AKTUALITET

Nga gomat e djegura në Astir, tek ‘Kallashi’ tek “5 Maji”/ Protestat e dhunshme kundër prishjes së shtëpive në Tiranë

14:06 - 19.01.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Projektet e reja të rrugëve apo ndërtimeve në Tiranë, në jo pak raste kanë hasur në rezistencë nga qytetarë të zonave të ndryshme, të pakënaqur me shpronësimet. Ndër vite të shumtë kanë qenë banorët që kanë protestuar kundra prishjes së banesave të tyre. Megjithë sakrificat, përplasjet me policinë dhe protestat e vazhdueshme, në të gjitha rastet është përsëritur pak a shumë i njëjti skenar. Dhunë, konfrontime me policinë, kërcënime për vetëflijim dhe në fund fadroma që rrafshon gjithçka.




Protesta e Astirit

Protesta më afatgjatë ka qenë ajo e banorëve të “Astirit”. Pas projektit për Unazën e Madhe, banorët e kësaj zone protestuan më shumë sesa një vit. Në mbështetje të tyre ishin edhe deputetët e opozitës, ku dhe i bashkangjiteshin çdo mbrëmje protestës, që me orë të tëra bllokonte hyrjen e Tiranës. Konfrontime me policinë, goma të djegura, të shoqëruar në polici ishin disa nga ngjarjet që shënjuan këtë protestë. “Jelek-portokallinjtë” siç u pagëzuan banorët kërkonin dëmshpërblime për më shumë se 3o objekte. Prej më shumë se 1 viti tubimesh dhe bllokim rruge, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, ndërhyri ende pa zbardhur dita në 12 nëntor të 2019, duke nisur shembjen e objekteve, për t’i hapur rrugë projektit të Unazës së Madhe. Forcat e policisë (RENEA, FNSH, Shqiponjat dhe bashkiakja) që u gjendën në zonën e Unazës në mbështetje të IKMT-së, hodhën gaz lotjesllës për të larguar banorët, ndërsa këta të fundit u kundërpërgjigjën me bomba molotov dhe duke qëlluar me gurë ndaj efektivëve. Përplasja që zgjati vetëm në orët e para të mëngjesit (06:00), shënoi 13 të plagosur, 8 nga radhët e banorëve, dhe 5 punonjës të policisë, ndërsa u dëmtua edhe një automjet i Policisë.

Protesta tek Bregu i Lumit për Bulevardin e Ri

Ishte prilli i vitit 2019, kur banorët e Bregut të Lumit do të përplaseshin me policinë, RENEA-an dhe FNSH, pas kundërshtimit të prishjes së shtëpisë së tyre, në kuadër të ndërtimit të Bulevardit të Ri. Nisma për shembjen e 38 banesave në bulevardin e ri, përfundoi me gurë dhe përplasje mes policisë dhe banorëve me lopata dhe gurë ndër duar, teksa banorët u shprehën të vendosur për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Disa gra të zonës u vendosën pranë fadromës, por u larguan prej aty nga forcat e policisë. Për të mos lejuar ndërhyrjen e forcave të rendit të rinjtë u vendosën mbi taracat e shtëpive, duke qëlluar me gurë drejt efektivëve. Të tjera sende të forta u hodhën dhe prej protestuesve. Megjithatë edhe këto shtëpi u shëmbën, duke vijuar punën për ndërtimin e Bulevardit.

Prishjet e banesave në Shkozë zgjatimin e unazës

I njëjti skenar u përsëritë edhe në Shkozë, ku projekti për Unazën e Madhe solli në shembjen e disa shtëpive. Banorët nisën rezistencën, duke hipur sipas tarracave të shtëpie të tyre dhe duke u konfrontuar me policinë. Ata shpreheshin se nuk ishin njoftuar në mënyrë ligjore për shembjen e shtëpive, por vetëm gojarisht. Në mbështetje të banorëve ishin edhe deputetët e opozitës. Sipas asaj që shpreheshin banorët, ishte përdorur një praktikë selektive nga institucionet përkatëse për disa shtëpi që janë brenda zonës që kalon gjurma. Dhuna dhe konfrontimet e ashpra me policinë, ishin edhe në këtë protestë kryefjala e mediave.

Prishjet e shtëpive për Bulevardin e Ri

Dhjetëra banorë kundërshtuan prishjen e prishjen e banesave të parashikuara tek Stacioni i Trenit në Tiranë në mars të vitit 2016, ku ishte parashikuar ndërtimi i Bulevardit të Ri. Pavarësisht protestës së banoreve me shpronesimet e Bashkise dhe situatës kaotike të krijuar paraditen e kësaj të enjteje IKMT, i ka prishur banesat.
Banorët kundërshtuan duke tentuar të bllokonin rrugën kryesore, por pa rezultat. Katër gra nga protesta mbetën pa ndjenja ndërkohë që tre persona të tjerë u shoqëruan në polici për kundërshtim të uniformave blu.

Banesat te 5 Maji për rindërtimin nga tërmeti

Ditën e sotme (e hënë 19 Janar) ka nisur që në orët e para të mëngjesit një aksion për prishjen e banesave në zonën e “5 Majit”. Aksioni është shoqëruar me tension dhe përplasje mes banorëve dhe policisë. Banorët e zonës kanë refuzuar që të largohen nga pronat e tyre duke u dalë përpara fadromave. Disa prej tyre kanë ndërmarrë veprime më ekstreme, duke u lidhur me pranga në portat e banesës. Megjithatë puna ka vijuar dhe ashtu si shihet në këto pamje disa shtëpi janë shembur. Gjithçka që ka mbetur pas janë rrënojat e shtëpive, si dhe banorët që nuk pranojnë të largohen. Në total IKMT-ja ka shembur 4 godina në zonën e “5 Majit”. Banesa e fundit ku është ndërhyrë ishte ajo në një shtëpi përballë shkollës “Ardian Klosi”. Banorët kanë kërcënuar ditën e sotme duke përmendur “kallashin” dhe benzinën dhe thanë se nuk do të kursehen për të mbrojtur shtëpitë e tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.