KULTURË

Kapela që na mbron nga rrezet e “letërsisë së keqe”

10:48 - 30.11.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shqyrtim i romanit “Kapelat prej kashte” të autores Margarita Liberaki




Nga Andreas Dushi –  Për Pitagorën, kuptimi që gjendet përtej numrave është thellësisht domethënës. Në sytë e tij e të bashkëkohësve të tij, numri tre konsiderohej si numri i përkryer, numri i harmonisë, mençurisë dhe njohjes. Ishte gjithashtu numri i kohës: e shkuar, e tashme, e ardhme; lindje, jetë, vdekje; fillim, mes, fund. Shpesh treshi është edhe numri magjik në përralla. Po ç’lidhje ka kjo me romanin “Kapelat prej kashte”?

Botimi në gjuhën angleze, përkthyer nga Karen Van Dyck në 1955 mban titullin “Tri vera”. Kjo pasi kapele kashte kishte në vete një ngjyrim pegjorativ për shkaqe historiko – sociale si dhe, sepse ngjarjet e romanit shtrihen pikërisht në një kohë të tillë, tri vera. Edhe personazhet që jetojnë në këto vera janë pikërisht tre, tre motra: Maria, Infanda e Katerina. Secila me historinë e saj, të ndryshme, që evolon në nivele të njëjta, veçse të trazuara mes tyre.

Një nga mënyrat se si mund ta shqyrtojmë këtë vepër është zbërthimi i secilit prej personazheve, por duke qenë se kemi të bëjmë me tre karaktere tejet komplekse, nuk do të veprojmë kështu. Kjo sepse çdonjëra nga motrat është thurur (njëlloj si kapelet?!) me kashtë të marrë nga troje ku secili prej nesh përket. Prandaj, mendoj se po t’ja lë në dorë lexuesit të bëjë dekriptimin personal e tejet individual të personazheve, do të shohë t’i dalë para syve një pasqyrë e qashtër në të cilën, aspekte të vetvetes i shfaqen gjithnjë e më në dritë.

Atëherë, çfarë do të bëjmë? Pse vendosëm ta shqyrtojmë këtë vepër? E thjeshtë! Në të shtrohen disa çështje që tejkalojnë personazhet, tejkalojnë dhe vetë autoren në rrugëtimin e tyre për të zënë vend buzë greminës ku gjendet qysh nga ajo kohë një pjesë e njerëzimit. Më poshtë, po shtrojmë dhe shtjellojmë katër syresh, duke i dalluar me italic, jo për të treguar portën nëpër të cilën kalohet për ta kthyer tekstin në ndjenjë, por për të dhënë çelësin që e çel atë portë, e si varëse çelësash, një letër të vogël me një hartë orientuese ku porta gjendet.

I botuar për herë të parë në 1946, libri është krejtësisht e kundërta e realitetit: ngjarjet idilike përballë një Greqie që i kish shpëtuar kolapsit pas Luftës II Botërore. Për lexuesit e parë grekë, patjetër që ky libër duhet të ketë ngjarë me një lloj parajse ku mund të arratiseshe për të pushuar pak nga ferri a gjysmëferri ku po jetonin. Një natyre ku rriten pemë e pëkrashi tyre, rriten vajza bashkë me historitë e tyre që metamorfizohen kur mosha kapërcehet, pra kur vera tjetër vjen.

            Kjo lloj letërsie, sa meditative aq edhe realiste i ofron lexuesit qetësinë e nevojshme për të kaluar kohë, jo duke shfletuar e harruar, por duke lexuar e kujtuar, ndjerë e vlerësuar, vështruar e jetuar situata ku, sapo lexuesi mendon se do të donte të gjendjej, zmbrapset nga ajo çka vjen më pas.

Tërheqja njerëzore e ndarë në tre kategori, ku secila prej motrave përfaqëson njërën: Maria, e çmendur pas djemve në krye të herës dhe pas fëmijëve në fund; Infanda, mendjekthjellët e gjakftohtë që më shumë do kalin e saj sesa komshiun me të cilin kalëron; Katerina, mendja e së cilës luan skenarë të komplikuar dashurie.

Tabutë shoqërore ngrihen me bujë: masturbimi, seksi paramartesor kaluar me komente të vogla; aborti, braktisja, abuzimi seksual, tradhtia, fiksimet obsesive dhe ndryshimet sipas një kurbe psikologjike të humorit… Gjithçka trajtohet e trajtësohet si masa e shkronjave, fjalëve e fjalive që mbush hapësirën e faqeve të librit.

Ndoshta të katër çështjet e shtruara më lart mund të përmblidhen në tabutë shoqërore. Kjo pasi, liria me të cilën vajzat e ndjejnë tërhqejen, mënyra se si flasin rreth saj duke shmangur realitetin në vetvete ishte tabu për letërsinë e asaj periudhe. Po t’i bazohemi ndarjes së letërsisë në bazë të kronologjisë – kohës kur një vepër është shkruar – nuk ja dalim ta vendosim në një vend të qartë këtë libër, për sa kohë ai është botuar në gjysmën e parë të shekullit të shkuar. Kjo pasi elementët e tij kompozocional e përmbajtësor nuk i përgjigjen letërsisë bashkëkohase.

Historia rrëfehet nga motra më e vogël, duke luajtur me kohën, tek lëviz her pas saj, në retrospektivë, e herë para, drejt horizonteve që pritet të njihen. Diku nga fillimi, ajo shkruan:

Kur vapa më rëndonte qepallat dhe gjymtyrët më këputeshin, a thua se kisha pirë verë të ëmbël, shkoja në ahurin e kashtës, ku gjeja prehje nën hije dhe nën aromën e barit të thatë. Aty vetmia ime mbushej me personazhe dhe udhëtime, ngjyra dhe kordele, që valëviteshin në erë, dete ngjyrëportokalli, Guliveri në tokën e Huinhnmëve, Odiseja në ishullin e Kalipsosë dhe Circes. Circja qe një grua e ligë; i shndërronte njerëzit në derra. Por ama kishte fuqinë për ta bërë një gjë të tillë. A do të kisha dhe unë vallë, më vonë, ndonjë lloj fuqie? Sigurisht, jo për të shndërruar njerëzit në derra, por thjesht… (nënvizimi im, A.D.)

            Ndonëse ishte më e vogla, ajo nuk jetonte nën diktatin e motrave më të mëdha, paçka se ata i besonin sekrete njëra – tjetrës dhe e shmangnin atë, pra Katerinën. Në fund të fundit, a nuk është ëndrra e çdo fëmijë më të vogël të një familjeje që të ketë ndonjë lloj fuqie për t’u ndjerë i pranuar, i dashur, mjaftueshëm i atillë që mund të merret seriozisht?

Sikurse thamë, nuk do të bëjmë një analizë të personazheve, por e mora këtë shembull për të treguar diçka: Thuhet shpesh se ndër libra, njeriu gjen vetveten e të tjera gjepura si këto. Nëse një njeri ka nevojë ta gjejë veten nëpërmjet një libri, ai ka probleme që nuk i zgjidh letërsia! Po pse atëherë njeriu lexon? Dhe pse, cilado qoftë kjo arsye, duhet ta nxisë njeriun ta lexojë edhe këtë vepër? Më lejoni të jap një shembull personal:

Kur fillova të shkruaj, mendoja se historitë që më ndodhnin mua ishin më uniket, duheshin treguar që njerëzit t’i njihnin, t’i lexonin, të zbulonin një tjetër botë, të panjohur për to. Mandej, kur leximit ju përkushtova me më tepër seriozistet, kuptova se historitë e mia jo vetëm nuk ishin unike, por përkundrazi, tejet të përgjithshme, ndaj mes rrëfimit (prirja e parë) dhe trillimit, zgjodha t’i përkushtohesha kësaj të dytës.

Pra, Kapelat prej kashte është një nga ato libra që, pavarësisht paradokseve që ndërton, lexuesin, sado i çuditshëm të ndjehet, e bën të kuptojë se përket diku. Shumë mirë, Kapelat prej kashte mund të quhet roman i përkatësisë, një roman kundër izolimit, atij në vetvete e atij në shoqëri, një roman që motvion pranimin e së ndryshmes, qoftë ndryshimin e vetvetes apo i të ndryshmit nga vetja.

Udhëtimet e ndërmarra për njohjen e vetes të kujtojnë Odisenë e Homerit ashtu sikurse ndryshimet për shkak të rrethanave socio – shpirtërore të kujtojnë Metamorfozat e Ovidit…

Që t’i rikthehemi treshit, Kapelat prej kashte është manifest i treshit si numër i kohës. Aty, nga e tashmja, tregohet e shkuara dhe e ardhmja; nga mesi: fillimi dhe fundi; nga jeta: lindja dhe vdekja.

Prandaj, përtej ndërthurjeve tekstuale (nuk e kam fjalën për intertesktualitet në konceptin që merr kur lidhet me teoritë e kritikës letrare) të cilat sjellin një estetikë të ndryshme shijimi të gjithë librit, ndonëse asnjëherë nuk i kam besuar letërsisë me mision apo misionit të letërsisë, e them pa drojë se me Kapelat prej kashte kemi të bëjmë me një libër që, porsi kapelë, pasi ta lexojmë, na rri në kokë për të shmangur rrezet e së shëmtuarës që mundn të bien nga ndonjë pjesë e diellit të bibliotekës.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.