Kronikë

Atentati i dështuar në Tiranë, zbulohet shënjestra e sulmit, si nisi konflikti për pazaret e drogës

13:37 - 08.12.21 gsh

Një atentat mafioz i planifikuar për t’u kryer në Tiranë, në shënjestër të të cilit ishte Prend Paluca, u parandalua nga policia e Lezhës. Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka, baxhanakë me njëri-tjetrin, personat që do të kryenin vrasjen, janë shpallur në kërkim, ndërsa në pranga përfunduan 3 persona të tjerë bashkëpunëtorë me ta, pronarë të një lokali që përdorej si bazë armatimi dhe dhëndri i tyre. Nga hetimet policia zbuloi se në 2017 në Belgjikë, Edmir Vlashi i grabiti një sasi të madhe droge Prend Palucës. Prej asaj kohe, mes tyre lindi një konflikt i ashpër.



31-vjeçarët Hektor Ndoka dhe Edmir Vlashi, të dënuar më herët në Belgjikë për grabitje me armë e drogë, besohet sipas policisë se po e ndiqnin këmba këmbës objektivin e tyre, Paluca, dhe po prisnin momentin për ta ekzekutuar. Mesa duket ky i fundit e kuptoi që ishte vënë në shënjestër dhe informoi policinë. Nga hetimet u zbulua se për të realizuar planin, Ndoka dhe Vlashi përdorën si bazë për armët restorantin e Nikoll e Marie Markut në Lezhë, dhe dhëndrin e tyre Mark Lamkja si bashkëpunëtor për realizimin e planit. Çifti Marku dhe dhëndri i tyre, i cili u arrestua me pistolete ne brez, gjatë ndërhyrjes së policisë tentuan të fshihnin provat.

Drejtori i Policisë Lezhë, Oltion Bistri në një dalje për mediat tha se policia sekuestroi një arsenal armësh si edhe një shumë të konsiderueshme parash. Si rezultat i kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë;
88.900 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëve narkotike dhe krimeve ndaj personit;
2 armë automatike me shënjestër optike, 2 kallashnikovë, 1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra, 1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë, fishekë luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcejllës, 1 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë, 2 skafandra motori dhe 1 automjet.

Hetimet zbuluan gjithashtu se Edmir Vlashi kishte tentuar edhe më parë të hakmerrej ndaj familjes së Prend Palucës, për shkak se dyshohet se tentoi të shpërthente me eksploziv banesën e Ndoc Palucës në Kamzë. Ndërkohë që Preng Paluca dhe bashkëshortja e tij I shpëtuan një atentati të mirëoganizuar pak kohë më parë, që ndodhi në sy të vajzës së tyre të mitur.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.