Kryesore

Legalizimi i kanabisit/ Ngulmimi i Kokëdhimës dhe si ndryshoi qëndrimi i qeverisë Rama

13:12 - 19.01.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Propozimi për legalizimin e kanabisit nga qeveria përmes një pyetësori për qytetarët vjen pas një historie debati të gjatë, që nisi sapo Partia Socialiste erdhi në pushtet. Protagonist mbetet Koço Kokëdhima, biznesmeni që u katapultua në Partinë Socialiste pas një miqësie të gjatë me kryeministrin Rama dhe që nuk ngurroi ta mbrojë idenë e tij, megjithë akuzat që iu bënë.




Kokëdhima argumentonte se kultivimi i kanabisit mjekësor ka efekte kurative dhe se shfrytëzimi i kontrolluar sjell ndikim pozitiv jo vetëm në shëndetësi por edhe në ekonomi. Sot ideja ka gjetur përkrahje në qeveri.

“Shqipëria të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak”, shkruhet në formular, ndërsa qytetari orientohet direkt në alternativën e parë që “Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit mjekësor”.

Rreth 7 vite më parë, në një nga mbledhjet e Komisionit të Ekonomisë, Kokedhima lëshoi deklaratën që gjeti jehonë të fortë në media. Kishin kaluar pak muaj nga ndërhyrja në Lazarat dhe propozimi i Kokëdhimës trazoi ujërat në Partinë Socialiste. Kanabisi asociohej me trafikantët e drogës, bandat dhe përfitimet e paligjshme. Por sipas Kokëdhimës nuk ishte vetëm kaq.

“Unë flas për kanabisin dhe për ekonominë e tij nuk është në kundërshtim me gjithë atë “luftë” që ka bërë policia e shtetit dhe qeveria jonë për çrrënjosjen e aktivitetit kriminal në fushën e kultivimit dhe të trafikimit të kanabisit në vitet e shkuara. Ekonomia që u zhvillua në Shqipëri në të shkuarën ishte një ekonomi kriminale, sepse bëhej në kundërshti të plotë me ligjet e vendit. Prandaj nuk dua të ketë ndonjë keqkuptim, pasi qëndrimi im është shumë i qartë, kundër ekonomisë kriminale dhe aktivitetit kriminal në çdo fushë dhe specifikisht në atë të kultivimit dhe tregtimit të marijuanës” do të shprehej Kokëdhima.

Por brenda në PS, deputeti që njihej për marëdhënien e ngushtë me Ramën u sulmua menjëherë. Ben Blushi e rreshtoi Kokëdhimën në radhët e “kanabistëve”, ndërsa në anën tjetër shikonte “krenaristët”.

“Kanabistët, pra, propozuan legalizimin e kanabisit. Jo si një mjekim, por si një shpëtim. Jo si kurë, por si ekonomi. Ata duan që ne të besojmë se legalizimi i kanabisit është një reformë ekonomike që do dyfishojë buxhetin, do hapë vende pune, do shtojë investimet e huaja, do zgjidhë krizën e bujqësisë, do ulë kriminalitetin dhe do t’i shtyjë studentët të mësojnë më shumë për shkak të frymëzimit që shkakton tymosja e pacensuruar” thoshte Blushi.

Kundër legalizimit të kanabisit ishte edhe ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Duke valëvitur flamurin e antidrogës pas një aksioni në Lazarat, Tahiri i ra shkurt.

“Ata që kanë marrrë kurajo për të mbjellë kanabis të nxitur edhe nga debatet për legalizimin e hashashit, u bëj thirrje të mos i hyjë njeri rrugës së krimit duke mbjellë kanabis sepse asnjë rrënjë në tokë e nëntokë, nuk do lejohet…” ishin përbetimet e Tahirit që pa një pa dy, u rreshtua kundër Kokëdhimës, megjithëse kryeministri Rama nuk ishte kaq i bindur.

Sepse Rama gjithnjë ka pasur dilema për legalizimin e kanabisit, duke ia lënë një kohe tjetër vendimin final. “Është herët për të folur për këtë temë, fillimisht duhet të kemi kontroll të plot, të kemi edhe shtet…”, tha ai, në një dalje publike duke shmangur një përgjigje të prerë dhe duke i hapur rrugë spekulimeve.

Koço Kokëdhima ngulmoi në këtë temë prej vitesh. Në qendër të prpopozimit është fillimisht lejimi i kultivimit të kanabisit, për qëllime mjekësore dhe më pas për përdorim vetjak. Kokëdhima thotë se janë dhjetëra të sëmurë në Shqipëri që kanë nevojë për medikamente me përbërje kanabisi, ndërsa në ekonomi mund të ishin injektuar miliona dollarë.

“Dekada që po mbyllet i dha zgjidhje debatit për kanabisin farmaceutik. Kanabisi medikal ka fituar qytetarinë në gjithë botën, është tashmë një ekonomi e mirëpranuar. Revolucioni që ndodhi me kanabisin terapeutik në këtë dhjetëvjeçar do të ndodhë për kanabisin rekreativ në dekadën e ardhshme. Unë besoj se ne duhet të legalizojmë plotësisht kanabisin, përfshirë atë rekreativ për të rriturit. Në vitet ‘30 kanabisin rekreativ do ta kenë legalizuar të gjitha vendet demokratike të botës. Ne kemi nevoja dhe arsye më të shumta se të tjerët që ta bëjmë sot këtë legalizim dhe këtë ekonomi” u shpreh ai pak muaj më parë.

Koha i dha të drejtë. Maqedonia e Veriut legalizoi kanabisin në vitin 2016 dhe synon që në ekonomi të gjenerojë me 1% të prodhimit të përgjithshëm bruto.

Dhjetëra licensa janë dhënë për prodhimin e vajit të kanabisit, pasi me një litër fitohet mbi 90 mijë euro. Shtimi i kompanive ka ndikuar rritjen e punësimit me paga të kënaqshme. Duke parë eksperiencën e fqinjëve, duket se Rama është bindur se ka ardhur koha që kanabisi të legalizohet edhe në Shqipëri.

Studimet tregojnë se tregu europian i kanabisit mjekësor mund të arrijë 55 miliardë Euro përfitime deri në vitin 2028, nga 13.4 miliard dollare sa ishte ne vitin 2018. Sektori i prodhimit të kanabisit për qëllime mjekësore po sheh zhvillime me ritme te shpejta edhe në Amerikën e Veriut.

Që Shqipëria është vonë në këtë fushë, kjo është e qartë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kokëdhima tha se Shqipëria u vonua për shkak të lidhjes së politikës me interesat e trafikut të drogës:

“Vendet fqinje lëvizën relativisht shpejt. Shqipëria humbi shumë kohë. Zyrtarët e lartë të qeverisë socialiste dhe lidershipi i Partisë Demokratike, nuk e lejuan këtë projekt. Ata janë të implikuar në interesat e kultivimit dhe trafikimit ilegal të kanabisit, për përfitime politike dhe financiare. Në të shkuarën, politikat e qeverisë sonë për ekonominë e kanabisit, janë diktuar nga interesat e trafikantëve të kanabisit. Në vend të një qasjeje largpamëse e racionale, kundërshtarët e projektit tonë zhvilluan një fushatë denigruese dhe fyese ndaj meje dhe u përpoqën ta përdorin propozimin tonë si alibi për linçimin tim dhe kanabizimin e plotë të Shqipërisë që u bë me përfshirjen e vullnetshme të institucioneve të qeverisë” shpjegoi ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.