Kryesore

Ende Orientalizmi shqiptar , siç e përshkruante dikur Krist Maloki, funksionon me proverba

09:00 - 12.01.22 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një pengesë e madhe midis Mendimit Shqiptar dhe lexuesit ka qenë dhe mbetet se shqiptarët mendonin dhe mendojnë akoma shumë me proverba. Branko Merxhani te shkrimi i tij “Tradita dhe historia” iu tërhiqte vëmendjen shqiptarëve se me zhvillimin e një shoqërie bie përdorimi i proverbave në të. Merxhani e thoshte këtë gjë sepse ai e shikonte se në mendjen e shqiptarit ishte ngritur një gardh me proverba kundër ideve të reja. Proverbat ,kishin krijuar për njeriun shqiptar në shekuj një botëkuptim se mënyra e tij e jetesës ishte më e mira e mundshme në kushtet e Shqipërisë, dhe se ndryshimi i saj, sipas ideve të reja ishte një sprovë e rrezikshme me pasoja të paparashikuara. Mendja e shqiptarit ishte e blinduar me proverba. Orientalizma shqiptare, thoshte  Krist Maloki, funksiononte me proverba. Për çdo situatë jetësore e kishte një proverbë, që e ftonte njeriun të vegjetonte, duke bërë gjoja sikur punonte në vendin e tij të punës, por në fakt duke u kujdesur për rehatinë e tij. Merxhani, në artikullin e përmendur më lart, i referohej  sociologut të madh Emile Durkheim, i cili thoshte:




      Me zhvillimin e shoqërisë bie në numër përdorimi i proverbave dhe thënieve të tjera folklorike dhe kjo është një tjetër provë që kolektivi bëhet më pak i determinuar nga e shkuara. Në të vërtetë, në shoqëritë primitive, maksimat e këtij lloji janë të shumta. Sipas Ellis, populli që flet gjuhën Eëe, ashtu si shumë popuj të tjerë të Afrikës Perëndimore ka një koleksion të pasur të proverbave, duke pasur një të tillë për pothuajse çdo rrethanë të jetës, një karakteristikë që është e përbashkët për shumë popuj që kanë bërë pak progrs në rrugën e qytetërimit. Shoqëritë më të zhvilluara nuk janë shumë pjellore në këtë fushë në fazën e parë të zhvillimit të tyre. Më vonë, jo vetëm që nuk krijohen proverba të reja, por dhe të vjetrat, gradualisht zhduken, humbin kuptimin e tyre dhe në fund bëhen fare të pakuptueshme. Kjo tregon qartë që përdorimi i tyre favorizohet në shoqëritë me zhvillim të ulët dhe që sot ato janë në përdorim vetëm në shtresat e ulëta të shoqërisë. Por një proverbë është një shprehje e përqëndruar e një ndjenje ose ideje kolektive e lidhur me një shtresë shoqërore ose objekt të caktuar. Besimet dhe ndjenjat e këtij lloji nuk mund të ekzistojnë pa kristalizimin e tyre në këtë formë. Ashtu si çdo mendim përpiqet të gjejë shprehjen që është më e përshtatshme për të, nëqoftëse ai është i përbashkët për një numër të caktuar njerëzish, atëherë përfundimi është që të shprehet në një formulë që është njëlloj e përbashkët për të gjithë këta njerëz .

Shqiptarëve u duhet akoma ta kapërcejnë këtë stad mendor të shoqërive të pazhvilluara, për të cilin flet sociologu Durkheim. Të menduarit dhe të shprehurit me proverba nuk është vetëm një çështje që tregon formimin folklorik të njeriut, se nëse do të ishte kështu, nuk do të ishte e dëmshme. Por të menduarit dhe të shprehurit me proverba është i pandarë nga mendësia e individit fisnor, të cilën e kam përshkruar më lart në këtë libër, e atij individi që vetëm formalisht është bërë individ shoqëror qytetar dhe që vazhdon të mendojë dhe të sillet si individi fisnor, në kushtet e një shoqërie qytetare (për nga liritë dhe të drejtat jo dallimi qytetar-fshatar), që në letër është e modelit perëndimor. Çdo ideje të kësaj shoqërie qyetare, ky individ fisnor i kundërvë një proverbë, e cila është mohim i kësaj ideje të re. Kështu ndodh në politikë, në jetën familjare, në rrethin shoqëror, në punë etj. Është një detyrë madhore e Mendimit Shqiptar që ta pastrojë mendjen e shqiptarëve nga kjo mënyrë të menduari, duke punuar me mendjen e shqiptarëve që në shkollë, me anë tekstesh të përshtatshme, si dhe duke i dhënë në dorë lexuesit shqiptar libra të mirë që do ta bëjnë shqiptarin  një mendimtar të mirë, në nivelin e europianit bashkëkohor. Kuptohet se kjo nuk do të thotë që duhet të zhdukim proverbat që janë një pasuri e madhe kulturore, që duhet ruajtur, por atje ku e ka vendin thesari kulturor i së shkuarës.

Sidoqoftë duhet thënë se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në këtë raport të veçantë të shqiptarëve me proverbat. Stephanos Zotos, në librin e tij “Grekët: dilema midis të shkuarës dhe të tashmes”  që e kam përmendur shpesh, thotë se edhe fqinjët tanë grekët kanë të njëjtin zakon si shqiptarët, për të menduar dhe për t’ u shprehur me proverba. Zotos thotë për bashkëkohësit e tij:

      Proverbat e së shkuarës janë një dije e trashëguar dhe praktikisht çdo grek, madje edhe më injoranti, i përdor disa prej tyre kur gjenden në situata të përshtatshme, për të mprehur ose thjesht për të shprehur zgjuarsinë e tij. Çdo grek do t’ i referohet një proverbe për të ilustruar një çështje, një gjendje mendore, një veprim, ose mungesën e një veprimi. Kaq i madh është besimi i grekëve të proverbat e tyre, saqë ata iu besojnë atyre shumë më tepër se ligjeve nën të cilët mendohet të jetojnë. Ata i përdorin proverbat si një mburojë për të mbrojtur vetveten dhe të tjerë nga fatkeqësitë e sotme, por gjithashtu si një paralajmërim për atë që mund të sjellë e ardhmja.

Sigurisht që ky zakon që grekët e ruanin akoma të fortë në fund të viteve gjashtëdhjetë, kur shkruante Zotos, nuk mund të thuhet se u zhduk shpejt në dekadat që pasuan. Akoma edhe sot grekët mendojnë dhe shprehen shumë me proverba. Në fund të fundit ky është një zakon i përhapur në Ballkan, dhe jo vetëm në Shqipëri apo në Greqi. Me mënyrat që kam thënë më lart, dhe si rezultat i zhvillimit, proverbat do të humbin rolin e tyre si kod mendor i një pjese të madhe të shqiptarëve. Durkheim ka thënë kështu për humbjen e këtij roli të proverbave te njeriu modern:

      Çdo organ i trupit përshtatet sipas funksionit të tij. Prandaj është e gabuar që ta shpjegojmë rënien e përdorimit të proverbave me prirjen tonë për realizëm dhe këndvështrim shkencor. Në gjuhën e folur ne nuk i kushtojmë shumë vëmendje saktësisë dhe nuk tregojmë mospërfillje për imazhin në këtë mënyrë. Përkundrazi, ne mbështetemi shumë në proverbat e vjetra që kemi ruajtur. Për më tepër imazhi nuk është një element i brendshëm në proverbat. Është një nga mënyrat, sidoqoftë jo e vetmja, në të cilën mendimi kolektiv është shënuar. Megjithatë këto formula të shkurtra përfundimisht janë shumë të kufizuara për të shprehur larminë e ndjenjave individuale. Uniteti i tyre nuk përfshin gjithë rastet e kundërta që kërkojnë shprehje. Kështu që proverbat ia detyrojnë përdorimin e tyre të suksesshëm kuptimit të përgjithshëm në të cilin përdoren dhe gradualisht zhduken nga përdorimi. Organi atrofizohet sepse nuk ushtrohet më funksioni i tij, që në këtë rast do të thotë që ka gjithmonë e më pak mendime të përfaqësuara kolektivisht në një formë të caktuar të shprehjes, që janë proverbat ,

Zhdukja e këtij zakoni shoqëror do të vijë edhe natyrshëm siç thotë Durkheim, por kjo do të kërkojë një kohë të gjatë, prandaj është e domosdoshme që zhdukja e këtij zakoni shoqëror, duke pasur parasysh dëmin që sjell ai, të përshpejtohet me mënyrat që kam thënë më lart. Dikush mund të thotë se është qesharake që të merremi edhe me gjëra të tilla siç janë proverbat dhe zakoni i njerëzve për t’ i përdorur ato. Sepse kemi çështje të tjera më të rëndësishme për t’ u marrë para kësaj. Por ja që sociologjia merret edhe me këtë çështje, madje me shumë seriozitet, siç kam cituar më lart një prej sociologëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Dhe sociologjia merret me çështjen e proverbave, për shkak të ndikimit që ato kanë në mënyrën e të menduarit dhe në sjelljen e njeriut. Se nga mënyra e të menduarit dhe e sjelljes së njeriut vijnë pastaj shumë nga ato problemet e tjera, të cilët i quajmë më të rëndësishëm se ky. Merxhani thoshte në 1936:

Shqiptari sapo ka filluar të mendojë mbi problemin social shqiptar. Bashkëatdhetari shqiptar që fillon të mendojë mbi problemin socjal të shoqërisë së vet dhe që trazohet drejt për së drejti, ose edhe tërthorazi, në mënyrën e rregullimit të shoqëris shqiptare, pikësëpari duhet të mësoje e të dijë rregullat shoqrore (sociologjike) që sundojnë mbi jetën e grumbullimeve njerëzore. Pa një dije të tillë s’ mund të bëhet një element i dobishëm që ka fuqi dhe cilësi të kontribuojë në punën e ndërtimit të godinës shoqrore të vet.  

Për këtë arsye shqiptarët duhet ta marrin sociologjinë ashtu siç është dhe jo ashtu siç ju thotë mendja atyre se duhet të ishte. Nëqoftëse sociologjia merret edhe me proverbat, kjo ndodh për arsye se kombet europiane e kanë kaluar më parë këtë fazë, të cilët shqiptarët janë duke e kaluar tani. Dikush mund të thotë se shumica e proverbave janë të vlefshme, edukuese. Shumë e vërtetë. Por problemi me to është se mund të përdoren mirë edhe në situata që bien në kundërshtim me moralin e shoqërisë së sotme. P.sh., kur dikujt i kërkojnë të shesë votën, për një përfitim të çastit, duke mos dëgjuar premtimet e palës tjetër për të mirat që do të vinë pas zgjedhjeve, sipas programit të partisë përkatëse, i thonë “Më mirë një vezë sot se një pulë mot”. Ky proverb mund të ketë edhe një përdorim shumë më të mirë, por në mendjen e njerëzve të mësuar me proverba bën efekt edhe në rastin e përdorimit të keq. Kur një vajzë fshatare të cilën e kanë gënjyer dhe e kanë dërguar jashtë shtetit gjoja për ta punësuar, e bindin që të punojë si prostitutë së bashku me shoqet e saj, i thonë me kërcënim proverbin e përshtatshëm, “Delen që ndahet nga tufa e ha ujku”. Në raste të tjera kjo proverbë mund të gjejë një përdorim shumë edukues, por në këtë rast ka funksionin e kundërt. Ndaj njerëzve të mësuar të vihen në lëvizje me proverba, edhe proverbat që duken më të pafajshme mund të përdoren me sukses për qëllime të këqija. Kjo ndodh për arsye se shqiptarët e kanë nisur vonë emancipimin kulturor dhe në shumë aspekte ai akoma nuk ka përfunduar. Stavro Skëndi shkruan për këtë çështje:

      Popujt e tjerë ballkanikë kishin punuar gjatë për emancipimin kulturor më përpara se t’ ia arrinin çlirimit. Për shqiptarët kjo qe një detyrë e vështirë. Adriatiku nuk i lidhte me Perëndimin por i ndante prej tij. Rrymat e mendimit perëndimor mezi arrinin te ata. Shumica, duke qenë myslimanë, qenë të prirur nga Lindja. Mandej, ndriçimi i mendjeve po kryhej me ngadalë, sepse shkollat shqipe ndaloheshin prej Portës dhe ky ndalim përkrahej nga Patriarkati i Stambollit.  

Për këtë arsye ne shqiptarët akoma nuk e kemi përfunduar fazën e emancipimit kulturor që është parakushti për të nisur vërtet procesin e ndërtimit të një kulture shqiptare e tillë që të jetë bashkëkohore europiane. Deri më sot ne nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi hedhur themele të kësaj kulture. Merxhani është i të njëjtit mendim me Stavro Skëndin kur thotë se dashuria e një intelektuali ndaj kombit të tij  tregohet duke e ndihmuar kombin e tij që të bëjë emancipimin kulturor, ndonëse ky mund të duket një proces i dhimbshëm:

      Nuk dashurohet dhe nuk shërbehet i një popull, kur ndjejmë nevojën të bindemi në një tok urdhëra të pa-arsyeshme, primitivetë kundërta të traditavet. Traditat dhe ndjenjat kanë një llogjikë të tyre. Por nuk duhet të harojmë se ka edhe ndjenja që janë lidhur me llogjikën, ka edhe disa vlera të veçanta që janë përfundimi i një nevoje mendore. Në një çast historik të caktuar dhe në një shkallë të caktuarë qytetërimi Kombet nisin të shqyrtojnë vlerën e ligjavet që i sundojnë gjer atë ditë.  

 

Merxhani e dashuronte thellësisht popullin shqiptar, dhe ishte i vendosur t’ i shërbente atij ndonëse nga kjo pësoi  shumë privacione, për 10-12 vitet që qëndroi në Shqipëri. Në Turqi ai mund të bënte një karrierë të madhe si gazetar, me pagesë shumë më të madhe se në Shqipëri, siç tregoi edhe karriera e tij pas largimit nga Shqipëria në 1939. Por ai ishte një idealist, ashtu si kolegët e tij bashkëkohës të shkollës së Mendimit Shqiptar.

Për fat të keq idealizmi ka qenë dhe është një cilësi e rrallë ndër mendimtarët shqiptarë. Mendimtarët me veti të këqija kanë qenë dhe janë më të shumtë. Si vetinë më të keqe të Mendimit Shqiptar Ernest Koliqi shikonte atë që ka ardhur nga pesimizmi që është cilësi e natyrës së shqiptarëve, dhe që është kritika dërmuese, dashakeqe:

Pesimizmi gjinikon epshin a të mbetën tjetër qi kemi na Shqiptarët: epshin e kritikës, kuptohet të kritikës dërmuese. Para çdo vepre, shumica prej nesh shtrembnojnë buzët. S’ kemi besim në punën e njani tjatrit. Gati me çmue shpesh pa kurrfarë arsyeje, cilsit e të huejit, na përbuzim ato të Shqiptarit. Nuk na mbush synin asnji provë zotsije dhanë nga nji bashkatdhetar. Ka ndodhë qi kemi njoftë vlerën e nji Shqiptarit kur të huejët na e kanë vu në dukje e në spikamë. Këto fjalë disi të tharta na i nxori një pilë botimesh të rëndueme mbi tryezë të Redaksis, botime albanologjike auktorësh të gjakut shqiptar. Në kohënat e fundit nga disa prej këtyne vepravet kemi ndëgjue aty-këtu si nëpër dhambë shënime e vërejtje e gjikime, do me vend e do pa vend. Kritika, d.m.th. shqyrtimi ndër imtime të nji punimi dhe shoshitja e paanëshme e ti, tue qitë në shesh merita e të mbeta, asht e nevojshme. Pa të një lëvizje kulturore nuk merr udhë të drejtë. Por kritika duhet të jetë ndërtuese. Në lamën e Albanologjis nuk durohen shprrallimet e kota qi rrëzojnë vlera e merita. Tue rrëzue, pa arsye bindëse, veprën e një të hueji qi rreh probleme t’ ona veprojnë su autolezjonista (vetëplagosës- N.K.) dhe po përçmuem, tue u lëshue në atë hov mohues e asgjasues qi na kapë herë-herë ne Shqiptarët, mundin shkencuer a letrar të nji Shqiptari, kryejnë nji krim kundra atdheut. Dihet qi pak ase aspak shpërblim gjen puna kulturore në botën e vogël shqiptare. Prej botimeve askush nuk ka nxjerrë as sa lypet me u ba ball shpenzimeve për kafe e për duhan!  

Kritika dërmuese, irracionale ndaj veprave që rrahin tema të Mendimit Shqiptar, është një gjë që ndodh shpesh në debatin publik shqiptar, dhe është padyshim një shfaqje e asaj vetie të keqe të karakterit shqiptar, të cilën Mid’ hat Frashëri e ka quajtur si burim të gjithë vetive të tjera të këqija dhe që është kotësia. Dashakeqët, kur nuk e varrosin  dot një vepër me heshtje, që mund të jet  edhe mënyra e preferuar e tyre, kërkojnë ta shkatërrojnë atë me kritika tendencioze, pa pyetur se kështu i bëjnë një dëm të madh Mendimit Shqiptar. Veçanërisht i keq është ky dëm kur bëhet ndaj një vepre albanologjike, siç thotë Koliqi. Vetë Koliqi është viktimë par excellance e kritikës dërmuese. Atij nuk i jepet akoma vendi meritor si Albanolog përveçse si shkrimtar dhe poet, për shkak të një zgjedhjeje politike që bëri ai në një çast të caktuar në Luftën e Dytë Botërore. Kështu, për shkak të Koliqit politikan, që është ana më e parëndësishme e veprimtarisë së tij, duhet të mos marrë vendin meritor Koliqi shkrimtar dhe studiues. Dhe ata njerëz në aulat akademike që rrudhin buzët kur dëgjojnë emrin e Koliqit, nuk kanë të gjithë së bashku asnjë grimcë të vlerës së tij si shkrimtar dhe studiues.

Dhe  sa kohë, që në Akademin shqiptare   dhe departamentet universitare ,që merren me çështjet e Mendimit Shqiptar do vazhdojnë të qëndrojnë sikala mediokriteti të mbrojtur nga njerëz që ruajnë fort privilegjet e tyre të pamerituara, duke përjashtuar nga Panteoni i Mendimit Shqiptar, letërsisë shqipe dhe Albanologjisë titanë si Koliqi, Merxhani , At Valentini dhe të tjerë do të jetë e vështirë që Mendimi Shqiptar të ngjitet në nivelin e Filozofisë Shqiptare.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.