OPINION

Negociatat Ndoshta në Qershor 2022!

10:59 - 29.12.21 Dr. Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edhe “ Treni i Dhjetorit” na iku pa negociata me BE-në dhe pa ndonjë perspektivë të sigurt e të qartë lidhur me çeljen e tyre. “ Lumi” i premtimeve dhe përbetimeve Euro – Atlantike ishte vetëm “dëshirë e mirë dhe për të na mbajtur me gajret”! Për këtë pothuajse të gjithë “demonizojnë” Brukselin dhe BE-në, ndonëse bllokada ndaj Shkupit zyrtar  vjen nga Sofja/Bullgaria, si antare e BE-së. Të mos gënjejmë vehten, sikur “ namin” të bënte BE-ja, Bullgaria këtë vit nuk e hiqte dot veton mbasi kishte tri pale zgjedhje” të nxehta” presidenciale dhe parlamentare në Prill, Korrik dhe më 14 Nëntor; vetëm këto ditë mundi të krijojë  koalicionin delikat shumëpartiak qeveritar. Me një problematikë dypalëshe me Shkupin që është pak të thuhet përvëluese; ndaj, veç hapave në nivele ekspertësh,  në pritje të qartësimit të “motit” politik, në Sofje askujt nuk ia mbante të hidhte ndonjë hap  në “tokë të minuar“, ashtu sikurse dhe në Shkup, i cili priste gabimisht  “t’ia nxirrnin të tjerët gështenjat nga zjarri”.




Mirëpo, veç retorikës boshe, edhe disa vende me peshë, nuk mund të ndikonin te Bullgaria për çbllokimin e situatës, mbasi ishin“ të kompromentuara” nga precedentë të ngjashëm. Kështu, Slovenia, kryesuesja e tanishme e BE-së ka “ konflikt interesi” me Maqedoninë e Veriut, sepse  ka qenë pjesë e të njëjtës ish Republikë Federative Jugosllave. Ca më keq akoma,  ajo bllokoi për pesë vite rresht ( 2008 – 2013) Kroacinë për antarësimin e saj në BE, pikërisht për mosmarrëveshje dypalëshe territoriale. Kësisoj, nëse do të këmbëngulte ndaj saj, Sofja mund t’ia rikujtonte Ljubljanës këtë episod të pakëndshëm; as thirjet e diplomacisë greke  në favor të Shkupit nuk mund të kishin efekt sepse  dihet se  Athina mbajti pezull Maqedoninë për 15 vjet në këtë proces ; Franca dhe Holanda dihet se  bënë bllokimin e mëparshëm, ndërsa  Gjermania ishte në prag zgjedhjesh, pa ndonjë interes të veçantë dhe kur Merkeli ishte në largim e sipër. Vendet e tjera, apo dhe ndonjë Komisioner si Varhelyi, nuk kishin asgjë në dorë, veç fjalëve dhe ec e jakeve boshe.

Nisur dhe nga ky rast, disa e shohin zgjidhjen e ngërçeve të tilla  te zëvendësimi i parimit të konsensusit me “ shumicë të cilësuar”  në vendime të kësaj natyre strategjike brenda BE-së. Mirëpo,  ata që e njohin mirë funksionimin e saj, ku bën pjesë dhe autori i këtij shkrimi, me mbi 10 vite përvojë diplomatike në Bruksel, e dinë se ky unanimitet, që mbështetet në traktatet e saj themelore nuk është kursesi “ mëkat” por  aset dhe meritë demokratike, dëshmi e nivelit të saj të lartë  demokratik.

Për rrjedhojë, në BE, secili nga 27 vendet antare ka të drejtën të parashtrojë dhe mbrojë vlerat dhe interesat e veta; pa lejuar anashkalimin apo injorimin e tyre qoftë dhe nga një shumicë. Sepse kostot e zgjerimit ndahen mes të gjitha vendeve e jo vetëm mes disave apo te shumica e cilësuar. Ndaj, Bullgaria është në të drejtën e vet si vend antar i BE-së të vendosë dhe veto. Vërtet që kërkesat e saj lidhen me aspekte dypalëshe, ama vetë BE-ja ka vendosur me të drejtë si kusht që asnjë vend të mos pranohet në BE pa zgjidhur paraprakisht këto probleme, që BE-ja të mos bëhet importuese dhe “depozitë “  grindjesh/mosmarrëveshjesh. Nëse Bullgaria e tepëron, kjo zgjidhet me bisedime dypalëshe dhe ndërmjetësim, por jo me imponim dhe ultimatume.

Gjithsesi, tani problemi është se kur dhe si mund të çelen negociatat gjatë vitit 2022. Për këtë le t’i referohemi shkurt pesë zhvillimeve kryesore politike/diplomatike të këtij muaji; ato tregojnë se me përjashtim të ndonjë mrekullie, negociatat nuk mund të çelen përpara muajit Qershor; madje dhe atëhere “ nëse”, në vartësi të disa situatave që shpjegohen më poshtë.

Së pari, ndonëse rikonfirmoi angazhimin ndaj zgjerimit, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së në Takimin e 14 Dhjetorit nuk  dha asnjë afat, qoftë dhe të përafërt. U mjaftua me  frazën e njohur diplomatike, “as mish as peshk”  “ mirëpresim së më shpejt të jetë e mundur Konferencën e Parë Ndërqeveritare….me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut” ” Pa e përmendur fare, për konvejencë diplomatike e që të mos i ngelej hatri Bullgarisë  as veton  e saj!

Megjithatë, për këtë hodhi më shumë dritë Presidenti Macron  më 11 Dhjetor, kur shpalosi prioritetet e presidencës franceze të BE-së në gjysmën e  parë 2022. Bën përshtypje fakti se ai foli për “qartësim “ dhe jo “ përshpejtim” të zgjerimit në  Konferencën kushtuar Ballkanit që Franca do të organizojë Qershorin e ardhshëm. Nëse Macron do të rizgjidhet në Maj, ka shumë të ngjarë që ky “ qartësim” të përfshijë një vendim të mundshëm për çeljen e negociatave në atë Konferencë në Qershor, natyrisht dhe në vartësi të aktorëve/faktorëve të tjerë  të mëposhtëm.

Ndërkohë, një vendim për çeljen e negociatave në Mars, kur mblidhet Samiti i parë i BE-së nga katër të tilla në vit, duket praktikisht i pamundur, mbasi përkon me fushatën e zgjedhjeve presidenciale në Prill në Francë. Ekstremi i djathtë euroskeptik tashmë i përforcuar shkon në ato zgjedhje me shumë pretendime dhe kur zgjerimi, bashkë me azilin dhe emigracionin është “ municion” për ta. Sepse, një në dy vetë në Francë është kundër zgjerimit. Një fitore e tyre që nuk e urojmë aspak, do të ishte fatale në përgjithësi për  integrimin Europian e më gjerë. Moment tjetër me  ndikim do të jetë dhe diskutimi i gjerë publik brenda BE-së për të ardhmen e saj, i cili mbyllet në Maj, ku zgjerimi është temë e ndjeshme dhe me ndikim dhe për  Konferencën e Qershorit.

Aktorë/faktorë të tjerë të pashmangshëm bullgarë në këtë proces, janë Presidenti Radev dhe Kryeministri Petkov, të zgjedhur më 14 Nëntor; të dy janë shprehur qartë se në Janar do të ulen në tryezë me palën tjetër për të biseduar për një gamë të gjerë çështjesh. Sipas tyre, nëse gjërat ecin mirë, Bullgaria do ta heqë veton brenda 6 muajve, dmth në Qershor! E kuptueshme kjo, duke patur parasysh bisedimet e ndërlikuara, procedurat, draft – dokumentet, debatet parlamentare etj që kërkojnë kohë dhe tratativa të shumta. Por dhe ky afat  deri në Qershor nëse dhe Shkupi do të jetë i gatshëm për lëshimet dhe kompromiset e rastit; tejet e vështirë kjo mbasi problematikat dypalëshe janë drithëruese – gjuha, historia, identiteti, etj. Kur liderët e Shkupit shpresonë gabimisht të dalin“ pa u lagur nga uji” meqenëse shpresojnë se Bullgarinë mund ta detyrojnë të tjerët të heqë veton. Naivitet diplomatik që mund t’i kushtojë asaj shtyrjen pa afat të vetos.

Vendimin për çeljen e negociatave me Shkupin e bën dhe më urgjent fraxhiliteti aktual politik në Maqedoninë e Veriut; ndryshe, nëse kjo nuk ndodh brenda 6 muajve të ardhshëm, ekziston rreziku i provokimit të zgjedhjeve të parakohshme; mirëpo, një fitore e mundshme e  nacionalistëve atje “do t’i vinte vizën” negociatave, Prespës dhe Euro-Atlantizmit në përgjithësi!

Gjithsesi dhe në çdo rast, pyetja më shqetësuese që shtrohet  është si do t’i vejë puna hallit tonë; a do vazhdojë që Shqipëria të jetë  «  viktimë » e mosmarrëveshjeve bullgaro-maqedonase, të cilat dhe pse nuk e dëshirojmë mund të vazhdojnë gjatë pa një zgjidhje? Kur dhe vetë Bullgaria është shprehur në favorin tonë.

Fillimisht, le ta themi se në përgjithësi diplomacia jonë ka bërë mirë që nuk ka kërkuar ndarjen nga Maqedonia e Veriut; kjo do të linte përshtypje dhe perceptime të pakëndshme, jo vetëm te fqinjët tanë, por dhe te shumica e vendeve antare të BE-së. Nuk do të tingëllonte mirë kjo mungesë solidariteti nga ana jonë,  ca më tepër për reciprocitet me fqinjët tanë; veç kësaj,   kërkesa jonë vëshirë se do të gjente mbështetje konsensuale brenda BE-së. Për rrjedhojë, dhe në 3 – 4 muajt e ardhshëm, logoja jonë do të jetë «  Bashkë me Maqedoninë e Veriut në Konferencën e Parë Ndërqeveritare »

POR, nëse  deri në pranverë nuk do të ketë shenja premtuese drejt çbllokimit të gjendjes, atëhere ne duhet të fillojmë pa humbur më kohë, pa zhurmë e pa bujë e në shkallë të gjerë, nëpërmjet kanaleve diplomatike lobimin të vendet antare të BE-së për ndarjen e vendit tonë nga Maqedonia e Veriut në Samitin e Qershorit; që «  bashkë më të thatin, të mos digjet dhe i njomi » Kjo ndarje e natyrshme dhe e justifikueshme me siguri do të gjejë mirëkuptim dhe mbështetje te Shkupi zyrtar dhe sidomos te BE-ja, mbasi  vazhdimi si çift, nuk do të kishte më as sens dhe as dobi për asnjerin nga dy vendet tona. Ca më tepër që vendimi i BE-së i dy viteve më parë nuk është «  tabu » por plotësisht i revokueshëm kur ka konsensus.

Paralelisht, politika dhe diplomacia jonë duhet të heqë dorë nga pozicioni pritës dhe retorikat pa bereqet, meqenëse demek  i kemi kryer detyrat dhe plotësuar kushtet. Po ashtu është e nevojshme të hiqet dorë nga qortimet,  thumbat dhe batutat ndaj BE-së për « dështimet » e saj dhe që po na mban të lidhur «  pas qerres bullgaro-maqedonase » Megjithë rolin dhe rëndësinë e  tij, të mos hiperbolizojmë Komisionin Europian, sepse krahas Parlamentit Europian, «  ligjin » në BE e bëjnë 27 Vendet Antare, bashkë dhe veç e veç. Jemi ende të vegjël dhe «  aguridhë » që t’i japim mend Europës, ndaj, kujdes se «  uthulla e fortë prish enën e vet »  Më mirë «  urtë e butë e  plot tiganin »

Së fundi por jo më pak e rëndësishmja, gjatë muajve të ardhshëm të mos lemë pas dore dinamikën e detyrave të shtëpisë dhe reformave tona të brendshme, si faktori kryesor i besueshmërisë dhe efektivitetit të veprimit tonë diplomatik. Të mos mendojë kush se rruga deri te negociatat është « e asfaltuar » dhe pa «  gropa » Ca më tepër kur  nuk dihet se ç’mund të ndodhë deri në qershor apo më vonë në Europë, me ndikim dhe te kushtet tona; plus dhe ndonjë «  yçkël » tjetër që mund të na nxjerrin gjatë këtyre muajve, veçanërisht nëse vijohet me afera dhe skandale të tjera ulëritëse. Në mënyrë që kur të vijë momenti në Qershor, të 27 vendet antare të thonë me plot gojën « PO »për thirjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, mundësisht bashkë me Shkupin, por dhe veçmas për Shqipërinë. Ndryshe do të na duhet të presim Tetorin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.