Intervista

INTERVISTA Ekskluzive /Zgjidhja e krizës në PD, Gazmend Oketa: Basha, urgjent marrëveshje për një Kuvend të përbashkët

10:40 - 01.12.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Për Gazmend Oketën, situata që po ndodh në PD ka një përgjegjës, Lulzim Bashën si drejtues partie për 8 vite me radhë, ndaj ai i kërkon zgjidhje urgjente të krizës në PD. Shqetësimi i Oketës nuk shkon për numrin e Kuvendeve që do të ketë, por me atë se çfarë do të prodhojnë dy Kuvendet e PD-së: “Nëse do të kemi pas datës 18 dhjetor, një apo dy PD, një apo dy kryetarë”? Personalisht, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së qëndron në anën e shumicës së anëtarësisë, e cila sipas Oketës, duket qartë se ka kërkuar apo firmosur për të mbledhur Kuvendin më datë 11 dhjetor. Gazmend Oketa thotë për “Gazeta Shqiptare” se, momenti i përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së solli një zhvillim të ri, i cili në vend që ta unifikonte PD-në, siç pretendonte z. Basha, bëri krejt të kundërtën.




Z.Oketa, çfarë po ndodh brenda shtëpisë së demokratëve dhe si e shikoni ju debatin që ka përfshirë dy muajt e fundit PD-në? A është ky një proces reflektimi për PD-në?

Ajo çfarë po ndodh sot brenda PD-së në fakt është një zhvillim, i cili në gjykimin tim ka dëmtuar jo thjesht PD-në, por të gjithë opozitarizmin në Shqipëri. Pavarësisht se ka edhe forca të tjera politike në opozitë, peshën dhe rolin e PD-së është e vështirë dhe thuajse e pamundur që ta zëvendësojë ndonjë grupim tjetër. Në këtë këndvështrim, sot ndodhemi në një situatë, ku opozita thuajse nuk ekziston, pasi e gjithë vëmendja është përqendruar në zhvillimet brenda PD-së dhe jo te problematika e vërtetë, e cila është mënyra se si po qeverisen shqiptarët. A është ky një proces reflektimi? Dua të jem shumë i drejtpërdrejtë në radhë të parë me demokratët, por edhe me opinionin publik. Nuk besoj se kjo që po ndodh sot në PD, po ndodh për shkak të një reflektimi të brendshëm të anëtarësisë apo një pjese të drejtuesve kryesorë të saj, në raport me strategjitë apo me funksionimin e opozitës gjatë tetë viteve të fundit. Nëse do të ishin këto arsyet, atëherë Kuvendi i muajit korrik ishte ai i duhuri për të bërë një analizë të tillë. Nëse në fund duam të marrim diçka pozitive nga ky zhvillim, gjykoj se nuk duhet të kemi drojë të themi të vërtetën. Le të mos e fshehim arsyen përse filloi kjo lëvizje. Ishte momenti kur z.Basha me një vendim të cilin deklaroi se e mori për të mos përçarë PD-në, largoi nga grupi parlamentar z. Berisha. Ky moment solli një zhvillim të ri, i cili në vend që ta unifikonte PD-në, siç pretendonte z. Basha, bëri krejt të kundërtën. Sot fatkeqësisht ndodhemi në një situatë, kur drejtuesit kryesorë të PD-së nuk janë në gjendje të gjejnë dakordësi për një datë unike të mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të demokratëve dhe kjo sigurisht që na vendos në pozitë të vështirë të gjithëve.

Në perceptimin tuaj, kush duhet të “paguajë” për krizën ku është futur Partia Demokratike?

Nuk di ndonjë rast si në politikë, ashtu edhe jashtë saj, kur përgjegjësinë kryesore për mosfunksionimin siç duhet të një partie ta mbajë dikush tjetër përveçse drejtuesi apo drejtuesit kryesorë. Për ta thënë më qartë dhe ndoshta pa shumë diplomaci, përgjegjësinë kryesore duhet ta marrë dhe mbajë z. Basha. Demokratët në fund të fundit atij i besuan drejtimin e PD-së për tetë vite radhazi dhe tani janë po ata, pavarësisht arsyeve, që demonstrojnë mungesë totale besimi dhe mbështetjeje ndaj tij. Politika dhe sidomos pozicionet drejtuese kanë momente kur merret një “faturë”, ndoshta edhe atëherë kur nuk të takon, por për shkak të pozicionit dhe të interesit të grupimit politik, ti duhet ta marrësh mbi vete atë përgjegjësi. Ky besoj se është një moment, i cili pavarësisht se nuk para ndodh në politikën shqiptare, dallon një lider nga një drejtues të radhës, dallon një karakter të fortë nga një karakter me shumë dritëhije.

Sipas jush ka 1 apo 2 kuvende? Cili kuvend është legjitim?

Së pari, shqetësimi im kryesor nuk shkon për numrin e kuvendeve që do të ketë, pavarësisht se duket se do kemi dy të tillë. Shqetësimi im i parë lidhet me atë se çfarë do të prodhojnë këta dy kuvende. Do të kemi pas datës 18 dhjetor, një apo dy PD, një apo dy kryetarë? Në raport me legjitimitetin duhet diskutuar në disa plane. Legjitimiteti moral, i cili për mua është shumë i rëndësishëm në politikë, në cilën anë qëndron? Personalisht gjykoj se qëndron në anën e shumicës së anëtarësisë, e cila duket qartë se ka kërkuar apo firmosur për të mbledhur kuvendin me datë 11 dhjetor. Kemi legjitimitetin politik, pasi leximi i germave apo pikave të statutit në këtë fazë ku ka shkuar përplasja është joproduktiv. Në këtë kuptim, ky moment ka nevojë urgjente për zgjidhje politike. Kjo zgjidhje duhej dhe duhet kërkuar me ngulm nga z.Basha dhe drejtuesit e tjerë të PD-së, për të mundësuar mbajtjen e një kuvendi të vetëm. Siç duket edhe lëvizja e z. Basha për një kuvend të datës 18, rezultoi joproduktive. Legjitimiteti i tretë është ai juridik, i cili, nëse nuk merr në konsideratë dy të parët, gjykoj se do të çonte në zgjatje pa kufi të përplasjes brenda PD-së, duke demotivuar demokratët dhe duke e lënë akoma më gjatë vendin pa opozitë.

Ju keni firmosur për mbledhjen e kuvendit kombëtar me datën 11 dhjetor?

Unë e kam deklaruar dhe herë të tjera se unë nuk kam firmosur, pasi në parim nuk kam qenë dakord me arsyet përse kjo lëvizje filloi. Por po ashtu kam deklaruar se, nëse një e katërta e anëtarëve të kuvendit kombëtar, e kërkon mbajtjen e kuvendit, atëherë ai detyrimisht duhet të mbahet, dhe cilido prej nesh ka detyrimin politik, por edhe moral në raport me anëtarësinë e PD-së, për të qenë prezent atje.

Si e konsideroni debatin për vërtetësinë e firmave të delegatëve që mbështesin kuvendin e 11 dhjetorit?

E konsideroj të panevojshëm, jo produktiv dhe një debat që e zbeh akoma më shumë  imazhin e opozitës, dhe sidomos PD-së në sytë e opinionit publik. Unë nuk e vë në dyshim faktin që firmat janë mbledhur, së paku kështu më rezulton nga ata anëtarë të PD-së me të cilët kam biseduar. Unë besoja se procesi i administrimit të tyre do të ishte më institucional. Normalisht ato firma gjykoj se duhej të depozitoheshin në sekretariatin e PD-së, e bashkërisht të organizohej një kuvend i vetëm. Mos harrojmë se PD, ka afro 75 mijë anëtarë, ndërsa votues  rreth 620 mijë. Që PD, të rrisë numrin e mbështetësve të saj me votë, duhet të ketë në konsideratë jo vetëm “kënaqjen” e anëtarësisë së saj, por edhe atë kategori qytetarësh të paangazhuat politikisht. Duhet të ketë në konsideratë ata qytetarë të cilët duan që vendi të ketë një opozitë të fortë dhe reale, një opozitë, e cila nuk debaton me veten për datën e kuvendit të saj, por debaton me qeverinë për çështje më me rëndësi për interesin publik.

Kush është sot në pozitën më të vështirë, Lulzim Basha apo Sali Berisha?

Në pozitë më të vështirë, së pari, gjykoj se është vetë PD-ja, anëtarësia e saj, opozita në tërësi. Në pozitën më të vështirë dhe të humburit e mëdhenj, si gjithmonë, janë qytetarët shqiptar, janë ato familje që vazhdojë të kërkojnë të emigrojnë, janë ato familje të cilat kanë shpenzuar gjithçka kanë pasur, për të kapërcyer problemet shëndetësore të shkaktuara nga pandemia Covid-19 pa pasur asnjë ndihmë nga qeveria, janë ata qytetarë, të cilët kanë vështirësi punësimi, kanë vështirësi në shkollimin, siç duhet të fëmijëve të tyre, ata qytetarë që shpresonin tek drejtësia e re, por që po pësojnë zhgënjimin e radhës. Në raport me anëtarësinë, pa asnjë mëdyshje do thosha se në vështirësi më të madhe ndodhet z. Basha. Fatkeqësisht, në mënyrë paradoksale, përfituesi më i madh nga kjo situatë është ai i cili duhej të ishte në kuotat më të ulta të mbështetjes nga opinioni publik. Është ai, politikat klienteliste e korruptive të të cilit, do duhej të ishin në qendër të debatit publik.

Në gjykimin tuaj a është z.Berisha një mundësi për të rikthyer rotacionin politik?

Pavarësisht energjisë, opozitarizmit, mbështetjes që ka nga një numër i konsiderueshëm i anëtarësisë së PD-së, rikthimin e z. Berisha në nivele drejtuese politike, në terma afatgjatë nuk e shoh si një zhvillim pozitiv, si për opozitën ashtu edhe për politikën në tërësi. Së pari, e shoh si një konfirmim të idesë se forcat tona politike e kanë të vështirë që të “prodhojnë“ lidership të ri. Nëse është kështu, atëherë përgjegjësia kryesore bie mbi ata që nuk krijojnë kushte e nuk lejojnë hapësira për figura të reja në politikë. E në rastin konkret, kryesisht mbi z. Berisha, i cili e ka pasur këtë mundësi si drejtues prej gati 30 vitesh. Siç dihet, dhe siç e ka pohuar, z. Berisha ka qenë deri me 9 shtator të këtij viti, mbështetësi dhe tutori kryesor i z.Basha, duke bërë që as anëtarësia e PD-së të mos njohë realisht aftësitë apo paaftësitë e kryetarit de juro të saj. Në raport me anëtarësinë dhe bashkëpunëtorët e tij, është e padiskutueshme që z.Berisha ndërton marrëdhënie krejt ndryshe dhe është më motivues se z.Basha. Por a mjafton kjo, për të mundësuar rotacionin politik. Kurrë mos thuaj kurrë, është shprehja që përdorim shpesh në politikë, por a mendon kështu opinioni publik dhe ata që duan të mbështesin opozitën? Kësaj pyetje, pavarësisht opinionit dhe ndjesisë që kam, po e lë t’i përgjigjet së pari, anëtarësia e PD-së, dhe më pas qytetarët kur t’i jepet mundësia.

A ka të drejtë Sali Berisha kur flet për “organizatë kriminale që ka goditur pluralizmin politik”, duke shigjetuar Edi Ramën dhe Lulzim Bashën?

Duhet të kemi parasysh se z. Berisha njihet për strategjitë e tij, për mënyrën e tij të tërheqjes së vëmendjes së opinionit publik, dhe të thënies së vërtetave apo të pavërtetave të tij. Vetë z. Berisha, jo në pak raste, edhe pse mund ta di se e vërteta është ndryshe, sulmet apo etiketimet që ai i bën ndaj cilitdo, i bën në funksion të objektivit të tij politik. Për këto arsye, referuar pyetjes suaj, mendoj se ai ka pjesërisht të drejtë. Ka të drejtë për pjesën kur thotë se pluralizmi politik në Shqipëri është goditur, kur thotë që krimi dhe qeverisja janë bërë pothuajse një, kur thotë që PS në jo pak raste është përfaqësuar politikisht nga njerëz së botës së krimit. Nuk e gjej të drejtë, e as të moralshme, pavarësisht përplasjes që ka aktualisht, t’ia faturosh gjithçka z.Basha. Nëse sot Shqipëria ka një republikë kryeministrore moniste, themelet e kësaj republike janë hedhur që në vitin 2008 me ndryshimet kushtetuese, më pas janë pasuar me vendimmarrje, të cilat edhe pse deri diku të justifikueshme, rezultuan të gabuara. I referohem kryesisht, djegies së mandateve, mos marrjes pjesë në zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, apo disa vendimmarrjeve të tjera, të cilat i kanë lënë fushë të lirë z. Rama. Shqipëria nuk u bë e tillë, me 9 Shtator 2021, ajo këtë trajektore filloi ta ndërtojë që në 2008-ën. Republikën e sotme kryeministrore, duhet të jemi të sinqertë, nuk e duan vetëm qytetarët. Ata duan ta ndryshojnë atë, por politika nuk i ka lënë asnjë shteg apo mundësi. Politika apo politikanët, të cilët kanë pasur në dorë vendimmarrje politike, jovetëm që e kanë krijuar me ndërgjegje një sistem të tillë, por e kanë parë gjithmonë si një mënyrë për të qenë të përjetshëm në politikë. Koha kur shoku Mehmet, bënte veprime të cilat shoku Enver nuk i dinte, i takon barsoletave të kohës së diktaturës komuniste.

PD dhe LSI kanë shkëputur marrëdhëniet mes tyre ndërkohë që Basha është në konflikt edhe me presidentin Ilir Meta. Kush është aktualisht PD-ja?

Midis disa të metave që ka politika dhe formimi demokratik i shoqërisë sonë, është dhe ajo e mbivendosjes së raporteve personale me ato institucionale, ajo e orientimit të politikave dhe koalicioneve, jo bazuar në moral politik apo strategji politike, por ndërtimi i tyre kryesisht duke i besuar vetëm instinktit apo interesit politik të kryetarit. Të dalësh sot dhe të debatosh në opinion për një çështje të para datës 25 Prill, si ajo e një liste apo dy listave, x numri apo y numri në listën e përbashkët, besoj nuk i bën nder as PD-së e as LSI. Një debat i tillë, vë në dyshim në sytë e opinionit publik, arsyen kryesore që rreshtoi forcat tona në opozitë, siç ishte ajo e largimit me çdo kusht të z. Rama. Distancimi që z. Basha kërkon të bëjë nga e shkuara, veçimi që kërkon t’i bëj vetes duke u vetëpërjashtuar nga “trekendëshi i Bermudës” të cilin e solli vetë në debatin publik, është jovetëm i vonuar e joproduktiv, por e bën akoma më të pabesueshëm vetë z. Basha. Hapja e një debati politik dhe përfshirja në të e Presidentit, është akoma më pa vlerë dhe duket si një lëvizje më shumë për të bërë tym sesa një lëvizje që i sjell diçka të re opinionit publik.

A shikoni mundësinë e një kompromisi mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës me qëllim bashkimin e demokratëve kundër të vetmit kundërshtar politik, PS-së dhe Edi Ramës?

Në aspektin njerëzor, si dy kolegë dhe bashkudhëtarë politik, jo vetëm që do të uroja që një gjë e tillë të ndodhë, por edhe për aq sa mund të më takojë do ta kërkoja nga të dy ata që të ndalonin çdo lloj sulmi, me apo pa bazë, ndaj njëri-tjetrit. Nuk mendoj se lufta politike duhet të na çojë deri në prishjen e çdo kufiri etik sa të baltosim edhe ata me të cilët kemi bashkëpunuar ngushtë për shumë vite. Në planin politik, unë nuk do ta inkurajoja një kompromis midis tyre si zgjidhje politike. Ajo që dua të them është kjo. Kompromis për një kuvend të përbashkët? Po. Kompromis për të shpëtuar z. Basha dhe lënë atë në pozitën e kryetarit? Jo. Kjo e dyta nuk do të ishte kompromis, por vetëvrasje politike e PD-së. Lëvizja e z. Berisha, e quajtur “Foltore” e ka zbritur në nivele të papranueshme besueshmërinë dhe autoritetin e z. Basha, si në raport me anëtarësinë e PD e po ashtu dhe në raport me opinionin publik. Në këtë kuptim, gjëja pozitive që personalisht shoh tek kjo lëvizje, përveç rigjallërimit të anëtarësisë, është krijimi i kushteve për një lidershipi të ri, si dhe mundësinë e një “nxjerrje mësimi” për vetë anëtarësinë e PD-së. Largimi i modelit qeverisës të z. Rama nuk bëhet me një emër të vetëm, cilido qoftë ai, por bëhet me një betejë të fortë e të moralshme opozitare. Pa bërë për vete qytetarët e pa angazhuar politikisht, rotacioni politik do të behet gjithnjë dhe më i vështirë. Parë në këtë prizëm, gjykoj se edhe zgjidhja e kësaj situate duhet të kapërcejë emrat dhe interesat e cilitdo individi. Ajo duhet të jetë një zgjidhje, e cila do të të rizgjojë shpresën, besimin, dhe optimizmin, jo vetëm tek anëtarësia e PD, por tek e gjithë shoqëria shqiptare.

Si mund të zgjidhet kriza aktuale në Partinë Demokratike?  Si mund të kthehet PD në normalitet?

Së pari, mendoj se është urgjent një kontratë e re besimi ndërmjet ekipit drejtues të PD dhe anëtarësisë së saj. Është e padobishme dhe frikacake nëse e fshehim problemin e humbjes së besimit tek lidershipi aktual dhe pafuqia e tij për të organizuar një kuvend unik apo dhe një takim masiv me demokratët. Që besimi të rivendoset, gjykoj se pas mbajtjes së kuvendit, të gjitha organet drejtuese të PD-së duhet të rizgjidhen. Ky proces nuk duhet bërë me urgjencë ekstreme, por duhet marrë koha e nevojshme për të bërë të mundur që asnjë demokrat të mos ndjehet i mënjanuar, e aq më keq të trajtohet si armik se ka mbajtur këtë apo atë anë, apo sepse ka qenë neutral. Nga ana tjetër, ka nevojë për një raport të ri të opozitës me qytetarët. Le të tregohemi të hapur edhe me opinionin publik, të debatojmë pa drojën se debati ynë i brendshëm del në publik. Nëse debatojmë për ide, për politika zhvilluese, e jo për emra, dhe opinioni publik do ndjehet më i vlerësuar. Nëse ftojmë të rij e të reja, personalitete të fushave të ndryshme, jo për t’i bërë fresk kryetarit, por për t’u rritur politikisht, e për ta përmbysur përfundimisht idenë e të pazëvendësueshme në politikë, besoj se kemi bërë shumë. Lidershipit të ri nuk duhet ti dridhet zëri nga frika se i del emri në ndonjë aferë, kur të denoncojë korrupsionin apo aferat e qeverisë, por duhet të jetë një zë i qartë, dhe i besueshëm nga opinioni publik. E di që kjo nuk është e lehtë, por asnjëherë nuk është vonë. 30 vite janë shumë në jetën  e një njeriu, por nuk janë asgjë në jetën e një kombi. Nëse duam të ndryshojmë diçka për mirë për Shqipërinë, duhet ta fillojmë duke ndryshuar veten. Nëse PD bën një politikë normale, me kompromise e marrëveshje transparente edhe me kundërshtarin politik kur kjo vlen për interesin publik, por pa pazare politike, atëherë besoj se rotacioni politik do të ndodhë shumë shpejt dhe do mbështetet masivisht nga shqiptarët.

A duhet të futet Lulzim Basha në garë me kundërshtarët brenda partisë, qoftë dhe për të konfirmuar veten?

Fatkeqësisht gjykoj se z. Basha kundërshtarin më të madh ka vetveten. Ndoshta z. Basha mund t’i ketë numrat për një rikonfirmim, por nuk mendoj se ka në anën e tij moralin për ta bërë një gjë të tillë. Nëse tetë vjet rresht rri në hije, duhet të kesh shumë kujdes kur del në “diell”, sepse rrezikon të “digjesh”. Sipas mendimit tim, e vetmja gjë që mund të bëjë sot z. Basha për të dalë me sadopak nder nga kjo histori, është arritja e një marrëveshjeje për një kuvend të përbashkët, është deklarimi se pas mbajtjes së kuvendit ai do të tërhiqet nga drejtimi i PD, dhe se PD do të kalojë në një proces reformimi gradual e gjithpërfshirës. Çdo përpjekje tjetër, do ishte e pa vlerë dhe thjesht do ta rrënonte akoma më shumë imazhin e tij si politikan, por edhe do ta çonte PD-në drejt një disfate të pariparueshme.

 

 

Përjashtimi – “Ky moment, solli një zhvillim të ri, i cili në vend që ta unifikonte PD-në, siç pretendonte z. Basha, bëri krejt të kundërtën. Sot fatkeqësisht ndodhemi në një situatë, kur drejtuesit kryesorë të PD-së nuk janë në gjendje të gjejnë dakordësi për një datë unike të mbajtjes së kuvendit kombëtar të demokratëve, dhe kjo sigurisht që na vendos në pozitë të vështirë të gjithëve”, – tha anëtari i këshillit kombëtar të PD-së.

 

 

Zgjidhja – “Ky moment ka nevojë urgjente për zgjidhje politike. Kjo zgjidhje duhej dhe duhet kërkuar me ngulm nga z.Basha dhe drejtuesit e tjerë të PD-së, për të mundësuar mbajtjen e një kuvendi të vetëm. Siç duket edhe lëvizja e z. Basha për një kuvend të datës 18, rezultoi joproduktive. Legjitimiteti i tretë është ai juridik, i cili, nëse nuk merr në konsideratë dy të parët, gjykoj se do të çonte në zgjatje pa kufi të përplasjes brenda PD-së, duke demotivuar demokratët dhe duke e lënë akoma më gjatë vendin pa opozitë”, – u shpreh z.Oketa.

 

 

Firmosja – “Unë e kam deklaruar dhe herë të tjera se unë nuk kam firmosur, pasi në parim nuk kam qenë dakord me arsyet përse kjo lëvizje filloi. Por po ashtu kam deklaruar se, nëse një e katërta e anëtarëve të kuvendit kombëtar, e kërkon mbajtjen e kuvendit, atëherë ai detyrimisht duhet të mbahet, dhe cilido prej nesh ka detyrimin politik, por edhe moral në raport me anëtarësinë e PD-së, për të qenë prezent atje”, – theksoi ish-ministri i PD-së.

 

 Përgjegjësitë – “Nuk e gjej të drejtë, e as të moralshme, pavarësisht përplasjes që ka aktualisht, t’ia faturosh gjithçka z.Basha. Nëse sot Shqipëria ka një republikë kryeministrore moniste, themelet e kësaj republike janë hedhur që në vitin 2008 me ndryshimet kushtetuese, më pas janë pasuar me vendimmarrje, të cilat edhe pse deri diku të justifikueshme, rezultuan të gabuara”, – shprehet Gazmend Oketa.

 

 

Sali Berisha – Ish-kryeministri Sali Berisha bën me dije se sot “Foltorja” do të zhvillohet në Pallatin e Kulturës në qytetin e Bajram Currit. “Ditën e mërkurë, në ora 16:30 në Pallatin e Kulturës të qytetit të Bajram Currit do mbahet “Foltorja: Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”. Ftoj të gjithë demokratët dhe demokratët e Tropojës të marrin pjesë. Vetëm të bashkuar fitojmë”,  – shkruan Berisha.

 

Delegatët – Mbështetësit e ish-kryetarit të PD-së, Sali Berisha,  vijuan edhe dje me publikimin e emrave të delegatëve që kanë firmosur pro mbledhjes së kuvendit të 11 dhjetorit. Para selisë blu  drejtuesit e  degëve 4 dhe 11 në kryeqytet lexuan 88 delegatë, të cilët është kërkuar të verifikohen nga mbështetësit e Bashës për të legjitimuar nismën. Kuvendi i 11 dhjetorit do të ketë në qendër të punimeve ndryshimin e statusit dhe shkarkimin e Bashës.

 

Fatbardh Kadilli -“Që të ikë Berisha duhet të ikë Basha. Kriza në PD buron nga vendimi i Bashës për të mos lëshuar karrigen. Të gjitha veprimet e tij pas humbjes janë bërë vetëm si pretekst për të justifikuar mbajtjen skandaloze të karriges dhe jo për parime. Sikur Basha të kishte ikur, Berisha nuk do ishte ngritur. Demokratët e dinë që Basha është problemi i tyre më i madh, ndaj kanë përqafuar Berishën si mënyra e vetme për të hequr Bashën”, – tha Kadilli.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.