OPINION

Inspektori vlerësues dhe cilësia e shkollave

08:45 - 02.12.21 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pak ditë më parë, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së APU (ASCAP) dhe “Shkolla e Drejtorëve” (CLS) e mbështetur nga “Fondacioni Shqiptar – Amerikan për Zhvillim”, arritën marrëveshjen për të përgatitur vlerësues të institucioneve arsimore. Gjej rastin të ofroj disa ide që mund t’i shërbenin kësaj nisme.




Kuptimi rreth inspektimit

Inspektimi si proces vlerësues shqyrton cilësinë e një shkolle, të një çështjeje ose një praktike, për të nxjerrë në pah shkallën e respektimit të standardeve, të praktikave të mira apo kritereve të tjera. Njëherazi, për të bërë rekomandime për përmirësime apo veprime korrigjuese. Vetë cilësia e shkollave përfaqëson një koncept të ndërlikuar. Përmasat e saj shtjellohen nga sigurimi i cilësisë, vlerësimi i cilësisë dhe inspektimi i shkollave. Sepse cilësia e shkollës është shumë më tepër se rezultatet e nxënësve në mësim apo arritjet në provimet kombëtare. Prandaj, nëse duam të vlerësojmë cilësinë e një shkolle apo performancat e drejtuesve / mësuesve dhe t’i ndihmojmë të përparojnë, këqyrim jo vetëm rezultatet e nxënësve, por edhe si organizohet mësimi, si menaxhohen klasat, sa dhe si ndihmohen nxënësit me vështirësi në nxënie. Madje, shkohet më tej: qartësohen rezultatet e pritshme të shkollës; niveli i cilësisë së drejtimit dhe menaxhimit të saj; kujdesi që nxënësit të kenë mjedise mësimore të mira. Krahas kësaj, inspektimi përshkruan dhe informon për tendencat në gjendjen e shkollës dhe historinë e saj, për politikën arsimore dhe ndikimin e pushtetit lokal etj.

Si inspektohen shkollat në Evropë?

Në kontinentin tonë, përgjegjësitë për sa më sipër, i plotësojnë inspektoratet kombëtare dhe / ose rajonale të arsimit. Informacioni i hollësishëm për këtë mund të gjendet në linkun: https://www.sici-inspectorates.eu/. Ky është Web-i i “Konferencës së Përhershme Ndërkombëtare të Inspektorateve” (SICI). E themeluar në 1995, në të aderojnë 37 inspektorate. Qëllimi i konferencës është të ndihmojë përmirësimin e arsimit përmes përsosjes së proceseve inspektuese. Njëherazi, SICI mbështet përmirësimin e inspektorateve dhe kompetencat profesionale të inspektorëve, nxit dhe ndihmon partneritetin dhe bashkëpunimin si dhe merr pjesë aktive në debatin ndërkombëtar për vlerësimin dhe përmirësimin e cilësisë në arsim. Të gjitha aktivitetet realizohen bashkërisht ndërmjet SICI-t dhe inspektorateve të veçanta. Veprimtaria më e fundit u zhvillua në 18 -19 Nëntor, në Stokholm. Atje u diskutua rreth sigurimit të brendshëm të cilësisë së inspektorateve. Si prioriteti tematik i vitit 2022 u shpalos tema “Kontributi i inspektimit për barazi dhe përsosmëri”. Në SICI, deri në 1 Nëntor 2021, kur anëtari më i ri i saj u bë Inspektorati spanjoll, nga rajoni ynë kanë aderuar Kosova, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia. Shqipëria nuk është anëtare, fakt ky që kërkon një koment.

Inspektimi i arsimit në Shqipëri

Inspektimi është po aq i vjetër sa ekzistenca njerëzore. Por në vendin tonë zanafilla e tij gjendet në dekadën e dytë të shekullit XX. Në Ligjin Organik të arsimit (1928) përcaktohej: “inspektimi i të gjitha shkollave, sipas shkallës, bëhet nga inspektorët përkatës, gjë që u mbajt parasysh dhe më pas”. Në nenin 123 shkruhej: “Kontrollimi dhe inspektimi i shkollave fillore, internateve fillore të shtetit, ashtu edhe i të gjithë institucioneve private të kësaj kategorie, u ngarkohen inspektorëve të arsimit fillor.” I kushtëzuar nga gjendja dhe mundësitë në kohën e mbretërisë, inspektimi i shkollave nuk arrit të krijonte një fizionomi, të themi, profesionale.

Inspektimi nis të organizohet mirë pas vitit 1969, me ligjin dhe vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave “Mbi sistemin e ri arsimor”. Procesi realizohej, në nivel qendror nga Drejtoritë e Ministrisë së Arsimit, ndërsa, në nivel lokal, nga seksioni i arsimit i Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Procesi rregullohej me një rregullore të përgjithshme që theksonte vlerësimin e shkollave dhe mësuesve për formimin ideologjik dhe ateist të nxënësve. Shteti u kujdes që, gjatë viteve ’80-të, brenda një viti shkollor, të inspektoheshin të gjitha shkollat e çdo Rrethit. Ekipi inspektues, në të cilin 1 inspektor funksionar drejtonte 4-5 anëtarë (drejtorë ose mësues), gjatë 2-3 ditëve, inspektonte dhe raportonte për gjendjen dhe masat për përmirësim.

Gjatë viteve ’90, inspektimi vijoi të realizohej për inerci, nga ministria e Arsimit dhe zyrat arsimore. Në këtë aspekt, risitë fillojnë të shfaqen pas vitit 2000. Ministria e Arsimit organizoi në strukturën e saj Drejtorinë e Inspektimit që kontrollonte zyrat arsimore dhe mostra shkollash publike dhe private, në mbarë vendin. Në nivelin lokal, Drejtoritë Arsimore Rajonale (DAR) ushtronin kontrolle dhe bënin vlerësime në shkollat e juridiksionit. Deri në vitin 2010, në organikat e tyre përfshihej seksioni i inspektimit. Për të trajnuar inspektorët, u përgatitën dokumente rregullatorë dhe profesionale në formën e manualeve dhe të udhëzimeve për procese apo elemente specifike.

Në vitin 2010, Drejtoria e Inspektimit zëvendësohet nga Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar (IKAP), me seli jashtë ministrisë. Shkollat e arsimit parauniversitar në mbarë vendin inspektoheshin nga 20 inspektorë. Zyrës arsimore iu delegua vetëm funksioni i monitorimit të shkollave. Pa kaluar 4 vite, IKAP-i ristrukturohet sërish për t’u quajtur Inspektorati Shtetëror i Arsimit (ISHA). Ky i fundit, inspektonte jo vetëm shkollat në mbarë vendin, por edhe universitetet, me vetëm 22 inspektorë. Ky “rregullim” strukturor bëri që inspektimi dhe vlerësimi i shkollave të zbehej.

Kjo gjendje çoi në një riorganizim të ri. Aktualisht, sipas dokumentit të “Strategjia Kombëtare e Arsimit 2021-2026”, në nivelin qendror, sigurimi dhe vlerësimi i  cilësisë arsimore janë përgjegjësi të ndara të ASCAP-it dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (DPAP). I pari siguron treguesit, paketën e plotë të vlerësimit të shkollës, vlerësimin e bazuar te risku i ofruesve të arsimit dhe trajnon vlerësuesit. E dyta kryhen vlerësimin e jashtëm dhe inspektimin e shkollave nëpërmjet njësive të veta rajonale dhe ofron mbështetje për shkollat, në bazë të gjetjeve të vlerësimit të jashtëm. “Megjithatë – sipas Strategjisë – numri i vlerësimeve të jashtme të shkollës ka qenë mjaft i vogël, si pasojë e numrit të vogël të inspektorëve, gjendje kjo që vijon dhe tani kur inspektimi bëhet nga DRAP-të. Edhe në ato raste kur janë dhënë rekomandime për përmirësim nga ana e inspektorëve, nga shkollat nuk është kërkuar të zhvillojnë plane veprimi për trajtimin e tyre”. Ky është dhe konteksti në të cilin u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit e ASCAP-it me CLS-në.

 Rruga përpara

 Fillimisht, mendoj se do duhen qartësuar karakteristikat e tri proceseve: a) sigurimi i cilësisë; b) vlerësimi  cilësisë; c) inspektimi i shkollave. Nga ky qartësim, do mund të kuptohet më mirë se çfarë duhet të bëjnë institucionet respektive; pse jo, nevoja dhe vlera e krijimit të inspektoratit arsimor kombëtar.  

 Unë vlerësoj përgatitjen dhe trajnimin në vijimësi të inspektorëve vlerësues, sikundër e parasheh marrëveshja. Sepse, te ne, ata që rekrutohen në institucionet e administrimit të arsimit, përgjithësisht, kanë formim pedagogjik. I nevojshëm ky, por nuk mjafton. Duhet plotësuar si në çdo vend evropian me një program që u krijon pjesëmarrësve kushte dhe ofron mundësi për të ndërtuar kompetencat profesionale për inspektim / vlerësim. Marrëveshja do duhet të krijojë ekipin e ekspertëve që përgatitin programet trajnuese. Fillimisht, trajnimin fillestar dhe certifikimin e vlerësuesve dhe, në vijimësi kualifikimin periodik të inspektorëve funksionarë dhe / ose të personave që mund të aktivizohen si vlerësues me kohë të pjesshme. 

 Jetësimi i marrëveshjes kushtëzohet nga nevoja për vlerësimin e 1765 shkolla: 1525 publike dhe 240 private. Një ide për numrin e nevojshëm të vlerësuesve mund ta krijojmë përmes Bashkisë së Tiranës. Sot, në territorin e saj funksionojnë 201 shkolla (140 publike dhe 61 private). Nëse pranojmë që çdo shkollë inspektohet 1 herë në 2 vite, për 8 muaj të vitit shkollor duhen vizituar 100 shkolla, ose rreth 12 shkolla në çdo muaj. Pra, nevojiten 12 ekipe me 1 përgjegjës dhe 4 vlerësues. Gjatë 1 muaji, duhen aktivizuar gjithsej 62 persona, 12 inspektorë funksionarë si përgjegjës ekipesh dhe 50 vlerësues që mund të jenë drejtues shkollash apo mësues, të trajnuar dhe certifikuar nga programi i ofruar nga Marrëveshja. Projeksioni në shkallë vendi tregon se numri i vlerësuesve, funksionarë (specialistë të drejtorive dhe zyrave arsimore) apo me kohë të pjesshme (drejtorë ose mësues) që duhen trajnuar dhe certifikuar, luhatet në shifrat 240-250.

 Ne vërtet nuk mund t’i parashikojmë të gjitha, por, duke u përshtatur me disa nga tendencat që po jetësohen në botën, do mund t’i trajnojmë dhe formojmë inspektorët vlerësues. Ata kanë nevojë të ndihmohen të zhvillojnë kompetencat profesionale që u mundësojnë veprime etike dhe të përgjegjshme.

 Tiranë, më 28/11/2021


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.