Intervista

Intervista/ Nis “Forma 2”, Aliaj: Bashkimi familjar në Itali, shumë më i arritshëm nëpërmjet projektit

10:15 - 06.12.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Drejtoresha e INAS: Mbështetje për të gjithë shqiptarët, në pritje apo të pajisur me një “Nulla Osta” nga autoritetet italiane.  “Është bërë i mundur trajnimi i mbi 3600 personave”




 Voltiza Duro – Shqiptarët e interesuar të realizojnë bashkim familjar në Itali, tashmë mund të zgjedhin një rrugë më të lehtë dhe më të shpejtë, duke u bërë pjesë e projektit “Forma 2”. Përfitues të këtij projekti janë fëmijët, bashkëshortët dhe prindërit e shtetasve të huaj që kanë aplikuar për bashkim familjar, ku përfshihet edhe vendi ynë. Drejtoresha e patronatit INAS Albania, Beskida Aliaj, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregon se “Forma 2” është rruga e bashkimit familjar për në Itali. Ajo bën me dije se pjesëmarrja e përfituesve në aktivitetet e propozuara paraqet një mundësi të çmuar për të marrë ndihmë të drejtpërdrejtë në menaxhimin e dokumenteve dhe procedurave të nevojshme për hyrjen në Itali e për të fituar aftësi qytetare dhe gjuhësore.

Çfarë është projekti “Forma 2” dhe cili është synimi kryesor i tij?

Filloi edicioni i dytë i projektit Form @, iniciativa e patronateve CePa (Qendra e Patronateve: Acli, Inas Cisl, Inca Cgil dhe Ital Uil) dhe partnerët e projektit të angazhuar në Shqipëri, Senegal, Egjipt, Marok dhe Tunizi. Projekti “Forma 2” financohet nga “Fondi për Azilin, Migracionin dhe Integrimin”, nëpërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale. Për zbatimin e këtij projekti janë angazhuar 4 patronatot CePa (INCA, INAS, ITAL dhe Patronato ACLI), me INCA CGIL. Projekti synon të kualifikojë dhe të lehtësojë rrugën e bashkimit familjar për fëmijët, bashkëshortët dhe prindërit e shtetasve që kanë aplikuar për këtë procedurë. Nisma synon të lehtësojë integrimin e të gjithë shtetasve të huaj që jetojnë jashtë vendit, familjarëve të njerëzve të pranishëm në Itali, që janë gati të hyjnë në shtetin italian falë bashkimit familjar. Ky trajnim zhvillohet nëpërmjet përvetësimit të njohurive të gjuhës, kulturës dhe vlerave italiane dhe menaxhimit të praktikave të kërkesave për bashkim familjar. Duke ndjekur gjurmët e testuara tashmë në edicionin e kaluar të projektit, do të konsolidohet zgjerimi i sistemit të të mësuarit nëpërmjet celularit (aplikacioni gjuhësor) dhe do të zgjerohet përshtatja e modelit të profilizimit social-kulturor të vendeve të përfshira, me qëllim ofrimin e shërbimeve që janë më shumë në përputhje me nevojat dhe karakteristikat e njerëzve të përfshirë. Edicioni i parë i projektit Form @, i realizuar në 11 vende (Shqipëri, Egjipt, Marok, Senegal, Tunizi, Moldavi, Peru, Kinë, Ekuador, Ukrainë, Indi), ka bërë të mundur trajnimin e më shumë se 3600 personave, përpara se të hyjnë në Itali, nga të cilët 1261 janë të mitur dhe 16 persona me aftësi të kufizuara.

Mund të na përmendni disa prej shërbimeve që ofron projekti?

“Forma 2” vë në dispozicion të përfituesve një sistem shërbimesh, duke u kushtuar një vëmendje të veçantë çështjeve të tilla si: njohja e gjuhës italiane, njohja e kulturës qytetare, studimit të trashëgimisë kulturore dhe vlerave të Italisë. Është parashikuar orientimi fillestar për të vlerësuar kompetencat, aftësitë dhe qëndrimet e përgjithshme të subjekteve të përfshira; asistencë në menaxhimin e dokumentacionit në lidhje me procedurat e hyrjes, trajnimi i gjuhës, edukimi qytetar-kulturor, organizimi i laboratorëve dhe seminareve për studim më të thellë të temave të trajtuara, si edhe akses në një platformë “online” informacioni dhe trajnimi në distancë, i cili lejon përmirësimin e përdorimit dhe përshtatjen e përmbajtjes së propozuar.

A ofrohet mbështetje individuale nga ana juaj për individët që dëshirojnë të bëjnë bashkim familjar në Itali?

Bazuar në nevojat e përfituesve, është parashikuar edhe mbështetje individuale, si për shembull ofrimi i shërbimeve të lartpërmendura në shtëpi. Në Shqipëri janë dy patronatot që po kujdesen për zbatimin e aktiviteteve të veçanta dhe realizimin e projektit në tërësi. Bëhet fjalë specifikisht për Patronato ACLI dhe Patronato INAS. Projekti “Forma” parashikon mbështetje për të gjithë ata qytetarë shqiptarë, në pritje apo të pajisur me një “Nulla Osta” nga autoritetet përkatëse në Itali, të cilët duhet të paraqesin një kërkesë për vizë për bashkim familjar pranë autoriteteve konsullore italiane, qoftë në Tiranë apo në Vlorë, sipas përkatësisë gjeografike.

Por, pse të interesuarit duhet të përfshihen pikërisht në projektin “Forma” për të realizuar bashkim familjar?

Pjesëmarrja në projektin “Forma” lejon të vendosësh kursin e bashkimit familjar në një kontekst bashkëpunimi të rëndësishëm midis institucioneve italiane, që përfshin: Ministrinë e Brendshme, për kompetencat e saj në fushën e emigracionit; Ministrinë e Punës dhe Politikave Sociale, Drejtorinë e Përgjithshme për Imigracionin dhe Politikat e Integrimit; Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, nëpërmjet përfaqësive diplomatike dhe konsullore të të gjitha vendeve të përfshira. Pjesëmarrja e përfituesve në aktivitetet e propozuara paraqet një mundësi të çmuar për të marrë ndihmë të drejtpërdrejtë në menaxhimin e dokumenteve dhe procedurave të nevojshme për hyrjen në Itali; për të fituar aftësi qytetare, organizuar sipas katër fushave kryesore tematike: kushtetutën italiane, të drejtat e grave dhe familjes, të drejtat e punëtorëve dhe punëtoreve, të drejtat e të miturve dhe aftësi gjuhësore për të promovuar ato aftësi dhe kompetenca që janë në gjendje të lehtësojnë pajtueshmërinë e angazhimeve të marra me Marrëveshjen e Integrimit pas hyrjes në Itali.

Si realizohet mësimi i gjuhës italiane nëpërmjet këtij projekti?

Mësimi i gjuhës italiane realizohet duke ndjekur një kurs të strukturuar, i cili zhvillohet përmes një aplikacioni funksional shumëgjuhësh, ku përmbajtja e propozuar do të përshtatet në bazë të gjuhës mëmë të përdoruesit. Kjo gjë do të bëjë të mundur arritjen progresive të nivelit A1 dhe A2.

Çfarë duhet të bëjnë familjarët që i bashkohen aplikantit?

Ata duhet të marrin pjesë në mënyrë aktive në shërbimet dhe iniciativat e planifikuara, si dhe të përdorin platformën e mësimit në distancë, që do të vihet në dispozicion për përvetësimin e aftësive qytetaro-gjuhësore.

Sa i vlefshëm ka rezultuar ky projekt për bashkimet familjare në Itali?

U bë një vit tashmë nga takimet e para me përfituesit e këtij projekti dhe të dyja zyrat që po punojnë për realizmin e tij ndajnë të njëjtin mendim: një rrugëtim plot sfida, që na ka lejuar të dyja palëve të ndajmë përvoja njerëzore dhe të jemi pjesë e pengesave dhe kapërcimeve të situatave nga më të ndryshme. Kemi takuar grup-mosha të ndryshme dhe realizuar bashkime familjesh, duke përvetësuar përvoja që jemi të gatshëm t’ua vëmë në dispozicion të gjithë të interesuarve për këtë praktikë, duke ruajtur si gjithmonë mënyrën tonë të të punuarit me shërbime “falas”. Në Shqipëri janë 3 patronatot që po kujdesen për zbatimin e aktiviteteve të veçanta dhe realizimin e projektit në tërësi. Bëhet fjalë specifikisht për Patronato ACLI telefon: +355 68 288 9696. Të gjithë të interesuarit mund të paraqiten pranë patronatit INAS ALBANIA, PATRONATO ACLI TIRANA ose prane PATRONATO INCA CGL dhe të flasin me mua personalisht, me Alma Beqirin apo Abele Bejkon. Ata mund të na shkruajnë edhe në adresat e “email”-it [email protected] dhe [email protected], apo të na kontaktojnë në numrat 00355/675383700 dhe 00355/683448188 ose 00355 69 209 9455.

Kategoritë përfituese:

1.Bashkëshortë jo të ndarë ligjërisht, me moshë jo më pak se 18 vjeç.

2.Fëmijë të mitur, qoftë edhe të bashkëshortit apo të lindur jashtë martese, të pamartuar me kusht që prindi tjetër, nëse ekziston, të ketë dhënë pëlqimin e tij.

3.Fëmijë në moshë madhore në ngarkim, në rast se për arsye objektive nuk janë në gjendje të kujdesen për nevojat e tyre të jetesës për shkak të gjendjes shëndetësore që përbën invaliditet të plotë.

4.Prindër në ngarkim, në rast se nuk kanë fëmije të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes.

5.Prindër mbi 65 vjeç, që nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes (ose kur fëmijët e tjerë nuk kanë mundësi të kujdesen për ta për arsye të rënda shëndetësore të dokumentuara).

 

Aktivitetet dhe shërbimet e ofruara nga projekti “Forma 2” përfshijnë:

  • Vënien në dispozicion të hapësirave dhe materialeve të informacionit, duke iu referuar veçanërisht procedurave të aplikimit për vizë, të legjislacionit të përgjithshëm në fushën e të drejtave sociale dhe vlerave që udhëzojnë sjelljet në vendin tonë.
  • Shërbimet e informacionit, asistencë, orientim dhe trajnim përpara nisjes siç janë më poshtë:
  • Orientimi fillestar për të vlerësuar kompetencat, aftësitë dhe qëndrimet e përgjithshme të subjekteve të përfshira.
  • Asistencë në menaxhimin e dokumentacionit në lidhje me procedurat e hyrjes.
  • Trajnimi i gjuhës.
  • Edukimi qytetar-kulturor.
  • Organizimi i laboratorëve dhe seminareve për studim më të thellë të temave të trajtuara.
  • Akses në një platformë “online” informacioni dhe trajnimi në distancë, i cili lejon përmirësimin e përdorimit dhe përshtatjen e përmbajtjes së propozuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.