KULTURË

Bashkëkohës me Marubin, nga Stambolli në Kajro

14:35 - 04.12.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ekspozita “Pietro Marubbi dhe fotografët e Perandorisë Osmane” vjen e shoqëruar me botimin “Photographers in the Ottoman Era From Istanbul to Shkodër” (Fotografë të Periudhës Osmane nga Shkodra në Stamboll). Botimi hedh dritë mbi krijimtarinë e Vëllezërve Abdullahyan, Vëllezërve Gülmez, Pascal Sébah, Vasilikis Kargopoulos, Félix Bonfils, Guillaume Berggren, Nikolaos Andriomenos, Bogos Tarkulyan (Phébus), Bahriyeli Ali Sami, stampimet e të cilëve ruhen sot në albumet fotografike të koleksionit të Sulltan Abdyl Hamitit II. Krahas fotografëve më të famshëm të Perandorisë Osmane, gjejmë edhe fotografitë e Pietro Marubbi-t, disa në bardh e zi e të tjera të ngjyrosura përsipër, pamje të qyteteve, shkollave dhe njerëzve me veshjet tradicionale, që i gjejmë të tregtohen edhe në formën e kartolinave me mbishkrimin “Souvenir de Scutari d’Albanie”. Renditja e Pietro Marubbi-t përkrah disave prej emrave më të njohur të historisë së fotografisë botërore dëshmon edhe njëherë rëndësinë e kësaj studioje fotografike, imazhet e së cilës ishin ndër të parat që ia prezantuan Shqipërinë botës.
GUILLAUME BERGGREN (1835-1920)
Berggren, një ndër fotografët më të talentuar të epokës osmane, u lind në Stokholm më 20 mars 1835. Ai udhëtoi në Evropë më 1855 dhe la Stokholmën me anije e punoi në studiot e qyteteve të ndyshme europiane për pak kohë. Erdhi në Stamboll më 1866 dhe u vendos aty. Deri në vitet 1870, punoi në një biznes të lidhur me udhëtimet detare në Stamboll. Në fillim të 1870-tës, hapi një studio fotografike në Pera.
Berggren shkrepi fotografitë e peizazheve më të bukura të Stambollit, veçanërisht të Bosforit, bregdetit të tij, rrugëve dhe njerëzve që gjindeshin rrotull, duke përdorur teknikën e tij të posaçme. Panorama e ndarë në dhjetë pjesë e Bosforit, nga ana e Anadollit, u përgatit nga Berggren përgjatë viteve 1875-1876 dhe panoramat me tetë dhe dhjetë pjesë të marra nga Gallata dhe Kulla e Beyazit janë jashtëzakonisht të bukura e me vlerë. Berggren si shumë kolegë të tij të tjerë, i rifotografoi këta peizazhe dhe panorama çdo tre deri në pesë vjet. Në udhëtimin e tij nga Anadolli me Colmar Freiherr von der Goltz gjatë ndërtimit të hekurudhës së Bagdatit, ai shkrepi shumë fotografi të qyteteve nga treni.
Imazhet e Konias, Bursës, Aksehir-it, Bilecik-ut, Manisa-s dhe Izmirit janë ndër dokumentët më të rëndësishëm që reflektojnë periudhën dhe aplikime të bukura të teknikave të fotografisë. Ai fotografoi në tarracën e ndërtesës së ambasadës, edhe Mbretin Oskar II të Suedisë bashkë me familjen e tij kur erdhën për vizitë në Stamboll më 1885.
Kur ia prezantoi albumin me fotografi të kësaj ndërtese mbretit, atij iu dha një titull nderi. Guillaume Berggren, i cili pati një marrëdhënie me njërën nga zonjat e Pallatit Osman, vdiq më 1920 në moshën 85 vjeçare. Mbesa e tij Hilda Ulin ia varrosi pajisjet fotografike në arkivolin e tij. Varri i tij ndodhet në varrezat suedeze të Feriköy, Stamboll.




Vëllezërit Abdullah, Ngjitje në majë të një piramide në Kairo Guillaume Berggren - Copy Phébus, Pallati i Halil Rifat Pashës në Stamboll VËLLEZËRIT GÜLMEZ Guillaume Berggren Pascal Sébah, Burrë afrikan dhe grua arabe në Egjipt
<
>

VËLLEZËRIT GÜLMEZ
Janë të njohur për shkrepjet e tyre të Stambollit rural. Ata hapën një studio në Pera më 1870. Këta tre vëllezër fotografë u emëruan ‘Fotografë të Sulltanit’ dhe morën medalje nga Pallati. Ata morën po ashtu edhe medaljen e artë më 1887 në Firence dhe më 1893 në ekspozitat e Çikagos.
Studioja Gülmez, e drejtuar nga tre vëllezërit Yervant, Kirkor dhe Artin, është e njohur për serinë e portreteve, panoramave dhe veçanërisht të peizazheve të Stambollit të gjysmës së dytë të 1880-ës. Fotografitë që kanë mbijetuar nga kjo seri, të cilat përfshijnë arkitekturën e Stambollit dhe imazhe të Bosforit, na tregojnë se Vëllezërit Gülmez përdorin teknika të avancuara. Përveç panoramave dhe studimit të peizazheve nga Vëllezërit Gülmez, ka po ashtu një seri për modën dhe shitësit e rrugëve. Në vitet në vazhdim, rritja e konkurrencës në fotografinë e portretit dhe peizazheve, ia vështirësoi jetesën tre vëllezërve të cilët kishin si burim të ardhurash të njëjtën kompani. Yervant, Kirkor dhe Artin e mbyllën biznesin duke ia shitur studiot e tyre fotografit Asil Samanci, në fillim të viteve 1900.
Ndërkohë, emri i kompanisë u bë Apollon Photography. Pas kësaj periudhe, Apollon Photography House vijoi me fotografinë e portreteve të anëtarëve të familjes mbretërore dhe morën titullin ‘Fotografë të Pallatit’, ndonëse ishte vetëm titull nderi.
PHÉBUS EFENDI (BOGOS TARKULYAN)
(?-1940?)
Fotografi me origjinë armene Bogos Tarkulyan është një artist i rëndësishëm i cili la gjurmët e tij në historinë fotografike të Stambollit gjatë periudhës osmane dhe asaj republikane. Tarkulyan fitoi reputacion të mirë, veçanërisht për portretet e tij, gjatë karrierës profesionale e cila zgjati më shumë se gjysëm shekulli.
Bogos Tarkulyan e mësoi fotografinë nga Vëllezërit Abdullah dhe hapi një studio në emrin e tij më 1882. Ai ia ndërroi emrin kompanisë në Phêbus (Phoebus) më 1886. Artisti e zgjodhi vetë emrin, i cili përdorej gjërësisht nga klientët e tij, familja dhe miqtë. Do të thotë “që lëshon dritë” ose “i ndritshëm” dhe është emri i dytë i perëndisë greko-romane të diellit, Apollon. Kjo është arsyeja se pse shumë letra dhe fatura janë të firmosura si Paul Phébus.
Thuhej se nuk kishte figura të rëndësishme osmane që të mos kishin pozuar të paktën një herë para aparatit fotografik të Bogos Tarkulyan-it në studion Phébus në Beyoglu. Në fakt, Bogos Tarkulyan shkrepi një ndër portretet e rralla të Abdyl Hamitit II, në këmbim të të cilit ai u lidh me një zonjë të Pallatit dhe u shpërblye me pesëdhjetë monedha ari.
PASCAL SÉBAH (1823-1186)
Njëri prej fotografëve më të famshëm të asaj periudhe ishte Pascal Sébah, i cili dokumentoi panoramikat dhe jetën e përditshme të Stambollit të shekullit XIX në një seri artistike perfekte. Ai hapi studion e tij të quajtur “El Chark Societe Photographic” në Pera, në Postacilar Street më 1857, dhe realizoi serinë e tij të parë fotografike të Stambollit më 1862. Përveç dekoratave që mori nga sulltanët osmanë, Pascal Sébah mori edhe medalje në ekspozitat e Parisit, Vienës dhe Filadelfias më 1870 dhe 1878. Reputacioni i tij vetëm u rrit nga panoramikat mbresëlënëse, fotografia stereoskopike, peizazhet, skenat e jetës së përditshme në Lindje, që nga Bursa, në bregdetin Egje e deri në Athinë, Egjipt, Libi. Në biznes me fotografin Polycarpe Joaillier (1848-1904) i cili punoi në Stamboll mes viteve 1884 dhe 1885, më 1887 Pascal Sébah ia ndërroi emrin studios në Sébah& Joaillier, gjë që ia ushqeu famën deri në ditët e sotme. Më shumë se 1660 fotografi nga 2000 të realizuara në studio, janë imazhe të peizazheve të Stambollit, modës, profesioneve të ndryshme dhe shitësve të rrugës.
Studioja i shiste turistëve të pasur që vinin në Stamboll, fotografi dhe panorama të Stambollit të shkrepura në intervale të ndryshme si dhe volume të monogramuara, si suvenirë të çmuar të udhëtimit të tyre. Polycarpe Joaillier e la biznesin në fillim të viteve 1900 dhe u kthyer në Francë ku së bashku me të birin Gustave Joaillier, hapën një studio fotografike në Paris. Kompania Sébah& Joaillier e ka ruajtur reputacionin e saj të shkëlqyer që nga dita kur është çelur.
VËLLEZËRIT ABDULLAH (ABDULLAH FRÉRES)
Viçen Abdullahyan (?-1902) filloi të punonte me artistin gjerman të dagerrotipisë gjerman Rach, që punonte në Beyoglu që nga viti 1856. Viçen, i cili e mësoi fotografinë në këtë mënyrë, ia bleu studion më 1858 dhe filloi ta drejtonte nën emrin e tij. Nga fundi i 1860-tës, ai ia ndryshoi emrin kompanisë nga “Viçen Abdullah Fréres” në “Abdullah Fréres”, duke i bërë vëllezërit e tij Kevork (1839-1918) dhe Hovsep (1830-1908) partnerë në studio.
Peizazhet dhe portretet e fotografuara nga Viçen dhe vëllezërit e tij në vitet 1860 konsiderohen si punimet më të rëndësishme të historisë së fotografisë së Stambollit si nga ana artistike ashtu edhe nga rëndësia e asaj që dokumentojnë. Vëllezërit Abdullah u bënë fotografë të pallatit më 1863, nën mbrojtjen e Abdulazizit.
Vëllezërit Abdullah morën titullin “Fotografë të Sulltanit” gjatë mbrëtërimit të Abdyl Hamitit II i cili erdhi në fron më 1876. Sidoqoftë kur osmanët u mundën në luftën Ruso-Turke në vitet 1877-1878 dhe ushtria ruse u vendos në San Stefano (Yesilköy), Vëllezërit Abdullah u humbën këtë titull për shkak të marrëdhënieve me gjeneralët rus kundër Perandorisë. Viçen i hoqi vëllezërit e tij nga biznesi dhe u përpoq ta mbante vetë studion. Më 1890 ai i rregulloi raportet me pallatin dhe rifilloi të punonte për sulltanin.
Vëllezërit Abdullah fotografuan portretet e krerëve të shtetit dhe familjeve të tyre, përfshirë këtu edhe të huaj që vizitonin Perandorinë Osmane. Portretet e tyre ishin po aq të suksesshëm sa edhe peizazhet. Vëllezërit Abdullah fotografuan pallate, vila, pavijone, xhami, shatërvane, kisha, imbarkime, ujësjellësa, fabrika, kazerma, spitale e shumë të tjera në Stamboll e në pjesë të ndryshme të Perandorisë. Ata fotografuan në studio e jashta saj, fotografi të peizazheve e të jetës qytetase me popullsinë lokale dhe veshjet e yre. Fotografitë e albumit me 51 volume që Abdyl Hamiti II i dërgoi si dhuratë në Amerikë dhe Angli më 1893, ishin shkrepur edhe nga Vëllezërit Abdullah.
Viçen Abdullahyan bashkë me të shoqen dhe fëmijët u konvertuan në myslimanë më 12 prill 1900 dhe morën mbiemrin Abdullah Sükrü. Në fundin e 1900-tës, Vëllezërit Abdullah të cilët patën edhe një stdio në Kairo mes viteve 1886 dhe 1895, ia shitën atë Sébah & Joaillier, bashkë më të gjithë paisjet për të paguar borxhet.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.