ishte personi ma me prestigj në botën e jashtme.

Kur u dënue me vdekje për pjesmarrje në Lëvizjen e Fierit 1935, kundër Zogut, reaksioni dhe ndërhymja në favor të tij e mbretënve, kryetarëve të shteteve, gazetave ma të njoftuna të Europës qe i madh. Ai konsiderohej si kryetar i republikës së ardhëshme shqiptare. Në luftat që zhvillohen në Shqipni, mbas shpalljes së Pavarësisë, Nuredin Vlora lufton kundër grekut dhe plagoset me rebelët.” 41)

 F u n d – 

Treguesit

1)Gazeta “Populli”, Vlorë, dt. 16. 5. 1914, f. 3

2)Shih për më shumë: Syrja bej Vlora ”Kujtime”, Iceberg, Tiranë, 2013. f. 110 – 111.

3) Gazeta “Albania”, dt. 28. 2. 1918, f. 1. Shih në f. 367 të këtij libri.

4) Gazeta “Albania”, dt. 27.7.1918.

5) 252) Gazeta “Albania”, SHBA, nr. 27, dt. 17.10.1918, f.1, artikulli “Nuredin Beu dhe Regjimenti

6) Gazeta “Kuvendi”, Romë, nr. 20, dt. 15. 8. 1919, artikulli “Uillsoni dhe Çështja Shqiptare” .

7) Referuar: Dr. Lavdosh Ahmetaj “Tirana Observer”, Tiranë, dt. 4.7.2013 dhe 28.11. 2013, f. 18-19.

8) Haxhi Murati, në gazetën “Albania”, SHBA, nr. 27. dt. 17.10.1918, f. 1.

9) Shih: Dr. Lavdosh Ahmetaj “Shqipëria. Konferenca e Paqes në Paris dhe delegacionet shqiptare 1918 – 1921”, Vest Print, Tiranë 2012; Nuredin bej Vlora f. 185, 188, 194, 197. Konferenca e Paqes filloi punimet në Versajë, Paris më 18 janar 1919 dhe i

vazhdoi ato deri më 28 qershor 1919. Zyrtarisht punimet përfunduan më 21 janar 1920. Për më shumë shih: Kapitullin e Pestë, të këtij libri.

10) Gazeta “Albania”, SHBA, nr. 60, dt. 12. 2. 1919

11) Dr. Lavdosh Ahmetaj “Shqipëria në Konferencën e Paqes…”, Vest Print, Tiranë, 2012, f. 194.

12) Dr. Lavdosh Ahmetaj “Shqipëria në Konferencën e Paqes…”, Vest Print, Tiranë, 2012, f. 194.

13) Dr. Lavdosh Ahmetaj “Shqipëria në Konferencën e Paqes…”, Vest Print, Tiranë, 2012, f. 188

14) Gazeta “Liria”, Tiranë, nr. 25 (41), dt. 11. 3. 1925.

15) Gazeta “Liria”, Tiranë, dt. 24.1.1925, f. 4.

16) Gazeta “Liria”, Tiranë, dt. 31.1.1925, f. 3.

17) Gazetat: “Liria”, Tiranë, dt. 11. 3.1925, f. 1; “Republika”, Shkodër, dt. 15. 3. 1925, f. 3.

18) Gazeta “Koha”, Korçë, dt. 14. 3.1925, f. 1 Në këtë artikull pasi renditen emërat e anëtarëve të komisionit vlonjat

të shënuar më lart, shtohet: “dhe shumë të tjerë”, pra ka mundësi që komisioni të ketë qënë më i madh në numur.

19) Gazeta “Liria”, Tiranë, dt. 10. 4. 1925, f. 2

20) Gazeta “Afrimi”, Vlorë, dt. 16.12.1925, f.1 Shënojmë se po këtë muaj paraqiti kërkesë edhe shoqëria e djelmoshave

Kaninë, për ta bërë Kaninën bashki pasi është mbi 500 shtëpi dhe një vend pasanik!

21) Gazeta “Afrimi”, Vlorë, dt. 12.1.1926, f. 3

22) Shih: Fari Shaska “160 vjet bankë në Shqipëri”, “Triptik”, Vlorë 2011, f. 30-31

23) AQSH, Fondi Ministrisë së Arsimit. Shkresa e Bashkisë nr. 1357 datë 14.7.1925, drejtuar Prefekturës së Vlorës dhe Ministrisë së Arsimit. Shkresa e Prefekturës nr. 2040/1 datë 21.7.1925, drejtuar Ministrisë së Arsimit. Gazeta “Afrimi”, Vlorë, dt. 23.12.1925, f. 3; Grup autorësh “Shkolla tregëtare e Vlorës…”, Tiranë, 1984.

24) Sipas Sefa Vlorës, cituar në librin: Ismail Qemali “Kujtime”, përkthyer nga Reshat Agaj në Kanada, 1968.

25) “Ushtim` i Vlorës”, Vlorë, dt. 19. 8. 1925, f. 3.

26) Gazeta “Demokratia”, Gjirokastër, dt. 5. 3. 1927, f. 2.

27) Për më shumë shih: Gazetën ”Besa”, Tiranë, gusht – shtator, 1935 U arrestuan 539 vetë, përveç 17 të arratisurve që u dënuan në mungesë. U dënuan me vdekje 53 vetë, shumë të tjerë u dënuan me 101 vjet burg dhe dënime të ndryshme. Nga të arratisurit u dënuan me vdekje 5 vetë. Qemal bej Vrioni ishte përfaqesues i degës së Fierit të familjes Vrioni. Ai kishte qënë delegat në Kongresin e Durresit, 25 Dhjetor 1918, dhe kishte drejtuar trupat e vullnetarëve fierakë në Luftën e Vlores më 1920. Megjithatë ai njihej në

28) Shih “Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar 1939 – 1944”, Vëll. 2, Tiranë, 1986, f. 105

29) Muharrem Dezhgiu :Shqipëria në luftë”, Globus R. Tiranë, 2001, f. 78-79; Enver Lepenica “Parti Komuniste apo Parti Terroriste”, Triptik, Vlorë, Tiranë, 2013, f. 557-558

30) AQSH, F.160, V.1943, D.50, f. 157, (origjinali italisht).

32) AQSH, F. 160, V. 1943, D. 52, f.20, (Origjinali italisht)

33) Burim direkt AQSH, F. 160, V. 1943, D. 52, f 22, (Origjinali italisht)

34) AQSH, F 160, V 1943, D.52, f.23, (Origjinali italisht).

35) AQSH, F.160, V.1943, D.52, f. 20, (Origjinali italisht) Dokumenta që flasin për aktivitetin e Nuredin bej Vlores 1939-1944, janë botuar në: Enver Lepenica “Parti Komuniste apo Parti Terroriste”, Triptik, Tiranë, 2013, f. 474-482.

36) Julian Amery “Bijtë e shqipes”, “Lumo Skëndo”, Tiranë, 2002, f. 223-224

37) AQSH, F. 147, V. 1944, D. VI-96, f. 1-2.

38) Gazeta “Shqiptari i Lire” , dt. 28. 2. 1965. Në vitin 2007, Hëna, vajza e Ali Këlcyrës, bëri një vizitë në Shqipëri dhe solli në Muzeun Kombëtar: Një xhaketë të babait, qepur në Tiranë mes viteve 1939 dhe 1944, me emrin e Giorgio Vasi, duhet të ketë qenë ndonjë familje rrobaqepësish dhe pasaportën e fundit, e vitit 1960, që i ati ka marrë nga Gjeneva. Ajo solli dhe një xhaketë të Nuredin bej Vlorës. Hëna Ali Këlcyra në “Gazeta Shqiptare”, Tiranë, dt. 21. 12. 2007.

39) Revista “Ylli i Mëngjesit”, SHBA, dt. 16.2.1919, artikulli: “Shkëlqesia e tij Nuredin bej Vlora edhe e nderuara, zonja e tij”.

Shoqëria e grave “Ylli i Mëngjezit”, është themeluar në Korçë, në vitin 1909 nga Parashqevi Qirjazi. Në mërgim, në SHBA, në vitin 1917, nisi të botoi revistën “Ylli i Mëngjezit”

40) Julian Amery “Bijtë e shqipes”, “Lumo Skëndo”, Tiranë, 2002, f. 223-224.

41) Faik Quku ”Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botnore, 1939-1941”, Vëll. 1, ”Ilar”, Tiranë, 2006, f. 197.

Godina e ish-bashkisë.

Është ndërtuar në vitin 1918, nga mjeshtra vendas. Godina e ndodhur në qendër të qytetit është e veçantë për shkak të stilit të saj arkitekturor, që përbën një gërshetim të traditave qytetare në ndërtim dhe elementeve të stilit barok. Dallohet për vlerat historike, zgjidhjen urbane e artin e të ndërtuarit. Është rikonstruktuar në vitin 1999.

Deri në vitin 1944 ka qenë Bashkia e qytetit të Vlorës. Gjatë viteve 1945 – 1970, në ambjentet e kësaj godine, ka funksionuar Komiteti i Qytetit dhe më pas organizatat e masave. Në vitin 1962, u vendos Muzeu Historik, ku është edhe sot. Në vitin 2006, ish ministri i kulturës Dr. Bujar Leskaj e shpalli monument culture

Gazeta “Albania”, SHBA, Tri fytyrat e çkëlqyera udhëheqës të drejtësisë për shpëtimin e Shqipërisë: Ismail Qemali, Sevasti Dako dhe I çkëlqyeri Nuredin bej Vlora Kartëmonedha të emetuara nga Bashkia Vlorë, me firmën e Qazim Kokoshit dhe Nuredin Vlorës.

“Kurdoherë gati të vdes për popullin, për Shqipërinë, se pa Shqipërinë s’rrojmë dot” Nuredin bej Vlora Gazeta “Albania”, SHBA dt. 23.05.1918, f. 1. Shtëpia e Xhemil bej Vlorës, ku u mblodh Kuvendi Kombëtar, më 28 nëntor 1912, e rënuar dhe e braktisur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.