Kryesore

Vlera Lekaj: Dhimbjet gjoksit si simptomë e sëmundjeve gastrointestinale

11:00 - 20.12.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vlera Lekaj – Dhimbjet e gjoksit përfaqësojnë një urgjencë mjekësore kur shoqërohen me marrje fryme, dobësi trupore të shprehur, djersitje profuse, të vjella si dhe kompromentim të parametrave mjekësor, të rrahjeve te zemrës, të furnizimit me oksigjen apo të tensionit arterial. Në këtë terren, sidomos pacientë që kanë histori për sëmundje kardiake, duhet të kërkojnë në mënyrë të menjëhershme asistencë mjekësore urgjente, për të shmangur komplikacione të rënda apo dhe një përfundim fatal në disa raste. Por është e rëndësishme të dihet nga njerëzit që jo vetëm sëmundjet e zemrës mund të shkaktojnë dhimbje gjoksi. Sigurisht që janë të parat që duhen përjashtuar për shkak të seriozitetit dhe rrezikshmërisë së lartë, por nuk janë të vetmet. Për ta pasur më të lehtë t’i dallojmë, duhet t’i ndajmë në dhimbje të irradiuara, e thënë ndryshe dhimbje që përhapen në gjoks, por që zanafillën e kanë diku tjetër ose dhimbje që origjinojnë, pra zanafillën e kanë nga gjoksi. Në rastin e parë mund të jemi përballë një grup sëmundjesh apo problemesh shëndetësore të ndryshme që mund të shkaktojnë një klinikë të tillë. Pasi të jetë përjashtuar zemra dhe patologjitë shoqëruese të saj, një nga shkaqet më të shpeshta të dhimbjeve të cilat mund të përhapen në gjoks janë ato me origjinë nga stomaku. Dhimbjet me origjinë nga stomaku origjinojnë në regjionin epigastrik ose ndryshe në zonën poshtë dërrasës së kraharorit. Janë dhimbje djegëse ose shpuese, e mprehtë, e menjëhershme, intense. Mund të jetë një ndjesi bezdisëse në trajtën e një diskomforti, e cila të shoqëron vazhdimisht, kombinuar dhe me ndjesinë e kthimit mbrapsht të ushqimit në fyt, apo të nauzesë ose të vjellave. Ushqimi në disa raste e përkeqëson ose e qetëson dhimbjen. Këto lloj dhimbjesh kanë tendencën të përhapen në gjoks, si ndjesi djegie por edhe ne shpine, në nivel të shpatullave. Përgjithësisht shqetësime të tilla vijnë në terren të disa problemeve të stomakut, siç mund të jetë refluksi, Gastritet apo ulcera e stomakut ose e duodenit. Refluksi është një patologji e shpeshtë e cila shoqërohet me simptomat e mësipërme, por dhe gastritet, ose e thënë ndryshe inflamacionet e mukozës së stomakut apo dhe ulcera si një komplikacion i mëtejshëm i inflamacionit të mukozës së stomakut mund të shoqërohen me simptomat e mësipërme. Të gjitha këto patologji gjenden të përhapura në shoqëri, sidomos për shkak të abuzimeve me stilin e ushqyerjes, përdorimit të alkoolit apo medikamenteve të ndryshme të cilat mund të bëhen shkak për shfaqjen e problemeve të tilla. Janë problematika të cilat mund të qëndrojnë në nivel të një simptomatologjie të lehtë, e cila mund të kontrollohet lehtë nëpërmjet ndryshimit të stilit të ushqyerjes apo përdorimit të disa medikamenteve antiacide. Por nga ana tjetër janë simptoma të cilat nuk duhen neglizhuar nëse persistojnë, sidomos në mosha të thyera, dhe nëse shoqërohen me komplikacione të tilla si jashtëqitje me ngjyrë të zezë, apo të vjella me gjak, të cilat janë një urgjencë mjekësore.
Nga ana tjetër përveç stomakut, ekzistojnë dhe shumë patologji të tjera të organeve të barkut, të cilat mund të imitojnë një dhimbje stomaku, por që në fakt origjina e problemit qëndron në një organ tjetër siç mund të jetë pankreasi apo tëmthi, mëlçia si dhe në disa raste disa problematika të zorrës së trashë. Për të diferencuar këto problematika, një vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet dhe simptomave të tjera shoqëruese të lidhura me çrregullimet në jashtëqitje, rënia në peshë, intensiteti dhe veçoritë e dhimbjes si dhe reagimet dhe shfaqjet e këtyre simptomave gjate konsumimit të ushqimeve të caktuara. Sigurisht që kompletimi me analiza laboratorike dhe imazheri, plotëson dhe diagnozën e saktë për problematika të tilla. Në raste kur ndjeni shqetësime të tilla, duhet t’i jepni një rëndësi të veçantë, sidomos nëse zgjasin më shumë se 2 javë, për të pasur mundësi të diagnostikoheni saktë si dhe të merrni trajtimin e duhur në mënyrë që të shmangni komplikacione të mundshme në vazhdim. Problemet dhe shqetësimet e traktit tretës janë të zakonshme dhe shumë të përhapura në vendet e industrializuara. Kjo për shkak të shumë faktorëve që ndikojnë në përditshmërinë tonë, si stili i jetesës, së ushqyerjes, aktiviteti fizik, konsumi i alkoolit dhe i duhanit, si dhe niveli i stresit, i cili ul imunitetin duke na predispozuar drejt këtyre problematikave. Përgjithësisht një stil jete i shëndetshëm në ushqim dhe në aktivitet fizik, parandalon në një farë mënyre shfaqjen e këtyre problematikave. Përgjithësisht këshillohet që në rast se ndjeni simptoma të shqetësimeve të traktit tretës, t’i drejtoheni mjekut për të marrë këshillat e duhura. Të informoheni për faktin se pas një shqetësimi të caktuar shëndetësor mund të ketë disa lloj problematikash të maskuara dhe të mësohemi të njohim trupin tonë, duke i dhënë rëndësinë e duhur sinjaleve që na dërgon, kur diçka nuk shkon siç duhet. Por, mbi të gjitha kujdesi për ushqimin, aktivitetin fizik dhe qetësinë psikologjike qëndrojnë në majë të piramidës së një jete të shëndetshme.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.