AKTUALITET

Vizita e Gledis Nanos në Elbasan/ Nga ekzekutimi i Xhuvanit tek atentatet mafioze që e shndërruan qytetin në “Palermo”

13:39 - 20.01.22 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Zero tolerancë  ndaj krimit! Të zbardhen ngjarjet kriminale dhe të arrestohen autorët”. Kështu deklaroi një ditë më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano gjatë analizës vjetore të punës së strukturave të policisë së Elbasanit. Ndërkohë, ai garantoi qytetarët se efektivët e Elbasanit janë tërësisht të angazhuara për të vijuar punën, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, krijimin e një ambienti sa më të sigurt  si dhe kapjen e autorëve e të personave  të shpallur në kërkim.




Apeli i bërë nga kreu i Policisë së Shtetit i adresohet vartësve të tij për një nga zonat më të “nxehta” në vend, ku ngjarjet kriminale ndjekin njëra-tjetrën për shkak të përplasjes mes bandave kriminale që duket sikur e kanë marrë peng këtë qytet. Pas Tiranës që ka numrin më të madh të popullsisë, Vlora, Elbasani dhe Shkodra, janë qytetet më problematike në lidhje me ngjarjet kriminale që tronditin opinionin publik. Megjithë masat e marra nga policia, në Elbasan seria e vrasjeve në Elbasan vijon. Gjatë vitit që shkoi në këtë qytet ndodhën 3 ngjarje të rënda kriminale. Vrasja e parë zë fill me ekzekutimin e Pjerin Xhuvanit pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, ndërsa pasoi me ekzekutimin e Everest Çakës dhe më pas të Lulzim Bitrit dhe Ardian Çollakut.

 

21 PRILL 2021

PJERIN XHUVANI

Më 21 prill, një vrasje që u dyshua se kishte motive politike dhe që mund të konsiderohet një krim i rëndë elektoral, ndodhi në qytetin e Elbasanit. Mjeku psikiatër Pjerin Xhuvani, eksponent i Partisë Socialiste, u ekzekutua me 3 plumba, dy në kokë e një në krahun e majtë. Në vendngjarje është qëlluar 16 herë nga dy armë të ndryshme dhe kanë mbetur të plagosur edhe 4 persona të tjerë: dhëndri i Xhuvanit, një efektive e Njësisë “Shqiponja”, që ndodhej në vendngjarje, si dhe dy mbështetës të Partisë Demokratike. Përplasja me armë ka ndodhur për shkak të zgjedhjeve, ku dyshohet se një makinë e shtabit të PS-së është kapur nga mbështetësit e PD-së duke shpërndarë para në këmbim të votës. Pas përplasjes me armë është dorëzuar në Polici ish-efektivi i RENEA-s Arbër Paplekja, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj Xhuvanit gjatë shkëmbimit të zjarrit.

 

 

11 MAJ 2021

EVEREST ÇAKA

Një 41-vjeçar mbeti i vrarë nga një atentat me armë zjarri në qytetin e Elbasanit mbrëmjen e 11 majit. Ngjarja ndodhi në lagjen “Skënderbej”, pranë shtëpisë së vjehrrit të viktimës. Everest Çaka ndodhej brenda automjetit të tij kur u qëllua me armë, ndërsa me të ndodhej edhe bashkëshortja, Silvana Çaka. Ajo mori një plumb në dorë. Çaka rezulton të ketë ndryshuar edhe emrin, ndërsa quhej edhe Ibrahim Çaka. Ai dyshohet të jetë përfshirë në trafikun e drogës edhe në Belgjikë. Everest Çaka rezulton të jetë i akuzuar më herët për një vrasje të ndodhur në vitin 2010, ku humbi jetën shoferi i autobusëve Gëzim Alikaj, për të cilën nuk u dënua. Në prangat e Policisë ranë në atë kohë Ibrahim Çaka, Elton Hyka, si dhe Ardit Spahiu, që të tre banorë të Elbasanit. Shkak për ngjarjen e rëndë dyshohej vrasja e vëllait të viktimës në një disko në Barcelonë në vitin 2007. Pak minuta pas atentatit ndaj Çakës, u gjet në Kavajë një automjet pa targa i djegur.

2 GUSHT 2021

ATENTAT NE ELBASAN

Me 2 gusht një atentat në Elbasan la tre persona të plagosur. Sulmi me armë ndodhi në një lokal pas një debati për motive të dobëta. Një nga autorët Genti Façja u shpall në kërkim, ndërsa një tjetër i dyshuar Ilirjan Bezhani është arrestuar.

4 TETOR 2021

LULZIM BITRI E ARDIAN ÇOLLAKU

Pesë muaj pas ekzekutimit të Everest  Çakës, u bëhet atentat dy miqve të tij, Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku. Të dy këta persona dyshohet të kenë qenë pjesë e grupeve kriminale të qytetit të Elbasanit. Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku u ekzekutuan mbrëmjen e 4 tetorit në Elbasan, teksa ishin në shoqërinë e njëri-tjetrit në afërsi të një lokali. Ardian Subashi, gjithashtu i njohur me mbiemrin Çollaku, po konsumonte një kafe në një karburant në vendin e quajtur rrethrrotullimi i luleve, në hyrje të qytetit të Elbasanit me mikun e tij, Lulzim Bitri. Në një moment, të dyve u afrohet një makinë, nga dritarja e të cilës del qyta e një arme automatike që lëshon breshëri plumbash ndaj tyre. Numri i predhave të marra nga atentati la të vdekur në vend Bitrin, ndërsa 48-vjeçari Subashi (Çollaku) ishte ende gjallë në momentin kur në zonë mbërriti ndihma e parë. Por teksa transportohej për në spitalin e Elbasanit, ai pësoi vdekje klinike dhe në gjendje kome është sjellë tek Trauma në Tiranë. Ndërkohë,  autorët janë zhdukur duke kryer edhe “ritualin” e të gjithë atentateve; kanë djegur makinën që përdorën gjatë atentatit në fshatin Balldren, duke mos lënë asnjë shenjë pas. Mjeti ‘Volvo’ i përdorur nga autorët u gjet ende duke u djegur nga Policia e Shtetit. Si Bitri dhe Çollaku kanë qenë persona me precedentë të mëparshëm penal. Ardian Çollaku, i njohur edhe si Ardian Subashi, në vitin 2015 është arrestuar në Elbasan pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet italiane, që e kishin dënuar atë me mbi 23 vjet burg për “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armeve luftarake dhe e municionit”. Në vitin 2015, sapo kishte dalë nga burgu, ai shkaktoi një viktimë pas një aksidenti me makinë.

Ndërsa këtë vit, u hetua për vrasjen e Everest Çakajt. Ndërsa Lulzim Bitri u arrestua në vitin 2018, i akuzuar për vrasje në bashkëpunim të një personi në Tetovë të Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, raportohet se të dy ishin të përfshirë në ngjarje të lidhura me grupe kriminale të ndryshme të qytetit, por në “kampe” të ndryshme.

Pak ditë pas vrasjes së dyfishtë në Elbasan, u gjet i vrarë në Peqin anëtari i Bandës së Lushnjes, Alban Semaku, i cili deri në vitin 2011 njihej si Elton Mermali. Deri në muajin maj të këtij viti Semaku ka qenë i burgosur në burgun e Peqinit. Disa ditë përpara se të ekzekutohej, Alban Semaku u rrëmbye në qytetin e Lushnjes nga persona ende të paidentifikuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.