Intervista

Intervista Ekskluzive/ Flet mjeku i njohur virolog-imunolog, Prof.dr. Kristaq Bërxholi: Nuk u arrit çka pritej në luftën kundër COVID-it

11:30 - 02.12.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Para 3-4 muajsh mendohej se fundi i pandemisë ishte afër, ndërkohë me ardhjen e stinës së vjeshtës, numri i infektimeve, hospitalizimeve dhe vdekjeve nga COVID-i u rrit sërish. Shumë shtete ashpërsuan masat kufizuese e të tjera aplikuan vaksinimin me detyrim. Por çfarë ndikoi në ashpërsimin e pandemisë? Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, mjeku i njohur virolog-imunolog, Kristaq Bërxholi, liston të gjithë faktorët që ndikuan në ngadalësimin e fundit të pandemisë.




Profesor, si paraqitet aktualisht situata lidhur me pandeminë COVID në vendin tonë dhe më gjerë?

Viti 2021 me plot gojën mund të thuash se ishte viti i luftës kundër pandemisë. Në fillim të këtij viti, thuajse në të gjitha vendet e botës filloi fushata e vaksinimit kundër virusit. Një numër vaksinash, si ato me metodat e reja (mARN) dhe ato të prodhuara me mënyrat klasike u përdorën gjerësisht. Si rezultat i kësaj, mund të themi se bota shijoi një verë disi më të lehtë lidhur me pandeminë. Pavarësisht këtij fakti, në realitet nuk u arrit ajo që pritej lidhur me luftën kundër pandemisë. Ka një numër arsyesh që kjo nuk u arrit. Më së pari ishte nevoja për vaksina. Pavarësisht se në qarkullim ishin një numër vaksinash, prodhimi i tyre nuk justifikonte kërkesat për vaksinim. Kjo bëri që kjo fushatë të mos ecte me ritmin e menduar, duke i lënë hapësira virusit të pandemisë të qarkullonte lirisht. Gjithashtu, kontinenti Afrikan ishte më i vuajturi në këtë drejtim. Edhe sot mbas një viti, akoma atje ndjehet mungesa e theksuar e vaksinës dhe shpesh këta vende bëhen burim për shfaqje të mutantëve të rinj.

A arritën shtetet të organizoheshin siç duhet për të përballuar pandeminë?

Duhet thënë gjerësisht se shërbimet, strukturat dhe të tëra shtetet me sistem demokratik nuk ishin të përgatitur për pandeminë. Pavarësisht se prodhimi i vaksinave ishte i ngadaltë, për shkak se investimet për fabrika prodhuese u vonuan jashtëzakonisht shumë. Vetë shtetet organizativisht ishin jo në nivelin e duhur. Asnjë shtet, duke filluar që nga shtetet të tilla si Amerika, nuk u përgatitën seriozisht për këtë fushatë. Mungesa e personave për vaksinimin ishte kudo e ndjeshme. Kjo u vërejt edhe në vendin tonë, pavarësisht se vaksinat si sasi nuk e justifikonin këtë fakt. Gjithsesi, pati gati një vit kohë që shtetet duhet të kishin filluar një ndërmarrje serioze në përgatitjen e vaksinatorëve. Kjo jo vetëm për këtë pandemi, por si thonë shkencëtarët, tashmë bazuar në një sërë faktorësh, bota do të jetë gjithnjë e më tepër nën ndikimin e faktorëve të tjerë pandemikë. Prandaj, sipas meje, përgatitja e vaksinatorëve ndjehet si domosdoshmëri. Kina me organizimin e vet ishte shumë më përpara. Kjo mungesë vaksinatorësh, vërehet tashmë, kur prodhimi i vaksinave është rritur dukshëm.

Sa ndikuan teoritë konspirative në luftën kundër pandemisë?

Gjatë këtij viti, një element tjetër që ndikoi dukshëm në drejtim të luftës kundër pandemisë ishin edhe kundërshtitë. Kundërshtarët e pandemisë shfrytëzuan një anë negative të strukturave të luftës kundër pandemisë, paaftësinë e tyre për t’iu përgjigjur akuzave false, lidhur me ekzistencën e pandemisë, virusit, cilësitë e vaksinave etj.. Duhet të themi se më shpejt në botë u ngritën qendra për kundërshtimin e pandemisë, se sa ato të luftës kundër pandemisë. Vetë mjekë dolën kundër teorive të luftimit të pandemisë, dolën kundër vetë besimit për vaksinat e prodhuara, ku për hir të së vërtetës duhet thënë se teknologjia e re e prodhimit të vaksinave, ajo e mARN, i dha një impuls të fuqishëm përshpejtimit të kohës së luftës kundër pandemisë. Hedhja në qarkullim e teorive si mosekzistenca e virusit, apo vaksinat kanë elementë të ndryshëm, nuk janë të sigurta, shkaktojnë sëmundje etj., gjeti një terren në popullatën e botës. Është e njohur ideja se këto teori konspirative, që vetëm gënjenin me thëniet e tyre, nuk shpjegonin asgjë nga ato që thoshin dhe njerëzit e kishin më të lehtë të asimilonin këto teori, se sa shpjegimin shkencor për gënjeshtra të tilla. Krahas kësaj, edhe vetë ekspertët e fushës, në mjaft raste ishin të tërhequr për sqarimin e këtyre teorive, për shumë faktorë. Kjo bëri që shumë njerëz të mos vaksinoheshin, duke u bërë kështu strehë e mirë për shumëzimin e virusit dhe mbijetesën e tij. Të gjitha këto dhe shumë probleme të tjera organizative bënë që fushata e vaksinimit të ecte ngadalë, si me përtesë dhe sot thuajse 10 apo 15% e popullatës së botës janë vaksinuar. Me gjithë këto vështirësi, shto edhe ato financiare që patën ndikim direkt te lufta kundër pandemisë. Nga ana tjetër, pengesat burokratike të shpërndarjes së mjeteve financiare ndikuan negativisht.

Pritshmëritë ishin që pandemisë t’i vinte fundi shumë shpejt, ndërkohë mesa po shohim, nuk ka gjasa që kjo të ndodhë. Cilët janë faktorët që ndikuan në ashpërsimin e pandemisë?

Falë ndikimit direkt të vaksinimit, ritmi i infektimeve dhe vdekjeve këtë periudhë u ul dukshëm. U duk sikur pandemia po tërhiqej dhe shumë mendime shkencore flisnin për një bllokim të pandemisë në muajt pasardhës. Por nuk ndodhi kështu. Me kalimin e verës dhe futjes së vjeshtës, pandemia u ashpërsua falë daljes së ndritë të mutantëve të rinj, sidomos ai më i përhapuri, “Delta” dhe “Delta Plus” pak më vonë, ajo filloji të shtojë ritmin e infektimeve dhe të vdekjeve. Aktualisht, kjo situatë në shumë vende, pikërisht për shkak të vaksinimit, është tani shqetësuese. Në një numër rajonesh të vendeve të ndryshme, numri i shtrimeve në spital ka paralizuar sistemin shëndetësor. Ka anuluar operacionet e ndryshme etj., etj.. Pra, mund të themi se situata aktuale e pandemisë nuk është ajo që pritej. Numri i infektimeve në botë i kaloi të 260 milionët si dhe vdekjet kanë kaluar shifrën e 5 milionëve. Por po të bëhet një krahasim i thjeshtë me pandeminë e vitit 1919, pavarësisht se kemi të bëjmë me virus krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri nga të gjitha pikëpamjet, infektimet në pandeminë e H1N1 ishin 100 milionë, ndërsa vdekjet ishin 50 milionë, situata sot për pandeminë aktuale është e pranueshme. Por nëse vendet e ndryshme do ta kishin vlerësuar seriozisht situatën kundër pandemisë që me lindjen e saj në tremujorin e parë të vitit 2019, natyrisht që do të ishte edhe shumë më e mirë.

Po politika si ka ndikuar në këtë situatë?

Më duhet të them se një ndikim negativ në luftimin e pandemisë ka pasur për shkak të ndërhyrjes brutale të politikës në organizimet e luftës kundër pandemisë. Nga një anketim i bërë për kompetencën e politikës në çështjet e pandemisë, kjo vlerësohej me nivelet më të ulëta. Këto ndërhyrje mënjanuan dukshëm ekspertët e fushës, të cilët preferuan heshtjen përballë politikës. Politika mendoi se erdhi koha e ndarjes së dekoratës së fitores kundër pandemisë dhe i mënjanoi dhunshëm ekspertët. Po nuk rezultoi kështu. Më duhet gjithashtu të them se në situatën e krijuar, një ngadalësim i vaksinimit erdhi edhe si pasojë e shfaqjes së një teorie të imunitetit natyral mbas infeksionit. Kjo u lançua shumë, deri në ndikimin e saj në krijimin e imunitetit vatror. Por në fakt, kjo nuk kishte të tilla vlera, për faktin e thjeshtë se me largimin e shkaktarit, si pasojë e shërimit të organizmit, ky imunitet nuk ishte mbrojtës. Kjo është një cilësi e viruseve të familjes së koronaviruseve. Prezenca e antitrupave, që shpeshherë, gabimisht vlerësohej si imunitet, pa asnjë vlerë të titrit të tyre, gjeti strehë te bartësit dhe përhapësit e teorive konspirative. Me vështirësi, por më së fundmi, në heshtje u pranua se niveli i antitrupave mbas infektimit nuk garantonte aspak krijimin e imunitetit vatror, i cili shihej si një mundësi e artë për të dalë nga situata. Por edhe kjo, bazuar përsëri në cilësitë e shkaktarit që u pa në fillim si një mundësi e artë, solli ndikim negativ. Tashmë nuk flitet më për imunitet vatror, por për vaksinim total të popullatës dhe me daljen e mutantëve, flitet se vetëm ‘boosterat’ e ndryshojnë situatën, të cilët kanë mundësinë e fuqizimit të nivelit antikorpal specifik kundrejt koronavirusit.

 

Eksperti: Pandemia, ende larg bllokimit. Sjellja e COVID-it, mjaft kritike në shkëputjen e zinxhirit transmetues

 Varianti “Omicron”, Bërxholi: Mund të ketë ndikim në mënjanimin e imunitetit të lindur

 “Transmetueshmëria shumë e lartë, vaksina mund të mos e neutralizojë”

Shfaqja e mutacionit të ri të koronavirusit, i njohur si “Omicrom” po shqetëson të gjithë botën. Nëse ky variant i ri ka një transmetueshmëri më të lartë, rrezik të shtuar e rezistencë ndaj vaksinimit, atëherë fundi i pandemisë nuk do të jetë aq afër sa e mendonim. I pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, prof. dr. Kristaq Bërxholi, ekspert i njohur i mjekësisë veterinare, ish-profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe ish-drejtor i IKV (sot ISUV), shpjegon në mënyrë të detajuar strukturën e variantit të ri dhe thekson se OBSH-ja e ka cilësuar si një mutacion shqetësues.

Së fundi një mutacion i ri i Sars Cov 2, i njohur si “Omikron” ka shqetësuar autoritetet shëndetësore në mbarë botën. Si qëndron e vërteta?

Bazuar në cilësitë e vetë virusit për mbijetesë si dhe kjo situatë e tillë shtoi shansin dhe shpejtësinë e lindjes së mutantëve, pavarësisht faktit se natyra e këtyre lloj shkaktarëve – coronaviruseve është se ata nuk mutohen shumë shpejt në raport me viruset e influencës ose të tjerë. Pavarësisht këtyre teorive, shkencëtarët që në fillim të fushatës së vaksinimit, duke marrë në konsideratë të gjitha anët negative të përmendura më lartë, paralajmëruan se vonesa në vaksinim do të ndikonte pozitivisht te virusi, që do të shoqërohet me shfaqjen e mutantëve. Dhe nuk kaloi shumë kohë, filluan të dalin në skenë një numër mutantësh me mutacione jo të shumta në “spike”-un e tyre, të cilat nuk ishin shumë shqetësues për shkencëtarët. Këta mutantë u vlerësuan si jo të rrezikshëm. Por në midis tyre u shfaq një mutant i ri, i cili nga pikëpamja patogjenetike nuk kishte ndryshime tek bujtësit e vet, por nga pikëpamja epidemiologjike krijoi një panik për shkak të rritjes së dukshme të infektimeve dhe të ngjitshmërisë te bujtësit. Ky mutant shumë shpejt u bë dominues në botë. Ky mutant i quajtur “Delta” dhe më vonë “Delta Plus” zëvendësoi edhe mutantët e tjerë që kishin lindur si “Alfa”, “Beta”, “Gama”, “Lambda” etj. dhe mbizotëroi situatën dhe aktualisht ai është prezent thuajse në të gjithë botën dhe i vetëm. Situata u bë shqetësuese, pasi infeksionet u shtuan dukshëm. Gjithsesi, bazuar në ritmin e shtimit të vaksinimeve, ku kishte shtete që e vaksinuan totalisht popullatën e tyre, si Izraeli, madje ata filluan edhe vaksinën “booster”, mutanti “Delta” duke mos pasur cilësi për t’i shpëtuar imunitetit vaksinal, ngadalësoi përhapjen, por jo eliminimin. Në këtë situatë të turbullt dhe pa shumë qartësi, doli në skenë një mutant i ri, i cili krijoi shqetësim për shkencëtarët. OBSH-ja e vlerësoi seriozisht situatën dhe ka bërë thirrje për studimin sa më të shpejtë të këtij mutanti të ri.

Po çfarë është ky mutant?

Në Afrikën e Jugut para pak kohësh u evidentua një variant i ri i COVID-19. Ky variant i ri duket se është krejt i ndryshëm nga varianti “Delta” dhe që në fillim u mendua se mund të bëhet predominant në botë. Po cilat janë ato cilësi, cila janë diferencat nga varianti “Delta”, që ka krijuar këtë shqetësim te shkencëtarët? Çfarë kujdesi duhet të dihet dhe çfarë thotë OBSH-ja për të? Si është problemi lidhur me patogjenicitetin e tij? Këto pyetje do të mundohemi t’i sqarojmë me ato të dhëna të deritanishme, pasi duhet kohë për t’u dhënë përgjigje përfundimtare çështjeve të ngritura. Ky mutant u vlerësua si i tillë për shkak të prezencës së lartë të mutacioneve të ndodhura në të, që në raport me mutantët e tjerë janë shumë më të shumta. Këto mutacione të këtij mutanti të ri, të emërtuar fillimisht B.1.1.529 dhe që më vonë nga OBSH-ja u emërtua “Omicron”, në sasi të mëdha janë përqendruar te majat(spike-ligandët) e tij me të cilat ai lidhet me qelizat e bujtësit, njeriut. Këto vende lozin rol kyç në fiksimin e këtij mutanti në receptorët qelizorë. Menjëherë OBSH-ja e klasifikoi këtë variant të ri si “variant shqetësues”. Të dhënat e para për këtë variant flisnin për mundësi të reja transmetimi, pra rritjes së përhapjes së tij, e cila mund të jetë më e madhe se sa “Delta” dhe u mendua se vaksinat aktuale, të cilat janë përgatitur mbi bazën e virusit të egër, mund të mos e neutralizojnë atë. Varianti i ri vazhdon të shfaqet si dhe në të njëjtën kohë të përhapet në shumë vende të botës. Deri tani është evidentuar në shumë shtete të Europës, në Kanada, në Afrikë, por jo në Amerikë, sipas njoftimeve të vetë prof. Fauci. Siç u përmend dhe më lartë, ky variant ka shumë mutacione në “spike” të tij dhe mendohet se ka ndryshuar dukshëm cilësitë infektive të tij duke u rritur ato. Afrika e Jugut, ku u evidentua për herë të parë ky variant flet për një rritje 4 herë të këtij transmetimi, në rastet e reja më së paku për dy jave.

Po cilat janë mutacionet që karakterizojnë këtë variant?

Në profilin e mutantit, të variantit të ri, flitet për “një grumbullim jo të zakonshëm të mutacioneve” me 30 në regjionin që enkodon proteinat e majës (spike) të virusit, regjion i cili është përgjegjës për hyrjen në qelizat e bujtësit (njeriut). Disa mutacione deri tani janë studiuar mirë dhe shihet se kanë një impakt fenotipik të njohur, të lidhur me transmetueshmërinë dhe me shpëtimin nga imuniteti. Disa nga këto mutacione janë parë edhe te variantet “Alfa” dhe “Delta”, por shumica e mutacioneve të tjera janë “parë shumë rrallë dhe nuk janë shumë të njohur deri tani”. Kështu që cilësitë e plota të këtyre mutacioneve mbeten të pasigurta deri tani. Për këtë, “duhet të ndërmerren  më shumë kërkime për të përcaktuar impaktin e këtyre mutacioneve në kapacitetin e transmetimit të virusit me eficiencë, në impaktin e efektivitetit të vaksinave aktuale si dhe në mënjanimin e përgjigjes imunitare, si dhe në shkaktimin e llojit të patologjisë së lehtë apo të rëndë” , njofton “Africa Centers for Disease Control” (CDC). Sipas NGS-SA, një grup mutacionesh të njohur si 655Y + N679K + P681H janë të lidhur me futjen eficiente në qelizë, por sipas qendrës së mësipërme, këto mund të kenë ndikim edhe në mënjanimin e imunitetit të lindur, duke rritur kështu transmetueshmërinë. Gjithashtu, ky variant mbart edhe mutacionet e njohura si R203K+G204R, të para te variantet “Alpha”, “Gamma” dhe “Lambda”, të cilat gjithashtu janë të lidhura me rritjen e infektivitetit. Bazuar në këto të dhëna, OBSH-ja bazuar në të dhënat e grupit teknik të saj, e përcaktoi këtë variant si variant shqetësues dhe që është i lidhur me një ose më shumë nga ndryshimet e mëposhtme: rritje të transmetueshmërisë, uljen e efektivitetit të diagnozës, vaksinave dhe të terapisë. Një ditë më parë Maria Van Kerkohove, “COVID-19 Technical Lead at WHO” kishte thënë se: “Ky variant i evidentuar në Afrikën e Jugut ka më shumë se 100 sekuenca genomike që janë aktive. Në nuk dimë shumë gjëra rreth tyre akoma dhe shqetësimi është se kur kemi shumë mutacione, ato mund të kenë impakt në sjelljen e virusit”.

Deri më tani cilat janë të dhënat që kemi mbi simptomat që jep ky mutacion?

Të dhënat e deritanishme nga Afrika e Jugut flasin për “shenja jo të pazakonta” dhe ashtu si dhe në rastin e variantit “Delta”, disa individë janë asimptomatikë. Bazuar në faktin korrelacionet klinike dhe epidemiologjike ende nuk janë plotësisht të qarta, nuk mund të jepet që tani ndonjë masë urgjente. Afrika e Jugut, nga ana e vet, ka ndërmarrë studime për të parë nëse ky variant ndikohet apo i shpëton imunitetit nga vaksinat aktuale. Në këtë vend është vendosur një sistem në kohë reale për të monitoruar hospitalizimin dhe të dhëna të tjera për variantin. Të dhënat, nëse mutacionet janë të lidhura me ashpërsinë e sëmundjes apo nëse ky variant ka ndikim në performancën e mjekësisë terapeutike që aplikohet nëpër spitale. Një moment tjetër që ka ngritur shqetësimin është nëse ky variant i ri a mund të zbulohet apo jo nga testi i PCR? Sipas studiuesve të kësaj fushe në Afrikën e Jugut, është parë se ky variant ka një fshirje brenda genit S që lejon identifikimin e shpejtë të tij. “Megjithatë, ka edhe shumë targete të tjera (përfshi genet  N dhe RdRp), të cilët kanë mbetur të paprekur në studimet e bëra mbi 100 kampioneve në laborator, kështu që në përgjithësi testi i PCR ngelet i paprekur lidhur me ndjeshmërinë. Testet PCR kanë cilësi tipike që zbulojnë më së paku dy targete të ndryshme të SARS-CoV-2, të cilët shërbejnë si “backup” në rastin e një mutacionit në njërin prej tyre”.

Ku duhet përqendruar kujdesi për këtë variant të ri?

Të gjithë ekspertët theksojnë se vaksinimi ngelet pika kritike, sidomos për mbrojtjen e grupeve me risk të lartë kundrejt hospitalizimit dhe vdekjeve. Të dhënat në kohë reale flasin që një nivel i lartë vaksinimi është gjithashtu mjaft sinjifikativ në reduktimin e shtamit në sistemet shëndetësore. Shfaqja e variantit të ri tregoi se pandemia ende është larg bllokimit dhe sjellja e COVID-it është mjaft kritike në shkëputjen e zinxhirit transmetues. Maskat, distanca sociale, ventilimi i mirë në të gjitha hapësirat e përbashkëta si dhe larja e duarve e dezinfektimi i tyre si dhe i sipërfaqeve mbeten të rëndësishme. Prof. Wei Shen Lim, “Joint Committee on Vaçination and Immunisation” (JCVI) në Angli thotë: “Vaksinat që përdoren në Londër dhe në gjithë botën janë prodhuar duke pasur parasysh virusin e egër dhe jo për variantin e ri. Parë nga kjo pikë, aq e madhe është ‘mospërputhja’ midis vaksinave dhe variantit të ri, saqë ka ngritur idenë që varianti i ri ka të ngjarë t’i shpëtojë imunitetit nga ato. “Megjithatë – shton prof. Lim – ‘booster’-i, i cili krijon një superngarkesë për përgjigjen imune ofron një armë të mirë kundrejt variantit të ri”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.