Kosova

E pranoi se kishte luftuar për ISIS-in, dënohet me 2 vite e 6 muaj burg shqiptari

23:44 - 20.01.22 gsh
GSH APP Get it on Google Play

 



 

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 2 vite e 6 muaj burg, Fidan Demollin, të akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, pas deklaratave të tij ku kishte pranuar autorësinë se kishte luftuar për ISIS-in.

Në dënimin e dhënë nga gjyqtarja do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Demolli është i detyruar të paguajë edhe shpenzimet e gjyqit në shumën prej 50 euro, si dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit, shumën prej 50 euro, të gjitha këto në një afat prej 15 ditësh nga hyrja në fuqi e aktgjykimit.

Në seancën e 18 janarit, i akuzuari Demolli e kishte pranuar fajësinë dhe tha se ndjehet i penduar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 15 dhjetor 2021, i akuzuari Fidan Demolli në gusht të vitit 2014, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, së bashku me personin Ardian Hyseni, nga Prishtina, përmes vendkalimit kufitar “Hani i Elezit”, kishin depërtuar në Maqedoninë e Veriut, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Siç thuhet në aktakuzë, më pas përmes Bullgarisë kishin arritur në Turqi-Stamboll e pastaj në Gazientep dhe pas kontaktit me Burim Demollin, kishin depërtuar në brendi të Sirisë dhe ishin regjistruar në ISIS, ishte pajisur me pushkë automatike AK-47 dhe pas ushtrimeve luftarake kishte marrë pjesë në luftërat në Siri.

Sipas PSRK-së, më pas i njëjti është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane ku ka qëndruar deri më 17 korrik 2021, me ç’rast është riatdhesuar në Kosovë.

Për këto veprime, Demolli ngarkohej me veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga nenin 143, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.