OPINION

Mbi politikën e jashtme dhe diplomacinë

08:00 - 19.01.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Biseda telefonike Biden – Putin më 30 Dhjetor dhe takimet  e javës së kaluar në Gjenevë, Bruksel dhe Vjenë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë rusë, amerikanë dhe europianë janë shembulli më i freskët dhe domethënës i rëndësisë vendimtare të diplomacisë në realizimin e një politike të jashtme efektive. Pa dyshim që vazhdimi i mëtejshem i tyre në forma dhe formate të ndryshme, me pako dhe propozime konkrete mund t’i çelë rrugën çtensionimit të situatës Rusi – Ukrainë dhe shmangies së një konfrontimi ushtarak me pasoja të mëdha.




Lidhur me raportet dinamike ndërmjet politikës së jashtme dhe diplomatike, si pjesë të së tërës, literatura e huaj është e bollshme, duke përshirë dhe  ide e mendime kundrathënëse. Gjatë 30 viteve të fundit, falë kontributit të personaliteteve të njohura e të spikatura, edhe shkolla jonë diplomatike ka krijuar përvojë të lakmueshme në këtë drejtim.

Mbi këtë bazë dhe për t’ia thjeshtuar punën lexuesit, krahas  referencave teorike dhe përvojës së gjatë personale  në këtë fushë,  po  hyjmë drejt e në temë duke treguar ndërvartësinë, të përbashkëtat dhe dallimet thelbësore ndërmjet politikës së jashtme dhe diplomacisë.

Politika e Jashtme është tërësia e objektivave, projekteve, programeve dhe hapave të një vendi tej sinoreve partiake për të realizuar jashtë vendit  parimet, vlerat dhe interesat e tij në të gjitha fushat dhe të imazhit të vendit. Më thjesht akoma, politika e jashtme është objektivi dhe përmbajtja,  ndërsa diplomacia është mjeti, instrumenti dhe forma e  realizimit të saj. Siç pohon diplomati i famshëm britanik Lord Gore – Booth «  Politika e jashtme është ajo çfarë  bëhet, diplomacia  tregon se si  bëhet »

Ja pse, qysh në vitet 1700, bashkë me hartimin e politikave të jashtme, në Europë u krijuan MPJ-të dhe u caktuan ambasadorët e parë si përfaqësues të oborreve mbretërore. Qysh atëhere u kuptua se pa diplomacinë, si përfaqësuese, zbatuese  dhe ushqyese të mendimit dhe veprimit të qendrave vendimarrëse, politika e jashtme nuk kishte shans për sukses, as me luftë dhe ushtri! Kujtojmë me këtë rast legjendat diplomatike të asaj periudhe –  Rischeleu, Tallerand, Meternich e të tjerë.

Si politika e jashtme dhe diplomacia janë dypalëshe, dmth me vendet  e veçanta dhe shumëpalëshe në organizatat/traktatet ndërkombëtare. Dallimi thelbësor është se politikat e jashtme mund të jenë agresive, luftënxitëse, të ashpra dhe me afate të shpejta kohore, ndërsa diplomacia është   më e moderuar, e përmbajtur, e ngadaltë, nuk kërkon e nuk arrin dot sukses të shpejtë dhe nga natyra e saj rallë herë është agresive.

Mjaft i rëndësishëm është sugjerimi i Ferid Zakaria, mendimtar dhe publicist i njohur indiano-amerikan se « politika e jashtme nuk është çështje teologjike por e kosto/përfitimeve » dmth Realpolitik.

Po aq e rëndësishme është se politikat e jashtme dhe diplomacia qoftë dhe të vendit më të fuqishëm kushtëzohen nga gjendja e brendshme. Ish Kryeministri emblematik britanik Ëilliam E. Gladstone thoshte se «  parimi i parë i politikës së jashtme është mirëqeverisja brenda vendit« Nga ana tjetër, siç paralajmëronte Presidenti Kenedi «  politika e brendshme të dështon, por e jashtmja të vret » Ndaj, me të drejtë Presidenti amerikan Joe Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken e kanë filluar nga brenda ripërtëritjen e diplomacisë, se kështu bëhen më të besueshëm dhe efektivë dhe jashtë vendit.

Lidhur me diplomacinë, një ndër epërsitë e saj të mëdha krahasuar me institucione të tjera  shtë se ka strukturat e saj brenda dhe jashtë vendit dhe në organizata ndërkombëtare, me fonde dhe burime njerëzore, kanale të shumta të komunikimit, përvojën, besueshmërinë  dhe imunitetin diplomatik, të cilat e lejojnë të punojë në vazhdimësi në terren. Lord Salisburi thotë se  «  suksesi i një diplomati përbëhet nga një seri avantazhesh mikroskopike: një sugjerim këtu, një gjest i mirë atje, një lëshim i mençur dhe këmbëngulje me vizion në një rast tjetër; me takt të matur, me qetësi të patundur dhe durim që nuk mund ta lëkundë asnjë lloj provokimi »

Kur flasim për diplomacinë, krahas asaj zyrtare,  kemi paraysh dhe dimensionet e saj me rëndësi në rritje – parlamentare, ekonomike, publike, kulturore, qytetare dhe dixhitale. Këto dimensione publike janë jetike në realizimin me sukses të politikave të jashtme.  Kështu, Strausi gjerman mori spunto për të vizituar vendin tonë më 1984  i frymëzuar nga koncerti i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Munih më 1983; pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Greqinë në fillimin e viteve 70,  ambasadorët dhe diplomatët e parë të vërtetë në krijimin e  klimës miqësore ishin  shkrimtarët, artistët dhe sportistët e të dy vendeve tona. SHBA-të dallohen, krahas të tjerash, për bursat ndërkombëtare «Fulbright» për Ambasadorët e xhazit, të soul, etj. Gjermania e ka kulturën një nga tre shtyllat e diplomacisë së saj, me institutin «  Gëte »në krye, sikurse Franca me «  Aleanca Franceze », Mbretëria e Bashkuar me « Këshilli Britanik, etj.

Pas këtij « aperitivi » hyrës, le të përmendim disa nga shembujt më pikantë në këtë fushë » në 75 vitet e fundit.

Së pari, në funksion të politikave të jashtme paqësore, demokratike, dhe shmangies së luftrave të reja të përgjakshme, u krijua rendi i ri botëror me  diplomacinë shumëpalëshe në krye  – OKB me filialet e saj, BE, NATO, KiE, NATO, FMN, Banka Botërore, etj. Pavarësisht nga difektet dhe mangësitë, rendi shumëpalësh  mbetet alternativa më e mirë dhe e pazëvendësueshme. Ndaj, Presidenti Biden ka shpallur rikthimin e SHBA-ve në 10 organizata ndërkombëtare prej nga ku e largoi Trump.

Së dyti, Plani Marshall amerikan i ndihmave më 1947 ripërtëriu në një format më cilësor diplomacinë misionare/ morale të  Presidentit Ëilson, e cila konsistonte në kushtëzimin e ndihmave dhe investimeve ekonomike me krijimin dhe funksionimin e demokracisë pluraliste në vendet përfituese. Ai Plan ishte vendimtar  për vendet aleate perendimore, për  rimëkëmbjen ekonomike dhe krijimin e shtetit të së drejtës. Edhe BE-ja e ka zgjeruar ndjeshëm këtë praktikë nga fundi i viteve 80 e këtej.

Së treti, ndërtimi i Murit të Berlinit më13 Gusht 1961 dhe pushtimi i Çekosllovakisë më 22 Gusht 1968 nga ish BS-ja diktuan kthesën e madhe në politikën e  jashtme dhe për rrjedhojë diplomacinë perendimore. Në kushtet kur përmbysja me forcë ushtarake e rregjimeve lindore kishte dështuar, Kancelari nobelist gjerman Ëilly Brandt shpalosi « Ostpolitik-ën e famshme, dmth « ndryshimin nëpërmjet afrimit » me demarshe të shumta diplomatike me vendet ish komuniste. Ajo çoi në njohjen e RDGJ-së dhe shtimin e bashkëpunimit me gjithë  Lindjen, duke e kthyer Perëndimin në  një « ekspozitë » për socializmin real.

Së katërti, kjo frymë vijoi me «  detantën paqësore »  nënshkrimin e Aktit Final të Helsinkit më 1975 dhe krrijimin e KSBE-së ( sot OSBE)  si organizata më e madhe e dialogut Lindje – Perëndim me « tri shporta » – bashkëpunimi ekonomik, siguria dhe demokracia. Dihet tashmë roli i saj në shembjen e komunizmit dhe përqafimin e demokracisë pluraliste dhe në vendin tonë.

Së pesti, politika e jashtme e afrimit epokal kino-amerikan në vitet 70 i dedikohet kryesisht mjeshtërisë së diplomatit emblematik Henry Kisinger, si dhe rolit përcaktues të «  diplomacia e ping pongut » në Prill 1971. Themi kështu, sepse fryma e armiqësisë me demonizimin e njohur anti-amerikan nuk mund të « kapërdihej dhe kapërcehej » vetëm   me vizitën e Presidentit  Nixon më 1972.  Duhej krijuar imazhi dhe dhënë mesazhi se «  armiqtë nuk ishin dhe aq të këqinj », se me ta mund të  bisedohej dhe bëhej paqe » Ndeshjet e kombëtareve kineze dhe amerikane të Ping Pongut ishin mjeti dhe mënyra më efikase, që ky piksynim strategjik të «  ngjiste » në popull.   Çfarë kontrasti me Trump, i cili tentoi ta zëvendësonte diplomacinë me tëiterat e përditshëm presidencialë! Fatmirëësisht, diplomacia e famshme amerikane është rikthyer në rolin e saj madhor në të gjitha planet.

Së gjashti,  nga pikpamja diplomatike, Aleanca Perendimore i shoqëroi dhe zbatoi, edhe pse me mungesa dhe vonesa politikat e saj të jashtme në Ballkan pas vitit 1999 nëpërmjet  krijimit të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore; si një« Mini Helsink » veçse në vend të «  tri shportave » kishte «  tri tryeza me emra të njëjtë. Po ashtu, janë iniciuar dhe përkrahur nisma rajonale, është krijuar CEFTA, RCC-ja, në 8 vitet e fundit Procesi i Berlinit dhe në Samitin BE- Ballkani Perendimor në Sofje më 10 Nëntor u miratua krijimi i «  Tregu i Përbashkët Rajonal »  Padyshim vendin kryesor këtu e ze Procesi i Stabilizim – Asociimit dhe Zgjerimi Europian, pa çka se është zbehur dhe ka humbur jo pak kudo nga frymëzimi i vet.

Për fat të keq, megjithë synimet e mira, nisma «  Ballkani i Hapur » po jep një shembull jo të mirë në këtë drejtim. Praktikisht, ai ka  lënë  « jashtë loje » ose «  prapa liste » rolin dhe veprimin aktiv paraprak të diplomacisë me të gjitha mjetet dhe mundësitë e saj. Sepse në të tilla raste, duhej të ishte diplomacia që do të përgastet dhe krijonte mjedisin dhe terrenin e nevojshëm politik, juridik dhe publik mes të 6 vendeve, që kjo nismë të ishte bindëse dhe gjithëpërfshirëse qysh në fillim. Dhe më e habitshme se si  nuk pati konsultime paraprake me BE-në dhe SHBA-të!

Ca më keq akoma,  «  Mini-Shengeni » lindi  si «  karshillëk » ndaj BE-së, mbasi ai u lançua vetëm disa ditë pas JO-së së përkohshme të BE-së për çeljen e negociatave me dy vendet tona. Për pasojë, nuk kemi lenë forume  dhe samite, deri në OKB pa kërkuar me të gjitha format mbështetjen e nevojshme europiane. Ajo është  dhënë «  nga halli » vetëm në nivelin e kortezisë diplomatike. Në të tri dokumentat e saj zyrtare përkatëse ( Sofje, 10 Nëntor 2020, Brdo 6 Tetor 2021 dhe Bruksel, 14 Dhjetor 2021) nuk gjen asnjë fjalë të vetme për Mini-Shengenin dhe Ballkanin e Hapur » Ndërkohëë që në këto dokumenta, BE-ja shprehet qartë, madje me pëlqimin dhe të 6 liderëve tanë për «  Tregu i Përbashët Rajonal »  ëpërmjet Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, CEFTA dhe nismave të tjera,  duke vënë në dispozicion miliarda Euro.

Ndërkohë, pohimi i gabuar që mundohet të justifikojë « Ballkanin e Hapur » me gjoja dështimin e CEFTA, madje dhe Procesit të Berlinit është gafë e madhe  diplomatike. Sepse me të drejtë lind pyetja asgjënsuese që nëse ka dështuar BE-ja, Berlini dhe të «  mëdhenj » të tjerë,  si mund të kenë shans për sukses vetëm tri vende të rajonit?

Pa mohuar përfitimet ekonomike, Ballkani i Hapur duhej paraprirë nga akte dhe analiza të thella politike dhe diplomatike, ku të përpiloheshin rregullat dhe parimet përkatëse juridike që as tani pas 2 vitesh nuk ekzistojnë; tejet e rëndësishme, në konsultim me diplomacinë e Prishtinës, të shfrytëzohej ky rast për t’i kërkuar Beogradit qoftë dhe një shenjë afrimi me Kosovën drejt njohjes së saj, e jo ta lenë këtë si «  vrima e fundit e kavallit »! Për pasojë, veç protagonizmit të Trojkës dhe samiteve të shpeshta, Ballkani i Hapur « nuk po ngjit » dhe në fakt është një fiasko diplomatike; sepse, në vend  të konsensusit dhe gjithëpërfshirjes, siç ndodh me nismat rajonale/shumëpalëshe, ai ka krijuar sherr dhe « mes vedi, » madje ka « çuar ujë në mullirin » serb, duke i kuruar imazhin në dëm të Kosovës!

 

 

 

 

 

 

 

 

 



Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.