AKTUALITET

 “Shkoi të godiste nënën e tij, i thashë mos ma prek vjehrrën”/ Gruaja denoncon bashkëshortin për dhunë

19:53 - 16.01.22 gsh
GSH APP Get it on Google Play

Dy gra, njëra nëna dhe tjetra gruaja, u sulmuan nga burri i shtëpisë, i cili gjithë mllefin e një dite të vështirë e ka shfryrë ndaj të ëmës. Por pikërisht, teksa ai ishte duke i kërkuar para të ëmës dhe po i bërtiste, ka ndërhyrë e shoqja, e cila e nevrikosur nga sjellja e burrit i ka kërkuar atij mos ta prekë të moshuarën.



“Në një moment, ai erdhi përballë meje, i thashë largohu dhe po i përsërisja mos i bërtit vjehrrës sime, pra nënës së tij. Por ai u tjetërsua dhe veç po na qëllonte të dyjave”, thotë L.P., e dëshpëruar pas një viti dhunë.

Gruaja, sipas policisë numër 5, e cila citon detaje nga dosja për Gazetasi.al, përmend në denoncim, se durimi i saj mori fund kur pa që i shoqi po bëhej agresiv edhe me të ëmën e tij. Çifti ka tre fëmijë, sipas burimeve të policisë dhe më i madhi është në moshën 15 vjeç.

“Ai nuk di ç’të bëjë më, pati një periudhë që ai vetëm më rrihte mua, kishte probleme tek puna e tij dhe kthehej në shtëpi e më rrihte. Nuk i ndizte makina atij dhe kthehej më rrihte, për çdo gjë që nuk i ecte, mbushej me nerva dhe më rrihte”, – shton më tej l.

Ditën e fundit të dhunës për të, ajo u bë jo vetëm viktimë e sulmit të radhës, por edhe dëshmi e dhunës ndaj F., nëna e moshuar e bashkëshortit. Të dyja gratë e kishin mbështetur vazhdimisht njëra tjetrën, kryesisht vjehrra, që sipas L., shumë herë i thoshte: “Duroje se 5 minuta janë nervat e tij“.

 

“Im shoq hyri në shtëpi, pyeti ku janë paratë. Ishte marrë tërë ditën me makinën. Nuk iu përgjigja, pasi nuk e kuptova çfarë parash kërkonte prej meje. U afrua dhe me goditi me shuplakë, si përherë u ngrita dhe dola jashtë  që mos të humbja ekuilibrin dhe sepse sa herë më sulmonte kohët e fundit, dilja qëndroja jashtë sa qetësohej”.

 

Por dhuna nuk është mbyllur këtu. Nëna e tre fëmijëve ka dëgjuar të bërtitura. I shoqi është drejtuar nga nëna e tij, me të njëjtën kërkesë. Kërkonte para.

 

“E ëma i tha, ‘mirë, do t’i jap unë, ja të shoh ç’kam nga pensioni, veç na lër të qeta’, por ai bërtiste dhe ofendonte pa pushuar’. E qëlloi, se dëgjova të përplasura dhe hyra e kapa nga pas nga bluza”, – kujton denoncuesja në polici. Pasi e ka pyetur se ç’po bënte me të ëmën, ai është kthyer dhe e ka goditur me bërryl dhe në këtë çast, gruaja është rrëzuar dhe ka humbur ndjenjat. “Nuk mbaj mend derisa ka ardhur policia, telefonatën duhet ta ketë kryer vjehrra“, – shprehet më tej në fashikull e reja.

 

Policia i thotë Gazetasi.al se nga shenjat e përshkruara nga të dyja gratë, burri i dhunshëm përpos tempreramentit të tij të pakontrolluar, ka dyshime se mund të ketë varësi nga lëndët narkotike.

 

Kjo shpjegon kërkesat e tij për para. I rrezikshëm është përshkruar A.P., edhe nga e ëma, e cila tregon se ai është kthyer në një burim ankthi për të, të shoqen dhe tre fëmijët. E pyetur se çfarë pi i biri, e moshuara tregon: “Ai pi nga ajo që thithet me hundë, është bërë i padurueshëm, nuk e dimë çfarë do dhe si bëhet një moment, nuk është në momentin tjetër. Njëherë thotë dilni se dua qetësi, pastaj kërkon para, pastaj pyet ku jeni”, – përshkruan F., sipas burimeve të Gazetasi.al.

 

E moshuara e përshkruan djalin e saj si një njeri të mirë, që filloi të ndryshojë atëherë kur u vështirësua puna dhe burimi i të ardhurave. Ditën e fundit të sulmit, e moshuara tregon se kur i biri hyri në shtëpi, ajo mori kurajë dhe kur e dëgjoi që po i bërtiste nuses së tij, doli në mes të dhomës dhe e pyeti: “Çfarë ke? Pse po bërtet dhe të dëgjon lagjia? Im bir u përgjigj, nuk kam asgjë, as me ty, as me gruan dhe as me një. E kam me veten time”, – citon e moshuara F., të ketë thënë ai.

 

Por e moshuara, shton se një moment më vonë, ai u tjetërsua, u binte xhamave dhe sipas saj, ai po sillej si një i çmendur.

 

“Kur kërkoi paratë dhe po nxitoja t’i nxirrja, ai më qëlloi, pastaj erdhi nusja po e mbante, e qëlloi dhe atë. E pyeta pse u bëre kështu? Nuk e di nga i vjen kjo gjendje, ai është përkeqësuar, ai nuk është djali që kam lindur dhe kam rritur unë”, – këmbëngul e moshuara.

 

Policia bën me dije se ka arrestuar menjëherë 44-vjeçarin për dhunë në familje, ndërkohë që e ëma, shton në denoncimin që iu vendos në dispozicion Gazetasi.al, “si nënë e tij kam merak dhe ju lutem shteti të më ndihmojë që ta çojmë diku në njërin nga spitalet e këtij shteti për ta kuruar, pasi ai nuk është sjellë ndonjëherë kaq agresiv sa këto kohë. Mendoj se shoqëria e tij i kanë bërë diçka të keqe”, – mbyll dëshminë 73-vjeçarja.

 

Të dyja gratë, janë pajisur me urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, kurse kryefamiljari ka përfunduar në qeli. Sipas policisë, familja me 6 anëtarë mbahej nga pensioni i të moshuarës dhe nga puna si shofer i 44-vjeçarit, i cili ka thënë vetëm këtë fjali: “Nuk e di për çfarë e keni fjalën, nuk mbaj mend asgjë”.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.