KULTURË

Dr. Bledar Kurti: Modigliani dhe Jeanne Hébuterne, historia dashurore më tragjike e artit

10:03 - 03.12.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“I rrëmbyer nga vdekja në momentin e lavdisë” shkruhet në epitafin e Amedeo Modigliani, i varrosur në Père Lachaise, në Paris. Dhe poshtë emrit të tij, në të njëjtën pllakë varri, shkruhet: “Jeanne Hébuterne: Shoqëruese e përkushtuar deri në sakrificë ekstreme”. Cilido që nuk ka dëgjuar kurrë për Amedeo Modigliani (1884-1920), nuk mund ta dijë historinë më tragjike dashurore në historinë e artit. Ndërsa ata të cilët janë të njohur me veprat e tij, dhe artistët e sotëm në përgjithësi, ndiejnë menjëherë dridhma të thella sapo shohin ndonjë vepër nga dora e artistit, e në mënyrë të menjëhershme pushtohen nga një sërë emocionesh të shumëllojta, çuditërisht kontradiktore, që kanë të bëjnë me madhështinë por edhe me naivitetin; me bukurinë femërore por edhe me egoizmin; me linjat e brishta por edhe me format primitive; me ngjyrat e ndezura por edhe me sytë e errëta apo të zbrazëta; me nuanca jete por edhe me një vello të vdekjes; me një xhelozi artistike por edhe me një përulje ndaj finesës që shpalos ky artist në çdo portret apo trup që ai përjetësoi përmes penelit në kanavacë apo gdhendi me daltë në gurë. Në botën e artit Modigliani është shndërruar në mit, por edhe historianët dhe biografët, ndonëse përpiqen ta zbulojnë atë si njeri, arrijnë në të njëjtin përfundim, që artisti hebreo-italian jetoi një jetë ashtu siç do donim ne ta kujtonim atë, dhe jo siç ai ishte në të vërtetë. Edhe ne, artdashësit apo njohësit e estetikës dhe historisë, ndërkohë që inatosemi me faktin që një artist e shpërdoroi jetën e tij në mënyrën më të pakuptueshme, heshtim me përulje përpara veprave të mrekullueshme që ai la pas. Modigliani vdiq tragjikisht në moshën 35 vjeçare, më 24 janar 1920. Në ditën e tij të vdekjes, Jeanne Hébuterne, dashuria e tij, bashkëshortja e ardhshme, me të cilën ai kishte një vajzë 15 muajsh, shkoi ta shihte Amedeon për herë të fundit. Ajo nuk e puthi, por e shikoi atë për një kohë të gjatë pa thënë asnjë fjalë. Ajo memorizoi në kujtesën e saj fytyrën e të vdekurit pa hedhur sytë në asgjë tjetër. Dy ditë pas vdekjes së Amedeos, shtatzënë me një foshnjë nëntë muajsh në bark, duke mos dashur e mundur dot të jetonte pa njeriun që e kishte dashuruar aq shumë, u hodh nga dritarja duke humbur jetën e saj dhe të foshnjës së palindur. Kjo histori, nuk mund të mbetet pa flatruar në mendjen e çdo shikuesi të portreteve që Modigliani i bëri Jeanne. Madje tek të gjitha veprat e tij ndihet bukuria tragjike, e na duket sikur çdo penelatë ishte një profeci për fundin e artistit dhe femrës që dashuronte e cila e ndoqi atë deri në vdekje. Modigliani mbetet një mit. Në biseda ai përpiqej të ishte filozof dhe me krenari gjurmonte dhe e përmendte prejardhjen e tij nga Spinoza, filozofi i shquar hebreo-holandez i shekullit të 17-të. Ai ishte gjithashtu edhe poet, madje një poet i mirë. Njeri i formuar dhe i rafinuar. Pavarësisht se ai ishte italian, ai korrespondonte në frëngjisht me nënën e tij në Livorno, e cila ishte lindur e rritur në Marsejë. Nuk ishte i devotshëm ndaj besimit, e as fetar, por ai vazhdimisht e shpallte veten si një hebre. Ai ishte arrogant dhe mashkull simpatik, dhe femrat e kishin të vështirë t’i rezistonin. Ai besonte se artisti ishte një qenie superiore ndaj edhe jetoi e vdiq me këtë bindje: “Ne kemi të drejta të cilat të tjerëve u janë mohuar, sepse nevojat tona janë të ndryshme dhe na vendosin mbi kodin moral…” Dhe në një letër drejtuar mikut të tij. Oscar Ghiglia ai shkroi: “Detyra jote është të shpëtosh ëndrrat. Dashuria jote gjithashtu ka disa detyrime të dhimbshme, megjithatë ato krijojnë përpjekjet më të bukura të shpirtit… Ti duhet të konsiderosh si të shenjtë gjithçka që mund të përlëvdojë dhe të nxisë inteligjencën tënde. Përpiqu t’i sigurosh dhe t’i shumëfishosh stimujt e tillë, sepse vetëm ato mund ta nxisin trurin për fuqinë e vet krijuese. Për to duhet të luftojmë.”. Këto fjalë u shkruan kur ai ende nuk kishte mbushur njëzetë vjeç. Në fillim në karrierës së tij Modigliani e shihte veten vetëm si skulptor. Por për shkak të shëndetit të dobët që kishte, dhe sëmundjes së tuberkulozit, kur punonte drejtpërdrejt në gur, pluhuri i irritonte fytin dhe mushkëritë, kështu që i duhej të ndalonte vazhdimisht. Kur nisi të pikturonte ai arriti të krijonte menjëherë stilin e tij e unik. Një ndërthurje e ekspresionizmit dhe kubizmit, por vetëm fragmental, pasi ai evoluoi në artin e tij përtej përkatësive të rrymave dhe lëvizjeve artistike të kohës, duke krijuar një stil tejet të veçantë, sensual e plot delikatesë. I njohur si “Princi i Montparnasse”, Modigliani ishte skllav i impulsit dhe e menaxhoi jetën e tij në mënyrë të papërgjegjshme. Por ata që e njihnin, theksonin se ai nuk ishte aspak i tillë. Ai nuk ishte si ajo jeta që ai jetoi. Ai ishte vetëm një viktimë e rrethanave, gjykuan ata. Por nëse ishin rrethanat, apo bota e tij e brendshme, ose veset e tepruara me alkoolin, hashashin, opiumin, femrat, dhe sëmundja e tuberkulozit të cilën mundohej ta mbante të fshehur prej miqve, apo gjendja e rënduar ekonomike, të gjitha ndikuan që artisti të shuhej në moshë të re. Modigliani ishte më shumë sesa një artist, e ne sot mund ta konsiderojmë mitin e tij si një personazh libri apo filmi. Dhe, në fakt, në vitin 2004 një film i mrekullueshëm i titulluar Modigliani, me regji të Mick Davis, me aktorët Andy Garcia dhe Elsa Zylberstein, e risolli artistin edhe më shumë në vëmendjen e njerëzve, duke e ngritur edhe më lart mitin që tashmë kishte pothuajse një shekull që admirohej anembanë botës. Sot biografët e tij e kanë të vështirë të provojnë vërtetësinë e shumë aspekteve të jetës së tij, pasi ato duket sikur ishin gjithnjë të sajuara dhe idealizuara. Për shembull, Modigliani mburrej vazhdimisht se rridhte nga gjaku i Spinozës por filozofi i shquar nuk u martua kurrë dhe nuk pati asnjë lidhje me femra. Gjithashtu, ai pretendonte se i përkiste një familje bankierësh e cila kishte falimentuar duke shkaktuar vështirësi për fëmijërinë dhe jetën e tij, por mbi statusin e familjes së tij, e cila flitej se ishte një agjenci kreditimi me filiale në Livorno, Marsejë, Tunizi, dhe Londër, ka shumë diskutime, dhe kur lexojmë në ditarin e mamasë së tij se ai kishte qenë një fëmijë i llastuar, natyrshëm na ngrihen dyshime mbi interpretimet që ai i bënte ngjarjeve në jetën e tij.  Të gjitha këto dritë-hije të prejardhjes, bashkë me sjelljen e tij të pazakontë, herë si një Kazanovë e herë si endacak, herë si një fisnik e herë si një mjeshtër artist i çmendur dhe i droguar, e zbukuruan në mënyrë poetike personalitetin e tij, dhe me këto veti që shpaloste, veprat e tij intimiduan edhe artistët më të shquar bashkëkohës si Pablo Picasso, por edhe artistët e sotëm, për nga emocionet që përçojnë. Skulpturat dhe tablotë e tij të yshtin. Delikatesa e linjave dhe finesa e formave është e mahnitshme dhe e paprecedentë. Ai krijoi shumë prej portreteve më sensuale ndër shekuj, edhe pse pothuajse kurrë nuk i pikturoi sytë dhe këmbët e figurave në tablotë e tij. Modigliani tmerrohej prej simetrisë, dhe theksonte dallimet midis syve të figurave në vend që t’i bashkonte ato, duke e pikturuar shpeshherë njërin sy si një enë drite, dhe tjetrin si një shpellë të errët. Figurat shpalosen gjithmonë të holla e të varura, me tipare të zgjatura e të varura. Me qafë të gjatë si një mjellmë, supe të derdhura, dhe me gjymtyrë jashtë proporcionit anatomik të njeriut. Pothuajse të gjitha pikturat e tij kanë të përbashkët ngjyrën e ombrës, të verdhën, portokallinë dhe të kuqen, bojëkafenë, dhe ngjyrat e ngrohta në tërësi. Veprat e tij janë të mbuluara nga një nur i fortë emocional, dhe përçojnë një hijeshi lirike e cila i bën të parezistueshme. Ndihet dora e tij italiane, pasi edhe pse figurat janë të transformuara dhe të stilizuara, ai e ruajti gjithnjë traditën toskane të disegno, mjeshtërisë së vizatimit, e cila konsiderohej si “parimi aktiv krijues i arteve pamore.” Ai ishte manerist, dhe i shpaloste figurat e zgjatura në mënyrë të qëllimshme, në introspektivë, me fytyra që ngjasojnë më shumë si maska guri e druri sesa njerëzore. Linjat e tij kanë një bukuri e cila buron nga “natyra e qetë njerëzore,” tradita sieneze-fiorentinase në art, e shoqëruar me hijeshinë e stilit të Sandro Botticelli dhe me prekjen e Henri Matisse. Modigliani i studioi me vëmendje mjeshtrit fiorentin dhe venedikas, kryesisht Botticelli dhe Ticiani. Ky ndikim vërehet tek ngjashmëria që kanë qafat e gjata, supet e varura dhe gjymtyrët e stërzgjatura që shihen tek Primavera dhe Lindja e Venusit të Botticelli, dhe tek pozicionimi i nudove të tij të cilat ngjasojnë me Venusi i Urbinos i Ticianit. Duket qartë në çdo vepër që Modigliani e trajton çdo figurë porsi një Venus, dhe e shpalos të hyjnuar nga bukuria e mitizuar nga koha. Por përveç aureolës klasike, artisti ndoqi edhe instinktin primitiv. Portretet e tij janë si maska afrikane: me sy të zbrazura, hundë të gjata, qafë monumentale e buzë të vogla. Gjymtyrët shpalosen gjithnjë me linja të thjeshtuara të ndikuara nga arti primitiv. Në fillim të shekullit të njëzetë, artistët avangardë parisienë i përdorën mjetet jo-perëndimore të artit si një alternativë tërheqëse ndaj natyralizmit që favorizohej nga Akademia. Skulptura afrikane kishte ardhur në Evropë në fillim të viteve 1870-të, në formë shpërblimi për pushtimet koloniale dhe ekspeditat e shumta. Skulptura e maska afrikane gjendeshin kudo në tregjet e Evropës, në studiot e artistëve dhe intelektualëve, etj., dhe kjo shtyu artistët të pasionoheshin ndaj primitivizmit, e cila edhe i lejonte të përdornin instinktin bazik të njeriut në shërbim të krijimtarisë. Në linjat e Modigliani ka shpikje, thjeshtëzim dhe pastrim të formës. Kjo ishte arsyeja pse ai u tërhoq nga arti afrikan dhe u bë pionier modern i artit primitiv. Por, edhe pse karakteristikat afrikane dhe ato italiane ishin gjithmonë të pranishme në punën e tij, Modigliani ishte në thelb një evropian. Është e vështirë të përcaktohen ndikimet që çuan në formimin e stilit të tij të veçantë, pasi ai ishte në të vërtetë përtej dhe mbi tendencat e kohës në të cilën jetoi. Nuk është kurrë e lehtë të gjurmosh sfondin kulturor të një artisti origjinal: preferencat dhe afinitetet mbase mund të gjurmohen, por asgjë nuk mund të përjashtojë faktin se stili i tij ishte tërësisht origjinal. Vizioni i tij ishte bashkëkohor. Kjo është e dukshme në stilin e kompozimit, në lirinë e re që e lejon objektin të shihet vetëm si një pretekst, me përplasjen e ngjyrës, dhe shtrembërimin të dalë nga vizioni subjektiv i artistit dhe jo modelit. Tek vepra Jeanne Hébuterne Me Kapele (1919), nëse e krahasojmë me fotografitë e Jeanne, dallojmë që portreti nuk ngjason shumë me të, por pavarësisht kësaj, ne arrijmë të ndiejmë natyrën, melankolinë, dhe bukurinë e saj, ose më saktë, ne arrijmë të prekim vetë artistin. Në të gjitha tablotë e tij, edhe në portretet e tjera të Jeanne, nudot, dhe figura të ndryshme, kuptojmë që Modigliani pikturoi më shumë veten e tij sesa modelet. “Çdo portret që është pikturuar ndonjëherë,” u shpreh Oscar Ëilde, “është portret i artistit dhe jo i modelit”. Tablotë me nudo të Amedeo Modigliani konsiderohen si veprat më erotike në historinë e artit. Ato rrezatojnë një sensualitet dhe elegancë flakëruese. Në to, trupi dhe silueta femërore shkon përtej formave njerëzore, ato janë të skicuara e mbuluara me eros dhe idealizëm femëror. Tablotë e Modigliani, qofshin ato portrete dhe nudo në pikturë apo skulpturë, shpërfytyrimi me anë të formave ovale dhe cilindrave, syve të turbullta në fytyrat e zgjatura të përkulura mbi cilindrat e qafave të mjellmës bashkohen në një ritëm harmonik me trupat oval. Por, pavarësisht kësaj, kurrë nuk vërehet një marrëdhënie e pastër gjeometrike plot me simetri dhe llogaritje. Theksi që ai krijon shprehet përmes një metri dhe stili të vetin, shpeshherë asimetrik në lëvizje dhe me një theksim të shtrembëruar të detajeve të caktuara. Ngjyra është elementi më thelbësor në vizionin e tij delikat dhe lirik, e madje ka edhe ngjyra në linjat e pastra të siluetës. Jeta e Modigliani do mbetet gjithmonë një mit, pasi ai jetoi përmbi çdo standard tradicional, porsi një bir yjesh apo i lindur në romane, por veprat që la pas janë ato të cilat e justifikojnë më shumë ekzistencën e tij në univers, pasi përmes tyre ne përjetojmë ndezullinë që na shkakton fytyra dhe vështrimi i syve të artit, të cilat, ashtu siç i pikturonte Modigliani, herë na shfaqen si enë drite, e herë si porta të errëta drejt mistereve të epokave. Sa herë që gjenden përballë tablove të tij shikuesit pyesin se çfarë qëndron pas atyre maskave me trajtë njerëzore, dhe siç shkruhej në një gazetë amerikane mbi veprat e tij, “ata mund të marrin shumë përgjigje.” Dhe a nuk është kjo fuqia e artit? Të na drejtojë drejt zbulimit të misterit? “Ai ishte një artist i vërtetë,” shkroi një bashkëkohës i tij artist, “pasi ai shprehu një vizion personal mbi botën. Plot forcë dhe mjeshtëri artistike.” Por edhe në ditët e sotme, mjeshtëria artistike dhe arti i Amedeo Modigliani eklipsohet disi nga legjenda e jetës së tij. Dhe, ndoshta ne nuk duhet të guxojmë t’i ndajmë ato, e as të kuptojmë Amedeon, pasi vetë artisti dëshironte që të ndodhte kështu. Arti dhe jeta të bashkuara mistershëm në përjetësi. Vajza e tij, Jeanne Modigliani, e cila mori emrin e nënës, shkruan kështu për babanë e saj Amedeo: Kështu janë gjenitë – fëmijërorë, qesharakë, egoistë dhe të vështirë për t’u kuptuar. Njerëz të qëndrueshëm e të arsyeshëm si ne, të vetëdijshëm për përgjegjësitë tona, mund t’i pranojnë ata, e në fund madje mundemi që t’i admirojmë ata, por kurrë nuk mund të shpresojmë që t’i kuptojmë ata. Materiali marrë nga Gazeta Exlibris.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.