Kosova

Ministrja e Jashtme e Kosovës me homologun Dendias: Njohja e Pavarësisë nga Greqia, lëvizje e guximshme, mundëson zgjidhjen e problemeve afatgjata në Ballkan

19:00 - 20.01.22 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë takimit të sotëm me homologun e saj grek, Nikos Dendias, në Greqi, ka ritheksuar se njohja dhe respektimi i pavarësisë së Kosovës nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe këtë vend që nuk e njeh Kosovën shtet, do të ishte një lëvizje e guximshme për stabilitetin në rajon dhe më gjerë.




Siç bëhet e ditur në komunikatën e lëshuar nga kjo ministri, kjo do të mundësonte hapjen e një dinamike të re në zgjidhjen e problemeve afatgjata në Ballkan.

“Jo vetëm për vendet tona, por më shumë për fëmijët dhe nipërit tanë, kjo do të ishte një premtim për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Evropë. Një hap i tillë do të ishte historik dhe mendojmë se është diçka që duhet të bëhet”, thuhet të ketë thënë Gërvalla.

Në këtë takim raportohet se është diskutuar edhe për çështjen e politikës së jashtme, çështje evropiane dhe rajonale.

“Kryediplomati grek Dendias theksoi ndër të tjera se Ballkani Perëndimor duhet të shikoj kah e ardhmja dhe jo nga e kaluara. Sipas Dendias, perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor është perspektivë që ka vetëm një rrugë e cila është Evropa. Mbrojtja e parimeve dhe vlerave si demokracia, shteti ligjor dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, sipas tij duhet të jenë busull politike, ekonomike dhe kulturore për vendet e Ballkanit”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim të zhvilluar të enjten, i cili është i dyti brenda pak muajsh midis këtyre dy kryediplomatëve, është diskutuar edhe në terma konkret për format e bashkëpunimit dypalësh.

“Kosova e vlerëson Greqinë si një shtet mik dhe partner dhe e çmon për konstruktivitetin në raport me agjendën evropiane dhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Gërvalla, duke shtuar se Kosova ndodhet në fazën e shqyrtimit të opsioneve më të mira sa i përket strategjisë energjetike.

“E ardhmja jonë energjetike ngërthen në vete energjinë tradicionale dhe të ripërtrishme. Ne jemi në kontakt me miqtë tanë për opsionet për tranzicionin sfidues në këtë fushë. Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt të ngushtë me Greqinë për detajet dhe për vendimet tona në këtë drejtim”, theksoi ajo. /Koha.net/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.