Lënda: Kërkesë për marrje me qira të ambienteve për zyra për akomodimin e stafit/ punonjësve gjatë kohës së implementimit/ realizimit/ ekzekutimit të projektit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” nga Kongresi Rinor Kombëtar.
Drejtuar: Shoqërive tregtare, agjencive imobiliare, personave fizikë apo individëve që kanë në pronësi ose administrim ambiente të përshtatshme për zyra për t’i dhënë me qira.
Forumi Rinor Evropian është platforma më e madhe e organizatave rinore në Evropë, e themeluar në vitin 1996, me përfaqësi prej 104 organizata rinore. Forumi Rinor Evropian punon për të fuqizuar të rinjtë për të marrë pjesë aktive në shoqëri për të përmirësuar, përfaqësuar dhe mbrojtur nevojat dhe interesat e të rinjve dhe ato të organizatave që të rinjtë përfaqësojnë. Për të kapërcyer sfidat me të cilat ballafaqohen të rinjtë, Forumi Rinor Evropian ka tre qëllime kryesore të cilat janë: nxitja e pjesëmarrjes më të madhe e të rinjve, organizata të forta rinore dhe rritja e autonomisë dhe përfshirjes së rinisë.
Në 21 nëntor 2019, fitues i nismës “Kryeqyteti Evropian i Rinisë” për vitin 2022 u shpall Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana e cila përfaqësohej nga Kongresi Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.
Kongresi Rinor Kombëtar është një organizatë ombrellë organizatash rinore, grupesh jo formale, forumesh rinore të partive politike, me një përfaqësi prej më shumë se 120 entitetesh, me qëllim shkëmbimin e informacionit, nxjerrjen në pah të çështjeve të të rinjve, advokimin dhe lobimin për zgjidhjen e këtyre çështjeve dhe ngritjen e kapaciteteve për të gjitha entitetet e përfshira në rrjet.
Kongresi Rinor Kombëtar, me partnerët e tij, është duke vijuar me përgatitjet e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë titullit “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” në vitin e ardhshëm.
Me qëllim akomodimin e stafit/ punonjësve dhe bazës materiale në ambiente të përshtatshme pune, Kongresi Rinor Kombëtar, në kuadër të projektit “Tirana-Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”, kërkon të sigurojë ambiente me qira për përdorim përgjatë periudhës së implementimit/ realizimit/ ekzekutimit të projektit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”.
Kongresi Rinor Kombëtar, ka iniciuar procedurat ligjore për marrjen me qira të ambienteve për zyra për akomodimin e stafit/ punonjësve gjatë kohës së implementimit/ realizimit/ ekzekutimit të projektit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”, bazuar në parimin e mirëpërdorimit të fondeve publike, nxitjes së konkurrencës dhe trajtimit të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë pjesëmarrësit në këtë procedurë konkurrimi, me qëllim që të sigurojë integritet, besim publik dhe transparencë.
Për këtë arsye po ju drejtohemi që, në përmbushje të kritereve të përcaktuara në “Kriteret/ kërkesat ligjore dhe kushtet teknike që duhet të plotësohen për marrjen me qira të ambienteve ” (ANEKSI 1 bashkëlidhur) të paraqesni propozimin/ ofertën tuaj sipas “Formularit të Ofertës” (ANEKSI 2 bashkëlidhur) brenda datës 18 Dhjetor 2021.
Të interesuarit duhet të dorëzojnë Ofertën, së bashku me dokumentacionin e mëposhtëm, i cili do të konsiderohet pjesë integrale e saj:
- Certifikatë pronësie me pronar subjektin pjesëmarrës në konkurrim, ku të jetë specifikuar ambienti që do të jepet me qira, si dhe të jetë përcaktuar qartë sipërfaqja në m2, ose çdo dokument tjetër me të cilin vërtetohet posedimi i ndërtimit (kopje e noterizuar). Ky dokument të shoqërohet me kartelë të rifreskuar të pasurisë së palujtshme brenda 72 orësh nga data e dorëzimit të ofertës, hartë treguese dhe planimetri të detajuar;
- Një përshkrim të detajuar të objektit që do të jepet me qera;
- Zgjidhjen arkitektonike të propozuar (planvendosja) dhe gjendia fizike e ambienteve;
- Ofertën me vlerën mujore të qirasë për m2 dhe në total;
- Deklaratë e qiradhënësit ku deklarohet se ndaj objektit nuk është vendosur sekuestro e çdo lIoji:
- Dokument që vërteton se ambienti është i pajisur me matës të veçantë të matjes së enegjisë elektrike dhe ujit (psh.: kopje e skanuar e librezave të kontratës së energjisë elektrike dhe ujit, ose një faturë të lëshuar përkatësisht nga FSHU dhe UKT);
- Vërtetim nga institucioni përkatës që subjekti nuk ka detyrime të papaguara të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë, në lidhje me kontratat për furnizimin e objektit që do të jepet me qira;
- Dokument që vërteton se subjekti nuk ka detyrime ndaj organeve tatimore;
- Vetëdeklarim për përmbushjen e të gjithë kërkesave të parashtruara në Ftesën për Ofertë (ANEKSI 1);
- Nëse ofertuesi është shoqëri tregtare apo person fizik i regjistruar në regjistrin tregtar sipas legjislacionit të vendit ku ushtron aktivitetin Ofertuesi duhet të deklarojë se:
- është i regjistruar në regjistrin tregtar sipas legjislacionit të vendit ku ushtron aktivitetin, ose sipas legjislacionit tё posaçёm nё rastin e një organizate jofitimprurëse, ka në fushën e veprimtarisë objektin e prokurimit, dhe ka statusin aktiv;
- nuk është në proces falimentimi (status aktiv);
- nuk është dënuar për ndonjë vepër penale në lidhje me ushtrimin e veprimtarisë;
- personi (personat) që vepron si anëtar i organit administrativ, drejtori ose mbikëqyrësi, aksioneri ose ortaku, ose që ka fuqi përfaqësuese, vendimmarrëse ose kontrolluese brenda kompanisë/ entitetit/ institucionit, nuk është i dënuar ose nuk ka qenë i dënuar nga një vendim gjykate i formës së prerë për çdo vepër penale përgjatë ushtrimit të veprimtarisë;
- nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në lidhje me veprimtarinë profesionale;
- nuk ka pagesa të pashlyera të taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore;
- kryen aktivitetin në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi;
- Në ofertën e tij subjekti i interesuar duhet të japë të dhëna të sakta të personit të kontaktit
*Në çdo rast, Qiramarrësi ka të drejtë të kryejë verifikimet e nevojshme për vërtetësinë e informacionit të deklaruar, për sa më sipër përgjatë vlerësimit të ofertave dhe përpara lidhjes së kontratës.
Mosparaqitja e njërit prej dokumentave të kërkuar përbën kusht skualifikues.
I. Dorëzimi i dokumentacionit:
Dokumentacioni duhet të paraqitet në një zarf të mbyllur, të firmosur dhe vulosur nga individët/ subjektet aplikues, me mbishkrimin “Ofertë për dhënie ambientesh me qira për Kongresin Rinor Kombëtar (në kuadër të Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022)”, brenda të cilit të jenë vendosur në dy zarfa të vecantë propozimi teknik (zarfi 1) dhe propozimi financiar (zarfi 2), të mbyllur, të firmosur dhe vulosur nga individët/ subjektet aplikues.
Mosvendosja e ofertës financiare në një zarf të mbyllur dhe të vecuar nga zarfi i propozimit financiar, do të sjellë skualifikim.
Dorëzimi i dokumentacionit duhet të bëhet në adresën e mëposhtme:
Rr. “Abdyl Frashëri”, P. 11, Sh. 5, K. 3, Ap. 40, Tiranë, Shqipëri
II. Afati i dorëzimit të ofertave:
Afati i fundit kohor për dorëzimin e ofertave do të jetë data: 18 Dhjetor 2021, ora 18:00.
Afati i fundit kohor për pyetje sqaruese do të jetë data: 10 Dhjetor 2021, ora 18:00.
(Lutemi të kontaktoni në adresën elektronike [email protected] për pyetje lidhur me procesin.)
Mbani parasysh se kjo adresë elektronike mund të përdoret vetëm për pyetje sqaruese dhe jo për dorëzim ofertash. Cdo ofertë që do të dërgohet në këtë adresë elektronike do të skualifikohet.
III. Hapja zyrtare e ofertave:
Të gjithë ofertuesit janë të ftuar të marrin pjesë në procesin e hapjes zyrtare të ofertave:
Në datën: 20 Dhjetor 2021, ora 10:00.
Në adresën: Rr. “Abdyl Frashëri”, P. 11, Sh. 5, K. 3, Ap. 40, Tiranë, Shqipëri.
Ofertuesit duhet të jenë të pajisur me autorizimin përkatës nga kompania/ individi pjesëmarrës në proces dhe një mjet identifikimi, për të qenë prezent në hapjen e ofertave, si përfaqësues zyrtar i kompanisë/ individit.
Në rast se asnjë kompani/ individ nuk paraqitet në procesin e hapjes zyrtare të ofertave, procesi do të vijojë normalisht.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin, mbetemi në pritje të Ofertës suaj,
Kongresi Rinor Kombëtar
(në kuadër të projektit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”)
ANEKSI 1
KRITERET/ KËRKESAT LIGJORE DHE KUSHTET TEKNIKE QË DUHET TË PLOTËSOHEN PËR MARRJEN ME QIRA TË AMBIENTEVE
SIPËRFAQJA E AMBIENTIT, NDARJET FUNKSIONALE, KUSHTET TEKNIKE, VENDNDODHJA DHE AKSESIBILITETI I OBJEKTIT NË TË CILIN NDODHET
1. Sipërfaqet
Sipërfaqja e ambienteve për zyra/ salla mbledhjesh të variojë nga 800 m² – 1200 m².
2. Aksesi
Objekti në të cilin ndodhet objekti duhet të ketë akses të drejtëpërdrejtë me rrugën kryesore, duke bërë të mundur lehtësinë e aksesueshmërisë për punonjësit dhe vizitorët e këtyre ambienteve.Objekti/ godina duhet të plotësojë të gjithë kushtet teknike të përmbajtura në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 1503, datë 19.11.2008 “Për miratimin e rregullores për shfrytëzimin e hapësirave për personat me aftësi të kufizuar”, të cilat garantojnë aksesueshmërinë duke përdorur infrastrukturën e nevojshme për orientimin e lëvizjes nga hapësira e jashtme në hapësirën e brendshme të ambientit (rampa, ashensor etj).
3. Elementët ndërtimorë të eksterierit dhe interierit të objektit.
3.1 Eksterieri
Të gjitha fasadat e objektit duhet të jenë të trajtuara me elemente bashkëkohore dhe fasadë të ventiluar dhe ose sistem kapot, për të rritur cilësinë ndertimore dhe të komfortit të objektit në tërësi. Objekti/godina duhet të ketë një një izolim termik dhe akustik optimal. Sipërfaqja e vetratës të jetë e tillë që lejon ndriçimin natyral të ambienteve të brendshme.
3.2. Interieri
Ambientet e godinës që do të jepet me qira duhet të kenë lartësinë mbi 260 cm. Hyrja kryesore duhet të ketë një gjerësi minimalisht 150-200 cm dhe lartësi 215 cm, ndërsa dyert e brendshme me përmasa standarde 90×215 cm. Të jenë të përfunduara me dyer, dritare, dysheme të shtruara, mure të lyera.
3.3. Zgjidhja planimetrike/Ndarja funksionale
Ambienti duhet të jetë i ndarë në 15-20 zyra/ambiente, të cilat të variojnë për nga tipologjia dhe sipërfaqja. Gjithashtu Brenda ambientit duhet të jenë përfshirë dhe hapësira “open space” (hapësira të përbashkëta, pa ndarje me mure), të cilat sipas nevojës mund të transformohen. Hapësirat duhet të jenë të shfrytëzuara mirë dhe funksionale.
3.4. Furnizimi me ujë dhe nyjet higjieno-sanitare (NHS)
Objekti duhet të ketë furnizim 24 orë me ujë me matës të dedikuar. Ambienti duhet të ketë ketë edhe nyjet higjieno-sanitare për stafin, minimalisht 6 (gjashtë) të tilla funksionale. Sigurimi i ujit të pijshëm duhet të sigurojë dhe garantojë një rezervë uji sanitar 2 ditor në raste defektesh apo avari.
Sistemi i furnizimit me ujë do të kryejë dy shërbime: uji që do të përdoret për shërbime sanitare si dhe ai për nevoja teknologjike (sistemi HVAC).
Sipërfaqja e dedikuar për nyjet higjeno-sanitare duhet të ofrojë mundësinë që të realizohet një tualet për personat me aftësi të kufizuar.
3.5. Instalimet elektrike, IT dhe sistemet e sigurisë
Objekti duhet të ketë furnizim 24 orë me energji elektrike me matës të dedikuar. Instalimet elektrike si priza, lidhje telefonie, interneti etj duhet të jenë të pozicionuara në muret për çdo post pune të percaktuar. I gjithë sistemi elektrik i instaluar duhet të jetë një sistem bashkohor, ku mund të integrohet çdo lloj lidhje interneti, sistem sigurie apo sistem audio. Ambjentet duhet të jenë të pajisura me sistem kamerash dhe sinjalistiken e duhur për raste emergjence.
3.6. Detektimi i zjarrit dhe sistemi i alarmit
Sistemi i detektimit të zjarrit duhet të përfshijë të gjithë objektin. I gjithë sistemi duhet të jetë i bazuar në detektor tymi, të cilët duke qenë të gjithë të adresueshëm do të japin informacionin e saktë për vendndodhjen e tyre dhe të zonës ku niveli i tymit është jashtë normave. Objekti duhet të ketë të instaluar dhe funksional sistemin e dedektimit dhe sinjalizimit të zjarrit, planin e evakuimit (të shënjuar rrugën e evakuimit) në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3.7. Sistemi i kondicionimit dhe ajrimit
Sistemi i ngrohjes/ kondicionimit duhet të projektohet në përputhje me Ligjin Nr. 8937, datë 12.9.2002 dhe VKM Nr. 38 datë 16.01.2003 “Për miratimin e normave të rregullave dhe kushteve të projektimit dhe të ndërtimit, të prodhimit dhe të ruajtjes së nxehtësisë në ndërtesa”. Sistemi i kondicionimit duhet të jetë i përshtatshëm për funksionin optimal të ambienteve.
3.8. Sistemi i ndricimit
Ambienti duhet të ketë ndriçim natyral. Në varësi të ndarjes së funksioneve dhe përdorimit të zyrave duhet të jetë bërë edhe ndriçimi tavanor. Ndriçuesit e vendosur duhet të jenë sipas standardeve europiane për kursimin e energjisë dhe vendosur në mënyrë të tillë që çdo ambjent të jetë i ndricuar plotësisht dhe çdo post pune të ketë ndricimin e përshtatshëm gjatë orëve të ditës.
3.9. Parkimi
Objekti duhet të ofrojë mundësi parkimi (minimalisht 2 vende parkimi të dedikuara dhe të aksesueshme edhe nga persona me aftësi të kufizuar).
3.10. Vendndodhja dhe aksesueshmëria e ambientit
Ambienti duhet të ndodhet sa më pranë qendrës të qytetit të Tiranës (jo më larg se rrezja 1 km nga Sheshi Skënderbej), me një vendndodhje strategjike për të aksesuar disa nga institucionet më të rëndësishme të qytetit të qytetit, në veçanti Bashinë e Tiranës.
II. KRITERET E VLERËSIMIT TË OFERTAVE PËR MARRJEN ME QIRA TË AMBIENTEVE.
Sistemi i kualifikimit dhe i vlerësimit të ofertave i propozuar nga grupi i punës, bazohet në elementët si më poshtë:
1. KRITERET KUALIFIKUESE:
- Dorëzimi i dokumentacionit të rregullt ligjor, që vërteton pronësinë e objektit dhe të drejtën e administrimit të tij;
- Dorëzimi i zgjidhjes arkitektonike të propozuar (planvendosja) dhe gjëndjes fizike të ambienteve;
- Dorëzimi i dokumentacionit që vërteton se ndaj sendit nuk ka barrë hipotekore, sekuestro/ose çdo dokument tjetër me të cilin vërtetohet posedimi i ndërtimit. Ky dokument të shoqërohet me planimetri të detajuara;
- Dorëzimi përshkrimit të detajuar të objektit që do të jepet me qera;
- Dorëzimi i Ofertës me vlerën mujore të qirasë për m2 dhe në total;
- Dorëzimi i dokumenteve që vërtetojnë se ambienti është i pajisur me matës të veçantë të matjes së enegjisë elektrike dhe ujit;
- Dorëzimi i vërtetimeve nga institucionet përkatëse që subjekti nuk ka detyrime të papaguara të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë, në lidhje me kontrata për furnizimin e objektit që do të jepet me qira;
- Dokument që vërteton se subjekti nuk ka detyrime ndaj organeve tatimore;
- Dorëzimi i vetëdeklarimit nga shoqëria tregtare ose personi fizik që kryen aktivitet në përputhje me ligjin dhe nuk është në process falimentimi sipas Ftesës për Ofertë;
- Vetëdeklarim për përmbushjen e të gjithë kërkesave të parashtruara në Ftesën për Ofertë (ANEKSI 1).
2. KRITERET E VLERËSIMIT:
Vlerësimi Teknik (maksimum prej 70 pikësh, me kufi minimal pranueshmërie prej 49 pikësh).
- Vendosja në raport me godinën e Bashkisë Tiranë (deri në 20 pikë);
- Përmbushja e kërkesave dhe kushteve të vendosura (deri në 25 pikë);
- Zgjidhja arkitektonike e propozuar (planvendosja) dhe gjendja fizike e ambienteve (deri në 25 pikë).
(Propozimet të cilat nuk arrijnë të marrin të paktën 49 pikë për kriteret teknike të vlerësimit nuk do të konsiderohen për vlerësim të mëtejshëm)
- Çmimi i ofruar (tarifa mujore e qirasë) (deri në 30 pikë).