OPINION

Shpjeguesi gjenial i Ligjit të Maleve Shqiptare

09:30 - 28.12.21 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur erdhi At Zef Valentini në Shqipëri pa se në vend ziente një debat i madh mbi të drejtën zakonore, ku një palë e quanin atë një mbeturinë arkaike, një sëmundje të shoqërisë, dhe pala tjetër  e  lartësonin si  një  vlerë  shoqërore.  At  Zef  Valentini kishte meritën  se arriti  të kuptonte  se shoqëria shqiptare do të vuante për një kohë të gjatë për shkak të Kanunit, gjë që para së gjithash ndodhte për shkak të mosnjohjes së ligjit zakonor. Nga përplasja e dy sistemeve ligjore, ligjit shtetëror dhe atij zakonor, ishte krijuar një situatë e rëndë konfliktesh, dhune dhe gjaku, që askush nuk dinte të thoshte se si do të zgjidhej.  John Rawls thotë:  Drejtësia asht  virtyti i parë  i institucioneve shoqërore” (John Rawls: “A theory of Justice”, Oxford  University  Press, Oxford  1977,  f.  3.) Derisa  njerëzit  nuk  e gjenin  drejtësinë nga shteti ata do ta bënin vetë atë. Për At Zef Valentinin kjo situatë ishte e barasvlershme  me atë që ishte Kalkuta për Nënë Terezën: një vend që lëngonte nga  sëmundjet më të këqija dhe nga mjerimi  i skajshëm, vuajtje këto të cilat ajo ishte e vendosur të luftonte për t’i lehtësuar sa të mundte. Të njëjtën gjë vendosi të bënte dhe At Zef Valentini. Ai e kuptoi se shoqëria shqiptare do ta vuante gjatë si një lëngim marrëdhënien me Kanunin. Nuk ishte Kanuni  ai që ishte një sëmundje  shoqërore  e trashëguar, por qasja e shoqërisë dhe e shtetit ndaj tij e bënin të tillë. ekuivalenti




Albanologu i njohur  Peter Bartl,  që në vitin  1970, në një studim  për At Valentinin, me rastin  e 70-vjetorit  të lindjes  së tij, ka thënë:

Sidomos në mënyrë intensive G. Valentini, siç  është  thënë tashmë, u mor me të drejtën zakonore të shqiptarëve. Në vëllimin I të  “Studime dhe  tekste”  të  botuar nga   Instituti i Studimeve Shqiptare ai hulumton “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, të drejtën zakonore të  krahinave të  Shqipërisë veriore.  Këtu ai  merret sidomos me historinë e “Kanunit” dhe të ndryshimeve që ai pësoi  si pasojë e ndikimit venedikas, turk, malazez dhe përmes ndikimit të klerit katolik  roman. Valentini arrin në përfundimin e përligjur sipas  mendimit tim se  mungesa e një  autoriteti  politik krijoi domosdoshmërinë për  të  mbrojtur nderin e vet; faktorë të  tjerë për  ndikimin e gjatë të së drejtës zakonore të Shqipërisë së Veriut duhen parë   në përgjegjësinë   kundruall komunitetit farefisnor dhe  në përpjekjet për  të  shmangur një  intervenim të  autoritetit shtetëror. (At Giuseppe (Zef) Valentini): “Studime dhe tekste historike”, Shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë 2010, f. 17-18)

At Zef Valentini iu vu studimit  të thellë të së drejtës zakonore. Ai pa se shoqërisë shqiptare,  e para së gjithash elitës intelektuale të saj, i mungonin  konceptet  mbi atë që duhet të ishte pikënisje  e këtij  debati:  Filozofinë  e së drejtës zakonore shqiptare.  Filozofia e së drejtës është një degë e së drejtës që ka si objekt studimi të gjitha fushat e së drejtës, duke përfshirë dhe të drejtën  zakonore. Filozofia  e së drejtës zakonore  shqiptare ishte një fushë djerrë  deri në momentin që nuk  u mor me të At Zef Valentini. Ai përcaktoi  parimet  e filozofisë të së drejtës zakonore  shqiptare.  Ai shkruante:

Kanuni, thelbësisht është  një  mentalitet i veçantë etik  i themeluar mbi ndjenjën e nderit, besnikërisë dhe  lirisë, pajisur me cilësinë e përgjegjshmërisë, në substancë, ai cakëzohet në pak parime të  llojit statutori që  paracaktojnë se cila  është  qeveria e komunitetit, monarkike në familje, republikane me senatin (e pleqve) dhe  gjyqësore (tribunale) për  komunitetet më të  shtrira; pjesa  tjetër e tij,  duke   përfshirë gjithë bagazhin folklorik dhe ligjin mbresëlënës të gjakmarrjes, që janë  përdorur aq shpesh  nga shkrimtarë sipërfaqësorë për  t’u  dhënë sa më shumë “ngjyrime” kronikave të tyre; pra  gjithçka tjetër, delegohet me të drejtë nga autori, si pjesë rastësore e Kanunit.

Kur At Zef Valentini shkruante këto rreshta ai mendonte me  siguri  se do  të  vinte  një  ditë  që  studiuesit  shqiptarë  të shkruanin libra mbi filozofinë e së drejtës zakonore  shqiptare, dhe atëherë këto mendime të tij do t’u shërbenin. Por ka kaluar rreth një shekull  qëkur At Valentini i shkroi  këto rreshta dhe megjithatë   ne  ende  nuk  kemi  një  libër  mbi  filozofinë  e  së drejtës zakonore  në Shqipëri,  madje as një libër mbi filozofinë e së drejtës shqiptare në përgjithësi. Në librin “Akte Shqiptaro- Juridike”, At Valentini ka përfshirë  dhe një studim  me titull “Tradicionalizmi i  konceptit  juridik shqiptar”, që  mund   të konsiderohet si e vetmja  përpjekje  serioze e bërë deri më sot për të përpunuar  një tezë mbi filozofinë e së drejtës shqiptare në përgjithësi. Në këtë studim thotë:

Është  karakteristikë në  mentalitetin  juridik shqiptar justifikimi i institucioneve,  qoftë për  përdorimin  teorik, ashtu dhe  për  përdorimin praktik,  nëpërmjet pohimit: kështu  ka kenë gjithmonë “ose kështu  na  e kanë  lënë të parët”. Mirëpo, na  lipset të mendojmë thellë se këtu nuk kemi  të bëjmë me një kryeneçësi të kulluar dhe të verbër besnikërie ndaj traditës ose me një pranim të bindur, në sajë të një  përtacie të caktuar mendore. Është shumë e vështirë të gjesh  ndonjë ekspert të mirë jurist e njohës të historive të maleve shqiptare që të mos  dijë  në një lloj  mënyre t’u japë arsye institucioneve, të  nxjerra zakonisht nga   konsideracionet e një gjykimi të shëndoshë). Në rast se pyeten se për ç’arsye ajo që u është trashëguar prej  etërve duhet ruajtur, ata  të përgjigjen menjëherë, ashtu  siç m’u  përgjigjën mua: “do ta kenë  mendue”, që në termat e sotëm, do të barazvlerësohej me shprehjen: “do  të jenë stërvitur nga  përvoja. E çdo jurist do ta pranonte se udhëheqja më e mirë në korpusin legjislativ është   gjithmonë përvojë. Përballë risive apo  ndryshmeve, të  propozuara nga  cilido, mentaliteti juridik shqiptar kundërvendos proverbin, që është  gjithashtu edhe  një fakt juridik: në katund të vjetër bidat i ri nuk  qitet. Termi përdoret përgjithësisht  për   çfarëdolloj  inovacioni  juridik; u  përdor në mënyrë të veçantë në epokën e Reformave të Turqve të Rinj  për gjithë inovacionet e tyre moderne, e posaçërisht për  taksat  e reja (të ashtuquajtura kalimtare, pasi në konceptin juridik shqiptar të lidhjeve midis enteve lokale, o gjithsesi komunale dhe autoriteteve shtetërore, mbizotëron një lloj e drejtë capitolazioniste, kësisoj asnjë taksë e re nuk mund të diktohet nëse nuk pranohet, sipas rastit nga komunitetet ose korporatat).

Nuk ia vlen të ndalemi këtu  për  të vërtetuar arsyen e fobisë shqiptare për “të renë”, në rast se bëhej fjalë për taksa; por për rastet e tjerë, të konsideruar si të arsyeshëm, ç’mund të them? Lipset  të mendojnë se tradita juridike shqiptare është  formësuar dhe ruajtur në epoka  në të cilat risitë objektive për  t’u  rregulluar juridikisht qenë shumë të rralla; le të themi, p.sh. se e vetmja risi e verifikuar në Shqipëri përgjatë gjithë sundimit shumëshekullor të regjimit turk, ka qenë ndërfutja e armëve të zjarrit, e kësisoj edhe  të legjislacionit vijues për  vlerësimin e krimeve të vrasjeve të qëllimshme ose  në tentativë, që me armët e vjetra do të kishin  një  hapësirë veprimi shumë më të paktë.  Një risi  tjetër, jo e anashkalueshme nga  ana  e së drejtës së brendshme shqiptare, qe për katolikët legjislacioni i ri i martesës, i ndërfutur nga  Koncili i Trentos; gjithsesi do ta shohim më poshtë se si u sistemua një gjë e tillë. Nuk ia vlen të marrim në konsideratë risinë që pati,  përdorimin më të gjerë, siç qe ndërfutja e shkëmbimeve me para në dorë përgjatë gjithë shekullit të kaluar: kjo gjë  u sistemua thjesht nëpërmjet stabilizimit për  çdo fis të një ligji lokal,  mbi barasvlerësimin me para  në dorë të  gjobave në natyrë (praktikisht me kokë bagëtish).

Dora-dorës me përshpejtimin e kohëve, edhe  e drejta në dukje statike  tradicionale shqiptare nisi  të  përshtatej përmes një  fictio iuris  të dukshëm: me përjashtim të patjetërsueshmërisë tradicionale të  së  drejtës, përfaqësuesit e familjeve  të  fisit   angazhohen t’i zbatojnë këto parime në bazë të faktorëve të rinj në një mënyrë të caktuar; po e njëjta gjë thuhet edhe  kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërfisnore, që rregullohen përmes kuvendimit të përfaqësuesve të tyre legjitimë.

 

Sigurisht, që në një epokë  si kjo e jona, në të cilën ndryshuesh- mëria e fakteve vijon me një  ritëm aq të përshpejtuar, sa nuk ka legjislacion që  arrin t’u  përshtatet, nëse  do të  mund të  ekzistojë ende e drejta tradicionale shqiptare (tërësisht ose  gati  e mbytur nga  regjimi aktual),  ajo do të gjendej në shumë vështirësi. Si vijim shembullor për metodën dhe suksesin e saj, do të citojmë reformat e kryera nga  kleri  katolik  sipas kërkesave të moralit kristian dhe të së drejtës kanonike, veçanërisht në lëndën e martesës dhe në atë të paqes dhe rendit publik.

Me shpalljen e legjislacionit të ri martesor, është  një  fakt që kleri  në Shqipëri (asokohe në masën më të  madhe jo  shqiptar) nuk  u ngut aspak në zbatimin e tij,  madje as në popullarizimin e ligjit në vend: ende deri në fund të shekullit XVIII, kemi dokumentacione të  vonimit të  popullarizimit të  tij.  Gjithsesi kishte kohë që kleri  punonte për ta bërë të depërtueshëm, përderisa Koncili i parë  kombëtar shqiptar (1710) të mund ta ligjvendoste atë   sipas   rregullave  kanonike, dhe   Koncilët e mëpasshëm të shekullit XIX ta supozonin atë  të popullarizuar dhe  të pranuar; legjislacione të  ndryshme lokale kishtare të  fundit të  shekullit të shkuar  dhe  të fillimit të këtij  shekulli, merren tashmë vetëm me çështje konkrete të  detajeve. Po cila  vallë qe metoda? Mbështetja te parimet e përgjithshme të së drejtës tradicionale shqiptare dhe demonstrimi se ky legjislacion i rishikuar nuk ishte  një inovacion i vërtetë, e jo vetëm që pajtohej me ato  parime, por  përkundrazi ishte  një  zbatim logjik dhe i mrekullueshëm i tyre. Kështu, ndërsa i gjithë legjislacioni i shteteve që  vijuan në sundimin e vendit, (Roma, Bizanti, Serbia  dhe  Bullgaria, Angjiot dhe  Venecia, e së fundi Turqia) u refuzuan nga  e drejta shqiptare si të papajtueshme logjikisht me të, një  pjesë  e konsiderueshme e legjislacionit kishtar u pranua prej  saj. Një gjë e tillë mund të jetë,  padyshim një  provë e shëndetshmërisë natyrale të parimeve të së drejtës shqiptare, e kjo në një  lloj  mënyre duhet t’i atribuohet edhe  lojës  së hollë të klerit që, si parim të së drejtës shqiptare, paraqiste edhe  ndonjë që nuk qe i tillë, edhe  pse ai nuk i kundërshtonte radikalisht në parimet e saj të vërteta. Megjithatë, nuk  besoj  se argumentuesit e hollë të maleve të  binin ashtu  symbyllur në grackë, por  përkundrazi, e ato  qenë të kënaqur ta linin veten të mistifikoheshin për  arsye të vlefshme. Një tjetër mendësi e mirëstudiuar dhe  e ndjekur shpesh nga  ana  e klerit (veçanërisht për pagëzimin dhe  rregullin publik), qe ai i shfrytëzimit të mundësive të gjërave të afruara në të drejtën shqiptare nga  institucioni i besës,  domethënë të paktit,  të shprehur a të heshtur, ndaj të cilit çdo shqiptar e çdo komunitet, për  arsye të nderit, ndihet i lidhur fort deri në atë masë, sa nuk ka çnderim më të madh se sa të cilësohesh i pabesë dhe që nuk meriton kurrfarë besimi. Është një procedurë, siç thamë, e shpeshtë në botën juridike shqiptare: ajo  çka  ligji tradicional, – kanuni – nuk  trajton, nëse mund të  arrihet pa  rënë në kundërshti me të,  mund të  fitohet nëpërmjet ujdisë midis familjeve të fisit ose midis fiseve; dispozitat e marrëveshjeve të tilla quhen dhe dallohen nga kanuni, me termin në shumës kanune. Kjo  gjë  ndodh në rastin kur  bëhet fjalë  për dispozita të përhershme; përndryshe, si p.sh. për në armëpushim me qëllim pajtimin e gjaqeve, apo  për  të lejuar zhvillimin paqësor të një  aktiviteti, feste,  ceremonie veprimi të  përbashkët çfarëdo, që merr emrin e përgjithshëm të besës.

 

Një numër i madh i besa-ve dhe kanuneve të tilla, të ndërmarra me iniciativën e klerikëve nga  ana  e komuniteteve të ndryshme, është  botuar në mes  të  dokumenteve të  “Studime dhe  Tekste”të sipërpërmendur, e po  kaq të tjerë zotëroj edhe  unë  të pabotuara. Mund  të arrijmë kështu  në përfundimin se i ashtuquajturi tradicionalizëm  juridik shqiptar idealisht nuk  është   gjë  tjetër, veçse ai stabilitet i fortë juridik i domosdoshëm për  një  shoqëri, duke  mbajtur parasysh se në një  shoqëri arkaike,  detyrimisht që palëvizshmëria do të ketë një  karakter shumë më të spikatur; por nga  ana  tjetër, ajo  mund të zhduket pa shkatërruar bazat  e kësaj shoqërie e aq më pak të strukturës së vet juridike.

Fjalët  e mësipërme  të At  Valentinit dëshmojnë  për  një njohje të thellë të fushave të ndryshme të së drejtës shqiptare, si dhe të historisë të së drejtës në përgjithësi. Fragmenti i mësipërm mund të shërbejë si bërthamë për të shkruar një libër mbi filozofinë e së drejtës zakonore  shqiptare,  që ende na mungon në bibliotekën e botimeve  juridike shqiptare.  Fakti  është  se edhe sot e kësaj dite At Valentini mbetet ende i vetmi studiues që ka lëvruar këtë fushë djerrë që është filozofia e së drejtës shqiptare. Nuk është në nderin e studiuesve tanë të së drejtës që kanë neglizhuar këtë fushë kërkimesh kaq të rëndësishme,  dhe akoma më tepër nuk i nderon ata fakti që ende nuk i kanë njohur së paku  At Valentinit meritën  që ka në këtë  fushë. Dhe kur këto gjëra nuk i thotë një shqiptar,  por një i huaj atëherë bëhet edhe më e domosdoshme që mendimet  e tij të evidentohen  për atë që përfaqësojnë realisht,  se kështu nuk mund të na thonë se këto gjëra i ka bërë ndonjë shqiptar  i ekzaltuar. Nuk  është se jemi të rrëmbyer nga entuziazmi valentinian kur themi se ajo që mund të quhet si Kanunologji, pra studimet mbi Kanunin, u vu në shinat e duhura shkencore  nga studimet  e At Valentinit. Ai gjeti paradigmën  e Kanunologjisë.  At Valentini ndryshon kryekëput nga studiuesit  e huaj  të Kanunit,  të cilët  ose janë mrekulluar nga Kanuni, por duke i parë shqiptarët si një popull ekzotik, ashtu si eksploratorët që shkonin në fiset afrikane dhe indiane, ose e kanë quajtur Kanunin se shenjë primitivizmi dhe mungese qytetërimi. At Valentini e çmoi Kanunin,  por duke e parë si shenjë qytetërimi. Edhe të tjerë para tij e kishin bërë këtë gjë, por e veçanta e këtij ati jezuit është se diti të na përshkruajë se si lima e qytetërimit kishte  kaluar  mbi “thepat” e Kanunit, dhe kjo kishte  qenë një punë e kryer nga shqiptarët. Te libri “Të drejtat e Shqipnis etnike”, ai thotë:

Por qytetnimi nuk përbahet qensisht as nga  të mirat landore as nga  të mirat kulturore, por  nga  të mirat morale e shpirtnore. Këndej çashtja temelore: Populli Shqiptar a i ka këto të mira morale e shpirtnore, të cilat, mvehtsue nga pjestarët e tij, i vulosin me vulën, si me thanë kombtare, dhe  i pajisin me atë  mënyrë të ndjesisë, të mendesisë, të shprehjes e të veprimit qi e dallon Shqiptarin nga  të gjithë tjerët?

Shprehja ma  besnike e ma  e njimendtë e visarit shpirtnuer e moral të Popullit t’inë mijvjeçar asht Kanuni i Lekë Dukagjinit, përmbledhë nga  i vlerti At Shtjefën Gjeçovi O.  F. M. Atje janë përshkrue e kristalizue doket e zakonet ma  të vjetra e ma  tiparike të Popullit Shqiptar, doke  e zakone qi trajtojnë e rregullojnë edhe sot nji pjesë të madhe të jetës së katundarve e të malcorve t’inë

Siç shihet At Zef Valentini vazhdon të këmbëngulë që Kanuni duhet të shihet si produkt  i veçantë juridiko-shoqëror i kombit  shqiptar,  si provë se shqiptarët  kanë ditur të krijojnë vlera morale dhe shoqërore baras me popujt e tjerë. Sa më tepër që Zef Valentini me të ardhur në Shqipëri konstatoi se shqiptarët intelektualë nuk e kishin  kuptuar  si duhet atë që përfaqësonte Kanuni, si dhe thelbin  e tij. At Zef Valentini u shpreh kundër atyre që e quanin Kanunin si pagan, duke tërhequr  vëmendjen te thelbi fetar i krishterë i tij. Te “Të drejtat e Shqipnis etnike”, ai thotë për Kanunin:

E mirë, në shfletsojshin ketë  vepër të pavdekshme, qysh  nga faqet e para na bjen në sy vendi i randsishëm qi Shqiptari u shenjon sendeve e personave qi kanë  ndërlidhje të posaçme me Perendi, si asht Kisha e Meshtari. E njimend Kanuni çelet shi me përcaktim të gjendjes juridike e të tagreve të Kishës  e të Meshtarit.

Kisha  gjindet e vendosne nën sundim të të Parit  të Fés e jo nën ligjë te Kanunit: prandej Kanuni s’mund t’i vejë kurrnji barrë Kishës, veçse ka detyrë me i dalë  zot, kur kjo hupë  ndihmën e tij. Me bîjtë ndonji kundershtim ndermjet Kishës  e famullís, famullija s’mund t’i lypë  peng Kishës; veç do të bajë  vaj te i Pari  i Fés – te Ipeshkvi – e gjygjit të  këtij,  si Kisha  si famullija, do t’i  rrijn pa fjalë.

Kisha ka tagër pasunijet si per gja, si per tokë e shtëpija mbrenda e jashta  famullijet; ka tagër me blé e me shitë,  si edhè  me marrë e mbajtë të falunat qi i vinë prej  bujarisë së bamirve e me i vendue si t’a shofi vetë me udhë.

Sa për  nderë të Kishës, Kanuni thotë: Kisha  shpatë e konop s’ka: kush dhunon Kishën, dhunon Famullín: nderën e Kishës  e lypë  Famullija.

Nga shqyrtimi i të drejtës zakonore  shqiptare At Valentini arrin në një përfundim  që fiton një rëndësi dhe vlerë të veçantë për shkak  se thuhet  nga një i huaj i ditur.  Po te “Të drejtat e Shqipnis etnike”, ai thotë:

Gabon randë kush e mban Popullin Shqiptar si popull afetar, pse  jeta  e kurrnji popullit nuk  asht  ndoshta zotnue e rregullue nga  ideja e Zotit, sa jeta  e Popullit Shqiptar. E pohojmë jo  për nji  smadhnim retorik, por  të pshtetun në landë e ndër shenjime të  mbledhuna nga   bashkëpuntori i ynë, të  cilat, megjithse të paplotsueme, na  zbulojnë idenë përnjimend të  lartë qi Populli i ynë ka ndaj Perendisë.

Me këtë At Valentini polemizonte me ata të huaj, të cilët shpesh duke pasur prapamendime të këqija, i quanin shqiptarët si një popull  afetar  dhe pagan.  Në kohën  kur  shkruante At Valentini një mendim  të tillë  e kishin  edhe jo pak  shqiptarë intelektualë, të cilët e shprehnin  me të madhe atë. Rezultati i kësaj ishte që shqiptarët  të dukeshin  si një popull  primitiv. Se qytetërimi europian  kishte  pasur si stad të domosdoshëm  atë fetare të krishterë. Prandaj afetar do të thoshte i paqytetëruar. Pikërisht këtë gjë ka parasysh  At Zef Valentini kur  thotë  në vazhdim të zhvillimit të mendimit  të tij, te “Të drejtat e Shqipnis etnike”:

Populli Shqiptar asht në nji shkallë  qytetnimi shumë të naltë, pse jeta  e tij  si private si shoqnore asht  krejt  e përshkueme dhe  e zotnueme nga  Besimi.

Jemi ndalun pak gjatë në përshkrim e sidomos në dokumentim të ndjesisë fetare të Popullit t’inë, pse na duket  nji  ndër pika ma temelore e ma  karakteristike të qytetnimit  Shqiptar, e këta duem t’ua  kujtojmë jo  vetëm të  huejve qi thonë se besimi i Shqiptarit asht una religiosità superficiale, a nji pretexte commode pour piller leurs voisins; por   ua  kujtojmë edhe   Ligjbasvet, Sundimtarvet, Deputetenvet e Gazetarve t’inë të  tashëm e t’ardhshëm. Thuhet gjithmonë e prej  gjithkuj se Shqiptarët do të  jetojnë shqiptarisht, simbas ndjesish e traditash së tyne kombtare të trashigueme nga  të Parët, e se ligjët, masat, institucjonet e reja  do të përkojnë me këto tradita e zakone kombtare. E mirë, besimi e nderimi ndaj Zotin e ndaj institucjonet fetare asht  nji  ndër tipare ma  të thellat, ma karakteristiket, e ma të mirat e Popullit Shqiptar. Prandej Ligjëbasit, Sundimtarët, Deputetët, Gazetarët… qi duen përnjimend të mirën e Kombit, do të diftohen gjithmonë të kujdesshëm e të zellshëm për shpirtin fetar të Popullit t’inë, tue luftuem e tue ndaluem rrebtsisht, ma  rrebtsisht se deri tash,  çdo propagandë afetare e antifetare, e tue  përkrahë gjithshka synon shtimin e ndjesisë fetare, por  të nji ndjesisë fetare t’arsyeshme e të ndriçueme.

  vijim


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.