Kryesore

“Njeriu njihet kur ceket interesi personal”, Basha flet për raportin me Berishën

15:10 - 07.12.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“E vërteta është që kam patur një bashkëpunim shumë të ngushtë. Ne kemi patur një marrëdhënie shumë të ngushtë me njëri-tjetrin gjatë kohës që zoti Berisha ka qenë kryetar i Partisë Demokratike.”.




Kështu deklaron kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një intervistë për gazetaren Nisida Tufa për ‘News24’.

Lideri demokrat tha se pas debateve me zotin Berisha pas 9 shtatorit, datë kur u vendos përjashtimi i tij nga grupi i PD-së, nuk e ka njohur mirë, duke shtuar se ndjente keqardhje.

Pyetje: Duke cituar një deputet me përvojë të së djathtës, jeni shprehur se; ‘zotin Berisha e njeh më mirë kur e ke përballë’. Sot zoti Basha, këto javët e fundit si precipituan gjërat, ngjarjet sa ndryshon Sali Berisha me atë që ke bashkëpunuar për 15 vite?

Lulzim Basha: E vërteta është që kam patur një bashkëpunim shumë të ngushtë. Ne kemi patur një marrëdhënie shumë të ngushtë me njëri-tjetrin gjatë kohës që zoti Berisha ka qenë kryetar i Partisë Demokratike dhe më pas dhe të thuash habi është më e pakta për të parë se si transformohet njeriu dhe gjuha e tij pas 9 shtatorit. Po të shikoni përcaktimet, qëndrimet, vlerësimet që ka patur, jo vetëm me mua, personin tim në tërësi dhe se si këto kanë ndryshuar si nata me ditën pas nëntë shtatorit, atëherë ndjej jo vetëm një keqardhje të thellë, sigurisht edhe le të themi atë ndjesinë se është dikush që nuk e paskam njohur tamam, por ndjej dhe një keqardhje në raport me ata bashkëpunëtorë të cilët ndoshta i kam paragjykuar kur kanë qenë në pozita të ngjashme, apo në disa raste identik, siç ndodhemi tani unë dhe zoti Berisha. Pra në momentin kur ceket interesi personal është momenti kur njihet njeriu. Ju e keni parë që unë kam bërë dhe vazhdoj të bëj një përpjekje që unë e kam në themel të formimit tim, edukatës time, por edhe të identitetit tim si qytetar në radhë të parë, pastaj edhe si politikan që mos të përgjigjem me të njëjtën monedhë, ama gjuha, metodat e veprimit, trillimet, gënjeshtrat, zhbërja pothuajse 100% e të vërtetave apo kthimi i tyre kokëposhtë menjëherë pas nëntë shtatorit nga zoti Berisha, padiskutim që më ka lënë një shije jashtëzakonisht të keq.

 

Pyetje: Çfarë ju ka prekur më shumë, çfarë ju ka cenuar më tepër zoti Basha sepse akuzat janë rënduar çdo ditë e më tepër, deklaratat janë bërë më të forta.
Lulzim Basha:
 Akuzat në vetvete janë bërë gjithmonë e më qesharake dhe paradoksi qëndron që një akuzë e bërë një javë është moderuar apo ndryshuar javën tjetër në varësi të interesit apo në varësi të siç është tekur, tekave të zotit Berisha. Ajo që më dhemb më shumë dhe më dhemb edhe sot është se akoma ndonëse me mendje e kuptoj, nuk arrij ta përthith, nuk arrij ta pranoj në qenien time, akoma nuk arrij ta pranoj në qenien time faktin që një njeri i cili ka patur kaq shumë besim nga demokratët në 30 vite, të cilit i është besuar drejtimi i partisë, drejtimi i shtetit, i qeverisë që është investuar kaq shumë për të, nga të gjithë ne, nga unë personalisht, nga familjarët e mi, nga demokratët në lagjen ku jam rritur, nga demokratët anembanë Shqipërisë, mundet që kaq lehtësisht të thotë para vetes time nuk vë fatin e këtyre demokratëve që në fund të fundit për 30 vite me radhë janë çelësi i atyre sukseseve që kemi arritur. Ata janë në të vërtetë heronj të, njerëzit që meritojnë t’iu jepet e gjithë kredia për gjërat e mëdha dhe pozitive që ka arritur Partia Demokratike për shqiptarët, nëse ka gabime, nëse ka të meta dhe ka boll, ajo është përgjegjësi e lidershipit. Si mundet në një moment kur të cenohen interesat personale, të shkelësh pa pikë ndjeshmërie njerëzore mbi sakrificat e demokratëve për interesat e tua personale. Kjo është diçka të cilën me thënë të drejtën nuk arrij ta tejkaloj në planin emocional ndonëse në planin racional për fat të keq jo vetëm e kam kaluar, por edhe më është paralajmëruar disa herë në mënyrë të qartë nga zoti Berisha që këto rrugë do të ndiqte dhe këto rrugë ka ndjekur, por në fund ajo që mbetet është vendosmëria ime si kryetar i Partisë Demokratike, që interesat e demokratëve, interesat e Partisë Demokratike do të prevalojnë dhe për këtë të mos ketë askush as më të voglin hezitim, as më të voglin dyshim.

Pyetje: Zoti Basha ju e keni thënë gjithmonë që vendimi i marrë dhe i diskutuar me kolegët tuaj shumë gjatë dhe shumë kohë që ka arritur në këtë vendim për Zotin Berisha, ju e kishit pritur këtë reagim të tij? E mendoni se mund të kishte një përshkallëzim të kësaj situate, çfarë prisnit nga zoti Berisha?
Lulzim Basha: 
Sapo jua thashë, nuk me vjen e papritur sepse ai e ka bërë të qartë nga fillimi që…përpjekja ime ka qenë që të vinim në një pozicion të përbashkët, sigurisht duke investuar të gjithë kapitalin tim politik dhe personal në raport edhe me aleatët dhe me thënë të drejtën nuk kam hequr dorë deri në çastin e fundit nga shpresa se do të vinim në një pozicion të përbashkët ku pak a shumë me përgjegjësinë e një shtetari, me përgjegjësinë e një drejtuesi 30-vjeçar, zoti Berisha pavarësisht prej kontekstit prej të cilit është marrë vendimi dhe mënyrën se si ndihet ai personalisht për vendimin do t’i hapte rrugë Partisë Demokratike. Nuk do të përpiqej ta merrte Partinë Demokratike si një mburojë dhe ta përdorte atë dhe ta shkalafiste atë në përpjekje për tu mbrojtur ndaj vendimit të qeverisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por e kam thënë dhe më përpara, kështu që nuk besoj se bëj keq ta përsëris prej fillimit qëndrimi i tij ka qenë i qartë, që nuk do të vendoste asgjë mbi interesat e tij personale dhe po ta shikosh racionalisht me mendje sapo ju fola se si ndihem personalisht meqë më pyetët, por racionalisht është diçka e paralajmëruar, sikundër Partia Demokratike, institucionet e Partisë Demokratike dhe padiksutim kryetari i Partisë Demokratike ka detyrën të bëjë gjithçka në këtë situatë, për t’i mbrojtur interesat e demokratëve, për të mbrojtur interesat e Partisë Demokratike.

Pyetje: Dhe në këtë pikë ku jeni, ku duket se po kaloni momentin më të vështirë, që nga krijimi i Partisë Demokratike i Partisë Demokratike. Si do të jetë rrugëdalja, mund të ketë një mundësi për të negociuar me palën e doktorit për të arritur le të themi në zgjidhjen e këtij problemi.
Lulzim Basha:
 Shikoni, Partia Demokratike në këto 30 vite ka kaluar shumë momente të vështira, në veçanti brezi i ri mund të mos i mbajë mend këto momente, unë që jam rritur, le të themi jam formuar në vitet e themelimit dhe rritjes së Partisë Demokratike si forcë politike, pra kam qenë as 17 vjeç kur është themeluar Partia Demokratike dhe sot që jam kryetar i saj mund t’iu them që mbaj mend shumë prej momenteve të vështira në të cilat kjo parti ka kaluar. Dhe një gjë jua them me siguri, Partia Demokratike do ta kalojë këtë situatë të vështirë, të krijuar padrejtësisht dhe të rënduar padrejtësisht, nga qëndrimet do të thoja personale dhe egoiste të zotit Berisha në raport me fatin e demokratëve dhe në raport me përgjegjësitë e Partisë Demokratike përballë shqiptarëve që është lufta me rrëgjimin e Edi Ramës, është lufta për zgjedhje të lira dhe të ndershme, është lufta për ndëshkimin e krimeve zgjedhore, është lufta për përditshmërinë e shqiptarëve. Por se sa i përket negociatave, vendimi non-grata nuk është marrë nga Partia Demokratike, as nga unë, as nuk kam patur mundësi ta ndikoj atë, është i panegociueshëm, është i pakthyeshëm, është aty dhe është diçka që është krejtësisht jashtë pushtetit të Partisë Demokratike. Ajo që ne mund dhe duhet të bëjmë, është të tejkalojmë interesat personale dhe mos t’i shërbejmë Edi Ramës, siç e thashë, si një tub oksigjeni, duke ushqyer ditë për ditë këtë rrëgjim me një telenovelë, nganjëherë me përmasa tragjike, nganjëherë me përmasa pothuajse komike, ndërkohë që gjithë fokusi dhe energjia jonë duhet të jetë në betejën për shqiptarët, me kundërshtarin e shqiptarëve, që është rrëgjimi i Edi Ramës.

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.