Opinion-Komente

Demokracia e orkestruar dhe retorika boshe e Xhokerit të Shqipërisë

15:19 - 10.01.22 Gazeta Shqiptare

Nga Agim Nesho



Demokracia është sistemi politik më i mirë që shoqëria Shqiptare ka zgjedhur. Dhe për këtë ju jemi mirënjohës përjetë Perëndimit dhe SHBA-së që na ndihmuan në ndryshimin e sistemit.

Jo se populli Shqiptar i mençur dhe liridashës nuk e meritonte me kohë, por regjimet mesjetare dhe diktaturat e egra nuk e mundësonin atë. E ardhmja e popullit Shqiptar përgjithësisht është përcaktuar nga interesat e pushtetit të liderit, që mbante pushtetin me çdo veprim dhe mjet, duke shfrytëzuar konjukturat e rastit dhe bashkëpunuar me fuqitë dominuese të kohës për të kontrolluar pushtetin.

Fatkeqësisht, mundësia për të qenë të lirë në zgjedhjet tona nuk na është mundësuar nga psikologjia kolektive lindore, psikologji dominuese e shtresëzuar në kohë nga dominimi i perandorive të ndryshme që kanë sunduar mbi vendin tonë, që nuk vë në diskutim pushtetin dhe liderin, atë që me të drejtë politologu i madh amerikan Samuel Huntington e quan ‘servitude’.

Ne u zhytëm të dehur nga liria në detin e madh të demokracisë me besimin e madh te vlerat dhe parimet e saj, por harruam rregullat e pushtetit dhe interesat e fuqive për të menaxhuar botën. Ne i shikonim me idealizëm dhe besim ata që na trajtonin me dashuri por dhe me pragmatizmin e tyre në rolin e lidershipit të rendit botëror.

Shpesh stabiliteti fitonte mbi demokracinë, dhe klasa politike kuptoi se si mund të sundonte në mënyrën e vjetër në një sistem të lirë dhe me shanse të barabarta për të gjithë. Demokracia liberale u transformua në një sistem partitokratik dhe liderët e projektuan veten si të pazëvendësueshëm për të prodhuar stabilitet.

Në fund të viteve 90-të analisti i shquar dhe filozofi shqiptar Fatos Lubonja ishte heroi i Neë York Times ku editorialet e tij flisnin për gabimet që ishin bërë nga perëndimi për të mos investuar tek institucionet demokratike, por tek individë të caktuar. 25 vite më vonë çdo gjë është harruar, pavarësisht se Lubonja dhe shumë intelektualë të tjerë po shtrojnë problemin e krijimit të një shteti të kapur, të korruptuar dhe të venitjes së demokracisë në Shqipëri.

Kësaj radhe burokratët që merren me Shqipërinë kanë zgjedhur rrugën e lehtë të një demokracie ‘të orkestruar’ duke përkrahur pa kushte një lider klientelist që ju plotëson çdo kërkesë, pa vënë re që Shqipëria po shket në një regjim autokrat të pasigurtë për të ardhmen e saj perëndimore.

Klientelistët në këtë rajon të botës kanë treguar se i ndryshojnë shpejt perandoritë dhe favorizojnë ata që ju sigurojnë pushtetin. Në Shqipëri mund ta gjesh këtë precedent në shumë raste.

Klientelisti i fundit Shqiptar e ka gati strategjinë e tij alternative me liderin e Turqisë neo-otomane, i cili është role-modeli i tij në çdo aspekt; politik, ekonomik dhe që nuk ka mospërputhje në koncept me regjimin kleptokrat të Tiranës. Kënaqësia për të plotësuar disa kërkesa si për marrjen e afganëve, apo mundësinë për të realizuar një projekt ‘paqeje’ me Vuçiç për Ballkanin është një naivitet i krijuar nga lojërat me lobistët dhe garancitë e krijuara nga individë dhe organizata që kërkojnë të plotësojnë interesat e tyre që janë larg interesave të shtetit. Përpara se të përkrahësh një lider klientelist dhe ti mbyllësh menjëherë zgjedhjet e kontestuara të 25 Prillit për arsye të ‘stabilitetit’ duhet të kuptosh që populli është gjithmonë e më kritik ndaj regjimit që përdor çdo mjet për të rritur sundimin e tij, duke kapur shtetin, duke fuqizuar oligarkët e tij me paratë publike, duke kapur drejtësinë për të mos dënuar aferat e inceneratorëve, të patronazhistëve, të unazës së re, të PPP-vë, të portit të Durrësit, etj.etj., të cilat kanë ngritur urrejtjen popullore jo vetëm ndaj regjimit por edhe atyre që në mënyrë të panevojshme përkrahin ata.

Kriza e thellë e demokracisë Shqiptare filloi që me sulmet e regjimit ndaj institucioneve të shtetit për ti kapur ato; sulmi ndaj institucionit të Presidentit të Republikës, korrupsionit të shfrenuar dhe u thellua me njohjen dhe përkrahjen e regjimit me zgjedhjet e 25 Prillit. Kjo përkrahje u konkretizua me menaxhimin e goditjes së Opozitës pas zgjedhjeve për të kontrolluar reagimin demokratik popullor, duke rënë në lojën e regjimit, i cili ka shpallur ‘armiqtë e tij’ që i rrezikojnë pushtetin si Berisha dhe Meta.

Ky orkestrim u pa me dyshim, dhe në mungesë të transparencës dhe njëanshmërisë, kur opinioni publik priste të mbahej qëndrim për regjimin kleptokratik të Edi Ramës, faktorizoi zotin Berisha jo si viktimë por si shpresë për ndryshim. Populli mbështeti Dr. Berishën se i beson kauzave të tij, nuk shitet dhe blihet dhe qëndron i vetëm deri në fund si në 8 Janar.

Berisha mund të mos ishte lideri ideal, duke parë dritë-hijet e tij, por ai mbetet lideri karizmatik që e zgjedh vetë populli. Kauza e Dr. Berishës për mbrojtjen e pluralizmit në Shqipëri si dhe urrejtja ndaj regjimit dhe korrupsionit që po shkatërron Shqipërinë po e kthen këtë lëvizje të gjerë në një lëvizje popullore demokratike kundër regjimit.

I vetmi që e kupton rrezikun është lideri klientelist Rama, i cili realizimin e tij më të madh ka që në këtë moment të historisë të besohet si ‘agjent’ i ndryshimit nga Perëndimi. Atë që nuk kupton Perëndimi është roli i Xhokerit në Gotham City, që pasi e ka përdhosur qytetin bën shfaqje. Ai është lideri ‘përbashkues’ që pasi shkatërroi opozitën kërkon të bashkëqeverisë me popullin duke ia kaluar edhe Hugo Chavez.

Retorika boshe e Xhokerit të Tirana City nuk impresionon sot as më naivin në perëndim që më shumë i besojnë lobistëve të tij, të cilët mund ti promovojnë në karrierën e tyre, sesa ‘demokratin’ Rama. Sot ka dy realitete; njërin që përpiqet të krijojë Rama dhe mbështetësit e tij, dhe realitetin që përjeton populli që kërkon ndryshimin dhe rikthimin e demokracisë.

Demokracia e orkestruar nuk funksionon sidomos kur retorika e Xhokerit po mbytet nga zhurma e skandaleve. Në mungesë të vizionit dhe projekteve konkrete për rajonin është më mirë që proceset demokratike të mos orkestrohen por ti besohen popullit.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.