OPINION

Konica-diplomat në Amerikë si “një reklamë shëtitëse e Shqipërisë”

09:00 - 03.12.21 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Viti 1926 është një vit me rëndësi në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Në këtë vit mori fund ajo anomali që, megjithëse marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA ishin lidhur që në 1922, Shqipëriapër më shumë se katër vjet nuk kishte as legatë dhe as ministër fuqiplotë në Washington, në kohën që Amerika kishte të tillë në Tiranë. Sidoqoftë, ky nuk ishte një ngërç diplomatik shqiptaro-amerikan, por një sherrnajë politike shqiptare, e brendshme. Mënyra sesi u kapërcye kjo është një provë e efektit moderues që kishte nisur të bënte te palët konfiktuale politike shqiptare, koncepti i tyre i përbashkët për rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Ahmet Zogu, i cili u bë president i Shqipërisë në 1925 dhe Fail Konica, ishin dy kundërshtarë të egër politikë, të cilët nuk mund të jetonin dot të dy bashkë në Shqipëri. Por ata bënë një kompromis për shkak të konceptit të përbashkët që kishin për rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, që Konica të ishte përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Washington, i dërguar nga Zogu, dhe të vinte në Shqipërinë e sunduar nga Zogu aq sa duhej minimalisht të shkelte në vendin e tij një zyrtar që mbante këtë detyrë të lartë, një herë kur të merrte emërimin dhe herën e dytë kur kryetari i shtetit të shpallej mbret. Ky mund të quhet pajtimi i parë që Amerika iu ka bërë palëve kundërshtare politike në Shqipëri, vetëm me hijen e saj si të thuash, pa ndërmjetësimin e ambasadorëve të saj në Shqipëri, siç ka ndodhur shumë herë më vonë, deri në ditët tona.




Pas këtij kompromisi, më në fund, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë i dërgoi Departamentit të Shtetit në Washington emrin e Faik Konicës për të marrë pëlqimin për të si ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA. Vetë kërkesa ka përbërë lajm të bujshëm jo vetëm në Departamentin e Shtetit, por edhe në Shtëpinë e Bardhë, në kuptimin humoristik të fjalës, për shkak të vonesës së madhe të saj, dhe kjo kuptohet nga fakti se kur shkresa i vajti për pëlqim Presidentit amerikan Coolidge, ai shkruajti me një ironi të lehtë mbi letrën e sekretarit të Departamentit të Shtetit Frank Kellogg që e njoftonte se Presidenti i Shqipërisë kishte emëruar si ministër fuqiplotë në Washington z. Faik Konica:

“Done. Let him come!” (E bërë, le të vijë!)

Ministri fuqiplotë shqiptar në Washington po vinte më shumë se katër vjet pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike, në tetor 1926, por kjo vonesë nuk ishte për faj të SHBA. Sidoqoftë, Konica që në 16 korrik 1926, kishte shkelur në Departamentin e Shtetit, në Washington me letrat kredenciale në xhep si i pari përfaqësues diplomatik i rregullt i Shqipërisë dhe u prit nga Sekretari i Departamentit të Shtetit, Kellogg. Më 8 tetor 1926, Faik Konica shkeli në Shtëpinë e Bardhë, si i pari përfaqësues i rregullt diplomatik shqiptar në rangun e ministrit fuqiplotë. Atje ai u prit në sallën ovale nga Presidenti Coolidge. Për herë të parë një diplomat shqiptar, tha në Shtëpinë e Bardhë fjalët:

Unë kam nderin që sot t’ i paraqes Shkëlqesisë Suaj letrat kredenciale, që vërtetojnë se Presidenti i Republikës së Shqipërisë më ka emëruar mua si të Dërguar të Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë në SHBA.

Nëqoftëse në Washington ishte krijuar një përshtypje e keqe për Shqipërinë, për shkak të mungesës katërvjecare të përfaqësuesit diplomatik të Shqipërisë atje, Konica me sjelljen e tij bëri që kjo të harrohet dhe Shqipëria e parë nëpërmjet personit të tij, të jetë me një imazh që ishte ndjeshëm më i mirë se realiteti i vendit.

Menjëherë pas akreditimit, Faik Konica bëri një gjest që buronte nga natyra e tij kalorsiake i cili bëri përshtypje të madhe në Amerikë. Ministri fuqiplotë shqiptar shkoi në Katedralen Kombëtare të Washingtonit, në atë pjesë të saj që quhet Kapela e Betlehemit. Atje ishte varri i ish-Presidentit Wilson. Ministri fuqiplotë shqiptar kishte me vete një kurorë të jashtëzakonshme që rrallë ishte parë edhe si madhësi. Kurora me trëndafila rozë dhe të bardhë kishte një mbishkrim: “Nga Republika Shqiptare”.

Me këtë gjest Konica donte të kompensonte atë përshtypje të keqe që kishte bërë Shqipëria me rastin e funeralit të Wilsonit në 1924, kur për shkak se vendi ynë nuk kishte një ministër fuqiplotë në Washington, nuk kishte mundur t’ i bënte zyrtarisht nderimet që meritonte ky njeri të cilit Shqipëria i detyrohej aq shumë. Me këtë gjest të vonuar jo për fajin e tij, Konica donte t’ i tregonte Amerikës dhe botës se Shqipëria dinte të ishte mirënjohëse. Përveçse një detyrim ndaj Wilsonit, ky gjest ishte një veprim i zgjuar në public relations. Ky gjest nuk i shpëtoi shtypit të madh amerikan. “Albanian Minister at Tomb of Wilson” shkruante “Washington Post” në 26 tetor 1926.

Që nga ky çast Konica me veprimet e tij do të ishte në vëmendjen e shtypit të madh amerikan. Madje mund të thuhet se asnjë ambasador tjetër shqiptar në SHBA, madje në botë nuk ka arritur që të jetë protagonist në vendin ku është akredituar, si dhe të jetë i pranishëm në shtypin e madh të atij vendi, sa Faik Konica. Dhe këtë e arriti falë cilësive individuale, si intelektual me kulturë të madhe që bënte përshtypje dhe në rrethet elitare amerikane, jo si ambasador i një vendi të vogël. Konica është i vetmi ambasador shqiptar deri më sot, që ka arritur të krijojë një reputacion si intelektual në Amerikë, përtej rrethit të shqiptarëve të atjeshëm. Konica, me njohuritë e tij shumë të mëdha për artin, duke përfshirë pikturën dhe skulpturën, u bë i ftuari i preferuar i galerive të mëdha amerikane dhe kjo anë e veprimtarisë së tij pasqyrohej edhe nga shtypi i madh amerikan.

Në vitin 1932, kur Konica ishte një nga të ftuarit special në ceremoninë e hapjes së galerisë Sears Roebuck, gazeta e njohur Washington Post shkroi:

Ministri fuqiplotë shqiptar, në një galeri arti, gjendet njëlloj sikur të ishte në shtëpinë e tij. Ai është i njohur te shumë nga miqtë e tij të afërt, vecanërisht gazetarët, për njohuritë që ka për veprat e artit bashkëkohor, dhe për vëzhgimin e mprehtë dhe kujtesën e jashtëzakonshme në këtë fushë. (Washington Post, 6 nëntor 1932)

Ministri fuqiplotë shqiptar nuk mund të mos binte në sy të shoqërisë së lartë të Uashingtonit duke qenë se ai ishte një nga spektatorët më të rregullt të sezonit të muzikës klasike në Constitutional Hall ku jepte koncerte Orkestra Simfonike Kombëtare Amerikane dhe në vazhdim të sezonit jepeshin edhe operat më të famshme botërore. Konica pati rastin një herë që të bisedonte në një pritje në Washington me dirigjentin më të madh të kohës në rang botëror, Arturo Toskanini dhe të dy u bënë miq që nga ai çast, një miqësi që u rrit sepse Toskanini emigroi në SHBA, për shkak se ishte kundërshtar i regjimit fashist italian.

Konica, gjatë studimeve të tij për historinë e Shqipërisë, kishte studiuar thellësisht edhe Katolicizmin, jo vetëm në Shqipëri, por edhe atë europian. Këto njohuri e bënë atë të njohur në rrethet intelektuale katolike në SHBA, ku kishte një popullsi të madhe katolike. “The Chicago Daily Tribune”, një nga gazetat më të mëdha të Amerikës në atë kohë, shkruante për Konicën në 1933:

  1. Faik Konica, Ministri fuqiplotë shqiptar, megjithëse është mysliman, por njihet si një autoritet në fushën e njohurive për Katolicizmin, aq sa është një mik i mirëpritur në Legatën e Irlandës.

Ndonëse Irlanda është një vend i vogël katolik në Europë, në Amerikë ambasada e saj ishte në atë kohë dhe është edhe sot një qendër e rëndësishme, sepse në SHBA ka një komunitet të madh irlandez.

Për arsyen e përmendur më lart, Konica ishte i mirëpritur në Universitetin Katolik të Washingtonit ku e ftonin për ligjërata me studentët dy miqtë e tij studiues të njohur, profesori i latinishtes në këtë universitet, Joseph Patrick Christopher dhe profesori i historisë së kishës, John K. Cartëright.

Kur në 1935 një shtëpi botuese e njohur e kohës në Amerikë, “Robert McBride & Company” vendosi që të botonte edhe një histori të shkurtër të Shqipërisë, në kolanën e saj me libra të tillë nga vende të ndryshme të botës, iu drejtua për këtë qëllim Konicës, si studiues, jo si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë, duke i kërkuar që të ishte ai vetë që do ta shkruante librin, jo t’ i kërkonte që si ministër fuqiplotë, t’ i sugjeronte emrin e ndonjë studiuesi tjetër shqiptar.

Konica nuk e përfundoi dot librin sa kohë ishte gjallë dhe libri u botua vetëm në 1957, kur Qerim Panariti e përfundoi mbi bazën e shënimeve të Konicës. Është fjala për librin e njohur të Konicës “Shqipëria: kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”.

Konica shkonte çdo verë për pushime në resortin turistik luksoz bregdetar në Swampscott pranë Bostonit. Ai qëndronte në Hotelin “Ocean House” ku vinin Presidentë, senatorë, shkrimtarë të njohur, yje të kinemasë etj. Meqënëse Konica tanimë llogaritej si një anëtar i shoqërisë së lartë amerikane, nisja e tij për pushime përbënte lajm për shtypin e madh amerikan. Gazeta “The Washington Post” kur tregonte se ku do të kalonin pushimet e verës njerëzit e shquar të Amerikës, thoshte gjithashtu:

“Konitza to Leave for Sëampscott” (The Ëashington Post, 15 korrik 1939)

Si kurorëzim i famës intelektuale që arriti Konica në SHBA ishte çmimi “High Hat”(Kapelja e Lartë) që iu dha në 1938, pak kohë para se të linte detyrën, nga revista elitare amerikane “The Judge”. Këtë çmim që ndahej në një ceremoni ku merrte pjesë elita e shoqërisë amerikane, e kishin marrë para Konicës disa nga njerëzit më të famshëm të Amerikës, që nga Presidenti në pushtet, Roosevelt, guvernatori i New York Thomas Dewey, piloti i famshëm Charles Lindbergh, drejtori legjendar i FBI Edgar Hoover etj. Motivacioni me të cilin iu dha ky çmim Faikut, në një darkë të dhënë për nder të tij në një restorant të famshëm në Washington, ishte vlerësimi i merituar për të, që nuk i bëhej nga elita e shoqërisë amerikane:

Në dymbëdhjetë vjetët e shkuar ai ka përfaqësuar përbukuri mbretërinë e tij ballkanike në Shtetet e Bashkuara; ka dëshmuar mirëkuptim për vlerat humane dhe politike; e ka këshilluar mbretin e tij që ta abrogojë postin e tij diplomatik; ka një dhunti të mprehtë për t’ u shprehur dhe një shpirt sportive brilant; sensi i tij i shkëlqyer i humorit i jep mundësi që të qeshë me gëzim me të tjerët, përposë faktit se ndaj kujt qesh; e ka bërë të respektuar zyrën e ministrit fuqiplotë; është besnik i madh ndaj Mbretit të tij, dhe me këtë ka fituar mirëkuptimin dhe respektin e qytetarëve amerikanë; cilësitë e tij fisnike të shumta, nuk i shpreh me bujë.(“The High Hat Aëard for April”, The Judge, numri i prillit 1938, f. 27)

Me rastin e kësaj ceremonie Konica mbajti një fjalim të gjatë që rrezeatonte kulturë të lartë dhe që është i njohur pasi është botuar në veprat e tij.

I gjithë ky publicitet që kishte Konica në SHBA shkonte edhe në dobi të Shqipërisë, pasi në çdo rast ai përmendej si përfaqësuesi diplomatik i saj. Dhe amerikanët që nuk e kishin parë kurrë Shqipërinë, formonin një mendim të mirë për këtë vend, duke u nisur nga përfaqësuesi i tij diplomatik.

Por Konica ishte shumë i angazhuar edhe në punën e tij të drejtpërdrejtë si diplomat. Ai punoi për arritjen e një serie marrëveshjesh ndërshtetërore me SHBA, ndoshta numri më i madh i marrëveshjeve ndërshtetërore që një vend i vogël si Shqipëria ka arritur të lidhë brenda një kohe të shkurtër me SHBA. Në 1936, Konica arriti që t’ i siguronte Mbretit Zog një ftesë nga ana e Presidentit Roosevelt për të bërë një vizitë zyrtare në SHBA, por Zogu në çastin e fundit e anuloi vizitën. Ishte koha kur liderë të vendeve ku e ku më të rëndësishëm se Shqipëria dëshironin të siguronin një ftesë nga Roosevelti, nga presidenti i bërë i famshëm pasi e nxorri me sukses vendin e tij të madh nga kriza ekonomike botërore dhe çdo vend donte ndihmën e SHBA. Këtë ftesë kaq të dëshiruar nga shumë kolegë të tij diplomat në Ëashington, Konica e ka siguruar me sa duket falë miqësisë së njohur që kishte me Sumner Welles, mikun dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të Rooseveltit.

Refuzimi i ftesës për vizitë zyrtare në SHBA, nga ana e kryetarit të shtetit shqiptar do të përbënte një incident serioz në marrëdhëniet midis vendeve, në rast se nuk do të kishte arsye që e justifikonin këtë gjë. Prandaj kjo çështje meriton një analizë më të thellë.

Duke refuzuar ftesën e siguruar nga Konica për një vizitë zyrtare në SHBA, Zogu humbi rastin që të bëhej kryetari i parë i shtetit shqiptar që vizitonte zyrtarisht Amerikën. Zogu e kishte të qartë se kjo ishte një humbje e madhe për të, ai e dinte rëndësinë e një vizite të tillë, se dy vjet më pas çoi motrat e tij për vizitë në SHBA. Zogu ka pasur arsyet e tij që e ka refuzuar ftesën. Qëndrimi i Zogut ndaj ftesës së Rooseveltit duhet parë në dy këndvështrime. I pari nëse Zogu ishte në dijeni për përçapjet që po bënte Konica në Washington për t’ i siguruar atij një ftesë për një vizitë zyrtare. I dyti nëse Zogu nuk ka qenë në dijeni. Dhe kur shtrohet pyetja nëse Zogu ka qenë në dijeni, është fjala nëse ka qenë në dijeni konkretisht për përçapjet e Konicës ndaj Rooseveltit që ishte në atë kohë president, apo nëse Zogu ka qenë në dijeni, në parim, që kur e nisi Konicën në Ëashington në 1926, se ministri i tij fuqiplotë do të bënte përpjekje për të siguruar një ftesë për të për vizitë zyrtare në Amerikë.

Nëqoftëse Zogu ka qenë në dijeni, konkretisht, për përçapjet e Konicës ndaj Rooseveltit,  atëherë arsyeja e refuzimit mund të ketë presioni i italianëve ndaj Zogut, pasi Mussolini do të jetë bërë xheloz për këtë zhvillim të papritur në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

Nëqoftëse Zogu nuk ka qenë në dijeni për përçapjet e fundit të Konicës pranë Shtëpisë së Bardhë, por Konica ka vepruar thjesht mbi bazën e udhëzimit që mori kur u nis në Amerikë në 1926, atëherë arsyet e refuzimit mund të kenë qenë këto:

Zogut i ka ardhur e papritur ftesa, sepse ai nuk e ka menduar kurrë se Konica do të arrinte ta siguronte një ftesë të tillë. Kur ia kë vënë këtë si objektiv, Zogu, me dinakërinë e tij, ka dashur që ta verë ambasadorin e tij në SHBA, në një situatë që ta kishte gjithmonë kokën ulur para tij për shkak të këtij dështimi. Pra Zogu në mendjen e tij ka dashur ta ngarkojë Konicën me një mision të pamundur.

A mund të ketë qenë arsyeja e refuzimit të ftesës nga Zogu, ajo se ai nuk donte të ballafaqohej me kundërshtarët e tij politikë që jetonin në Amerikë? Jo, sepse në atë kohë Zogu ishte pajtuar me Nolin, të cilit i kishte dërguar dhe një ndihme financiare kur ky kishte pasur nevojë për arsye shëndetësore. Zogu si duket hezitoi të shkonte në Amerikë në 1936, jo për arsye se në rastin e vetëm që kishte udhëtuar jashtë vendit në 1931, atij i kishin bërë atentat, në Vienë. Sigurisht që Zogu nuk kishte frikë se kjo gjë mund t’ i ndodhte gjatë vizitës zyrtare në Amerikë. Por duket se Zogu kishte frikë të largohej nga Shqipëria për një kohë të gjatë, në 1936, për shkak se në vitet e fundit ndaj tij ishin bërë disa puçe, që synonin ta rrëzonin nga pushteti. Një vizitë e tillë në Amerikë në atë kohë bëhej duke udhëtuar me anije që do të merrte rreth dy javë kohë vajtje-ardhje. Përveç kësaj, nëqoftëse Zogu do të vizitonte Amerikën, atij do t’ i duhej që përveç Uashingtonit të vizitonte dhe Bostonin, qendrën e komunitetit shqiptar atje, në atë periudhë. Gjatë kësaj kohe në Shqipëri mund të ndodhte një puç dhe ta rrëzonin nga pushteti. I fundit kishte ndodhur vetëm pak kohë më parë.

Sidoqoftë, edhe Konica nuk është fare pa “faj” në këtë histori, se ai me humorin e tij të njohur, nuk është se nuk ka dashur t’ ia bëjë surprizë Zogut ftesën e Rooseveltit, dhe ka mbetur ngushtë, kur ajo u refuzua. Zogu sidoqoftë e refuzoi me mirësjellje ftesën, me anë të një letre, ku duhet të ketë pasur dorë edhe Konica dhe ku si shkaku kryesor i refuzimit jepej se:

punët e shtetit e bëjnë të domosdoshme në këtë çast praninë time në vendin tim. (Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, vitet 1933-36, 8 gusht 1936)

Presidenti amerikan duket se e ka mirëkuptuar hallin e mbretit ballkanik dhe ky refuzim nuk la ndonjë hije në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Kjo gjë kuptohet nga fakti se kur motrat e Zogut vizituan SHBA në 1938, ato u pritën në Shtëpinë e Bardhë për çaj nga Zonja Roosevelt dhe nga Presidenti Roosevelt.(“Zog’ s Sisters Have Tea With Mr. and Mrs. Roosevelt”, The Neë York Times, 5 mars 1938)

Sidoqoftë Faik Konica ka ndjerë një kënaqësi që ai mundi të hynte në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa armiku i tij i vjetër me të cilin ishte miqësuar më vonë, Zogu, jo. Konica si diplomat në Uashington mbetet një figurë e ndërlikuar, që ka akoma nevojë për t’ u studiuar. Ilir Ikonomi, në librin e tij për Faik Konicën si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Uashington, e le të hapur studimin për Konicën kur thotë:

Gjithmonë jam ndalur shpesh të pyes veten se cfarë roli luante në thelb Faiku si diplomat në Uashington. Nuk mund të mohohet se me erudicionin e tij ai e kishte sjellë Shqipërinë në vëmendje të shumë amerikanëve. Dija i jepte pavarësinë që i duhej për të arritur të mbronte shtetin e krijuar me aq mundim nga patriotët shqiptarë. Me zellin prej nacionalisti, ai ishte bërë një reklamë shëtitëse e Shqipërisë. Përpiqej të reklamonte mes amerikanëve se Shqipëria ishte tashmë një vend i qëndrueshëm, që po hynte në rrugën e zhvillimit njëlloj si shumë kombe të tjerë. Zogu, nga ana e tij, si njeri pa përvojë në punët e politikës ndërkombëtare, me ose pa dëshirë i kishte lënë Faikut hapësirë të madhe veprimi. Por, duke shërbyer zyrtarisht si diplomat, Faiku e pa veten të dobishëm edhe për të mbajtur gjallë dashurinë për vendin e të parëve mes shqiptarëve të Amerikës. (Ilir Ikonomi: “Faik Konica: Jeta në Uashington”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2011, f. 166-167)

Përcaktimi që Ikonomi i bën Konicës-diplomat si “një reklamë shëtitëse e Shqipërisë” është më i gjeturi për të, gjatë kohës që ishte me detyrë në Amerikë si përfaqësues i Shqipërisë. Njerëzit që kanë ardhur pas tij në postin e ambasadorit shqiptar në Washington, e kanë përdorur këtë post për t’ i bërë reklamë vetes dhe madje janë përfshirë edhe në skandale tenderash deri edhe për punët rregullimit të mjediseve të brendshme të ambasadës. Përveç punëve të tyre personale ata janë marrë edhe me punë përcarëse politike në komunitetin shqiptar atje, sipas interesave të tyre partiake në Shqipëri. Fatkeqësisht jemi akoma shumë larg kohës kur do të kemi përsëri një “Konicë” si ambasador në Washington, madje edhe një të tillë që t’ i afrohet atij sadopak. Konica mbetet një “stekë” shumë e lartë për t’ u kapërcyer nga ambasadorët tanë në Amerikë dhe jo vetëm në Amerikë.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.