Kosova

Qeveria e Kosovës miraton kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë/Ekspertët dhe shoqëria civile, pro dhe kundër ndryshimit të tarifave

21:47 - 18.01.22 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që harxhojnë më shumë se 600 kWh energji.




Si amvisëritë ashtu edhe bizneset nuk do të preken për 600 kWh e parë. Ish-ministri Fadil Ismaili thotë se me rritjen e konsumit dhe shtrenjtimin e rrymës në bursat ndërkombëtare qeveria është dashur të bëj zgjidhje.

“Kthimin e bllok-tarifave e konsideroj pozitive dhe një gjë e tillë është dashur të bëhet edhe më herët. Kjo formë e strukturës tarifore reflekton gjendjen e sistemit energjetik të Kosovës dhe përçon mesazhin se energjia elektrike duhet të shfrytëzohet në mënyrë sa më efiçente”, deklaroi Ismaili, për RTV Dukagjinin.

Por propozimi është kundërshtuar ashpër nga Balkan Green Fundation që kanë disa propozime për ZRrE-në.
“Duhet të rritet kufiri për secilin bllok të propozuar së paku me 200 kWh. Opsioni tjetër është që të ketë rritje për të gjitha kategoritë në mënyrë që të mos dëmtohet shumë vetëm një kategori”, deklaroi Besfort Kosova nga Balkan Green Fundation.

Qeveria ka ndarë 75 milionë euro për të mbuluar rritjen e çmimit të energjisë elektrike për amvisëri dhe biznese. Një ditë pas propozimit të dhënë ZRrE thotë se me tarifat e reja favorizohen konsumatorët që e kursejnë energjinë elektrike.

“ZRRE është e obliguar me ligj të përcaktojë tarifa që e reflektojnë koston e ofrimit të energjisë tek konsumatorët dhe të dizajnojë tarifa që e nxisin efiçiencën e energjisë. Struktura tarifore me blloqe i favorizon konsumatorët që e kursejnë energjinë”.

Afati i fundit për dërgimin e komenteve është 28 janari, ndërsa ndryshimet në rast miratimi hyjnë në fuqi nga shkurti.
Kohët te fundit qytetarët e Kosovës janë përballur me reduktime të energjisë elektrike për shkak të rënies së Bllokut B2 dhe ndryshimit të çmimeve në tregjet botërore.

Sot Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se ka zotuar 75 milionë euro për subvencionomin e energjisë për qytetarët dhe bizneset, duke aprovuar propozimin e ZRRE-së për ngritje të tarifave.

“Duke marrë parasysh situatën e jashtëzakonshme dhe të paprecedentë në tregjet evropiane të energjisë elektrike që ka ndikuar edhe Kosovën, Qeveria e Republikës së Kosovës me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë është zotuar të subvencionojë qytetarët e bizneset e Kosovës, duke i mbrojtur kështu nga rritja e tarifave. Subvencionet paraqesin të ardhura për sektorin që nuk është e nevojshme të mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike dhe rrjedhimisht, zbusin rritjen e tarifës së energjisë elektrike”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Sipas Ministrisë, subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kWh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë.

Sipas propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, tarifat e reja të energjisë elektrike, nëse miratohen, do të fillojnë të aplikohen nga 1 shkurti 2022 dhe do të kenë vlerë deri më 31 mars 2023.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.