Opinion-Komente

Shpjeguesi gjenial i Ligjit të Maleve Shqiptare

10:23 - 30.12.21 Nga Ndriçim Kulla

Siç shihet mendimet e At Valentinit janë të moderuara, të ekuilibruara. Ai shprehet njëlloj, si kundër ateizmit dhe antiklerikalizmit, ashtu dhe kundër fundamentalizmave fetarë të çdo lloji qofshin ato. Për të, që të dyja janë një lloj të dëmshme dhe rruga e vetme është ajo që ai e quan “ndjesi fetare e arsyeshme dhe e ndriçuar”. E thënë nga një jezuit kjo tingëllon një gjë shumë e veçantë. Në gjuhën amtare të At Valentinit, në italisht, “i ndriçuar” do të thotë (illuminato, nga ku rrjedh edhe termi iluminizëm), kjo do të thotë se ai ishte për një ndjesi fetare iluministe. Me këtë At Valentini nuk kishte parasysh në gjithçka Iluminizmin ashtu siç u shfaq në Europën e shekullit XVIII veçanërisht në Francë, si një ideologji militante laike, ndonjëherë edhe ateiste, por mendonte se feja e krishterë nuk duhej të ndahej nga iluminimi, ndriçimi, duke ua lënë këtë fjalë armiqve të saj. A nuk kishte qenë feja e krishterë që kishte ndriçuar botën në shekujt e errët me fjalën e Zotit? Pse nuk mund ta bënte këtë gjë edhe tani?
At Valentini, kur erdhi në Shqipëri pa se nuk kishte një histori të së drejtës, dhe ai u përpoq të hidhte bazat për këtë, duke paraqitur tezën që do të shërbente si bazë për shkrimin e një historie të tillë në të ardhmen. At Valentini shkruante:
Në Shqipëri gjejmë një tërësi traditash juridike edhe sipër së drejtës civile, edhe poshtë, në thellësi të saj, në mënyrë që duke ruajtur dhe shpjeguar parimet e përgjithshme ose normat e përgjithshme të së drejtës, dhe duke e bërë një gjë të tillë në mënyrë befasueshmërisht logjike e të pranueshme, ajo të na paraqesë spektaklin e një konceptimi të vërtetë special juridik të ruajtur jo sipas asaj që njohim ne, për jo më pak se 16 shekuj.
Duke shtjelluar këtë ide shfaqet edhe dallimi dhe njëkohësisht epërsia mbi të huajt e tjerë që kanë studiuar këto aspekte të shoqërisë shqiptare. At Valentini në vazhdim thotë:
Fenomeni nuk ka munguar të tërheqë vëmendjen e etnologëve dhe folkloristëve apo edhe studiuesve në përgjithësi, por gjithsesi në mënyrë të cakëzuar, e në sektorë të caktuar, ata më të dukshmit, siç është ndërtimi dhe struktura fisnore (veçanërisht të shqueme përmes Nopçës dhe Durhamit, për të mos cituar të tjerët veprat e të cilëve mbetën të pabotuara, ose përbëjnë më tepër ripunime të materialeve të siguruara nga të tjerët) apo hakmarrja e cila tërhoqi vëmendjen në mënyrë pak a shumë romantike dhe pak a shumë e pasaktë.
Të gjithë këta studiues të huaj e kishin parë fenomenin pjesërisht, ashtu siç shfaqej në sferat e ngushta ku ishte përqendruar vëmendja e tyre. Zef Valentini, ndryshe nga ata, e shikon të gjithë tablonë dhe tërheq vëmendjen mbi tërësinë e saj, në gjerësi dhe në thellësi. Në veçanti, ai tërheq vëmendjen mbi të drejtën familjare kur studiohet e drejta zakonore. Ai shkruan:
Botova në fillim një vepër të parë me titull “Familja në të drejtën tradicionale shqiptare”, me bindjen se, pavarësisht se nuk është e sigurt që e drejta familjare është baza e së drejtës së Kanunit shqiptar, përsëri ajo është baza dhe parathënia e të gjithë mentalitetit të tij juridik, ashtu si e çdo populli tjetër. Kaloj, nëpërmjet këtij studimi, në përshkrimin e së drejtës së komunitetit, ose më saktësisht të komuniteteve më të gjëra se familja por jo të një gjendje të tillë të qëndrueshme si ajo, e krejtësisht të pavarur e sovrane. Ky vëllim do të përfshijë pjesën e përgjithshme të studimit, pra do të përmbajë parimet e përgjithshme të së drejtës publike dhe tipet e ndryshme të komuniteteve; në shtojcat, për interes historik e për të krijuar bazën e nevojshme të metodës pozitive dhe induktive të përdorur për shqyrtim, kam paraqitur një përshkrim të të gjitha komuniteteve fisnore për të cilat arrita të mbledh njoftime.
Për At Valentinin e drejta familjare është boshti i së drejtës zakonore shqiptare. Vëmendja e tij për të drejtën zakonore nuk është thjesht ajo e një studiuesi që e shikon atë si një dukuri historike juridike. Valentini e kishte të qartë se, për shkak se shteti shqiptar ishte shumë i ri dhe ligjet dhe institucionet e tij qenë shumë të reja, madje mund të quheshin foshnja në raport me të drejtën zakonore, atëherë ishte e pashmangshme që të dy këto sisteme ligjore do të qenë të detyruara që të bashkëjetonin, me apo kundër dëshirës së tyre, në dekadat dhe mbase në shekujt që do të vinin. Për ta trajtuar këtë fenomen kishte dy rrugë. Njëra ishte që të mohohej ky fakt dhe të mallkohej e drejta zakonore dhe në veçanti Kanuni, si dhe të shpalleshin si primitivë njerëzit që binin në konflikt me ligjin dhe institucionet shtetërore, për shkak të së drejtës zakonore. Rruga tjetër ishte që të pranohej ky fenomen i bashkëjetesës të së drejtës publike shtetërore dhe asaj zakonore, si diçka e pashmangshme për një periudhë kohe dhe të mendohej e të punohej për reformimin e së drejtës zakonore në përshtatje me rrethanat e reja. Ideja e Zef Valentinit nuk u mor parasysh dhe ja ku jemi sot, pothuajse pas një shekulli që nga koha kur ai shkroi këto fjalë, dhe shoqëria shqiptare vuan refuzimin e së drejtës zakonore dhe paguan një çmim të lartë për këtë gjë, se e drejta zakonore vazhdon të veprojë fuqishëm në zona dhe shtresa të caktuara të popullsisë. Madje kjo lënie pas dore ka bërë që, në vend që të kontrollohej procesi i reformimit të së drejtës zakonore, siç kishte bërë Kisha Katolike në shekuj, u lejua që e drejta zakonore të degradonte për shkak se tashmë mbi të nuk ushtrohej një autoritet moderator si ai i Kishës Katolike. Zef Valentini, duke e kuptuar se shoqëria shqiptare do të ishte e detyruar të merrej gjatë me këtë “sëmundje”, pra me përplasjen mes dy sistemeve ligjore dhe institucionale, e bëri atë të njëvlershëm me përpjekjet e Nënë Terezës kundër epidemive vdekjeprurëse në Kalkuta. Deri në fund të jetës At Valentini nuk pushoi së studiuari Kanunin, duke qenë i bindur se ballafaqimi konstruktiv i shoqërisë dhe i shtetit shqiptar me të do të mund të bëhej vetëm kur ai të njihej mirë. Ai shkroi një studim me titull “Familja në të drejtën zakonore shqiptare” (1945). Në këtë studim bëhet një përshkrim i hollësishëm i familjes patriarkale shqiptare si një bashkësi me pronë të përbashkët e përbërë nga një numër i madh familjesh të ngushta. Në 1956 ai do të botonte studimin “E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare”. Mbi këtë vepër albanologu Maximilian Lambertz do të vërente:
Valentini në veprën “E drejta e komunitetit në traditën juridike shqiptare”, ka lënë listën më të plotë të fiseve dhe vllaznive shqiptare, të shoqëruar me saktësime të çmuara mbi vendndodhjen e tyre të sotme dhe dokumentimin e tyre historik. Përgjatë trajtimit të kësaj liste ai bën shpesh orvatjen e lidhjes së emrave të fiseve shqiptare me ato të fiseve ilirike, hipotezë kjo që gjen miratimin tim të plotë.
Një vlerësim i tillë nga një autoritet i Albanologjisë, si Lambertz, është konfirmim i vendit të merituar që zë Valentini në albanologji dhe që pikësëpari ai e ka merituar me veprën e vet, pastaj me vlerësimet e atyre që e kanë njohur këtë vepër. Çdo studiues që kishte rastin të bisedonte me At Valentinin mbi të drejtën zakonore shqiptare habitej me njohjen e thellë që ai kishte për të. Studiuesi arbëresh Papas Ignazio Parrino shkruan:
Një herë pata disa dyshime për zgjidhjen e një situate të caktuar. E pyeta në mënyrë që ta kuptonte me intuitë se ç’kërkoja. Si përgjigje filloi të më jepte një leksion të gjatë mbi Kanunin, mbi besën, mbi nderin e mbi trimërinë. Ishte vërtet një kënaqësi të shikoje se si këto parime abstrakte të përputheshin aq mirë me një situatë konkrete. Kuptova kështu se shpirti dhe karakteri i Valentinit qenë mishëruar në parimet e Kanunit shqiptar, me ato veçoritë e tij më fisnike dhe më njerëzore.
Por vlerësimi që At Zef Valentini kishte për Kanunin nuk duhet keqkuptuar sikur ai ishte për përjetësimin e ligjit zakonor. At Zef Valentini e ka bërë të qartë se:
traditë nuk do të thotë fosilizim brenda një guaske parimesh anakronike, por transmetim e rimishërim progresiv i forcave dhe rezervave reaguese të shpirtit shqiptar, gjithnjë besnik ndaj frymëzimit autokton, porse gjithnjë më i ndjeshëm ndaj frymës së kohërave të reja.
Kur At Zef Valentini vlerësonte Kanunin ai kryesisht kërkonte që të provonte se shoqëria shqiptare në shekuj kishte ditur të krijonte vlera morale edhe në periudhat kur kishte qenë e detyruar të jetonte në mungesë të autoritetit të mirëfilltë shtetëror. Te “Të drejtat e Shqipnis etnike”, ai thotë:
Nji provë tjetër se populli Shqiptar ka cilsi morale qi lypsen për jetën politikisht të pamvarun asht kuptimi i lartë i martesës dhe i familjes, organizimi fisnuer qi vazhdon edhe sot në mos në zbatim, sigurisht në shpirt e në mendesi të Shqiptarit.
Si u pa ma nalt, martesa e familjes mbahet nga Shqiptarët si nji detyrë e shenjte e jo si nji mjet gëzimi, e familja kuptue si nji pandamun.
Edhe organizimi fisnuer me atë mvarsi të ngushtë nga Krenët e me atë solidarsi e bashkim të pazgjidhshëm mes gjymtyrësh së fisit a të bajrakut, gaton ma së miri për nevojët nënshtrimi, mvarsije e bashkimi qi bjen me vehte jeta kombtare.
Kur At Zef Valentini erdhi në Shqipëri ai pa se nuk kishte një përpjekje për të bërë historinë e së drejtës zakonore shqiptare. At Valentini kishte aftësinë e rrallë që në çdo çështje që shqyrtonte të kapte thelbin e saj. Është një provë e intelektit të tij të veçantë që, duke u marrë me një çështje, ai vërente dhe zbulonte diçka tjetër. Kështu, duke punuar për një përmbledhje dokumentesh juridike që kishin të bënin me të drejtën zakonore shqiptare, At Valentini vuri re një gabim që kishin bërë një numër i madh studiuesish të huaj dhe shqiptarë (Lik, Pukëvil, Bue, Koci, Ippen, Thaloci, Durham, Baldacci, Cordignano, Gjeçovi, Casteleti, Vilari, Harapi). Në parathënien e “Akte juridike shqiptare” ai thotë mbi këtë çështje:
Ose sepse injoronin, ose sepse ishin të dominuar nga supozimi se një e drejtë zakonore trashëgohet brez pas brezi vetëm gojarisht dhe jo me shkrim, janë kufizuar në përshkrimin e pastër të gjendjes aktuale në kohën e tyre, dhe nuk kanë tentuar që të bëjnë një histori të dokumentuar, por vetëm kanë avancuar aty këtu ndonjë hipotezë historike.
Duke pasë vënë re një boshllëk të tillë, gjatë punës sonë për përgatitjen e burimeve për historinë e Shqipërisë, pak nga pak që gjenim dokumente interesante për historinë e së drejtës, i mbanim shënim; e pastaj në vitin 1944 i sistemuam dhe i botuam si një vëllim të parë provizor. Ndërkohë, e pastaj edhe më vonë, redaktuam disa studime për këtë lëndë, tashmë disa të botuara të tjerat të mbetura të pabotuara për mungesë të mjeteve. Veç të tjerave, me qenë se në rastin e 500-vjetorit të heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kishim marrë numërimin e Arkivit të Shtetit të Venecias, kemi pasur mundësinë për të përmbledhur një shtojcë të mirë të dokumenteve të reja në dy përmbledhjet e vjetra, dhe i kemi vendosur në vendin e tyre në rendin kronologjik, me numërim unik. Për qartësi dhe përdorim më të mirë, kemi menduar që të pajisim secilën pjesë (copë) jo vetëm me indikacionet e zakonshme të datës, vendit, autorit, origjinës arkivistike ose bibliografike, por edhe për të nxjerrë në pah, në mënyrë shpjeguese indikacione të kapitullit ose të kapitujve të së drejtës tradicionale shqiptare të cilës dokumenti mund t’i referohet. Tekstet greke, sllave dhe shqiptare i kemi pajisur me përkthim latin, ato latine, italiane, franceze e kemi konsideruar të tepërt t’i përkthejmë; ato pak tekste anglisht dhe gjermanisht, të gjithë të epokës së fundit, i kemi përkthyer në italisht, duke kërkuar kështu për t’i sjellë, sa është e mundur, në një gjuhë unike me tekstet italiane; kjo sepse prej kohësh ka qenë zakon shumë i shpeshtë në Shqipëri për të hartuar dokumente juridike në italisht, e kështu aty është formuar një lloj tradite e gjuhës juridike italiane.
Në fund kemi shtuar edhe një fjalor juridik shqiptar, të kufizuar në më të domosdoshmen për interpretimin dhe përdorimin e dokumenteve.
Ky fragment nga shkrimet e At Zef Valentinit mund të shërbejë fare mirë si bazë për shkrimin e historisë të së drejtës zakonore shqiptare. Ndërmarrja e mësipërme valentiniane dha disa rezultate madhore. Një ndër ta ishte “Akte juridike shqiptare” në dy vëllime, që u botua në Mynih, në vitet 1968- 69 dhe që iu kushtua historianit të madh Franc Babinger, i cili kishte vdekur në atë kohë. Këto dy vëllime që përmbajnë 320 akte juridike të periudhës nga shekulli V para Kr., deri në vitin 1406, janë strukturuar në atë mënyrë që të përbëjnë një histori dokumentare të së drejtës zakonore shqiptare,At Valentini guxoi t’i hynte sfidës së shqyrtimit të fondit të madh dokumentar që kishin mbledhur misionet jezuite përgjatë gjysmë shekulli, nga viti 1880 në vitin 1932, dhe të nxirrte nga kjo lëndë bruto atë që ishte e vlefshme për historinë e së drejtës zakonore shqiptare. Rezultati i kësaj pune ishte libri “Ligji i maleve shqiptare” (Firence 1959), që është një përmbledhje prej 252 aktesh juridike që kanë të bëjnë me të drejtën zakonore shqiptare. Duke e studiuar të drejtën zakonore shqiptare nga këndvështrimi i përpilimit të një historie të saj, At Valentini arriti edhe në përfundime antropologjike mbi formësimin e karakterit shqiptar. Në parathënien e librit “Ligji i maleve”, At Valentini shkruan:
Kombi shqiptar, ruajtësi dhe vazhdonjësi i fiseve antike të rajonit thrako-ilir e të qytetërimit të tyre, në një nivel goxha të kënaqshëm, i paraqitet studiuesit me një aspekt kulturor e tradicional, deri më sot po kaq pak të njohur sa edhe interesant: atë të konceptit juridik dhe të zakoneve që i mishërojnë ato. Megjithatë, nga ana e studiuesve ai filloi të vërehej vetëm rreth mesit të shekullit të shkuar, shpesh me një përpikëri të mangët e gati gjithmonë të palidhur me dokumentet e historisë të së drejtës, që në Shqipëri nuk mungojnë.
Duke pasur nga njëra anë në dispozicion një numër të madh kopjesh të dokumentacionit historik, të botuar e të pabotuar, dhe nga ana tjetër, një eksperiencë të mjaftueshme e të drejtpërdrejtë të zakoneve e dokeve të vendit, mendova t’i mblidhja ato në një “korpus” të dokumenteve të ndryshme juridike, antike, mesjetare dhe moderne, për të nxjerrë më pas një parashtrim sistematik historik-përshkrues-analitik, të gjithë fushës së gjerë të jetës dhe aktivitetit njerëzor të rregulluar nga këto zakone; Dëshirova kështu, t’i bëja një shërbim studiuesve të interesuar në këtë fushë e në të njëjtën kohë edhe kombit shqiptar aq të dashur për mua, antikiteti, personaliteti dhe fisnikëria e të cilit demonstrohet nga mentaliteti i fuqishëm juridik, jo më pak dhe ndoshta më shumë se sa dhe vetë gjuha dhe poezia e tij.
Nga këto rreshta shihet qartë se ishte fjala për një projekt tjetër për të shkruar një libër, të cilin At Valentini nuk pati kohë që ta bënte, pasi në mendjen e tij vërshonte një ujëvarë projektesh të tilla. Por teza mbetet e gatshme që studiuesit tanë të sotëm ta zhvillojnë në libra. Në këtë korpus të akteve juridike të botuar nga At Valentini që është “Akte shqiptaro-juridike” gjejmë të dhëna me shumë vlerë mbi çështje të ndryshme të së drejtës zakonore: së drejtës publike, së drejtës penale, së drejtës civile, kontratave, së drejtës familjare etj., përkatësisht mbi çështje si vetëqeverisja lokale, azili, dëbimi, ujitja, martesa (blerja e nuses), varrimi (darka tradicionale), festat fetare dhe ato laike etj. Nga dokumentet jepen të dhëna të hollësishme për institutet juridiko-penale zakonore të gjakmarrjes dhe të konkubinatit (bashkëjetesa mes mashkullit dhe femrës pa vënë kurorë në kishë). Kjo për arsye që kuptohen lehtë: Për klerin katolik këto qenë dy probleme të mëdha. At Valentini nuk mungon të qortojë me argumente edhe ata studiues të huaj që quhen si autoritete madhore në albanologji. Në parathënien e “Akte Shqiptaro-Juridike”, ai thotë:
Por unë do të doja të përqendroja vëmendjen e lexuesit në metodën historiko-kritike të inauguruar prej meje mbi lëndën në fjalë (të paraprirë vetëm në disa çështje të veçanta nga studiues të tillë si Shuflaj dhe Jireçek, që u interesuan më tepër për të drejtën e qyteteve bregdetare dhe atyre serbe), sepse nëpërmjet saj, përtej ndjekjes në mënyrë më të përpiktë të konceptit të institucioneve përmes zhvillimit të tyre historik, bëhet gjithashtu i mundur vërtetimi historik i vijimësisë së traditës juridike shqiptare të paktën deri në periudhën e Mesjetës së vonë duke paraqitur në një lloj mënyre edhe origjinalitetin e saj.
Nga ana tjetër, ky pohim origjinaliteti nuk duhet të na habisë, ashtu siç nuk duhet të na habisë edhe pohimi që po kërkoj të bëj, sipas të cilit populli ilirik dhe ai thrak pranë tij, e pas tyre kombi shqiptar, që është vazhduesi i drejtpërdrejtë, janë mrekullisht të pajisur me dhuntinë e një kapaciteti special juridik; le të mendojmë vetëm se nga një trung i tillë kanë dalë ligjvënës të tillë si Diokleciani, Konstantini, Justiniani, Vasile Lupuli i Rumanisë dhe shumë të tjerë. Dhunti speciale e traditës juridike shqiptare është logjiciteti rigoroz, ashtu siç besoj ta kem provuar në mënyrë konstante në botimet e sipërcituara, nëpërmjet zgjidhjes së kënaqshme edhe të antinomive më se të dukshme.
At Valentini i kritikon Shuflajin dhe Jireçekun se nuk kanë mundur që nga moria e dokumenteve dhe të dhënave historike të arrijnë të krijojnë një ide mbi tablonë në tërësi. Nga ato që ai thotë më lart dy koncepte janë veçanërisht të rëndësishme, ai i vijimësisë së traditës juridike dhe ajo që ai e quan dhunti speciale të së drejtës shqiptare. Të dyja këto teza meritojnë të shqyrtohen me vëmendje nga studiuesit e sotëm dhe pse jo të zhvillohen në studime e libra, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet fqinje me teza të tilla që kanë hedhur studiuesit e huaj në raste të ngjashme.
At Zef Valentini ishte i kujdesshëm që kur shkruante për të drejtën zakonore shqiptare të mos lejonte që studimet e tij të përdoreshin për të ndezur nacionalizmin, të cilin ai, si klerik katolik, e shikonte si një të keqe të madhe të botës bashkëkohore. Është fakt se asnjë nga publicistët nacionalistë shqiptarë nuk ka gjetur asnjë paragraf të vetëm në studimet e At Valentinit mbi të drejtën zakonore, që të mund ta përdorë për propagandë nacionaliste .
Fund



Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.